JESEU
[formë e shkurtuar e emrit Ishiah që do të thotë «Jehovai bën që të harrosh»; ose ndoshta formë e shkurtuar e emrit Abisha].
I ati i mbretit David nga fisi i Judës; nip i Ruthës e i Boazit dhe një hallkë në vijën gjenealogjike që të çon nga Abrahami deri të Jezui. (Ru 4:17, 22; Mt 1:5, 6; Lu 3:31, 32) Jeseu pati tetë bij, një prej të cilëve me sa duket vdiq pa lënë djem, gjë që mund të shpjegojë pse mungon emri i tij në gjenealogjitë e Kronikave. (1Sa 16:10, 11; 17:12; 1Kr 2:12-15) Dy motrat e Davidit, Abigaila dhe Zerujaja, nuk quhen asgjëkundi bija të Jeseut, por njëra quhet ‘bijë e Nahashit’. (1Kr 2:16, 17; 2Sa 17:25) Nahashi mund të ketë qenë burri i mëparshëm i gruas së Jeseut, e kështu vajzat e tij ishin gjysmëmotra me bijtë e Jeseut; në mos Nahash ishte një emër tjetër i Jeseut ose, siç sugjerojnë disa, emri i gruas së tij.
Jeseu ishte një pronar delesh që jetonte në Betlehem. Pasi mbreti Saul u largua nga adhurimi i vërtetë, Jehovai dërgoi Samuelin në shtëpinë e Jeseut që të miroste një nga bijtë e tij si mbret. Jeseu nxori para tij shtatë djemtë më të mëdhenj, por, meqenëse Jehovai nuk zgjodhi asnjërin prej tyre, u detyrua të thërriste djalin më të vogël, Davidin, që po kulloste delet; pikërisht ky ishte i zgjedhuri i Jehovait.—1Sa 16:1-13.
Kur Sauli e thirri Davidin në pallatin e tij që ta qetësonte duke i rënë harpës, Jeseu asokohe i moshuar i dërgoi një dhuratë bujare me anë të tij. Më vonë, ai e lejoi Davidin t’i shërbente për ca kohë Saulit në oborrin mbretëror. (1Sa 16:17-23; 17:12) Pas ca kohësh, kur duket se Davidi ishte kthyer përsëri të kujdesej për delet, Jeseu e nisi t’u çonte ushqime tre djemve të tij më të mëdhenj që shërbenin në ushtrinë e Saulit. (1Sa 17:13, 15, 17, 18, 20) Gjatë kohës që Sauli e nxori Davidin jashtë ligjit, Jeseu dhe gruaja e tij gjetën strehë në Moab.—1Sa 22:3, 4.
Shpesh Davidi është quajtur me përçmim «biri i Jeseut» nga njerëz si Sauli, Doegu, Nabali dhe Sheba. (1Sa 20:27, 30, 31; 22:7-9, 13; 25:10; 2Sa 20:1; 1Mb 12:16; 2Kr 10:16) Por, në raste të tjera, e njëjta shprehje është përdorur me nderim nga vetë Davidi, Ezdra dhe Perëndia Jehova.—1Sa 16:18; 17:58; 2Sa 23:1; 1Kr 10:14; 12:18; 29:26; Ps 72:20; Lu 3:32; Ve 13:22.
Premtimi profetik se ‘rrënja e Jeseut do të ngrihej si sinjal për popujt’ dhe do të gjykonte me drejtësi përmbushet te Krishti Jezu që, duke qenë i pavdekshëm, mban gjallë vijën gjenealogjike të Jeseut.—Is 11:1-5, 10; Ro 15:8, 12.