BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • be f. 13-f. 16 par. 5
  • ‘Kushtoji vëmendje mënyrës se si dëgjon’

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • ‘Kushtoji vëmendje mënyrës se si dëgjon’
  • Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Përgatit zemrën
  • Përqendrohu
  • Dëgjoji fjalimet
  • Dëgjo gjatë diskutimeve
  • Dëgjo në asamble dhe në kongrese
  • Stërviti fëmijët që të dëgjojnë
  • Të jemi dëgjues të mirë
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Si po na udhëheq Jehovai?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2000
  • ‘Të dëgjojmë e të marrim më shumë mësim’
    Shërbimi ynë i Mbretërisë—2001
  • Të dëgjosh me dashuri është art
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
Shih më tepër
Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik
be f. 13-f. 16 par. 5

‘Kushtoji vëmendje mënyrës se si dëgjon’

DËGJIMI është një faktor i rëndësishëm që ndikon në procesin e mësimit. Ndikon ndoshta edhe në mundësinë e një personi për të mbijetuar. Kur Jehovai po përgatitej ta çlironte popullin e tij nga robëria në Egjipt, i dha udhëzime Moisiut. Ky u tha pleqve të Izraelit se çfarë duhej të bënin për të shpëtuar të parëlindurit e tyre nga engjëlli i vdekjes. (Dal. 12:21-23) Pastaj pleqtë e përcollën këtë informacion në çdo shtëpi. Kjo u bë gojarisht. Populli duhej të dëgjonte me kujdes. Si reaguan ata? Bibla raporton: «Të gjithë bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu siç e kishte urdhëruar Jehovai Moisiun dhe Aaronin. Ata bënë pikërisht ashtu.» (Dal. 12:28, 50, 51) Si rrjedhim, Izraeli u çlirua në mënyrë mahnitëse.

Sot Jehovai po na përgatit për një çlirim edhe më të madh. Natyrisht, udhëzimet që na siguron ai meritojnë vëmendjen më të madhe nga ana jonë. Këto udhëzime na jepen në mbledhjet e kongregacionit. A po nxjerr dobi plotësisht nga këto mbledhje? Shumë varet nga mënyra se si dëgjon.

A i mban mend pikat kryesore që janë trajtuar në mbledhje? A e ke zakon që javë pas jave të kërkosh mënyra për të zbatuar në jetë udhëzimet e dhëna ose për t’ua thënë edhe të tjerëve?

Përgatit zemrën

Për të nxjerrë plotësisht dobi nga udhëzimet e dhëna në mbledhjet e krishtere, duhet të përgatitim zemrën. Se sa e rëndësishme është kjo del në pah nga ajo që ndodhi gjatë mbretërimit të Jehozafatit, mbret i Judës. Jehozafati me guxim u rreshtua në anën e adhurimit të pastër. Ai «hoqi . . . vendet e larta dhe shtyllat e shenjta nga Juda» dhe i ngarkoi princat, levitët e priftërinjtë që t’ia mësonin Ligjin e Jehovait popullit në të gjitha qytetet e Judës. Megjithatë «vendet e larta nuk u zhdukën». (2 Kron. 17:6-9; 20:33) Adhurimi i perëndive të rremë dhe forma e paautorizuar e adhurimit të Jehovait që praktikohej në vendet e larta pagane ishin të rrënjosura kaq thellë, saqë nuk u shkulën.

Pse nuk pati ndikim afatgjatë arsimimi që organizoi Jehozafati? Tregimi vazhdon: «Populli vetë nuk e kishte përgatitur ende zemrën për Perëndinë e paraardhësve të tyre.» Ata dëgjuan, por nuk vepruan. Ndoshta mendonin se nuk ishte e volitshme të shkonin deri në tempull në Jerusalem për të ofruar flijime. Sido që të ketë qenë, zemra e tyre nuk ishte e motivuar nga besimi.

Që të mos kthehemi përsëri në rrugët e botës së Satanait, duhet ta përgatitim zemrën për të marrë udhëzimet që na jep sot Jehovai. Si? Një mënyrë e rëndësishme është duke u lutur. Duhet të lutemi që t’i pranojmë udhëzimet hyjnore me një frymë mirënjohjeje. (Psal. 27:4; 95:2) Kjo do të na ndihmojë që t’i çmojmë përpjekjet e vëllezërve tanë të cilët, ndonëse të papërsosur, tregohen të gatshëm që Jehovai t’i përdorë për të mësuar popullin e tij. Do të na nxitë edhe që ta falënderojmë Jehovain jo vetëm për gjërat e reja që po mësojmë, por edhe për mundësinë që të thellojmë çmueshmërinë për gjërat që kemi mësuar më parë. Me dëshirën për ta zbatuar plotësisht vullnetin e Perëndisë, lutemi: «Mësomë o Jehova, udhën tënde. . . . Njësoje zemrën time që t’i frikësohet emrit tënd.»​—Psal. 86:11.

Përqendrohu

Ka shumë gjëra që na pengojnë të dëgjojmë me vëmendje. Mund ta kemi mendjen të mbushur me shqetësime. Zhurma dhe lëvizjet në auditor ose jashtë vendit të mbledhjes mund të na shpërqendrojnë. Ndonjë shqetësim fizik mund të na e bëjë të vështirë të përqendrohemi. Ata që kanë fëmijë të vegjël shpesh nuk arrijnë ta kenë mendjen plotësisht te programi. Çfarë mund të na ndihmojë që të jemi të përqendruar në program?

Sytë luajnë një rol të madh për sa i përket përqendrimit të vëmendjes. Mbaji sytë të fiksuar tek oratori, pasi kjo të ndihmon të përqendrohesh. Kur ai citon një shkrim biblik​—edhe sikur të jetë i njohur​—kërkoje dhe ndiqe në Biblën tënde leximin. Rezistoji tundimit për ta kthyer kokën sa herë që bëhet ndonjë zhurmë ose ndonjë lëvizje. Nëse sytë po e mbytin mendjen me informacione shpërqendruese, do të humbësh pjesën më të madhe të asaj që po thuhet nga podiumi.

Nëse ke «mendime turbulluese» që ta bëjnë të vështirë të përqendrohesh në program, lutju Jehovait për ta pasur të qetë mendjen dhe zemrën, me qëllim që të arrish të përqendrohesh. (Psal. 94:19; Filip. 4:6, 7) Bëje disa herë me radhë këtë, po të jetë e nevojshme. (Mat. 7:7, 8) Mbledhjet e kongregacionit janë një masë e siguruar nga Jehovai. Mund të jesh i sigurt se ai dëshiron që të nxjerrësh dobi prej tyre.​—1 Gjon. 5:14, 15.

Dëgjoji fjalimet

Ka të ngjarë të të kujtohen disa pika që të kanë pëlqyer nga fjalime të ndryshme. Megjithatë, të dëgjosh një fjalim përfshin më shumë sesa thjesht të grumbullosh pika të veçanta. Fjalimet janë si udhëtimet. Ndonëse gjatë rrugës mund të ketë gjëra interesante për të parë, gjëja kryesore është vendmbërritja, pikësynimi. Oratori ndoshta po përpiqet që ta çojë auditorin drejt një përfundimi të caktuar ose t’i nxitë të ndërmarrin ndonjë veprim.

Shqyrto fjalimin që mbajti Josiu para kombit të Izraelit, fjalim që e gjejmë te Josiu 24:1-15. Pikësynimi i tij ishte që ta nxiste popullin të merrte qëndrim të palëkundur në anën e adhurimit të vërtetë, duke u ndarë plotësisht nga idhujtaria e kombeve përreth. Pse ishte kaq e rëndësishme kjo? Përhapja e gjerë e adhurimit të rremë përbënte një kërcënim serioz për kombin, duke vënë në rrezik qëndrimin e mirë që kishte para Jehovait. Populli iu përgjigj thirrjes së Josiut duke thënë: «Është e pamendueshme për ne që të lëmë Jehovain për t’u shërbyer perëndive të tjera. . . . Do t’i shërbejmë Jehovait.» Dhe ashtu bënë.​—Jos. 24:16, 18, 31.

Kur je duke dëgjuar një fjalim, përpiqu të dallosh qëllimin e tij. Mendo se si ndihmojnë pikat që nxjerr në pah oratori për ta arritur atë qëllim. Pyet veten se çfarë kërkohet prej teje sipas këtij informacioni.

Dëgjo gjatë diskutimeve

Studimi i Kullës së Rojës, Studimi i Librit të Kongregacionit dhe disa pjesë të Mbledhjes së Shërbimit zhvillohen në formë diskutimi me pyetje e përgjigje për një material të bazuar në Bibël.

Të dëgjosh gjatë një diskutimi është në njëfarë kuptimi si të marrësh pjesë në një bisedë. Për të nxjerrë plotësisht dobi, dëgjo me kujdes. Ndiq drejtimin në të cilin po ecën diskutimi. Vër re si i thekson drejtuesi temën dhe pikat kryesore. Përgjigjju me mend pyetjeve të tij. Dëgjo kur të tjerët shpjegojnë dhe tregojnë se si gjen zbatim materiali. Duke e parë informacionin nga këndvështrimi i të tjerëve, mund të dallosh aspekte të reja për një argument të njohur. Ndihmo edhe ti në shkëmbimin e pikëpamjeve, duke shprehur besimin tënd.​—Rom. 1:12.

Po ta studiosh paraprakisht materialin e caktuar, kjo do të të ndihmojë të përfshihesh në mënyrë të plotë në diskutim dhe të ndjekësh komentet e të tjerëve. Nëse për shkak të rrethanave e ke të vështirë ta studiosh plotësisht materialin, gjej të paktën disa minuta kohë për t’i hedhur një sy para se të shkosh në mbledhje. Kjo do të të ndihmojë të përfitosh më shumë nga diskutimi.

Dëgjo në asamble dhe në kongrese

Në asamble dhe në kongrese mund të ketë më shumë shpërqendrime sesa në mbledhjet e kongregacionit. Kjo e bën dëgjimin një sfidë më të madhe. Çfarë mund të na ndihmojë?

Një faktor i rëndësishëm është të pushosh mjaftueshëm gjatë natës. Përpara se të fillojë programi çdo ditë, ngulite mirë në mendje temën. Shiko titullin e çdo fjalimi dhe përpiqu të imagjinosh se çfarë do të paraqitet. Përdore mirë Biblën. Shumë veta kanë parë se duke mbajtur shënime të shkurtra për pikat kryesore e kanë më të lehtë të jenë vazhdimisht të përqendruar në program. Mbaji shënim udhëzimet që planifikon t’i zbatosh në jetën tënde dhe në shërbim. Çdo ditë, gjatë rrugës për të shkuar e për t’u kthyer nga asambleja, diskuto rreth disa pikave të trajtuara. Kjo do të të ndihmojë ta mbash mend informacionin.

Stërviti fëmijët që të dëgjojnë

Prindërit e krishterë mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre madje që kur i kanë foshnja, të bëhen «të mençur për shpëtimin», duke i marrë me vete në mbledhjet e kongregacionit, në asamble dhe në kongrese. (2 Tim. 3:15) Fëmijët kanë karaktere të ndryshme dhe nuk përqendrohen të gjithë njësoj, për të njëjtën sasi kohe. Nevojitet, pra, aftësi dalluese për t’i ndihmuar që të mësojnë të dëgjojnë me vëmendje. Sugjerimet e mëposhtme mund të të ndihmojnë.

Në shtëpi, programo periudha kohe gjatë të cilave fëmijët të rrinë ulur pa bërë zhurmë ndërkohë që lexon diçka ose shikon figurat në botimet tona të krishtere. Në mbledhje mos u jep lodra për t’i mbajtur të zënë. Ashtu si në Izraelin e lashtë, edhe sot fëmijët janë të pranishëm «që të dëgjojnë e të mësojnë». (Ligj. 31:12) Kur është praktike, disa prindër u japin fëmijëve nga një kopje të botimeve që po shqyrtohen, edhe pse janë shumë të vegjël. Ndërkohë që rriten, ndihmoji fëmijët të përgatiten për të komentuar aty ku kërkohet pjesëmarrja e auditorit.

Shkrimet tregojnë se ta dëgjojmë Jehovain dhe t’i bindemi atij lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Kjo mund të kuptohet nga fjalët e Moisiut drejtuar kombit të Izraelit: «Të kam vënë përpara jetën dhe vdekjen, bekimin dhe mallkimin; e ti duhet të zgjedhësh jetën, . . . duke dashur Jehovain, Perëndinë tënd, duke dëgjuar zërin e tij dhe duke qëndruar i lidhur ngushtë me të.» (Ligj. 30:19, 20) Sot, t’i dëgjojmë udhëzimet që jep Jehovai dhe t’i zbatojmë me bindje në jetën tonë është thelbësore për të fituar miratimin e Perëndisë dhe bekimin e jetës së përhershme. Sa jetësore është, pra, t’i vëmë veshin këshillës së Jezuit: «Kushtojini vëmendje mënyrës se si dëgjoni.»​—Luka 8:18.

SUGJERIME PËR TË DËGJUAR ME EFEKTSHMËRI

  • Lutu për ndihmë që të përqendrohesh në program

  • Mbaji sytë të fiksuar tek oratori

  • Kur citohen shkrime, kërkoji në Bibël dhe ndiq leximin e tyre

  • Përpiqu të kuptosh pikësynimin e fjalimit

  • Përgjigjju me mend pyetjeve që bëhen; dëgjoji me kujdes komentet që jepen

  • Mbaj shënime të shkurtra

  • Veço pikat që planifikon t’i zbatosh personalisht

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo