ABISHAGA
Një virgjëreshë e re nga qyteti i Shunemit, në veri të Jezreelit dhe të malit të Gilboas, në territorin e Isakarit. (Js 19:17-23) Ajo ishte «mjaft e bukur» dhe shërbëtorët e Davidit e zgjodhën që të kujdesej për mbretin dhe t’i bënte shoqëri gjatë ditëve të fundit të jetës.—1Mb 1:1-4.
Në atë kohë Davidi ishte rreth 70 vjeç (2Sa 5:4, 5) dhe, ngaqë ishte i ligësht, mezi ngrohej. Abishaga i shërbente mbretit gjatë ditës, pa dyshim duke sjellë gjallëri me bukurinë dhe freskinë e saj rinore, kurse natën ‘shtrihej në gji të tij’ për ta ngrohur, por «ai nuk kreu marrëdhënie me të». Megjithatë, qëndrimi që shfaqi më pas Solomoni kundrejt saj, tregon se Abishaga konsiderohej grua ose konkubinë e Davidit. Ja pse, sipas një zakoni në Lindjen e lashtë, pas vdekjes së Davidit, ajo bëhej pronë e trashëgimtarit të tij.
Tregimi për Abishagën vjen pikërisht para tregimit që flet për orvatjen e Adonijahut (ndoshta djalit më të madh të Davidit nga ata që kishin mbetur gjallë) për të marrë fronin. Me sa duket tregimet janë vënë në këtë radhë që të kuptohet veprimi që ndërmori Adonijahu më vonë gjatë mbretërimit të Solomonit. Pasi hipi në fron, Solomoni i dha Adonijahut falje me kusht. Më pas, Adonijahu i mbushi mendjen Betshebës, nënës së Solomonit, që t’i kërkonte të birit t’i jepte për grua Abishagën. I bindur se kërkesa e Adonijahut nuk lidhej vetëm me bukurinë e Abishagës, përkundrazi ishte një manovër dinake nga ana e tij për të forcuar pozitën e vet si pretendent i fronit, Solomoni reagoi me zemërim, shfuqizoi faljen e Adonijahut dhe urdhëroi që të vritej. (1Mb 2:13-25) Pas kësaj ngjarjeje, Abishaga nuk përmendet më, por ka mundësi që të jetë bërë një nga gratë ose konkubinat e Solomonit.—Shih ADONIJAHU nr. 1.