ZERUJAJA
[ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «balsam»].
Motra ose gjysmëmotra e mbretit David dhe e ëma e Joabit, e Abishait dhe e Asahelit. Thuhet se Abigaila, motra e Zerujasë, ishte ‘bijë e Nahashit’, ndërsa për Zerujanë nuk thuhet shprehimisht kështu. (2Sa 17:25) Gjithashtu thuhet se Zerujaja dhe Abigaila ishin ‘motra’ të bijve të Jeseut. (1Kr 2:16) Ka mundësi që ato të kenë qenë vajzat e gruas së Jeseut nga martesa e mëparshme e saj me Nahashin, pra ishin motra të Davidit nga e ëma. (Shih ABIGAILA nr. 2; NAHASHI nr. 2.) Zerujaja duhet të ketë qenë goxha më e madhe se Davidi, pasi duket se bijtë e saj kishin pak a shumë një moshë me Davidin. Zakonisht, emri i Zerujasë del përkrah emrave të tre bijve të saj, që ishin të gjithë luftëtarë trima të Davidit. (2Sa 2:13, 18; 16:9) I ati i djemve përmendet vetëm kur tregohet se u varros në Betlehem.—2Sa 2:32.