BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • ce kap. 14 f. 168-178
  • Mrekullia njerëzore

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Mrekullia njerëzore
  • Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Diçka «që të çudit»
  • Aftësitë tona superiore
  • Aftësia për të folur, vetëm për njeriun
  • Gjëra që vetëm krijimi mund t’i shpjegojë
  • Ta çmojmë mrekullinë njerëzore
  • Sa unikë jeni!
    A ka një Krijues që interesohet për ju?
  • Një neuropatolog flet për besimin e tij
    Zgjohuni!—2017
  • Të projektuar që të mësojmë përgjithmonë
    Zgjohuni!—2004
  • Sistemi nervor enterik—Truri ynë i dytë?
    Zgjohuni!—2017
Shih më tepër
Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?
ce kap. 14 f. 168-178

Kapitulli 14

Mrekullia njerëzore

1. Cili fakt në lidhje me trurin mund të duket se përbën një problem të madh për të?

NGA të gjitha mrekullitë që ekzistojnë mbi tokë, asnjëra nuk ia kalon trurit të njeriut. Për shembull, çdo sekondë truri merr 100 milionë bit apo njësi informacionesh që vijnë prej shqisave të ndryshme. Si ia bën truri që të mos paralizohet nga ky ortek informacionesh? Nëse brenda një kohe të caktuar ne mund të mendojmë vetëm për një gjë, si arrin mendja të administrojë këto miliona mesazhe të njëkohshme? Është e qartë se mendja jo vetëm që mbijeton ndaj këtij sulmi, por edhe e thith me lehtësi.

2, 3. Cilat janë dy mënyrat me anë të të cilave truri e zgjidh këtë problem?

2 Mënyra se si e bën këtë është vetëm një nga mrekullitë e shumta të trurit të njeriut. Në këtë janë përfshirë dy faktorë. Së pari, në trungun trunor gjendet një rrjet neuronesh me përmasa sa një gisht i vogël i dorës, i quajtur formacioni retikular. Ai kryen rolin e qendrës së kontrollit të trafikut dhe shqyrton miliona mesazhe që mbërrijnë në tru, duke bllokuar të parëndësishmet e duke seleksionuar ato që meritojnë vëmendjen e kores së trurit. Çdo sekondë, ky rrjet i dendur lejon që vetëm disa qindra mesazhe të përvetësohen në nivel të ndërgjegjshëm.

3 Së dyti, një mekanizëm tjetër fokusimi duket se konsiston në disa valë që përshkojnë trurin nga tetë deri në dymbëdhjetë herë në sekondë. Këto valë përcaktojnë periudha të larta të ndjeshmërisë, gjatë së cilave truri çliron impulset më të forta e vepron si rrjedhojë. Mendohet se me anë të këtyre valëve truri eksploron vetveten, duke fokusuar në këtë mënyrë informacionet thelbësore. Çdo sekondë, pra, në trurin tonë zhvillohet një aktivitet jashtëzakonisht i furishëm!

Diçka «që të çudit»

4. Pavarësisht nga kërkimet intensive shkencore mbi funksionimin e trurit, çfarë mund të thuhet ende?

4 Gjatë viteve të fundit, shkencëtarët kanë bërë hapa të mëdhenj përpara në studimin e trurit. Megjithatë, ajo që kanë mësuar nuk është asgjë në krahasim me atë që mbetet për t’u zbuluar. Një kërkues ka thënë se pas mijëra vjetësh hamendje e pas dhjetra të tjerë të kaluar në kërkime intensive shkencore, truri ynë, ngjashëm universit, mbetet «në thelb një mister».1 Ka shumë mundësi që truri i njeriut të jetë përbërësi më misterioz i mrekullisë njerëzore, «mrekulli» në kuptimin e diçkaje «që të habit».

5. Cili fakt që ka të bëjë me trurin e njeriut në një fëmijë ilustron humnerën që e ndan atë nga truri i kafshëve?

5 Mrekullia fillon që në mitrën e nënës. Tri javë pas ngjizjes fillojnë të formohen qelizat trunore. Shtohen me hop, disa herë deri në 250.000 qeliza në minutë. Pas lindjes, truri vazhdon të rritë e të zhvillojë rrjetin e vet të lidhjeve. Humnera që ndan trurin e njeriut nga ai i çdo kafshe bëhet menjëherë e dukshme: «Truri i fëmijës, në ndryshim me atë të çfarëdolloj tjetër kafshe, i trefishon në vitin e parë dimensionet e veta»,—deklaron libri Universi përbrenda.2 Me kalimin e kohës, rreth 100 miliardë qeliza nervore të quajtura neurone, si edhe lloje të tjera qelizash, zënë vend në trurin e njeriut, edhe pse ky përfaqëson vetëm 2 për qind të peshës trupore.

6. Në ç’mënyrë sinjalet nervore udhëtojnë nga njëri neuron tek tjetri?

6 Qelizat kryesore nervore, neuronet, në të vërtetë nuk janë në kontakt të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën. Janë të ndara nga hapësira më të vogla se 25 të miliontat e milimetrit, të quajtura sinapse. Këto hapësira mbushen nga substanca kimike të quajtura neurotransmetuese; prej tyre njihen nja tridhjetë, por truri ndoshta zotëron shumë më tepër. Këto sinjale kimike mblidhen në një skaj të neuronit nga një labirint me fije të holla, të quajtura dendrite. Pastaj, sinjalet transmetohen në skajin tjetër të neuronit nga një fibër nervore, që quhet aksonakson. Tek neuronet sinjalet janë elektrike, ndërsa tek sinapset janë kimike. Prandaj, transmetimi i sinjaleve nervore është me natyrë elektrokimike. Forca e impulseve është gjithmonë po e njëjta, kurse dendësia e sinjaleve varet nga frekuenca e impulseve, e cila mund të arrijë deri në një mijë në sekondë.

7. Cilit aspekt të trurit i është referuar Bibla dhe çfarë kanë zbuluar shkencëtarët në mbështetje të kësaj?

7 Nuk dihet saktësisht se çfarë ndryshimesh fiziologjike ndodhin në tru gjatë fazave të mësimit. Por eksperimentet tregojnë se ndërsa mësojmë, sidomos në vitet e para të jetës, përmirësohen lidhjet dhe çlirohet një sasi më e madhe e atyre substancave kimike që mbushin hapësirat midis neuroneve. Përdorimi i zgjatur i forcon lidhjet, duke përmirësuar kështu mësimin. «Rrugët që përdoren, shpesh forcohen në njëfarë mënyre»,—pohon Scientific American.3 Në lidhje me këtë është interesant pohimi biblik, sipas të cilit gjërat e thella kuptohen më me lehtësi nga persona të pjekur «që me anë të përdorimit i kanë të ushtruara aftësitë e tyre të perceptimit». (Hebrenjve 5:14) Kërkimet kanë nxjerrë në pah se aftësitë mendore mpihen nëse nuk shfrytëzohen. Prandaj truri, si një muskul, forcohet nga përdorimi dhe dobësohet nga mospërdorimi.

8. Cili është një nga problemet më të mëdha ende të pazgjidhura në lidhje me trurin?

8 Numri i madh i fibrave nervore mikroskopike që formojnë këto lidhje trunore përbën «telat» e trurit. Ato janë vendosur me saktësi në një labirint jashtë-zakonisht të ndërlikuar. Por mënyra se si janë sistemuar në pikat e sakta të parashikuara nga «diagramet e ‘telit’» është një mister. «Nuk ka dyshim,—thotë një shkencëtar,—se argumenti më i rëndësishëm ende i pazgjidhur në zhvillimin e trurit, është çështja se si neuronet vendosin modele specifike lidhjesh . . . Pjesa më e madhe e lidhjeve është vendosur saktësisht qysh në një stad të hershëm të zhvillimit.»4 Një kërkues tjetër shton se këto zona të trurit të specifikuara si në harta «janë të zakonshme gjithandej në sistemin nervor dhe mënyra e saktë e vendosjes së këtij ‘teli’ mbetet një nga problemet më të mëdha pa zgjidhje».5

9. Sipas shkencëtarëve, sa lidhje duhet të ekzistojnë në tru dhe çfarë thotë një ekspert mbi aftësinë e trurit?

9 Numri i këtyre lidhjeve është astronomik. Çdo neuron mund të vendosë mijëra lidhje me neuronet e tjera. Nuk ka vetëm lidhje midis neuroneve, por ekzistojnë edhe mikroqarqe që lidhin drejtpërsëdrejti dendritet midis tyre. «Këto ‘mikroqarqe’,—thotë një neurolog,—i shtojnë një dimension tërësisht të ri kuptueshmërisë sonë, tashmë të vështirë, mbi funksionimin e trurit.»6 Disa kërkues mendojnë se «miliarda e miliarda qelizat nervore të trurit të njeriut mund të formojnë, madje, një kuatrilion lidhjesh».7 Me çfarë aftësie? Karl Sagan pohon se sasia e informacioneve që mund të grumbullojë truri «do të mbushte njëzet milionë libra, aq sa gjenden në bibliotekat më të mëdha të botës».8

10. (a) Në cilat aspekte korja e trurit të njeriut ndryshon nga ajo e kafshëve dhe cilat janë avantazhet e njeriut? (b) Çfarë ka thënë në lidhje me këtë një kërkues?

10 Ajo që e dallon plotësisht njeriun nga çdo lloj kafshe, është korja e trurit. Kjo pllakë e palosur, e shtrënguar pas kafkës, ka një dendësi prej 4,5 milimetrash. E shtrirë, ajo do të arrinte një masë prej 220.000 milimetrash katrorë, me rreth 1.000 kilometra fibra nervore për centimetër kub. Korja e trurit të njeriut jo vetëm që është shumë më e madhe se ajo e çfarëdolloj kafshe, por ka edhe një sipërfaqe të paangazhuar shumë më të gjerë. Bëhet fjalë për një zonë që nuk është caktuar të drejtojë funksionet fizike të trurit, por që është e gatshme për proceset e larta mendore që dallojnë njeriun nga kafshët. «Nuk jemi vetëm majmunë më inteligjentë»,—ka thënë një kërkues. Mendja jonë «na bën cilësisht të ndryshëm nga të gjitha format e tjera të jetës».9

Aftësitë tona superiore

11. Në ç’mënyrë truri njerëzor i jep njeriut një zhdërvjelltësi për të mësuar që kafshët nuk e kanë?

11 «Ajo që e dallon trurin e njeriut,—thotë një shkencëtar,—është shumëllojshmëria e aktiviteteve më të specializuara që ai është në gjendje të kuptojë.»10 Shkenca e kompjuterëve përdor termin «hardwired», duke iu referuar karakteristikave fikse qarkore të kompjuterëve, për t’i dalluar ato nga funksionet e programuara. «Duke u aplikuar tek qeniet njerëzore,—shkruan një ekspert,—termi hardwired tregon aftësitë e lindura ose të paktën, predispozicionin.»11 Njeriu zotëron shumë aftësi të lindura për të mësuar, por jo informacionet në vetvete. Përkundrazi, kafshët kanë një mençuri të lindur të trupëzuar, por aftësi të kufizuara për të mësuar, për sa u përket gjërave të reja.

12. Në ndryshim nga kafshët, çfarë aftësie të lindur ka truri njerëzor dhe çfarë lirie i jep kjo njeriut?

12 Libri Universi përbrenda vëren se kafsha më e zgjuar «nuk zhvillon kurrë një mendje si ajo e njeriut. I mungon ajo që ne e kemi: paraprogramimi i aparatit nervor, i cili na lejon të formojmë koncepte nga ajo që shohim, aftësinë për të folur nga ajo që dëgjojmë dhe mendime nga përvojat që kalojmë». Por me anë të futjes së të dhënave të marra nga ambienti, duhet ta programojmë trurin, përndryshe, siç thotë një libër, «nuk do të zhvillohej asgjë e ngjashme me mendjen njerëzore . . . Pa këtë futje të madhe përvojash, zor se do të kishte ndonjë gjurmë të intelektit».12 Prandaj, truri i njeriut është i pajisur me aftësinë e nevojshme për formimin e intelektit njerëzor. Dhe në dallim nga kafshët, ne jemi të pajisur me vullnet të lirë dhe mund ta programojmë intelektin tonë si të na duket më mirë, në bazë të njohurisë sonë, të vlerave, të mundësive dhe të synimeve tona.

Aftësia për të folur, vetëm për njeriun

13, 14. (a) Cili është një shembull i paraprogramimit që i lejon njeriut të mësojë me zhdërvjelltësi të madhe çdo gjë që dëshiron? (b) Nën dritën e këtij fakti, çfarë ka thënë një gjuhëtar i njohur në lidhje me kafshët dhe me aftësinë për të folur?

13 Një shembull i qartë i aftësive të lindura që lejojnë një shumanshmëri programimi nga ana jonë, është aftësia për të folur. Specialistët janë dakort se «truri i njeriut është i programuar gjenetikisht për zhvillimin e aftësisë për të folur»13 dhe se kjo «mund të shpjegohet vetëm me një aftësi të lindur për përpunimin e të folurit në trurin tonë».14 Por në kundërshtim me sjelljen e ngurtë instinktive të kafshëve, njeriu mund ta përdorë me një shumanshmëri të pafund këtë aftësi të lindur të të folurit.

14 Truri ynë nuk është i predispozuar për një gjuhë specifike, por kemi aftësinë e lindur për të mësuar gjuhë. Nëse në familje fliten dy gjuhë, fëmija mund t’i mësojë që të dyja. Nëse bie në kontakt me një gjuhë të tretë, mund ta mësojë edhe atë. Një vajzë e vogël, qysh nga fëmijëria, qe në kontakt me gjuhë të ndryshme. Në moshën pesë vjeçare fliste saktësisht tetë prej tyre. Duke parë këto aftësi të lindura, nuk të habit fakti që një gjuhëtar ka thënë se eksperimentet me të folurit me shenja, të kryera mbi shimpanzetë «në të vërtetë tregojnë se shimpanzetë nuk janë të afta të vënë në përdorim edhe format më rudimentare të të folurit njerëzor».15

15. Çfarë tregon shkenca për sa u përket gjuhëve më të lashta?

15 A mund të ketë evoluar një aftësi kaq e jashtëzakonshme nga hungërimat dhe kuitjet e kafshëve? Studimi i gjuhëve më të lashta e përjashton kategorikisht një evolucion të tillë të të folurit. Një ekspert ka thënë se «nuk ekzistojnë gjuhë primitive».16 Antropologu Eshli Montagu është dakort se gjuhët e ashtuquajtura primitive «shpesh janë shumë më të ndërlikuara dhe efikase se të ashtuquajturat qytetërime të evoluara».17

16. Çfarë thonë disa kërkues mbi origjinën e të folurit, por për kë nuk është një mister?

16 Një neurolog ka mbërritur në këtë përfundim: «Sa më shumë që përpiqemi të depërtojmë në mekanizmin e të folurit, aq më i mistershëm na shfaqet ai.»18 Një kërkues tjetër pohon: «Origjina e të folurit sintaksor vazhdon të jetë një mister.»19 Dhe një i tretë thotë: «Aftësia për të folur, me fuqinë e saj për të nxitur njerëz e kombe si asnjë forcë tjetër, e dallon plotësisht njeriun nga kafshët. E megjithatë, origjina e të folurit mbetet një nga misteret më hutuese të trurit.»20 Por nuk është një mister për ata që shohin në të dorën e një Krijuesi, i cili paracaktoi zona të përcaktuara të trurit për përpunimin e të folurit.

Gjëra që vetëm krijimi mund t’i shpjegojë

17. (a) Cili fakt në lidhje me trurin përbën një problem të pazgjidhshëm për evolucionin? (b) Cili do të ishte një shpjegim logjik për aftësitë e pakufizuara të mësimit që ka truri i njeriut?

17 Encyclopœdia Britannica pohon se truri i njeriut «është i pajisur me një potencial shumë më të madh se ai që një person vë në përdorim gjatë jetës së tij».21 Është thënë gjithashtu se truri i njeriut mund të mësojë e të memorizojë çdo ngarkesë informacionesh që mund t’i jepet tani, madje edhe një miliard herë më shumë! Por, përse vallë evolucioni do të prodhonte një sproporcion të tillë? «Në fakt, ky është i vetmi shembull që ekziston i një gjallese të pajisur me një organ, të cilin nuk ka mësuar ende ta përdorë»,—pranon një shkencëtar. Pastaj bën pyetjen: «Si mund të pajtohet kjo me tezën më elementare evolucioniste, sipas së cilës seleksionimi natyror ecën me hapa të vegjël, çdonjëri prej të cilëve duhet t’i japë organizmit që e mbart një avantazh qoftë edhe të vogël, por gjithsesi të perceptueshëm?» Pastaj shton se zhvillimi i trurit të njeriut «mbetet një nga aspektet më të pashpjegueshme të evolucionit».22 Pasi procesi evolutiv nuk do ta kishte prodhuar dhe transmetuar këtë aftësi të sproporcionuar të trurit, e destinuar fillimisht për të mos u shfrytëzuar kurrë, a nuk është shumë më e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se njeriu, me aftësinë e tij të pakufizuar për të mësuar, është projektuar për të jetuar përgjithmonë?

18. Si i përmbledh një shkencëtar aftësitë e trurit të njeriut dhe cili shembull i ilustron ato?

18 I habitur nga aftësia e trurit të njeriut për të grumbulluar informacione ‘të cilat do të mbushnin njëzet milionë libra’, Karl Sagan thotë: «Truri është me të vërtetë një vend shumë i madh brenda një hapësire mjaft të vogël.»23 Ajo që ndodh brenda kësaj hapësire të kufizuar e sfidon kuptueshmërinë njerëzore. Imagjino, për shembull, se çfarë duhet të ndodhë në trurin e një pianisti, ndërsa ai luan një pjesë të vështirë muzikore, duke përdorur të gjithë gishtat mbi tastierë. Çfarë sensi të pabesueshëm lëvizjesh duhet të ketë truri i tij, për të urdhëruar gishtat që t’u bien tasteve të duhura në momentin e duhur dhe me forcën e duhur, në mënyrë që të korrespondojnë me notat që ai ka në mendje! Dhe nëse stonon, menjëherë truri ia bën të ditur. Të gjitha këto veprime të ndërlikuara në mënyrë të pabesueshme, janë programuar në trurin e tij gjatë viteve të praktikës. Por kjo është e mundur vetëm falë faktit se aftësia muzikore ishte paraprogramuar në trurin e njeriut që nga lindja.

19. Si shpjegohen aftësitë intelektuale dhe aftësitë e tjera të mrekullueshme të trurit të njeriut?

19 Asnjë tru i ndonjë kafshe nuk ka perceptuar ndonjëherë gjëra të tilla, e aq më pak nuk është në gjendje t’i kryejë ato. Po kështu, asnjë nga teoritë evolucioniste nuk na jep shpjegimin. A nuk është e dukshme se aftësitë intelektuale të njeriut pasqyrojnë ato të një Intelekti më të madh? Kjo përputhet me Zanafillën 1:27, që thotë: «Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet.» (Dio) Kafshët nuk u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Për këtë arsye nuk kanë aftësitë e njeriut. Edhe pse kafshët kryejnë veprime të jashtëzakonshme falë instinkteve të ngurta të paracaktuara, ato nuk krahasohen as për së largu me njeriun dhe me zhdërvjelltësinë e tij në mendime dhe në veprime ose me aftësinë e tij që të vazhdojë të ndërtojë në bazë të njohurisë së mëparshme.

20. Përse altruizmi që shfaq njeriu është i papajtueshëm me evolucionin?

20 Cilësia altruiste e njeriut përfaqëson një tjetër problem për evolucionin. Siç vëren një evolucionist, ‘çdo gjë që ka evoluar përmes seleksionimit natyror, duhet të jetë egoiste’. Dhe s’ka dyshim që shumë njerëz janë egoistë. Por më pas, po ky evolucionist pranon: «Ka mundësi, megjithatë, që një tjetër cilësi specifike e njeriut të jetë altruizmi i sinqertë, pa interes dhe i vërtetë.»24 Një studiues tjetër shton: «Altruizmi është i lindur brenda nesh.»25 Vetëm njeriu e shfaq këtë, duke qenë i vetëdijshëm për çmimin apo sakrificën që mund t’i kushtojë.

Ta çmojmë mrekullinë njerëzore

21. Cilat aftësi dhe cilësi e dallojnë plotësisht njeriun nga cilado kafshë?

21 Mendo pak: njeriu zotëron aftësinë e të menduarit abstrakt, me ndërgjegje i vë vetes objektiva, bën plane për t’i arritur ato, vepron për t’i përmbushur dhe ndien kënaqësi kur i realizon. I krijuar me ndjenjën e së bukurës, me vesh për muzikë, me predispozicion për artin, me një kuriozitet të pangopur dhe me një imagjinatë të aftë për të shpikur e krijuar, njeriu provon gëzim dhe ndihet i plotë kur përfiton prej këtyre dhuratave. Ndien kënaqësi kur përdor aftësitë e veta mendore dhe fizike për të zgjidhur problemet që i dalin përpara. Është i pajisur, gjithashtu, me një sens moral që i lejon të dallojë të mirën nga e keqja, si dhe me ndërgjegje që e vret kur gabon. Provon lumturi kur jep dhe gëzohet kur dashuron dhe kur e duan. Të gjitha këto aktivitete dhe cilësi e shtojnë gëzimin e tij të jetës dhe i japin një domethënie dhe qëllim jetës së tij.

22. Para cilave gjëra njeriu kupton vogëlsinë e tij dhe ndihet i nxitur për të kërkuar një shpjegim?

22 Njeriu mund të soditë botën bimore dhe shtazore, madhështinë e maleve e të oqeaneve, pafundësinë e qiellit me yje dhe të kuptojë në këtë mënyrë vogëlsinë e tij. Ai ka konceptin e kohës dhe të përjetësisë, pyet veten se nga ka ardhur dhe ku shkon, si dhe përpiqet të kuptojë se çfarë fshihet prapa gjithë kësaj. Asnjë kafshë tjetër nuk ka të tilla mendime, ndërsa njeriu pyet përse dhe si për çdo gjë. E gjithë kjo rrjedh nga fakti se ai është pajisur me një tru të jashtëzakonshëm dhe ngaqë është «shëmbëlltyra» e Atij që e krijoi.

23. Kujt ia atribuoi Davidi origjinën e vet dhe çfarë tha mbi formimin e tij në mitrën e nënës?

23 Me një mendjehollësi të habitshme, psalmisti i lashtë, Davidi, ia dha meritën për këtë Atij që projektoi trurin dhe atij, të cilit ai i atribuoi mrekullinë e lindjes njerëzore. Ai shkroi: «Do të të lavdëroj, sepse jam krijuar në një mënyrë tmerrësisht të mrekullueshme. Të mrekullueshme janë veprat e tua, siç shpirti im e di shumë mirë. Eshtrat e mia nuk u fshehën nga ty, kur u krijova në fshehtësi, kur u thura në pjesët më të ulëta të tokës. Sytë e tu panë madje edhe embrionin tim dhe në librin tënd ishin shkruar të gjitha pjesët e tij.»—Psalmi 139:14-16.

24. Cilat zbulime shkencore i bëjnë edhe më të habitshme fjalët e Davidit?

24 Dhe me të vërtetë mund të themi se veza e pllenuar në mitrën e nënës përmban «të shkruara» të gjitha pjesët e trupit të njeriut që do të zhvillohet prej saj. Zemra, mushkëritë, veshkat, sytë, veshët, krahët, këmbët, truri i jashtëzakonshëm dhe të gjitha pjesët e tjera të trupit ishin «të shkruara» në kodin gjenetik të vezës së pllenuar në mitrën e nënës. Ky kod përmban edhe një program të brendshëm që përcakton kohën në të cilën duhet të shfaqen këto pjesë, secila në radhën e duhur. Ky fakt u tregua nga Bibla gati tre mijë vjet më parë se shkenca moderne të zbulonte kodin gjenetik!

25. Në çfarë përfundimi të çon e gjithë kjo?

25 A nuk është vallë një mrekulli, një burim habie ekzistenca e njeriut dhe e trurit të tij të jashtëzakonshëm? A nuk është po kaq e dukshme se kjo mrekulli mund të shpjegohet vetëm nga krijimi, jo nga evolucioni?

[Diçitura në faqen 168]

Si arrin truri të administrojë 100 milionë mesazhet që merr çdo sekondë?

[Diçitura në faqen 169]

Truri eksploron vetveten çdo një të dhjetat e sekondës, duke fokusuar informacionet thelbësore

[Diçitura në faqen 169]

Truri ynë, si universi, mbetet «në thelb një mister»

[Diçitura në faqen 173]

«Nuk jemi vetëm majmunë më inteligjentë.» Mendja jonë «na bën cilësisht të ndryshëm nga të gjitha format e tjera të jetës»

[Diçitura në faqen 175]

«Origjina e të folurit mbetet një nga misteret më hutuese të trurit»

[Diçitura në faqen 175]

Zhvillimi i trurit të njeriut «mbetet një nga aspektet më të pashpjegueshme të evolucionit»

[Diçitura në faqen 177]

Truri i jashtëzakonshëm i njeriut pasqyron «shëmbëlltyrën» e Krijuesit të tij

[Kutia dhe figura në faqen 171]

TRURI I NJERIUT—Një ‘mister i pazgjidhur’?

«Truri i njeriut është objekti më i mrekullueshëm dhe më i mistershëm në gjithë universin.»—Henry F. Osborn, antropolog a

«Si arrin truri të lindë mendime? Ky është problemi kryesor, të cilit ende nuk i kemi gjetur zgjidhje.»—Charles Sherrington, fiziolog b

«Pavarësisht nga grumbullimi i vazhdueshëm i njohurive shumë të hollësishme, mënyra në të cilën funksionon truri i njeriut mbetet akoma një mister i thellë.»—Francis Crick, biolog c

«Kush flet për një kompjuter si për një ‘tru elektronik’, nuk ka parë kurrë një tru.»—Dr. Irving S. Bengelsdorf, redaktor shkencor ç

«Kujtimet tona aktive magazinojnë miliarda herë më shumë informacione se një kompjuter i madh modern.»—Morton Hunt, shkrimtar shkencor d

«Pasi truri është i ndryshëm dhe pafundësisht më i ndërlikuar se çdo gjë tjetër që ekziston në universin e njohur, përpara se të kemi mundësinë të sondojmë natyrën misterioze të trurit, do të na duhet të heqim dorë nga disa prej bindjeve tona më të forta.»—Richard M. Restak, neurolog dh

Në lidhje me humnerën që ndan njeriun nga kafshët, Alfred R. Uolles, ‘bashkautor i teorisë së evolucionit’, i shkroi Darvinit: «Seleksionimi natyror do ta kishte pajisur njeriun e egër me një tru pak më superior se ai i majmunit, ndërsa ai zotëron një tru paksa më inferior se ai i një përfaqësuesi mesatar të shoqërisë sonë të shkolluar.» I befasuar nga ky pohim, Darvini ia ktheu: «Shpresoj që ti të mos kesh vrarë plotësisht krijesën tonë të përbashkët.» e

Të pohosh se truri i njeriut ka evoluar nga ai i ndonjë kafshe, do të thotë të sfidosh arsyen dhe faktet. Shumë më i logjikshëm do të kishte qenë ky përfundim: «Nuk kam tjetër zgjidhje, përveçse të pranoj ekzistencën e një Intelekti suprem, përgjegjës për projektimin dhe zhvillimin e lidhjes së pabesueshme tru-mendje, diçka që tejkalon tejet mase mundësitë e kuptueshmërisë njerëzore. . . . Më duhet të besoj se e gjithë kjo ka pasur një fillim inteligjent, se Dikush e ka bërë këtë të mundur.»—Dr. Robert J. White, neurokirurg ë

[Diagrami në faqen 170]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Truri, si një muskul, forcohet nga përdorimi dhe dobësohet nga mospërdorimi

Dendrite

Neuron

Aksone

Sinapse

Neuron

Aksone

[Figura në faqen 172]

Sasia e informacioneve që mund të grumbullojë truri «do të mbushte njëzet milionë libra»

[Figurat në faqen 174]

Truri i një fëmije është paraprogramuar të mësojë me shpejtësi gjuhë të ndërlikuara, ndërsa «shimpanzetë nuk janë të afta të vënë në përdorim edhe format më rudimentare të të folurit njerëzor»

[Figura në faqen 176]

Aftësitë e njeriut i kalojnë jashtë mase ato të çfarëdolloj kafshe

[Figura në faqen 178]

«Në librin tënd ishin shkruar të gjitha pjesët e tij»

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo