MËSIMI 73
Gjoni shpall ardhjen e Mesisë
Gjoni, biri i Zakarisë dhe i Elizabetës, kur u rrit, u bë profet. Me anë të tij, Jehovai u mësoi njerëzve se Mesia po vinte. Por, në vend që të mësonte nëpër sinagoga ose qytete, Gjoni predikonte në shkretëtirë. Njerëzit shkonin nga Jerusalemi dhe nga çdo anë e Judesë që Gjoni t’i mësonte. Ai u thoshte se, për t’i pëlqyer Perëndisë, nuk duhej të bënin më të këqija. Pasi e dëgjonin, shumë pendoheshin për mëkatet e tyre dhe ai i pagëzonte në lumin Jordan.
Gjoni bënte një jetë të thjeshtë. Ai vishte një rrobë me lesh deveje dhe ushqehej me karkaleca e mjaltë. Njerëzit ishin kureshtarë për Gjonin. Edhe farisenjtë dhe saducenjtë që ishin krenarë, shkuan për ta parë. Gjoni u tha: ‘Ju duhet të ktheni rrugë e të pendoheni. Mos mendoni se jeni më të mirë se të tjerët, vetëm sepse thoni që jeni fëmijë të Abrahamit. Kjo nuk nënkupton se jeni fëmijë të Perëndisë.’
Shumë judenj shkonin te Gjoni dhe e pyesnin: ‘Çfarë duhet të bëjmë që t’i pëlqejmë Perëndisë?’ Gjoni u përgjigjej: ‘Nëse keni dy veshje, njërën jepjani dikujt që ka nevojë.’ A e di pse e thoshte këtë? Donte që ata ta dinin se, për t’i pëlqyer Perëndisë, duhej t’i donin njerëzit.
Gjoni u thoshte taksambledhësve: ‘Jini të ndershëm dhe mos i bëni hile asnjërit.’ Ushtarëve u thoshte: ‘Mos pranoni ryshfete ose mos thoni gënjeshtra.’
Edhe priftërinjtë dhe levitët vajtën te Gjoni për ta pyetur: ‘Kush je ti? Të gjithë duan ta dinë.’ Gjoni u tha: ‘Unë jam një zë në shkretëtirë që t’i drejtoj njerëzit te Jehovai, ashtu si paratha Isaia.’
Njerëzit i pëlqenin shumë gjërat që mësonte Gjoni. Shumë pyetnin veten nëse ai ishte Mesia. Por Gjoni u thoshte: ‘Dikush shumë më i madh se unë po vjen. Unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Unë pagëzoj me ujë, ndërsa ai do të pagëzojë me frymë të shenjtë.’
«Ai erdhi si dëshmitar që të jepte dëshmi për dritën, e kështu njerëz të çdo lloji të besonin nëpërmjet tij.»—Gjoni 1:7