NAHASHI
[gjarpër].
1. Mbreti i amonitëve në kohën kur nisi të mbretëronte Sauli. Nahashi doli me ushtrinë e tij kundër Jabeshit të Galaadit. Tregimi biblik thotë: «Atëherë, tërë njerëzit e Jabeshit i thanë Nahashit: ‘Bëj një besëlidhje me ne, që të të shërbejmë.’ Por Nahashi, amoniti, u tha: ‘Besëlidhjen me ju do ta bëj vetëm me kusht nëse i nxjerr secilit nga ju syrin e djathtë si poshtërim për gjithë Izraelin.’ Pleqtë e Jabeshit ia kthyen: ‘Na jep shtatë ditë kohë dhe ne do të dërgojmë lajmëtarë në mbarë territorin e Izraelit. Nëse nuk del ndonjë shpëtimtar për ne, atëherë do të dorëzohemi te ti.’» Izraeli u mblodh rreth Saulit, shkoi në Jabesh dhe e mundi Nahashin. Vetëm pak veta nga ushtria e Nahashit arritën t’ia mbathnin.—1Sa 11:1-11; 12:11, 12.
Në një rrotull të Detit të Vdekur (e klasifikuar 4QSama), që mendohet se i përket shekullit të parë p.e.s., menjëherë para shkrimit të 1 Samuelit 11:1 është futur ky informacion: «[Na] hashi, mbreti i bijve të Amonit, i shtypi rëndë bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit, u nxori të gj[ithëve] syrin e djathtë dhe i kalli tmer [rin e frikën] Izraelit. Mes bijve të Izraelit ma [tanë Jordanit] nuk mbeti njeri që Naha [shi, mbreti] i bijve të Amonit, nu[k i nxo] ri syrin e djathtë, me përjashtim të shtatë mijë burrave që [morën arratinë para] bijve të [A] monit dhe hynë në [J]abesh-Galaad. Rreth një muaj më vonë . . .» (Bible Review, 1985, vëll. 1, nr. 3, f. 28) Historiani Jozef jep në thelb të njëjtin informacion.—Antikitete judaike, VI, 68-70 (v, 1).
Sipas Jozefit (Antikitete judaike, VI, 79 [v, 3]), atë Nahash e vranë në betejë forcat e Saulit. Nëse kjo e dhënë e Jozefit është e saktë, atëherë Nahashi që i tregoi dashamirësi Davidit disa vite më vonë duhet të ketë qenë një bir dhe pasues i Nahashit që mundi Sauli. Po të ishte kështu, emri Nahash mund të ketë qenë një titull që iu dha disa vetave, ashtu si «abimelek», «faraon» dhe «jabin». Kur ky Nahash i dytë vdiq, Davidi i dërgoi ambasadorë birit të tij, Hanunit, i cili i keqkuptoi qëllimet fisnike të Davidit dhe poshtëroi rëndë përfaqësuesit e tij. Kjo ishte shkëndija e një sërë ngjarjesh që përfunduan me disfatën e amonitëve para Davidit.—2Sa 10:1-5; 11:1; 12:26-31; 1Kr 19:1-5; 20:1-3.
2. I ati i Abigailës, motrës ose gjysmëmotrës së Davidit, e mbase edhe i ati i Zerujasë. Ishte gjyshi i Amasës e ndoshta edhe i Abishait, Joabit dhe Asahelit. (2Sa 17:25; 1Kr 2:16, 17) Abigaila quhet ‘bija e Nahashit’, por nuk thuhet gjë nëse ajo dhe e motra ishin bija të Jeseut, atit të Davidit, paçka se quhen «motrat» e bijve të Jeseut, mes të cilëve edhe Davidi. Kjo lë vend për disa mundësi: (1) Nahashi mund të mos ishte një burrë, por bashkëshortja e Jeseut dhe nëna e gjithë atyre të përmendur më sipër (ky ishte një emër që mund të përdorej për të dyja gjinitë). Por ky variant s’është shumë i mundshëm, pasi zakonisht gratë përmendeshin në gjenealogji vetëm për arsye të veçanta, që në këtë rast duket se mungojnë. (2) Nahash mund të ishte një emër tjetër i Jeseut, siç sugjeron tradita e hershme judaike. Në Septuagintën greke (botimi i Lagardës), te 2 Samuelit 17:25 del ‘Jeseu’ në vend të Nahashit. (3) Nahashi mund të ishte një ish-bashkëshort i gruas së Jeseut (një variant më i mundshëm ky), me të cilën ajo pati dy vajza, Abigailën dhe Zerujanë, para se të martohej me Jeseun dhe t’i lindte disa bij.—Shih ABIGAILA nr. 2.
3. Një banor i qytetit amonit të Rabahut. Biri i tij, Shobi, u tregua i gjindshëm ndaj Davidit dhe i çoi furnizime kur ishte i arratisur në Mahanaim për shkak të rebelimit të Absalomit. (2Sa 17:27-29) Ka të ngjarë të ishte një izraelit që kishte shkuar të jetonte në Rabah pasi Izraeli mundi amonitët.—2Sa 12:26-31.