BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • es25 f. 47-57
  • Maj

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Maj
  • Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
  • Nëntema
  • E enjte, 1 maj
  • E premte, 2 maj
  • E shtunë, 3 maj
  • E diel, 4 maj
  • E hënë, 5 maj
  • E martë, 6 maj
  • E mërkurë, 7 maj
  • E enjte, 8 maj
  • E premte, 9 maj
  • E shtunë, 10 maj
  • E diel, 11 maj
  • E hënë, 12 maj
  • E martë, 13 maj
  • E mërkurë, 14 maj
  • E enjte, 15 maj
  • E premte, 16 maj
  • E shtunë, 17 maj
  • E diel, 18 maj
  • E hënë, 19 maj
  • E martë, 20 maj
  • E mërkurë, 21 maj
  • E enjte, 22 maj
  • E premte, 23 maj
  • E shtunë, 24 maj
  • E diel, 25 maj
  • E hënë, 26 maj
  • E martë, 27 maj
  • E mërkurë, 28 maj
  • E enjte, 29 maj
  • E premte, 30 maj
  • E shtunë, 31 maj
Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë—2025
es25 f. 47-57

Maj

E enjte, 1 maj

Do të vinte një zi buke e madhe.—Vep. 11:28.

Kur ra një zi buke e madhe «në gjithë tokën e banuar», u prekën edhe të krishterët e shekullit të parë. Pa dyshim, kryefamiljarët ishin të shqetësuar se si do t’i siguronin gjërat e nevojshme familjes. Po të rinjtë që kishin plane për të zgjeruar shërbimin? Ndoshta vrisnin mendjen nëse duhej t’i shtynin për më vonë ato plane. Të krishterët u përshtatën, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Vazhduan të predikonin në çdo mënyrë që mundeshin. Gjithashtu ndanin me kënaqësi ç’të kishin me bashkëbesimtarët në Jude. (Vep. 11:29, 30) Ata që morën ndihmë ekonomike, provuan dorën e Jehovait në jetën e tyre. (Mat. 6:31-33) Me siguri do të jenë ndier më afër bashkëbesimtarëve që u kishin shkuar në ndihmë. Ata që bënë dhurata ose që ndihmuan në mënyra të tjera, provuan lumturinë që vjen kur u jep të tjerëve.—Vep. 20:35. w23.04 16 ¶12-13

E premte, 2 maj

E dimë edhe se do t’i marrim ato që kërkuam, sepse ia kërkuam atij.—1 Gjon. 5:15.

Ndonjëherë Jehovai u përgjigjet lutjeve tona duke nxitur njerëz që nuk janë adhurues të tij për të na mbështetur. Për shembull, ai e nxiti mbretin Artakserks që ta lejonte Neheminë të kthehej në Jerusalem për të ndihmuar në rindërtimin e qytetit. (Neh. 2:3-6) Edhe sot Jehovai mund të përdorë njerëz që nuk e adhurojnë për të na ardhur në ndihmë kur kemi nevojë. Zakonisht Jehovai nuk u përgjigjet lutjeve tona në mënyra spektakolare. Ama përgjigjet që marrim, janë fiks ajo që na duhet për t’i qëndruar besnikë Atit tonë qiellor. Prandaj, ji syçelë për të dalluar përgjigjen e Jehovait ndaj lutjeve të tua. Herë pas here, ndalu e reflekto si u përgjigjet Jehovai lutjeve të tua. (Psal. 66:19, 20) Ne duhet të tregojmë besim jo vetëm duke iu lutur Jehovait, por edhe duke e pranuar përgjigjen e tij, në çfarëdo mënyre të vijë.—Hebr. 11:6. w23.05 11 ¶13; 12 ¶15-16

E shtunë, 3 maj

O Perëndia im, s’kam tjetër kënaqësi veç të bëj vullnetin tënd.—Psal. 40:8.

Kur i kushtuam jetën Jehovait, iu zotuam se do ta adhuronim dhe do të bënim vullnetin e tij. Këtë betim duhet ta mbajmë. Të jetojmë në harmoni me kushtimin tonë nuk është një barrë. Në fakt, Jehovai na krijoi që të bënim vullnetin e tij. (Zbul. 4:11) Na krijoi me nevojën për ta njohur e për ta adhuruar dhe na bëri sipas imazhit të vet. Prandaj mund të afrohemi me të e të gjejmë gëzim ndërsa bëjmë vullnetin e tij. E kur bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe ecim në gjurmët e Birit të tij, ‘gjejmë freskim për shpirtin’. (Mat. 11:28-30) Ndaj vazhdo të forcosh dashurinë për Jehovain, duke medituar për të gjitha të mirat që ka bërë për ty dhe për bekimet që do të të derdhë në të ardhmen. Sa më shumë të të rritet dashuria për Perëndinë, aq më të lehtë do ta kesh t’i bindesh. (1 Gjon. 5:3) Jezui ia doli mbanë të bënte vullnetin e Jehovait, sepse i lutej për ndihmë dhe i mbante sytë te shpërblimi që do të merrte. (Hebr. 5:7; 12:2) Ashtu si Jezui, lutju për forcë Jehovait dhe mbaje të qartë në mendje shpresën e jetës së përhershme. w23.08 27-28 ¶4-5

E diel, 4 maj

Apo e përbuz bollëkun e mirësisë, të vetëpërmbajtjes dhe të durimit të tij, ngaqë nuk e kupton se Perëndia po përpiqet me zemërmirësi të të çojë në pendim?!—Rom. 2:4.

Të gjithëve na pëlqen të rrimë me njerëz të duruar. Pse? Sepse i respektojmë ata që dinë të presin pa u acaruar. E vlerësojmë që të tjerët tregohen të duruar me ne kur bëjmë gabime. Gjithashtu jemi mirënjohës që mësuesi ynë i Biblës ishte i duruar me ne kur e kishim të vështirë të kuptonim, të pranonim ose të zbatonim ndonjë mësim të Biblës. Mbi të gjitha, jemi mirënjohës pa fund për durimin që ka me ne Perëndia Jehova! Ndonëse e vlerësojmë kur të tjerët tregojnë durim, mund të mos e kemi gjithnjë të lehtë të jemi të duruar. Për shembull, ndoshta mezi arrijmë ta ruajmë qetësinë kur ngecim në trafik, sidomos nëse jemi me vonesë. Mund ta humbim gjakftohtësinë kur të tjerët na acarojnë. Gjithashtu, ndonjëherë mund ta kemi të vështirë të vazhdojmë të presim me durim botën e re që ka premtuar Jehovai. Gjithsesi, në të gjitha këto raste, na duhet të jemi më të duruar. w23.08 20 ¶1-2

E hënë, 5 maj

Gideoni i ktheu në shtëpi të gjithë burrat e tjerë të Izraelit dhe mbajti vetëm ata të treqind.—Gjyk. 7:8.

Jehovai i kërkoi Gideonit të kthente në shtëpi mbi 99 për qind të ushtarëve. Ai mund të kishte menduar: «A është vërtet i nevojshëm ky ndryshim? A do të funksionojë?» Gjithsesi, Gideoni u bind. Pleqtë sot imitojnë shembullin e Gideonit duke u siguruar të zbatohen ndryshimet që kërkon organizata. (Hebr. 13:17) Gideoni iu bind Jehovait, edhe kur kishte frikë dhe i rrezikohej jeta. (Gjyk. 9:17) Pasi Jehovai i dha siguri, Gideoni ishte plotësisht i bindur se Perëndia do ta mbështeste ndërsa mbronte popullin e Tij. Pleqtë që jetojnë në vende ose zona ku vepra është e ndaluar, imitojnë Gideonin. Plot guxim marrin drejtimin në mbledhje dhe në shërbim, ndonëse rrezikojnë të arrestohen, të hetohen, të humbin punën ose t’i rrahin. Gjatë shtrëngimit të madh, pleqve do t’u duhet guxim t’u binden udhëzimeve—edhe nëse kjo do të jetë e rrezikshme. w23.06 5-6 ¶12-13

E martë, 6 maj

Unë do të nderoj ata që më nderojnë.—1 Sam. 2:30.

Jehovai e dokumentoi në Bibël historinë e kryepriftit Jehojada, që të mësojmë prej tij. (Rom. 15:4) Gjithashtu, pas vdekjes, Jehojada u nderua në mënyrë speciale pasi e varrosën «në Qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë mirë në Izrael ndaj Perëndisë së vërtetë dhe ndaj shtëpisë së Tij». (2 Kron. 24:15, 16) Historia e Jehojadës mund të na ndihmojë të gjithëve të zhvillojmë nderim të thellë për Perëndinë. Mbikëqyrësit e krishterë mund ta imitojnë Jehojadën duke qëndruar vigjilentë dhe duke e mbrojtur me besnikëri kopenë e Perëndisë. (Vep. 20:28) Të moshuarit mund të mësojnë nga shembulli i Jehojadës se, kur e nderojnë thellësisht Jehovain dhe i qëndrojnë besnikë, Ai mund t’i përdorë për të realizuar qëllimin e Tij. Të rinjtë mund t’i kushtojnë vëmendje mënyrës si e trajtoi Jehovai Jehojadën dhe mund ta imitojnë duke i trajtuar të moshuarit me dinjitet dhe respekt, sidomos ata që kanë shërbyer me besnikëri për shumë vjet. (Prov. 16:31) Edhe ne duam t’i mbështetim me besnikëri ‘ata që marrin drejtimin’ duke iu bindur.—Hebr. 13:17. w23.06 17 ¶14-15

E mërkurë, 7 maj

Buzët e të drejtëve u prijnë shumë vetave.—Prov. 10:21.

Tregohu i matur në mbledhje, kur vendos sa shpesh do ta ngresh dorën për të komentuar. Nëse e ngremë dorën tepër shpesh, mbase drejtuesi do të ndihet nën presion të na japë fjalën shumë herë, ndonëse ka të tjerë që nuk kanë arritur akoma të komentojnë. Kjo mund t’i shkurajojë që të mos e ngrenë dorën fare. (Ekl. 3:7) Kur ka shumë lajmëtarë që ngrenë dorën gjatë një pjese, mbase nuk na jepet mundësia të komentojmë aq shpesh sa do të donim. Në disa raste, ndoshta drejtuesi nuk arrin të na e japë fjalën as edhe një herë. Vërtet, mund të ndihemi të zhgënjyer, por të përpiqemi të mos fyhemi duke menduar se ka diçka me ne. (Ekl. 7:9) Nëse nuk të jepet mundësia të komentosh aq shpesh sa do të doje, pse të mos dëgjosh me vëmendje komentet e të tjerëve dhe në fund të mbledhjes t’i lavdërosh për to? Lavdërimet e tua mund të jenë po aq inkurajuese për vëllezërit e motrat sa komentet që do të bëje. w23.04 23-24 ¶14-16

E enjte, 8 maj

Zemra ime është e palëkundur, o Perëndi!—Psal. 57:7.

Studio dhe medito për Fjalën e Perëndisë. Ashtu si një pemë që mund të qëndrojë e fortë nëse ka rrënjë të thella, edhe ne mund të qëndrojmë të patundur nëse besimi ynë i ka rrënjët thellë në Fjalën e Perëndisë. Ndërsa pema rritet, rrënjët e saj shkojnë më thellë e shtrihen më larg. Kur studiojmë dhe meditojmë, na forcohet besimi dhe jemi akoma më të bindur se udhët e Perëndisë janë më të mirat. (Kolos. 2:6, 7) Bluaj në mend si kanë nxjerrë dobi shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën nga këshillat, drejtimi dhe mbrojtja e tij. Për shembull, Ezekieli i kushtoi shumë vëmendje një engjëlli që mati me kujdes tempullin në vegim. Ai vegim i dha forcë Ezekielit, e neve sot na jep mësime praktike si të përkrahim standardet e Jehovait për adhurimin e pastër. (Ezek. 40:1-4; 43:10-12) Edhe ne nxjerrim dobi kur lëmë kohë të studiojmë e të bluajmë në mendje gjërat më të thella të Fjalës së Perëndisë. Mund të kemi një zemër të palëkundur, që ka besim të plotë te Jehovai.—Psal. 112:7. w23.07 18 ¶15-16

E premte, 9 maj

Ruaje . . . aftësinë për të menduar mirë.—Prov. 3:21.

Bibla është plot me shembuj të mirë që të rinjtë mund t’i imitojnë. Ata burra të lashtësisë e donin shumë Perëndinë dhe përmbushnin lloj-lloj përgjegjësish ndërsa kujdeseshin për popullin e tij. Shembuj të mirë për ty mund të jenë edhe vëllezërit e pjekur në familje ose në kongregacion. (Hebr. 13:7) Gjithashtu ke shembullin e përsosur të Jezu Krishtit. (1 Pjet. 2:21) Ndërsa studion me vëmendje këta shembuj, mendo për cilësitë që admiron tek ata. (Hebr. 12:1, 2) Pastaj mendo si do t’i imitosh dhe ji i vendosur ta bësh këtë. Kush e zhvillon aftësinë për të menduar mirë, i mat hapat para se të vendosë çfarë do të bëjë. Prandaj, përpiqu fort ta zhvillosh dhe ta ruash këtë aftësi. Në fillim, dallo parimet e Biblës dhe mendo pse janë të dobishme për ty. Pastaj përdori këto parime për të marrë vendime që e kënaqin Jehovain. (Psal. 119:9) Ky është një hap i rëndësishëm drejt pjekurisë së krishterë.—Prov. 2:11, 12; Hebr. 5:14. w23.12 24-25 ¶4-5

E shtunë, 10 maj

Jini . . . gati të mbroni shpresën tuaj përpara kujtdo që ju kërkon shpjegime, me butësi dhe respekt të thellë.—1 Pjet. 3:15.

Prindërit mund t’i mësojnë fëmijët të përgjigjen me butësi kur u bëjnë pyetje provokuese për bindjet e tyre. (Jak. 3:13) Disa praktikohen për këtë gjatë adhurimit familjar. Ata mendojnë për pyetje që mund të ngrihen në shkollë, diskutojnë e demonstrojnë si të përgjigjen dhe i mësojnë fëmijët të flasin me butësi e në një mënyrë tërheqëse. Këto prova mund t’i ndihmojnë të rinjtë të sigurojnë veten se bindjet e tyre kanë themele të forta e t’u japin edhe të tjerëve arsye bindëse pse e besojnë diçka. Seria «Të rinjtë pyesin» në jw.org përfshin fletë pune për adoleshentët. Ato janë bërë enkas që t’i ndihmojnë të rinjtë të jenë të bindur për atë që besojnë, si edhe të përgatitin përgjigje me fjalët e tyre. Duke studiuar si familje artikujt e kësaj serie, të gjithë mund të mësojmë si ta mbrojmë besimin tonë me butësi dhe në një mënyrë tërheqëse. w23.09 17 ¶10; 18 ¶15-16

E diel, 11 maj

Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer, sepse në kohën e duhur do të korrim, nëse nuk lodhemi.—Gal. 6:9.

A ke vënë ndonjëherë një synim teokratik, por pastaj e kishe të vështirë ta arrije? Nëse po, s’je i vetmi. Për shembull, Filipi donte të lutej më shpesh dhe ta përmirësonte cilësinë e lutjeve, mirëpo mezi gjente kohë të lutej. Erika kishte synimin të ishte e përpiktë në mbledhjet e shërbimit, por prapëseprapë shkonte me vonesë thuajse në çdo mbledhje. Nëse nuk po e arrin dot një synim që ke vënë, mos u shkurajo. Shpesh edhe një synim i thjeshtë kërkon kohë dhe mjaft punë për t’u arritur. Fakti që akoma dëshiron ta realizosh synimin, tregon se e çmon miqësinë me Jehovain dhe se do që t’i japësh më të mirën. Jehovai i vlerëson përpjekjet e tua. E natyrisht nuk pret prej teje më shumë se ç’mund të bësh. (Psal. 103:14; Mik. 6:8) Ndaj vër një synim të arsyeshëm, sipas rrethanave të tua. w23.05 26 ¶1-2

E hënë, 12 maj

Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?!—Rom. 8:31.

Njerëzit e guximshëm mund të ndiejnë frikë, ama nuk e lejojnë frikën t’i pengojë të bëjnë atë që është e drejtë. Danieli ishte një i ri mjaft i guximshëm. Ai studionte shkrimet e profetëve të Perëndisë, ku përfshiheshin edhe profecitë e Jeremisë. Nga ai studim, më vonë kuptoi se çlirimi i judenjve nga robëria e gjatë në Babiloni, ishte në prag. (Dan. 9:2) Danieli e pa me sytë e vet plotësimin e profecive dhe, pa dyshim, kjo ia forcoi besimin te Jehovai. E ata që kanë besim të fortë të Perëndia, mund të kenë guxim të jashtëzakonshëm. (Krahaso Romakëve 8:32, 37-39.) Mbi të gjitha, Danieli i lutej shpesh Atit të tij qiellor. (Dan. 6:10) Ai ia rrëfente Jehovait gabimet e tij dhe i tregonte çfarë kishte në skutat e zemrës. Gjithashtu i kërkonte ndihmë. (Dan. 9:4, 5, 19) Danieli ishte njeri si të gjithë ne, pra nuk kishte lindur i guximshëm. Atë cilësi e zhvilloi falë studimit dhe lutjeve e duke u mbështetur te Jehovai. w23.08 2 ¶4; 4 ¶7

E martë, 13 maj

Le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.—Mat. 5:16.

Kur u bindemi autoriteteve më të larta, nxjerrim dobi ne vetë dhe të tjerët. Si? Një dobi është që nuk kemi pasoja si ata që nuk i binden ligjit. (Rom. 13:1, 4) Bindja jonë mund të ndikojë për mirë te pikëpamja që kanë autoritetet për Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, disa dekada më parë në Nigeri, ushtarët hynë në një Sallë Mbretërie gjatë mbledhjes, sepse po kërkonin njerëz që protestonin për pagimin e taksave. Mirëpo, oficeri i urdhëroi ushtarët të largoheshin duke u thënë: «Dëshmitarët e Jehovait nuk hapin probleme për taksat.» Sa herë që i bindesh ligjit, mund të stolisësh reputacionin e popullit të Jehovait—e ky reputacion një ditë mund të jetë një mbrojte për vëllezërit e motrat. w23.10 9 ¶13

E mërkurë, 14 maj

Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të shijoni përmbushjen e premtimit.—Hebr. 10:36.

Disa shërbëtorë të Jehovait kanë shumë kohë që po presin fundin e këtij sistemi. Nga këndvështrimi njerëzor, mund të duket se plotësimi i premtimit të Perëndisë po vonon. Por Jehovai di çdo merak që kanë shërbëtorët e tij, prandaj e siguroi profetin Habakuk: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe po shkon me nxitim drejt fundit, e nuk do të dalë i rremë. Edhe sikur të vonojë, prite plot shpresë, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë, jo, nuk do të vonojë!» (Hab. 2:3) A e dha Perëndia këtë garanci vetëm për Habakukun? Apo fjalët e tij janë domethënëse edhe për ne sot? Nën frymëzim, apostulli Pavël tregoi se këto fjalë vlejnë edhe për të krishterët që presin plot shpresë botën e re. (Hebr. 10:37) Po, edhe nëse duket sikur çlirimi ynë po vonon, mund të jemi të sigurt që premtimi i Jehovait «pa dyshim do të dalë i vërtetë, jo, nuk do të vonojë»! w23.04 30 ¶16

E enjte, 15 maj

Të gjithë izraelitët nisën të murmuritnin kundër Moisiut.—Num. 14:2.

Izraelitët i hodhën poshtë provat e qarta se Jehovai po e përdorte Moisiun si përfaqësuesin e tij. (Num. 14:10, 11) Ata treguan në sa e sa raste se nuk donin ta pranonin rolin e Moisiut. Si pasojë, Jehovai nuk e lejoi atë brez izraelitësh të hynte në Tokën e Premtuar. (Num. 14:30) Megjithatë, disa izraelitë e ndoqën drejtimin e Jehovait. Për shembull, Jehovai tha: ‘Kalebi m’u bind me gjithë zemër.’ (Num. 14:24) Perëndia e shpërbleu Kalebin, e madje i dha si trashëgimi atë vend që kishte zgjedhur në Kanan. (Jos. 14:12-14) Edhe brezi pasues i izraelitëve la një shembull të mirë duke ndjekur drejtimin e Jehovait. Kur Josiu u caktua prijës i kombit pas Moisiut, izraelitët «e respektuan thellësisht gjatë gjithë jetës së tij». (Jos. 4:14) Si rezultat, Jehovai i bekoi duke u dhënë si trashëgimi vendin që u kishte premtuar.—Jos. 21:43, 44. w24.02 21 ¶6-7

E premte, 16 maj

Ai që do Perëndinë, duhet të dojë edhe vëllanë e vet.—1 Gjon. 4:21.

Ashtu si mjeku që kupton diçka për shëndetin e zemrës sonë kur na mat pulsin, edhe ne mund të kuptojmë sa e fortë është dashuria jonë për Perëndinë duke matur si është dashuria jonë për të tjerët. Nëse dallojmë se dashuria për vëllezërit e motrat na është dobësuar disi, kjo mund të sinjalizojë se po na dobësohet edhe dashuria për Perëndinë. Ama kur tregojmë vazhdimisht dashuri për bashkëbesimtarët, kjo është një shenjë se dashuria jonë për Perëndinë është e fortë. Duhet të merakosemi nëse po na dobësohet dashuria për vëllezërit e motrat. Pse? Sepse kjo do të thotë se është në rrezik miqësia jonë me Jehovain. Apostulli Gjon e bëri të qartë këtë kur na kujtoi: «Ai që nuk do vëllanë e vet, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e sheh.» (1 Gjon. 4:20) Cili është mësimi? Jehovai është i kënaqur me ne vetëm nëse «duam njëri-tjetrin».—1 Gjon. 4:7-9, 11. w23.11 8 ¶3; 9 ¶5-6

E shtunë, 17 maj

Babai e nëna jote do të fluturojnë nga gëzimi.—Prov. 23:25.

Në moshë të re, mbreti Jehoas mori një vendim të mençur. Meqë s’e kishte të atin, ai ndoqi drejtimin e kryepriftit besnik Jehojada. Jehojada e mësoi Jehoasin si ta kishte birin e vet. Si rezultat, Jehoasi vendosi me mençuri të merrte drejtimin në adhurimin e pastër e t’i shërbente Jehovait. Jehoasi madje mori masa që të meremetohej tempulli i Jehovait. (2 Kron. 24:1, 2, 4, 13, 14) Nëse prindërit ose dikush tjetër po të mësojnë ta duash Jehovain dhe të jetosh sipas normave të tij, po të bëjnë një dhuratë të çmuar. (Prov. 2:1, 10-12) Prindërit mund të të stërvitin në shumë mënyra. Nëse i vë në jetë këshillat nga Shkrimet, do t’i lumturosh ata. E mbi të gjitha, do t’i gëzosh zemrën Perëndisë e do të forcosh miqësinë me të. (Prov. 22:6; 23:15, 24) A nuk janë këto arsye të vlefshme për të imituar shembullin që la Jehoasi në moshë të re? w23.09 8-9 ¶3-5

E diel, 18 maj

Unë do t’ju dëgjoj.—Jer. 29:12.

Jehovai premton se do të na i dëgjojë lutjet. Perëndia ynë i do ata që janë besnikë, prandaj s’ka për t’i shpërfillur kurrë lutjet tona. (Psal. 10:17; 37:28) Megjithatë, kjo s’do të thotë se do të na plotësojë çdo kërkesë. Për disa nga gjërat që kërkojmë, mund të na duhet të presim botën e re. Jehovai mban parasysh qëllimin e tij kur dëgjon lutjet tona. (Isa. 55:8, 9) Qëllimi i tij përfshin që toka të mbushet me njerëz që e adhurojnë në unitet dhe i binden me gëzim si Sovrani. Mirëpo Satanai pohoi se njerëzit do të ishin më të lumtur po të qeverisnin vetë. (Zan. 3:1-5) Për të provuar se ky pohim i Djallit është një gënjeshtër, Jehovai ka lejuar që njerëzit të vetëqeverisen. Ama, qeverisja e njerëzve ka shkaktuar shumë nga problemet që po përballojmë. (Ekl. 8:9) E dimë se Jehovai s’do t’i heqë të gjitha këto probleme sot. w23.11 21 ¶4-5

E hënë, 19 maj

Të kam bërë atin e shumë kombeve.—Rom. 4:17.

Jehovai premtoi se nëpërmjet Abrahamit do të bekoheshin shumë kombe. Mirëpo Abrahami u bë 100 vjeç e Sara 90 vjeçe, dhe biri i premtuar nuk u kishte lindur ende. Nga pikëpamja njerëzore, dukej e pamundur që Abrahami dhe Sara të bëheshin me djalë. Çfarë sprove e vështirë për Abrahamin! «Megjithatë, falë shpresës, ai pati besim se do të bëhej ati i shumë kombeve.» (Rom. 4:18, 19) E pa diskutim që shpresa e tij u bë realitet. Atij i lindi Isaku, biri që e kishin pritur aq gjatë. (Rom. 4:20-22) Sikurse Abrahami, Perëndia mund të na shohë edhe ne me buzëqeshje miratimi e të na konsiderojë të drejtë si miq të tij. Në fakt Pavli e theksoi këtë kur shkroi: «Fjalët ‘u konsiderua i drejtë’ nuk u shkruan vetëm për [Abrahamin], por edhe për ne që do të konsiderohemi të drejtë ngaqë besojmë tek Ai që ngriti nga të vdekurit Jezuin.» (Rom. 4:23, 24) Njësoj si Abrahami, duhet të kemi qoftë besim të shoqëruar me vepra, qoftë shpresë. w23.12 7 ¶16-17

E martë, 20 maj

Ti e ke parë sa po vuaj, po, ti m’i njeh brengat e zemrës.—Psal. 31:7.

Nëse po përballon një sprovë që të frikëson, mos harro se Jehovai sheh me vëmendje ç’po kalon dhe si ndihesh nga ajo sprovë. Për shembull, Jehovai pa jo vetëm si keqtrajtoheshin izraelitët në Egjipt, por edhe ‘dhembjet që hiqnin’. (Eks. 3:7) Por mbase e ke të vështirë të shohësh si po të mbështet Jehovai. Ç’mund të bësh? Kërkoji të të ndihmojë që ta dallosh dorën e tij. (2 Mbret. 6:15-17) Pastaj mendo: A ke marrë forcë nga ndonjë fjalim a koment në mbledhje? A je inkurajuar nga një botim, një video ose një këngë e programeve mujore? A të ka treguar dikush një shkrim a një mendim që ta ka ngrohur zemrën? Fare kollaj mund t’i shohim si diçka të zakonshme vëllazërinë tonë të dashur dhe ushqimin besimforcues. Ama këto janë dhurata të mrekullueshme nga Jehovai. (Isa. 65:13; Mar. 10:29, 30) Këto dhurata tregojnë se të do dhe kujdeset për ty. (Isa. 49:14-16) Tregojnë edhe se e meriton plotësisht besimin tënd. w24.01 4-5 ¶9-10

E mërkurë, 21 maj

Bëj që skllevërit e tu ta thonë fjalën tënde plot guxim.—Vep. 4:29.

Pak para se të kthehej në qiell, Jezui u kujtoi dishepujve se u kishte ngarkuar detyrën të jepnin dëshmi për të «në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8; Luka 24:46-48) Vetëm pak kohë më vonë, krerët judenj arrestuan apostujt Pjetër e Gjon dhe i çuan para Sinedrit. Pastaj i urdhëruan ata burra besnikë të mos predikonin më, e madje i kërcënuan. (Vep. 4:18, 21) Pjetri dhe Gjoni iu përgjigjën me këto fjalë: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë në sytë e Perëndisë t’ju dëgjojmë ju dhe jo Perëndinë; sepse ne s’rrimë dot pa folur për ato që kemi parë dhe kemi dëgjuar.» (Vep. 4:19, 20) Pasi Pjetrin dhe Gjonin i lanë të lirë, dishepujt i bënë Jehovait një lutje ku shprehën merakun e tyre kryesor: të bëhej vullneti i Tij. Jehovai iu përgjigj asaj lutjeje nga zemra.—Veprat 4:31. w23.05 5 ¶11-12

E enjte, 22 maj

Ky është Biri im . . . i dashur.—Mat. 17:5.

Gjatë shekujve të panumërt, mes Jehovait dhe Birit të tij u krijua një lidhje shumë e fortë, një dashuri e përzemërsi e thellë. Kjo është marrëdhënia më e vjetër në gjithë universin. Jehovai e shprehu qartë dashurinë që ndiente për Jezuin, siç e lexojmë në shkrimin e sotëm. Jehovai mund të kishte thënë thjesht: «Ky është ai që kam miratuar.» Por donte që ne ta dinim sa shumë e do Jezuin, prandaj e quajti «Biri im i dashur». Jehovai ndihej krenar për llojin e personit që ishte Jezui dhe për atë që do të bënte. (Efes. 1:7) E Jezui nuk kishte fije dyshimi si ndihej Ati i tij për të. Dashuria e Jehovait ishte aq reale për Jezuin, sa mund ta ndiente deri në skutat e thella të shpirtit. Ai e tha disa herë me bindje se Ati e donte.—Gjoni 3:35; 10:17; 17:24. w24.01 28 ¶8

E premte, 23 maj

Më mirë të bësh emër të mirë, se pasuri të madhe.—Prov. 22:1.

Imagjino këtë: dikush që e ke për zemër thotë diçka të tmerrshme për ty. Ti e di që është gënjeshtër, mirëpo disa e besojnë vërtet. Madje ç’është më e keqja, nis ta përhapë këtë gënjeshtër, e si pasojë fillojnë ta besojnë edhe shumë të tjerë. Si do të ndiheshe? Ka shumë mundësi që kjo do të ta copëtonte zemrën, apo jo? Ky shembull na ndihmon të kuptojmë si u ndie Jehovai kur hodhën baltë mbi reputacionin e Tij. Një nga bijtë e Tij engjëllorë i tha gruas së parë, Evës, një gënjeshtër për Të. Eva e besoi gënjeshtrën. Për shkak të asaj gënjeshtre, prindërit tanë të parë u rebeluan kundër Jehovait dhe, si rezultat, mëkati dhe vdekja u përhapën në familjen njerëzore. (Zan. 3:1-6; Rom. 5:12) Çdo problem që na zënë sytë sot në botë—vdekjet, luftërat dhe mjerimet—është pasojë e gënjeshtrave që ka përhapur Satanai. A ndien dhembje Jehovai për shkak të këtyre shpifjeve dhe pasojave të tyre? Pa diskutim që po. Prapëseprapë, kjo as ia ka vjedhur gëzimin dhe as e ka mbushur me mllef. Në fakt, ai vazhdon të jetë ‘Perëndia i lumtur’.—1 Tim. 1:11. w24.02 8 ¶1-2

E shtunë, 24 maj

Si mund ta bëj këtë të keqe të madhe e të kryej këtë mëkat kundër Perëndisë tim?—Zan. 39:9.

Si mund të shfaqësh po atë vendosmëri si Jozefi përballë tundimeve? Duke e vendosur tani se çfarë do të bësh po të hasësh një tundim. Mëso t’u thuash «jo» menjëherë gjërave që Jehovai i urren, duke mos i lejuar vetes as t’i bluash në mendje. (Psal. 97:10; 119:165) Kështu do të qëndrosh i palëkundur përballë çdo tundimi. Mbase je i sigurt se ke gjetur të vërtetën dhe dëshiron t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemër, por ende ngurron t’i kushtohesh e të pagëzohesh. Pse të mos imitosh shembullin e mbretit Davidit? Mund t’i përgjërohesh Jehovait: «Më heto fund e krye, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më shqyrto dhe njihi mendimet që më turbullojnë. Shih nëse ka tek unë ndonjë udhë që do të më sillte dhembje, dhe më pri në udhën e përjetësisë.» (Psal. 139:23, 24) Lutje të tilla tregojnë se po kërkon ndihmën e Jehovait dhe se po përpiqesh ta arrish synimin që të kushtohesh e të pagëzohesh. E Jehovai i bekon ata «që e kërkojnë me ngulm».—Hebr. 11:6. w24.03 6 ¶13-15

E diel, 25 maj

Ai nuk ka nevojë të paraqitë flijime përditë.—Hebr. 7:27.

Kryeprifti ishte i autorizuar të përfaqësonte popullin para Perëndisë. Kryepriftin e parë të Izraelit, Aronin, e emëroi Jehovai kur u kushtua tabernakulli. Mirëpo, siç shpjegoi apostulli Pavël, «shumë priftërinj pasonin njëri-tjetrin, sepse vdekja i pengonte të shërbenin përgjithmonë». (Hebr. 7:23-26) Dhe si njerëz të papërsosur, ata kryepriftërinj duhej të paraqisnin flijime për mëkatet e veta. Ky është një kontrast i thellë mes kryepriftërinjve të Izraelit dhe Kryepriftit të madh, Jezu Krishtit. Si Kryeprifti ynë, Jezu Krishti është «shërbëtor . . . i tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Jehovai e jo njeriu». (Hebr. 8:1, 2) Pavli shpjegoi se si Kryeprift, Jezui «nuk ka asnjë pasues, meqenëse jeton përgjithmonë». Pavli shtoi se Jezui është «i panjollë, i ndarë nga mëkatarët» dhe se ndryshe nga kryepriftërinjtë e Izraelit, «nuk ka nevojë të paraqitë flijime përditë» për mëkatet e veta. w23.10 26 ¶8-9

E hënë, 26 maj

Qielli i mëparshëm dhe toka e mëparshme kishin kaluar.—Zbul. 21:1.

«Qielli i mëparshëm» nënkupton qeveritë e botës që janë nën ndikimin e Satanait dhe demonëve të tij. (Mat. 4:8, 9; 1 Gjon. 5:19) Në Bibël, fjala «tokë» mund të nënkuptojë banorët e tokës. (Zan. 11:1; Psal. 96:1) Pra, «toka e mëparshme» është shoqëria e sotme me njerëz të ligj. Jehovai nuk do të bëjë thjesht ca ndreqje e përmirësime në ‘qiellin’ dhe ‘tokën’ e sotme; përkundrazi do t’i eliminojë krejt. Ai do t’i zëvendësojë me «një qiell të ri dhe një tokë të re»—me një qeveri të re dhe një shoqëri njerëzore të re. Jehovai do t’i bëjë si të reja tokën dhe njerëzimin, që të jenë prapë të përsosura. Siç paratha Isaia, mbarë toka do të bëhet si një park ose kopsht i bukur—një Eden mbarëbotëror. Gjithashtu, Jehovai ‘do ta bëjë të ri’, ose do ta përtërijë, secilin nga ne. Të çalët, të verbrit dhe ata që nuk dëgjojnë, do të shërohen e madje të vdekurit do të kthehen në jetë.—Isa. 25:8; 35:1-7. w23.11 4 ¶9-10

E martë, 27 maj

Rrini gati.—Mat. 24:44.

‘Shtrëngimi i madh’ do të godasë papritur. (Mat. 24:21) Mirëpo, ndryshe nga shumë katastrofa, shtrëngimi i madh nuk do t’i zërë të gjithë në befasi. Rreth 2.000 vjet më parë, Jezui na paralajmëroi që të jemi gati për atë ditë. Nëse jemi të përgatitur, do ta kemi më të lehtë ta përballojmë atë kohë të vështirë e të ndihmojmë edhe të tjerët. (Luka 21:36) Do të na duhet qëndrueshmëri që t’i bindemi Jehovait, me besim të plotë se ai do të na mbrojë. Ç’do të bëjmë nëse vëllezërit tanë humbasin disa gjëra materiale ose gjithçka? (Hab. 3:17, 18) Do të na duhet dhembshuri që t’u shkojmë në ndihmë e t’u sigurojmë gjërat e nevojshme. Si do të reagojmë nëse, për shkak të sulmit nga një koalicion kombesh, duhet të jetojmë për njëfarë kohe në një hapësirë të vogël me shumë vëllezër e motra? (Ezek. 38:10-12) Do të na duhet dashuri e thellë për ta, që ta përballojmë atë kohë të vështirë. w23.07 2 ¶2-3

E mërkurë, 28 maj

Bëni shumë kujdes . . . që të mos ecni si të pamendët, por si të mençurit, duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.—Efes. 5:15, 16.

Të martuarit mund të mësojnë nga shembulli i Akuilës dhe Prishilës, një çift i dashur për shumë të krishterë në shekullin e parë. (Rom. 16:3, 4) Ata punonin, predikonin dhe i ndihmonin të tjerët së bashku. (Vep. 18:2, 3, 24-26) Në fakt, Shkrimet i përmendin gjithmonë bashkë Akuilën dhe Prishilën. Si mund t’i imitoni si çift? Mendoni për gjithë punët që duhet të bëni gjatë ditës. A mund t’i bëni disa prej tyre si çift, në vend se veç e veç? Për shembull, Akuila dhe Prishila predikonin së bashku. Po ju, a bëni plane rregullisht që të dilni në shërbim bashkë? Gjithashtu, Akuila dhe Prishila punonin së bashku. Mbase ti dhe bashkëshortja nuk keni të njëjtën punë, por a mund t’i bëni bashkë punët e shtëpisë? (Ekl. 4:9) Ndërsa ndihmoni njëri-tjetrin, do të ndiheni më shumë si një skuadër dhe do të keni mundësi të bisedoni. w23.05 22-23 ¶10-12

E enjte, 29 maj

Kur frika më pushton, te ti kam besim.—Psal. 56:3.

Të gjithë ndihemi të frikësuar hera-herës. Për shembull, kur mbreti Saul po e ndiqte këmba-këmbës, Davidi vendosi të ikte në qytetin filistin të Gathit. S’kaloi shumë dhe mbreti i Gathit, Akishi, mori vesh që Davidi ishte luftëtari i fuqishëm që i kishin thurur këngë ngaqë kishte vrarë «dhjetëra mijë» filistinë. Davidi «u tremb shumë». (1 Sam. 21:10-12) Kishte frikë kur mendonte se ç’mund t’i bënte Akishi. Si e mposhti frikën Davidi? Te Psalmi 56, Davidi shpreh ndjenjat që provoi kur ishte në Gath. Në atë psalm shohim qartë frikën që ndjeu në zemër, por edhe kuptojmë si e mposhti frikën. Kur e pushtonte frika, ai kishte besim te Jehovai. (Psal. 56:1-3, 11) Davidi kishte çdo arsye për të besuar te Perëndia i tij. Me bekimin e Jehovait, ai përdori një strategji të çuditshme, por të efektshme: u hoq si i çmendur. Tani Akishi e shihte Davidin si një njeri të bezdisur që donte ta hiqte sysh, jo si një kërcënim, e kështu Davidi arriti t’ia mbathte.—1 Sam. 21:13–22:1. w24.01 2 ¶1-3

E premte, 30 maj

Do të dalin fitimtarë . . . të thirrurit, të zgjedhurit dhe besnikët që janë me të.—Zbul. 17:14.

Kush janë këta që përmenden në shkrimin e sotëm? Të mirosurit e ringjallur. Prandaj kur të mirosurit e fundit në tokë të shkojnë në qiell aty nga fundi i shtrëngimit të madh, një nga caktimet e para do të jetë të luftojnë. Pasi të shkojnë në qiell, ata do të luftojnë përkrah Krishtit dhe engjëjve të tij të shenjtë në luftën e fundit kundër armiqve të Perëndisë. Mendo për këtë: në tokë disa të mirosur janë në moshë të thyer e të pafuqishëm. Por kur të shkojnë në qiell do të jenë krijesa qiellore të fuqishme e të pavdekshme. Ata do të kenë si caktim të luftojnë bashkë me Mbretin e tyre Luftëtar, Jezu Krishtin. Pas luftës së Armagedonit, të mirosurit do të bashkëpunojnë me Jezuin që t’i ndihmojnë njerëzit të bëhen të përsosur. Pa dyshim, ajo që do të bëjnë si krijesa qiellore për vëllezërit e motrat e tyre të dashura, është ku e ku më e madhe sesa ajo që mund të bënin si njerëz të papërsosur. w24.02 6-7 ¶15-16

E shtunë, 31 maj

Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të kënaqni asnjë dëshirë mëkatare.—Gal. 5:16.

Disa hezitojnë të kushtohen e të pagëzohen edhe pse janë gati. Ndoshta thonë me vete: «Po sikur më pas të bëj ndonjë mëkat serioz e të përjashtohem?» Nëse ke këtë merak, ji i sigurt se Jehovai do të të japë çdo gjë të nevojshme që ‘të ecësh denjësisht për të dhe t’i pëlqesh plotësisht’. (Kolos. 1:10) Do të të japë edhe forcën për të bërë atë që është e drejtë. Shembujt e atyre që Jehovai i ka mbështetur janë të panumërt. (1 Kor. 10:13) Kjo është një arsye pse ata që përjashtohen nga kongregacioni janë relativisht pak. Jehovai u siguron shërbëtorëve të vet gjithçka që u duhet për të qëndruar besnikë. Çdo njeri i papërsosur ndihet i tunduar të bëjë gjëra të gabuara. (Jak. 1:14) Ama, nëse do të veprosh sipas tundimit, këtë e zgjedh ti. Pra, e vërteta është se e ke ti në dorë si do ta jetosh jetën. Megjithëse disa mund të pohojnë të kundërtën, është e mundur të mësosh t’i mbash nën kontroll dëshirat e gabuara. w24.03 5 ¶11-12

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo