MËSIMI 89
Pjetri mohon Jezuin
Kur Jezui ishte me apostujt në dhomën e sipërme, u tha: ‘Sonte, të gjithë ju do të më braktisni.’ Pjetri ia ktheu: ‘Unë jo. Edhe sikur të tjerët të të braktisin, unë nuk do të të braktis kurrë!’ Jezui i tha Pjetrit: ‘Para se gjeli të këndojë, do të kesh thënë tri herë se nuk më njeh.’
Kur ushtarët e çuan Jezuin te shtëpia e Kajafës, pothuajse të gjithë apostujt ia mbathën. Megjithatë dy prej tyre u bashkuan me turmën dhe e ndoqën. Njëri ishte Pjetri. Ai hyri në oborrin e shtëpisë së Kajafës dhe po ngrohej pranë zjarrit. Nën dritën e flakëve të zjarrit, një shërbëtore e pa Pjetrin dhe i tha: ‘Unë të njoh ty. Ti ishe me Jezuin.’
Pjetri iu përgjigj: ‘Jo, nuk isha. Nuk e di për çfarë po flet!’ Ai po shkonte drejt portës, kur menjëherë një shërbëtore tjetër e pa dhe i tha turmës: «Ky njeri ishte me Jezuin!» Pjetri tha: ‘Unë as që e njoh Jezuin!’ Një burrë i tha: ‘Ti je një nga ata! E dalloj nga theksi yt se je galileas, si Jezui.’ Por Pjetri u betua: ‘Unë nuk e njoh!’
Në atë moment një gjel këndoi. Pjetri pa se Jezui u kthye dhe e vështroi. Atij iu kujtuan fjalët e Jezuit. Doli jashtë dhe qau me dënesë.
Ndërkohë Sinedri u mblodh në shtëpinë e Kajafës për të gjykuar Jezuin. Tashmë kishin vendosur ta vritnin, ndaj po kërkonin një sebep. Por nuk gjetën asgjë kundër tij. Së fundmi Kajafa e pyeti drejtpërdrejt Jezuin: ‘A je ti Biri i Perëndisë?’ Jezui iu përgjigj: «Unë jam.» Kajafa tha: ‘Nuk kemi nevojë për asnjë provë tjetër. Ai po ofendon Perëndinë!’ Gjykata ishte në një mendje: ‘Ky njeri duhet të vdesë!’ Ata i ranë me shuplaka, e pështynë, ia mbuluan sytë, e goditën dhe i thanë: ‘Nëse je profet, na thuaj kush të goditi!’
Kur zbardhi, e çuan Jezuin në sallën e Sinedrit dhe e pyetën sërish: «A je ti Biri i Perëndisë?» Jezui u përgjigj: ‘Ju po e thoni se jam.’ Atëherë e shpallën fajtor se kishte ofenduar Perëndinë dhe e çuan në pallatin e Ponc Pilatit, guvernatorit romak. Çfarë ndodhi më pas? Ta zbulojmë.
«Ora . . . ka ardhur, kur do t’ia mbathni secili në shtëpinë e vet dhe do të më lini vetëm. Por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.»—Gjoni 16:32