OBED-EDOMI
[që do të thotë «shërbëtor i Edomit»].
1. Gitit; në shtëpinë e tij arka e besëlidhjes qëndroi tre muaj pasi gati sa nuk u përmbys gjatë transferimit, ngjarje ku gjeti vdekjen Uzahu. Gjatë kohës që arka qëndroi aty, Jehovai e bekoi Obed-Edomin dhe shtëpinë e tij. Kur e mori vesh, Davidi kuptoi se kjo ishte një shenjë që Jehovai e miratonte sjelljen e arkës së shenjtë në Jerusalem.—2Sa 6:10-12; 1Kr 13:13, 14; 15:25.
Obed-Edomi ishte një «gitit». Zakonisht me këtë term quhej një filistin nga Gathi, por mund t’i referohej edhe dikujt tjetër nga Gath-Rimoni, një qytet levit në Dan që u ishte caktuar kehathitëve. (Js 21:20, 23, 24) Meqë i ishte besuar Arka, Obed-Edomi duhet të ketë qenë levit, domethënë një gitit nga Gath-Rimoni, e jo një gitit filistin nga Gathi.
Emrin e Obed-Edomit e hasim disa herë mes emrave të levitëve që shërbenin si muzikantë dhe derëtarë në kohën e Davidit. Përmenden të paktën dy persona me këtë emër. (1Kr 15:21, 24; 16:38) Megjithatë, është e pamundur të përcaktohet nëse vargjet e tjera i referohen njërit a tjetrit apo bashkëkohësve të tjerë me ta. Kështu, gititi Obed-Edom mund të ketë qenë ose Obed-Edomi nr. 2, ose nr. 3.
2. Muzikant dhe derëtar në procesionin që çoi Arkën në Jerusalem. (1Kr 15:18, 21) Ka të ngjarë të ketë qenë muzikanti që vazhdoi të shërbente para tendës së Arkës në Jerusalem. (1Kr 16:4, 5, 37, 38a) Ndoshta ishte Obed-Edomi nr. 1.
3. Derëtar në të njëjtin procesion. (1Kr 15:24) Mund të ketë qenë ‘biri i Jeduthunit’. (1Kr 16:38b) Ndoshta ishte Obed-Edomi nr. 1 ose nr. 4.
4. Korahit në ndarjen e përhershme të derëtarëve i cili, bashkë me 62 të afërm, u caktua të ruante në jug të shenjtërores në Jerusalem.—1Kr 26:1, 4-8, 13, 15; shih Obed-Edomi nr. 3.
5. Kujdestar për arin, argjendin dhe sende të tjera të shtëpisë së Jehovait gjatë mbretërimit të Amaziahut. Kur, aty ndërmjet viteve 858-844 p.e.s., Jehoasi i Izraelit mësyu Jerusalemin, këto të mira, e ndoshta edhe vetë Obed-Edomin, i çuan në Samari.—2Kr 25:23, 24.