MËSIMI 21
Plaga e dhjetë
Moisiu i premtoi faraonit se s’do të shkonte më tek ai. Por, para se të largohej, i tha: ‘Në mesnatë, i parëlinduri i çdo egjiptiani, nga djali i faraonit deri te djemtë e skllevërve, do të vdesë.’
Jehovai u kërkoi izraelitëve të përgatitnin një vakt të veçantë. Ai u tha: ‘Therni një qengj ose një kec mashkull njëvjeçar dhe vini ca nga gjaku i tij te porta e shtëpisë. Piqeni mishin dhe hajeni me bukë pa maja. Vishni rrobat, sandalet dhe bëhuni gati të ikni. Këtë natë do t’ju çliroj.’ E përfytyron dot sa të lumtur duhet të kenë qenë izraelitët?
Në mesnatë, engjëlli i Jehovait shkoi te çdo shtëpi në Egjipt. Te shtëpitë ku nuk kishte gjak te porta, djali i parëlindur vdiste. Por engjëlli nuk shkonte dhe i kalonte shtëpitë që kishin shenjën e gjakut. Çdo familje egjiptiane, e pasur ose e varfër, humbi një fëmijë. Ama, asnjë nga fëmijët e izraelitëve nuk vdiq.
Vdiq edhe djali i vetë faraonit. Faraoni u dorëzua. Menjëherë i tha Moisiut dhe Aronit: ‘Ngrihuni, largohuni që këtu. Shkoni e adhuroni Perëndinë tuaj. Merrni kafshët tuaja dhe ikni!’
Nën dritën e hënës së plotë, izraelitët dolën nga Egjipti, të organizuar sipas familjeve dhe fiseve. Ishin 600.000 burra izraelitë dhe shumë gra e fëmijë. Bashkë me ta shkuan edhe shumë njerëz të tjerë që të adhuronin Jehovain. Më në fund, izraelitët ishin të lirë!
Për të kujtuar si i kishte shpëtuar Jehovai, ata do të përgatitnin të njëjtin vakt të veçantë çdo vit. Kjo u quajt Festa e Kalimit.
«Pikërisht për këtë arsye të kam lënë gjallë: që nëpërmjet teje të tregoj fuqinë time dhe që emri im të shpallet në mbarë tokën.»—Romakëve 9:17