ALEKSANDRI
[mbrojtës i njeriut].
1. Aleksandri i Madh, biri i Filipit II të Maqedonisë dhe i gruas së tij Olimpias, lindur në Pelé në vitin 356 p.e.s. Edhe pse nuk përmendet me emër në Bibël, dy shekuj para se të lindte ishte parathënë sundimi i tij në perandorinë e pestë botërore.—Dn 8:5-7, 20, 21.
Nga fillimi i të njëzetave, kur kishin kaluar dy vjet që ishte ngjitur në fron pas vrasjes së të atit, Aleksandri u turr të pushtonte botën. (Dn 8:5) Ky strateg i ri magjepsës e organizoi ushtrinë e tij relativisht të vogël në falanga me radhë të ngjeshura fort—një taktikë e përdorur fillimisht nga babai i tij, të cilën Aleksandri e përsosi më tej.
Në vend që t’u vihej pas persëve, të cilët ia mbathën pas dy fitoreve vendimtare në Azinë e Vogël (e para pranë lumit Granik; e dyta në rrafshinën e Isusit, ku u dërrmua keqas një ushtri e madhe perse prej rreth një milion ushtarësh), Aleksandri e drejtoi vëmendjen nga qyteti-ishull i Tirit. Shekuj më parë ishte parathënë se muret, kullat, shtëpitë e madje edhe rrënojat e Tirit do të hidheshin në det. (Ezk 26:4, 12) Pra është mjaft domethënëse që me rrënojat e qytetit të vjetër kontinental, të cilin e kishte shkatërruar Nabukodonosori disa vjet më parë, Aleksandri ndërtoi një rrugë 800 m të gjatë për në qytetin-ishull. Në korrik të vitit 332 p.e.s., goditjet e pareshtura të flotës së tij dhe të makinave të luftës e rrënuan padronin krenar të deteve.
Kurse Jerusalemi i hapi portat i dorëzuar dhe, sipas historianit Jozef (Antikitete judaike, XI, 337 [viii, 5]), Aleksandrit i treguan librin e profecive të Danielit, ka shumë të ngjarë kapitullin 8, ku thuhet se një mbret i fuqishëm grek do të bënte zap dhe do të mposhtte Perandorinë Perse. Pas kësaj, Aleksandri e kurseu Jerusalemin dhe përparoi drejt jugut, për në Egjipt, ku e pritën krahëhapur si çlirimtar. Atje themeloi qytetin e Aleksandrisë, qendrën e dijes ku u bë Septuaginta greke. Pastaj Aleksandri e ktheu vëmendjen nga lindja, la Egjiptin, kaloi përmes Palestinës dhe me 47.000 burra i dha dërrmën në Gaugamelë ushtrisë së panumërt e të riorganizuar perse. S’kaloi shumë dhe Darin III e vranë aleatët e dikurshëm, Babilonia u dorëzua dhe Aleksandri shtiu në dorë Suzën dhe Persepolin. Prej andej vazhdoi fushatën për në Indi, para se të kthehej sërish në perëndim.
Pas pushtimeve. Aleksandri kishte plane madhështore për rindërtimin e Babilonisë që ta bënte kryeqytetin e vet, por nuk i realizoi kurrë. Siç kishte parathënë Danieli, ai u pre dhe u thye, pra vdiq. (Dn 8:8) Aleksandri vdiq befas në pranverën e jetës, në vitin 323 p.e.s. kur ishte 32 vjeç, si pasojë e etheve të malaries të rënduara nga jeta e shkujdesur që bënte. Por kjo s’ishte arsyeja e vetme pse nuk u bë realitet ambicia e tij për të rindërtuar Babiloninë. Jehovai kishte vendosur shumë kohë më parë se Babilonia nuk do të rindërtohej më kurrë.—Jr 50:35-40.
Gjatë karrierës së tij të shkurtër, Aleksandri u martua me Roksanën, bijën e mbretit të mundur baktrian, si edhe me Statirën, një nga bijat e mbretit pers Dari III. Nga Roksana pati një bir që u quajt Aleksandër (Egus). Kurse nga një grua me emrin Barsine pati një djalë të paligjshëm të quajtur Herakli (Herkul). Megjithatë, sipas profecisë së Danielit perandoria nuk do t’u lihej ‘pasardhësve të tij’; e vërtet, brenda pak vitesh krejt familja dhe trashëgimtarët e Aleksandrit u shuan. (Dn 11:3, 4) Gjithashtu, ishte shkruar: «Meqenëse ai u thye dhe në vend të tij dolën së fundi katër të tjerë, kjo do të thotë se nga kombi i tij do të dalin katër mbretëri, por që nuk do të kenë fuqinë e tij.» (Dn 8:22) Pra, nuk ishte thjesht një rastësi historike që perandoria u nda mes katër gjeneralëve të Aleksandrit: Seleuk Nikatori mori Mesopotaminë dhe Sirinë; Kasandri, Maqedoninë dhe Greqinë; Ptoleme Lagu, Egjiptin dhe Palestinën; Lisimaku, Trakën dhe Azinë e Vogël.
Gjurma më e thellë që lanë në histori pushtimet e Aleksandrit ishte përhapja e gjuhës dhe e kulturës greke në të katër anët. Greqishtja e zakonshme (koine) u bë gjuhë ndërkombëtare, ndaj pjesa e fundit e Biblës nuk u shkrua në hebraisht, por në gjuhën koine.
2. Bir i Simonit nga Kirena dhe vëlla i Rufit. I ati u detyrua të mbartte shtyllën e torturës së Jezuit.—Mr 15:21; Lu 23:26.
3. I afërm i kreut të priftërinjve, Hanait, që ishte i pranishëm kur u gjykuan Pjetri dhe Gjoni.—Ve 4:6.
4. Një jude në Efes, që ishte i pranishëm kur argjendarët nxitën një trazirë kundër Pavlit. Kur Aleksandri u mundua të fliste, turma e egërsuar ia mbyti zërin me të bërtitura.—Ve 19:33, 34.
5. Dikush që, bashkë me Himeneun, ‘iu rrënua besimi si një anije që shkallmohet’ dhe u përjashtua për blasfemi. (1Ti 1:19, 20) Ndoshta i njëjti me nr. 6 poshtë.
6. Bakërpunuesi nga i cili Pavli e paralajmëroi Timoteun të ruhej, pasi ai i kishte bërë «shumë të këqija».—2Ti 4:14, 15.
[Kutia në botimin e shtypur]
ALEKSANDRI I MADH DHE PROFECITË BIBLIKE
Profecia Përmbushja
«Një cjap . . . nisi ta godiste Pasi mundi dy herë forcat
[dashin] e t’ia thyente dy brirët.» medo-perse në Azinë e Vogël,
«Dashi me dy brirë përfaqëson ushtria e Aleksandrit përparoi
mbretin e Medisë e të Persisë. drejt jugut e më pas drejt
Cjapi leshtor përfaqëson mbretin lindjes, duke zaptuar mbarë
«Rrënojat e tua [të Tirit] Në vitin 332 p.e.s., Aleksandri
të mbetura, do t’i hedhin përdori rrënojat e qytetit të
në mes të ujit.» vjetër kontinental të Tirit për
(Ezk 26:4, 12) të ndërtuar një rrugë që çonte
në qytetin-ishull, të cilin e
shkatërroi
«Sapo u bë i fuqishëm, Në vitin 323 p.e.s.,
briri i madh u thye.» në moshën 32-vjeçare,
(Dn 8:8) Aleksandri u sëmur dhe vdiq
«[Ti Babiloni] do të bëhesh Kështu planet madhështore
shkreti brez pas brezi.» për të rindërtuar Babiloninë
(Jr 51:26) si kryeqytetin e tij dështuan
dhe së fundi vendi ku ndodhej
Babilonia u bë një shkreti
«Mbretëria e tij do të Trashëgimtarët e Aleksandrit
thyhet dhe do të ndahet u vranë dhe mbretëria
. . . , por jo për pasardhësit u katandis copa-copa
e tij.» (Dn 11:4)
«Briri i madh u thye dhe Në vitin 301 p.e.s., katër
në vend të tij nisën të dilnin gjeneralë të Aleksandrit kishin
. . . katër të tjerë.» tashmë nën zotërim pjesë
(Dn 8:8,22) të ndryshme të perandorisë
së dikurshme
[Figura në botimin e shtypur]
Medalje ku thuhet se paraqitet Aleksandri i Madh