MËSIMI 80
Jezui zgjedh 12 apostujt
Pasi Jezui predikoi për një vit e gjysmë, duhej të merrte një vendim të rëndësishëm. Cilët do të zgjidhte që të punonin ngushtë me të? Cilët do të stërviste që të merrnin drejtimin në kongregacionin e krishterë? Jezui donte drejtimin e Jehovait për të marrë këtë vendim. Prandaj shkoi në një mal, ku mund të ishte vetëm, dhe u lut gjithë natën. Në mëngjes mblodhi disa nga dishepujt e tij dhe zgjodhi 12 apostujt. Cilët nga emrat e tyre mban mend? Ata ishin: Pjetri, Andrea, Jakovi, Gjoni, Filipi, Bartolomeu, Thomai, Mateu, Jakovi, i biri i Alfeut, Tadeu, Simoni dhe Judë Iskarioti.
Andrea, Pjetri, Filipi, Jakovi
Këta 12 burra do të udhëtonin bashkë me Jezuin. Pasi i stërviti, i dërgoi që të predikonin. Jehovai u dha fuqi për të dëbuar demonë dhe për të shëruar të sëmurë.
Gjoni, Mateu, Bartolomeu, Thomai
Jezui i quajti 12 apostujt miqtë e tij dhe kishte besim tek ata. Farisenjtë mendonin që apostujt ishin njerëz të paarsimuar dhe të thjeshtë. Por, Jezui mendonte ndryshe. Ai i stërviti për caktimin e tyre. Ata do të ishin me të në çastet më të rëndësishme të jetës së tij, si për shembull, para vdekjes dhe pas ringjalljes. Ashtu si Jezui, shumë nga 12 apostujt ishin nga Galilea. Disa ishin të martuar.
Jakovi, i biri i Alfeut, Judë Iskarioti, Tadeu, Simoni
Apostujt ishin njerëz të papërsosur, të cilët bënin gabime. Ndonjëherë flisnin pa menduar dhe merrnin vendime të gabuara. Me raste tregoheshin të paduruar. Madje debatonin se kush ishte më i rëndësishmi. Ama ishin njerëz të mirë që e donin Jehovain. Ata do të ishin pjesëtarët e parë të kongregacionit të krishterë dhe do të kishin rol shumë të rëndësishëm pasi Jezui të largohej.
«Ju kam quajtur miq, sepse ju kam bërë të njohur gjithë gjërat që kam dëgjuar nga Ati im.»—Gjoni 15:15