ZAKEU
[nga heb., ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «i pastër; i kulluar»].
Një kryetaksambledhës në Jeriko që u bë dishepull i Krishtit. Si zyrtar i këtij rangu, ka të ngjarë që Zakeu të ketë qenë kreu i taksambledhësve të tjerë në Jeriko dhe në rrethinat e saj. Krahina e Jerikosë, mjaft pjellore dhe e begatë, siguronte fitime të majme nga taksat që vileshin nga tregtia. Zakeu ishte vërtet «i pasur» dhe, si shumë taksambledhës të tjerë, ka të ngjarë që një pjesë të pasurisë së tij të madhe, ta kishte vënë në mënyrë të dyshimtë.—Lu 19:1, 2, 8; shih TAKSAMBLEDHËS.
Kur Jezui shkoi në Jeriko në pranverë të vitit 33 të e.s., tamam para se të shkonte në Jerusalem dhe të vdiste, Zakeu deshi ta shihte por, ngaqë ishte shtatvogël, nuk arrinte për shkak të turmës. Prandaj vrapoi përpara dhe me shkathtësi u ngjit në një pemë nga ku mund të shihte. Pa dyshim, interesi i Zakeut i bëri shumë përshtypje Jezuit, i cili i tha se do të rrinte në shtëpinë e tij gjatë kohës që ishte në Jeriko. Megjithatë, njerëzve nuk u erdhi aspak mirë dhe thanë se Jezui ishte bërë mik i mëkatarëve. Zakeu tregoi se kishte ndryshuar dhe tha se do ta kthente katërfish atë që kishte marrë padrejtësisht e se gjysmën e zotërimeve do t’ua jepte të varfërve. Atëherë Jezui tha se familja e tij ishte në udhën e shpëtimit. (Lu 19:3-10) Veç kësaj, gjatë kohës që ishte në shtëpinë e Zakeut, Jezui tregoi ilustrimin e minave.—Lu 19:11-28.