AHAVA
Emri i një lumi a rrjedhe uji, si edhe i një vendi aty pranë, në veriperëndim të Babilonisë. Atje Ezdra mblodhi disa judenj dhe agjëruan para se të nisnin udhëtimin për në Jerusalem. (Ezd 8:15, 21, 31) Siç duket, Ahava ishte rreth tetë a nëntë ditë udhë larg Babilonisë. (Krahaso Ezd 7:9; 8:15, 31.) Herodoti (I, 179) flet për një përrua të quajtur Is që derdhej në Eufrat, dhe thotë se qyteti i Isit, i ngritur pranë lumit, ndodhej afro tetë ditë udhë larg Babilonisë. Isi lidhet me qytezën e sotme të Hitit, dhe disa kanë hedhur mendimin se ndoshta aty ndodhej Ahava.
Një enciklopedi (The New Encyclopædia Britannica, 1987, vëll. 5, f. 949) thotë për qytezën e Hitit: «Hiti pranë lumit Eufrat është një qytet i vogël rrethuar me mure, i ngritur mbi dy bregore, atje ku në lashtësi ndodhej një qytet; puset e bitumit pranë tij janë shfrytëzuar të paktën për 3.000 vjet dhe u përdorën në ndërtimin e Babilonisë.» Fakti që në atë zonë kishte bitum mund të përkojë me tregimin biblik për ndërtimin e Kullës së Babelit, ku u përdor bitum në vend të llaçit.—Zn 11:3.