AHAZIAHU
[Jehovai ka kapur].
Emri i dy mbretërve, njëri i Izraelit, tjetri i Judës.
1. Bir i Akabit dhe i Jezebelës; mbret i Izraelit për dy vjet duke filluar rreth vitit 919 p.e.s. Ai ndoqi shembullin e prindërve të tij idhujtarë duke praktikuar adhurimin e Baalit. (1Mb 22:51-53) Pas vdekjes së të atit, Moabi përfitoi për t’u ngritur në revoltë e për t’u liruar nga haraçi i rëndë që arrinte në 100.000 qengja dhe 100.000 desh të paqethur. (2Mb 1:1; 3:4, 5) Kjo revoltë përshkruhet nga Mesha, mbreti i Moabit, në mbishkrimin e Gurit të Moabit. Ahaziahu nuk bëri asnjë përpjekje për të shtypur revoltën, ndoshta ngaqë më pas pësoi një aksident dhe vdiq para kohe.
Ahaziahu u lidh me Jehozafatin e Judës për të ndërtuar anije në Ezion-Geber, në gjirin e ʽAkabës. Për shkak të ligësisë së Ahaziahut, kjo sipërmarrje nuk e pati pëlqimin e Perëndisë dhe anijet u shkatërruan. (2Kr 20:35-37) Te 1 Mbretërve 22:48, 49 thuhet se Ahaziahu i kërkoi Jehozafatit që detarët e Judës të bashkoheshin me detarët izraelitë, por ai nuk pranoi. Nëse kërkesa ishte bërë para shkatërrimit të anijeve, mospranimi i Jehozafatit tregonte thjesht se nuk kishte besim tek Ahaziahu dhe nuk donte që mbretëria veriore të fuste këmbët në territoret e tij. Nga ana tjetër, nëse kërkesa ishte bërë pas dështimit të flotës, kjo mund të nënkuptonte që Ahaziahu mendonte se njerëzit e Jehozafatit nuk ishin të aftë dhe ishin përgjegjës për shkatërrimin e anijeve. Kjo linte të kuptohej se anijet duheshin riparuar dhe nisur përsëri, por këtë herë edhe me detarë izraelitë. Në këtë rast, mospranimi i Jehozafatit mund të nënkuptonte se ai e dinte që Perëndia e kishte shfaqur hapur mospëlqimin e tij për këtë projekt.
Pas një aksidenti në shtëpi (ra nga një thurimë në dhomën e tij në tarracë, që mbase mbulonte një të çarë nga futej drita), mbreti, shumë i sëmurë, zuri shtratin. (2Mb 1:2) Si të mos ekzistonte Perëndia i vërtetë, Ahaziahu dërgoi lajmëtarë të pyesnin perëndinë e filistinëve, Baal-Zebubin (që do të thotë «pronar i mizave»), nëse kishte shpresë të shërohej. Mirëpo profeti Elija i ndali lajmëtarët, të cilët u kthyen dhe i thanë mbretit se do të vdiste në shtratin ku po lëngonte. Në vend që të përulej, Ahaziahu dërgoi 50 burra me në krye një kapiten që t’i çonin Elijan. Këtë grup e më pas një tjetër, që në emër të mbretit e urdhëruan Elijan ‘të zbriste’ nga mali ku qëndronte, i përpiu zjarri. Grupi i tretë i dërguar nga mbreti kryeneç shpëtoi vetëm sepse kapiteni iu përgjërua me respekt Elijas: «Le të jetë i çmuar në sytë e tu shpirti im dhe shpirti i këtyre pesëdhjetë shërbëtorëve të tu!» Pastaj Elija zbriti dhe i tha në sy Ahaziahut mesazhin e vdekjes. Ahaziahu në fund vdiq dhe, përderisa nuk pati bij, në fron e pasoi i vëllai, Jehorami.—2Mb 1:2-17.
2. Biri i Jehoramit e i Atalisë dhe mbret i Judës për një vit (rr. 906 p.e.s.). Gjatë mbretërimit të të atit, filistinët dhe arabët pushtuan Judën e morën robër të gjithë bijtë e Jehoramit përveç Jehoahazit (Ahaziahut) që ishte më i vogli. (2Kr 21:16, 17; 22:1) Ai ishte 22 vjeç kur hipi në fron dhe e ëma, Atalia, e bija e Akabit dhe e Jezebelës, një grua shumë autoritare, e nxiti të bënte të këqija. (2Mb 8:25-27; 2Kr 22:2-4) Ai u bashkua me mbretin e Izraelit, Jehoramin (dajën e tij), në luftë kundër Sirisë në Ramot-Galaad, ku Jehorami u plagos. Më vonë, Ahaziahu shkoi në Jezreel për të vizituar dajën që ishte duke marrë veten.—2Mb 8:28, 29; 9:15; 2Kr 22:5, 6.
Duke i krahasuar dy tregimet (2Mb 9:21-28; 2Kr 22:7-9), ka shumë të ngjarë të ketë ndodhur kështu: teksa i afrohej Jezreelit, Jehu ka takuar Jehoramin dhe Ahaziahun. Jehu ka vrarë Jehoramin, kurse Ahaziahu ia ka mbathur. Jehu nuk i është vënë pas menjëherë Ahaziahut, por ka vazhduar rrugën për në Jezreel që të përfundonte gjithë misionin e tij. Ndërkohë, Ahaziahu është munduar të kthehet në Jerusalem; megjithatë, ka arritur deri në Samari, ku është përpjekur të fshihet. Burrat e Jehut, që i ishin vënë pas, kanë zbuluar që Ahaziahu ishte në Samari. Ata e kanë kapur dhe e kanë çuar te Jehu që ishte afër qytetit të Ibleamit, jo larg nga Jezreeli. Kur ka parë Ahaziahun, Jehu ka urdhëruar që ta vrisnin në karrocën e tij. Ata e kanë goditur në rrugën që ngjitet për në Gur, afër Ibleamit. Megjithatë, Ahaziahu ka arritur t’ia mbathë dhe është strehuar në Megido, ku ka vdekur nga plagët. Pastaj e kanë çuar në Jerusalem për ta varrosur. Tregimet për vdekjen e tij nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi e plotësojnë.
Libri i Dytë i Kronikave 22:7 thotë se vdekja e Ahaziahut ‘ishte nga Perëndia’, pra, Jehu veproi si ekzekutues i urdhrit të Perëndisë kur vrau këtë njeri që kishte qenë shumë i lidhur me shtëpinë e dënuar të Akabit. Ahaziahu quhet ‘Azariah’ te 2 Kronikave 22:6 (megjithëse 15 dorëshkrime hebraike këtu përdorin emrin ‘Ahaziah’) dhe ‘Jehoahaz’ te 2 Kronikave 21:17; 25:23 (rast ku emri i Perëndisë vihet në fillim të fjalës që të shërbejë si parashtesë dhe jo si prapashtesë).