ZAKARIA
[Jehovai ka kujtuar].
1. Një nga dhjetë bijtë e Jejelit prej fisit të Beniaminit. (1Kr 9:35-37) Në listën paralele të 1 Kronikave 8:31 quhet Zeker që është shkurtimi i emrit Zakaria.
2. Rubenit që ndoshta luftoi kundër hagritëve në kohën e Saulit.—1Kr 5:6, 7, 10.
3. Derëtar levit që u lavdërua si «këshilltar i matur». Kishte qenë derëtar në hyrje të tendës së takimit dhe, kur Davidi riorganizoi shërbimin e levitëve për tempullin e ardhshëm, Zakarisë i ra shorti në veri. Ai ishte djali i parëlindur i Meshelemiahut, një korahiti në familjen kehathite të levitëve.—1Kr 9:21, 22; 26:1, 2, 14.
4. Levit i caktuar t’i binte një vegle me tela bashkë me levitët e tjerë në procesionin që çoi arkën e besëlidhjes në Jerusalem. Më pas, Zakaria luajti muzikë para tendës ku qëndronte Arka.—1Kr 15:18, 20; 16:1, 4, 5.
5. Prift që i ra trumbetës në procesionin që shoqëroi arkën e besëlidhjes në Jerusalem.—1Kr 15:24.
6. Levit i familjes së Uzielit që u përmend në lidhje me riorganizimin e shërbimit në shtëpinë e Jehovait.—1Kr 24:24, 25.
7. Levit merarit, bir i Hosahut që bënte pjesë në ndarjet e derëtarëve gjatë mbretërimit të Davidit.—1Kr 26:1, 10, 11.
8. Manasit; gjatë mbretërimit të Davidit i biri, Idoja, ishte prijësi i fisit në Galaad.—1Kr 27:16, 21.
9. Levit; i biri, Jahazieli e siguroi Jehozafatin dhe popullin e Judës se Jehovai do të luftonte për ta.—2Kr 20:13-17.
10. Një nga princat e popullit, të cilin Jehozafati e caktoi në vitin 934 p.e.s. të mësonte ligjin e Jehovait nëpër qytetet e Judës.—2Kr 17:7, 9.
11. Bir i mbretit Jehozafat. Jehozafati i dha Zakarisë dhe vëllezërve të tij dhurata të shumta, por mbretërinë ia dha Jehoramit, djalit të parëlindur. Pasi hipi në fron, Jehorami vrau Zakarinë, vëllezërit e tjerë të tij dhe disa princa që të forconte pozitën e tij.—2Kr 21:1-4.
12. Bir i kryepriftit Jehojada. Pas vdekjes së Jehojadës, mbreti Jehoas u largua nga adhurimi i vërtetë, duke dëgjuar këshillat e këqija në vend të profetëve të Jehovait. Zakaria, kushëriri i Jehoasit (2Kr 22:11), e qortoi ashpër popullin për këtë, por në vend që të pendohej, populli e vrau me gurë në oborrin e tempullit. Fjalët e fundit të Zakarisë ishin: «Jehovai shikoftë dhe shpagoftë!» Kjo kërkesë profetike u plotësua, pasi jo vetëm që Siria i solli dëme të mëdha Judës, por edhe Jehoasin e vranë dy shërbëtorë të tij «për shkak të gjakut të bijve të priftit Jehojada». Septuaginta greke dhe Vulgata latine thonë se Jehoasi u vra për të marrë gjakun e «birit» të Jehojadës. Kurse në tekstin masoretik dhe në Peshitën siriake thuhet «bijve», ndoshta në shumës për të treguar se biri i Jehojadës, Zakaria që ishte edhe prift, edhe profet, kishte qenë një njeri i shkëlqyer dhe me merita.—2Kr 24:17-22, 25.
Ka të ngjarë që Zakaria, biri i Jehojadës, të ishte ai që kishte në mendje Jezui kur profetizoi se ‘këtij brezi [judenjve që jetuan gjatë kohës kur Jezui shërbeu në tokë] do t’i kërkohej llogari për gjakun e gjithë profetëve, që ishte derdhur që nga themelimi i botës, nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra midis altarit dhe shtëpisë’. (Lu 11:50, 51) Vendet që përmendi Jezui përkojnë me vendin ku u vra Zakaria. Në shekullin e parë të e.s., Kronikat ishin libri i fundit kanonik i Shkrimeve Hebraike. Kështu shprehja e Jezuit ‘nga Abeli te Zakaria’, ishte e ngjashme me shprehjen tonë «nga Zanafilla te Zbulesa». Në tregimin paralel të Mateut 23:35, Zakaria quhet biri i Barakiahut, ndoshta një emër tjetër i Jehojadës, veç nëse do të tregojë një brez mes Jehojadës dhe Zakarisë a emrin e një paraardhësi më të hershëm.—Shih BARAKIAHU.
13. Këshilltar i mbretit Uziah që mbretëroi nga viti 829 p.e.s. deri në vitin 778 p.e.s. Zakaria përshkruhet si ai që «e mësonte të kishte frikë nga Perëndia i vërtetë».—2Kr 26:5.
14. Mbret i Izraelit. Zakaria ishte i biri i Jeroboamit II dhe mbreti i fundit nga dinastia e Jehut. Mbretërimi i tij që zgjati gjashtë muaj, mori fund kur u vra nga Shalumi. (2Mb 15:8-12) I ati i Zakarisë vdiq rreth vitit 803 p.e.s., vitin e 27-të të mbretërimit të Uziahut (2Mb 14:29), megjithatë kaluan rreth 11 vjet para se Zakaria të fillonte mbretërimin e tij që nisi vitin e 38-të të mbretërimit të Uziahut dhe zgjati gjashtë muaj (rr. 792 p.e.s.). (2Mb 15:8, 13) Ndoshta kjo ndodhi sepse ai ishte shumë i ri kur vdiq i ati, ose për shkak të kundërshtimit të fortë (tipik në mbretërinë veriore të Izraelit) që duhej të përballonte para se të vendoste patundshmërisht fronin e tij.
15. Dëshmitar kur Isaia shkroi emrin e të birit në një pllakë; bir i Jeberekisë.—Is 8:1, 2.
16. Gjyshi nga nëna i mbretit Hezekia.—2Mb 18:1, 2; 2Kr 29:1.
17. Levit nga bijtë e Asafit që ndihmuan për të hequr objektet e papastra që u nxorën nga tempulli në fillim të mbretërimit të Hezekisë.—2Kr 29:13, 15-17.
18. Levit kehathit që ishte ngarkuar të mbikëqyrte meremetimet e tempullit të ndërmarra nga mbreti Josia.—2Kr 34:8, 12.
19. Një nga tre priftërinjtë kryesorë që dhanë me bollëk si kontribut kafshë flie për Pashkën e madhe që organizoi Josia.—2Kr 35:1, 8.
20. Profet që jetoi pas kthimit nga mërgimi dhe shkrimtar i librit që mban emrin e tij. Zakaria e quan veten ‘biri i Berekisë, biri i Idos’ (Za 1:1, 7), mirëpo në fragmente të tjera ku përmendet Zakaria, emri i Berekisë mungon. (Ezd 5:1; 6:14; Ne 12:4, 16) Ka të ngjarë që Zakaria të ketë lindur diku në Babiloni, pasi aktiviteti i tij profetik filloi vetëm 17 vjet pas kthimit nga mërgimi dhe është e arsyeshme të mendojmë se asokohe ai ishte më shumë se 17 vjeç, megjithëse akoma e quanin ‘i ri’.—Za 2:4.
Jehovai e përdori Zakarinë dhe Hageun për ta nxitur Zorobabelin, kryepriftin Jeshua dhe judenjtë e kthyer nga mërgimi të përfundonin rindërtimin e tempullit të Jehovait, megjithëse ishte ende në fuqi ndalimi që kishte vënë qeveria perse. (Ezd 5:1, 2; 6:14, 15) Profecia e Zakarisë përmban mesazhet që shpalli ai me këtë synim për dy vjet e një muaj. (Za 1:1, 7; 7:1, 8) Nuk dokumentohet asnjë aktivitet tjetër profetik i tij.—Shih LIBRI I ZAKARISË.
Megjithëse i ati i këtij Zakarie quhej Berekia, kur Jezui tha ‘Zakaria, biri i Barakiahut’ (Mt 23:35), ka shumë të ngjarë të kishte në mendje një kryeprift që kishte jetuar më parë.—Shih Zakaria nr. 12.
21. Një nga ‘krerët’ që dërgoi Ezdra për të mbledhur disa shërbëtorë për shtëpinë e Perëndisë kur po udhëtonin drejt Jerusalemit në vitin 468 p.e.s. (Ezd 8:15-17) Ndoshta Zakaria nr. 22 ose nr. 23.
22. Kreu i shtëpisë atërore të Paroshit. Zakaria dhe 150 meshkuj nga kjo shtëpi u kthyen në Jerusalem me Ezdrën. (Ezd 8:1, 3) Ndoshta Zakaria nr. 21.
23. Kreu i shtëpisë atërore të Bebait që ishte në krye të 28 meshkujve të familjes së tij kur u kthyen me Ezdrën. (Ezd 8:1, 11) Ndoshta Zakaria nr. 21.
24. Një nga bijtë e Elamit që prishën martesat me gratë e huaja, sipas këshillës së Ezdrës.—Ezd 10:10, 11, 26, 44.
25. Një nga ata që qëndruan në të majtë të Ezdrës kur ky i lexoi dhe i shtjelloi Ligjin popullit. Ka të ngjarë të ketë qenë prift.—Ne 8:1, 2, 4.
26, 27. Dy burra nga Juda, njëri bir i Amariahut dhe tjetri bir i familjes shelanite, pasardhësit e të cilëve jetuan në Jerusalem pas kthimit nga mërgimi në Babiloni.—Ne 11:4, 5.
28. Prift, biri i Pashkurit, pasardhësit e të cilit jetuan në Jerusalem pas kthimit nga mërgimi.—Ne 11:10, 12.
29. Prift që i ra trumbetës në procesionin e organizuar me rastin e përurimit të murit të rindërtuar të Jerusalemit; bir i Jonatanit.—Ne 12:27, 31, 35.
30. Një prift tjetër që i ra trumbetës gjatë të njëjtit përurim ku mori pjesë edhe Zakaria nr. 29.—Ne 12:40, 41.
31. Prift, i ati i Gjon Pagëzorit. (Lu 3:2) Ai dhe gruaja e tij, Elizabeta, një e afërme e Marisë, nënës së Jezuit, jetonin në kodrat e Judës. Të dy i frikësoheshin Perëndisë dhe u bindeshin urdhërimeve të tij. Megjithëse të shkuar në moshë, ata nuk kishin fëmijë.—Lu 1:5-7, 36.
Kur i erdhi radha Zakarisë të paraqiste temjan gjatë shërbimit të ‘ndarjes së Abijahut’, ka të ngjarë aty nga fundi i pranverës ose fillimi i verës së vitit 3 p.e.s., ai u fut në shenjtërore si zakonisht. Pikërisht në këtë rast, atij iu shfaq engjëlli i Jehovait, Gabrieli, dhe e njoftoi se përgjërimi i tij ishte dëgjuar dhe gruaja e tij, Elizabeta, do t’i lindte një djalë, të cilin do ta quante Gjon. Gabrieli i shpjegoi Zakarisë si duhej rritur djali dhe çfarë vepre do të kryente. (Lu 1:5-17) Për t’u siguruar më mirë, Zakaria i kërkoi engjëllit një shenjë. Meqenëse e pati të vështirë të besonte, engjëlli i tha se do të mbetej i pagojë derisa të lindte Gjoni. (Lu 1:18-23) Ditën e tetë pas lindjes së foshnjës, Elizabeta nuk pranoi sugjerimet e fqinjëve dhe të të afërmve, por këmbënguli që i biri të quhej Gjon. Kur pyetën të atin, Zakarinë, ai mori një pllakë dhe shkroi: «Emri i tij është Gjon.» Sakaq atij iu kthye goja dhe tha një profeci për veprën që do të kryente i biri dhe Mesia.—Lu 1:13, 57-79.