TAMARA
[palmë].
1. E reja e Judës, djalit të Jakobit. Tamara u martua me Erin, djalin e madh të Judës, por Jehovai e bëri Erin të vdiste për ligësinë e tij, e kështu Tamara mbeti e ve. Më pas, atë e mori Onani, por Jehovai e bëri edhe atë të vdiste, pasi nuk e kryente detyrën e kunatit, dhe Tamara mbeti përsëri vejushë pa fëmijë. Kur erdhi koha t’i jepte djalin e tretë, Juda po e zvarriste. Atëherë, Tamara u maskua dhe u hoq si prostitutë, që vetë Juda të kryente marrëdhënie me të. Veç kësaj, ajo u tregua e zgjuar dhe i mori si peng unazën me vulë, kordonin dhe shkopin. Kur mori vesh se Tamara ishte shtatzënë, Juda urdhëroi menjëherë që ajo të vritej me gurë e më pas të digjej. (Krahaso Js 7:15, 25.) Por, kur kuptoi se Tamara, me marifet, ishte bërë me trashëgimtar dhe ai ishte i ati, Juda tha me zë të lartë: «Ajo është më e drejtë se unë.» Ajo pati një lindje të vështirë dhe solli në jetë dy binjakë, Perezin dhe Zerahun. (Zn 38:6-30) Linja gjenealogjike e Mesisë kalon përmes birit të saj, Perezit.—Ru 4:12, 18-22; 1Kr 2:4; Mt 1:3.
2. Vajza e mbretit David dhe motër gjaku e Absalomit; ajo ishte shumë e bukur. (1Kr 3:9; 2Sa 13:1) Gjysmëvëllai i saj më i madh, Amnoni, u dashurua marrëzisht me të dhe me dhelpëri arriti ta përdhunonte, sado që ajo rezistoi. Absalomi e ngushëlloi, e mbajti në shtëpinë e vet dhe dy vjet më vonë mori hak për Tamarën duke bërë që Amnonin ta vritnin.—2Sa 13:1-33.
3. E bija e Absalomit që ka të ngjarë t’i kenë vënë emrin e hallës së saj (nr. 2). (2Sa 14:27) Njësoj si i ati, edhe ajo ishte shumë e bukur. Në rast se ajo ishte gruaja që u martua me Urielin, atëherë ishte nëna e Makahës, gruas së preferuar të Rehoboamit.—2Kr 11:20, 21; 13:1, 2.
4. Një nga qytetet e ndërtuara (ndoshta të rindërtuara ose të fortifikuara) nga mbreti Solomon. (1Mb 9:17-19) Te 1 Mbretërve 9:18 thuhet se Tamara gjendej në shkretëtirën «e vendit», me sa duket për të treguar që gjendej në territorin e Izraelit. Duke krahasuar kufijtë e Kanaanit të përshkruar te Numrat 34:3-6, Josiu 15:1-4 dhe Ezekieli 47:19; 48:28, Johanan Aharoni e lidh Tamarën me një vend të quajtur ʽAin-Husb (ʽEn-Hazev), rreth 30 km në jug-jugperëndim të Detit të Vdekur.
‘Tadmori’ që përmendet në vargun paralel të 2 Kronikave 8:4 duhet të jetë një qytet tjetër, që zakonisht e lidhin me Palmirën.—Shih TADMORI.