AKISHI
Mbreti filistin i Gathit që mbretëroi gjatë kohës së Davidit dhe Solomonit. Ishte i biri i Maokut ose Makahut dhe në mbishkrimin e Psalmit 34 quhet Abimelek, ndoshta një titull si faraon apo car.—1Sa 27:2; 1Mb 2:39.
Gjatë kohës që e ndiqte Sauli, Davidi gjeti strehë dy herë në mbretërinë e Akishit. Herën e parë, kur dyshuan se ishte armik, Davidi u hoq si i çmendur dhe Akishi e la të ikte duke menduar se ishte një i marrë që nuk bënte keq. (1Sa 21:10-15; Ps 34:Mbishk.; 56:Mbishk.) Herën e dytë Davidi shkoi me 600 luftëtarë e familjet e tyre dhe Akishi i lejoi të banonin në Ziklag. Gjatë një viti e katër muajve që qëndruan atje, Akishi mendonte se burrat e Davidit mësynin qytetet e Judës, por faktikisht Davidi plaçkiste geshuritët, girzitët dhe amalekitët. (1Sa 27:1-12) E mashtroi aq mirë me atë rreng, sa kur filistinët organizuan një sulm kundër mbretit Saul, Akishi zgjodhi si truprojë personale Davidin dhe, vetëm në minutën e fundit, me këmbënguljen e ‘sundimtarëve të tjerë të aleancës’ filistine, Davidin dhe burrat e tij i kthyen në Ziklag. (1Sa 28:2; 29:1-11) Kur Davidi u bë mbret e luftoi kundër Gathit, Akishi me sa duket nuk u vra. Ai jetoi edhe gjatë mbretërimit të Solomonit.—1Mb 2:39-41; shih GATHI.