Duke hedhur dritë mbi praninë e Krishtit
«Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij, . . . do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri.»—MATEU 25:31, 31, NW.
1. Si e kanë interpretuar klerikët e krishterimit domethënien e fjalëve të Mateut 24:3?
TRI ditë para vdekjes së Jezuit, katër prej dishepujve të tij iu afruan dhe e pyetën me shqetësim: «Na trego kur do të ndodhin këto dhe cila është shenja e Ardhjes [greqisht parousia] sate e i mbarimit të botës?» Për shekuj me radhë, klerikët dhe shkrimtarët e krishterimit i kanë interpretuar këto fjalë të thëna nga Jezui në Mateun 24:3 (DSF), sikur duan të thonë se ai do të bëhej sërish i dukshëm në trup dhe se do të shihej nga i gjithë njerëzimi. Kanë mësuar, pra, se kthimi i Krishtit do të ndodhte në mënyrë të dukshme dhe mjaft pompoze. Flasin për të, si për ardhjen e dytë të Krishtit. Por, a janë të sakta hamendjet e tyre?
2, 3. (a) Çfarë dallimi bënte volumi i dytë i Studime mbi Shkrimet mes fjalëve «ardhje» dhe «prani»? (b) Çfarë kuptuan shërbëtorët e Jehovait mbi domethënien e parousia-s së Krishtit?
2 Që prej 1889-s, të mirosurit e Jehovait, si mbajtës të dritës në shekullin XIX, e kishin korrigjuar tashmë pikëpamjen e tyre mbi kthimin e Krishtit. Në volumin e dytë të Studime mbi Shkrimet (Studies in the Scriptures), në faqet 158 deri 161, Charles T. Russell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, shkruante: «Parousia . . . do të thotë prani, dhe kurrë nuk duhet përkthyer ardhje, [siç bëjnë disa Bibla] . . . ‘Emphatic Diaglott’, një përkthim mjaft i vlefshëm i Besëlidhjes së Re, e përkthen saktësisht fjalën parousia me prani, . . . jo në kuptimin e ardhjes, sikur të ishte në rrugë, por prani, si pas ardhjes. [Jezui] tha: ‘Dhe si qe në ditët e Noes—ashtu do të jetë edhe parousia [prania] e Birit të njeriut.’ Të vihet re se nuk është krahasuar ardhja e Noesë me ardhjen e Zotërisë sonë . . . Krahasimi, pra, është mes kohës së pranisë së Noesë midis njerëzve ‘para përmbytjes’ dhe kohës së pranisë së Krishtit në botë, në mbërritjen e tij të dytë, ‘përpara zjarrit’, mjerimit të tmerrshëm të Ditës së Zotit [Jehova], me të cilin do të mbarojë kjo epokë.»—Mateu 24:37.
3 Prandaj, shërbëtorët e Jehovait në shekullin XIX, e kuptuan saktësisht se parousia e Krishtit do të ishte e padukshme. Kishin kuptuar, gjithashtu, se Kohët e Paganëve do të përfundonin në vjeshtë të 1914-s. Në vazhdim, ndërsa drita frymore rritej, ata e kuptuan se po në atë vit, në 1914-n, Jezu Krishti do të hypte në fronin qiellor si Mbret i Mbretërisë.—Proverbat 4:18; Danieli 7:13, 14; Luka 21:24; Zbulesa 11:15.
«Prania e Zotërisë tonë»
4. Kujt i referohet «prania e Zotërisë tonë, Jezu Krishtit»?
4 Çfarë do të thotë, pra, në ditët tona shprehja biblike «prania e Zotërisë tonë, Jezu Krishtit»? Një studiues vëren se termi «prani», parousia, «u bë termi zyrtar për vizitën e një personi të një rangu të lartë, veç[anërisht] për mbretër dhe perandorë që vizitonin ndonjë provincë.» Prandaj, kjo shprehje i referohet pranisë mbretërore të Zotërisë Jezu Krisht si Mbret, duke filluar prej 1914-s, që pason hypjen e tij në fron në qiell. Ai është i pranishëm në mënyrë të padukshme për «të zotëruar në mes të armiqve të tij», duke sunduar aktivisht si mbret, për të plotësuar këtë urdhër profetik. (Psalmi 110:2) Prej 79 vjetësh, njerëzit mbi tokë po ndjejnë pasojat e pranisë së padukshme mbretërore të Krishtit.
5. Cilat zhvillime që do të ndodhin gjatë parousia-s, do të shqyrtohen në tre artikujt e studimit të kësaj reviste?
5 Në këtë seri prej tre artikujsh, do të shqyrtojmë provat e dukshme të veprimit të Mbretërisë së Perëndisë gjatë kësaj periudhe. Së pari, do të paraqesim profeci të ndryshme biblike që parathoshin ngjarje të cilat tashmë janë vërtetuar apo që po vërtetohen tani. Së dyti, do të përshkruajmë punën e madhe që kryhet prej klasës së skllavit besnik dhe të matur, të cilin Jezui po e përdor gjatë gjithë periudhës së pranisë së tij mbretërore. (Mateu 24:45-47) Artikulli i tretë do të përshkruajë përfundimin madhështor, periudhën e «mjerimit të madh». Kjo është koha kur Jezui do të vijë si Ekzekutues i dërguar i Jehovait, për të shkatërruar njerëzit e padrejtë dhe për të liruar të drejtët. (Mateu 24:21, 29-31) Duke përshkruar këtë kohë shkatërrimi, apostulli Pavël tha se ajo do të sjellë «për ju që vuani prej mjerimit, lehtësim me ne, në ditën e zbulesës së Zotërisë Jezu nga qielli me engjëjt e vet të fuqishëm në një zjarr flakërues, kur të sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë mbi Zotërinë tonë, Jezuin.»—2. Selanikasve 1:7, 8, NW.
Shenja
6. Cila shenjë e përbërë është përshkruar në kapitujt 24 dhe 25 të Mateut?
6 Një mijë e nëntë qind vjet më parë, dishepujt dritëmbajtës të Jezuit, i kërkuan atij një shenjë, një provë, të pranisë së tij të ardhshme në fuqinë e Mbretërisë. Përgjigjja e tij, e shkruar në kapitujt 24 dhe 25 të Mateut, dha një shenjë të përbërë, të gjithë elementët e së cilës janë duke u përmbushur tashmë në shkallë ndërkombëtare. Përmbushja e kësaj shenje, karakterizon një kohë ankthi dhe prove të madhe. Jezui paralajmëroi: «Ruajuni mos t’ju gënjejë kush, sepse shumë do të vijnë nën emrin tim e do të thonë: ‘Unë jam Mesia!’ e do të gënjejnë shumëkënd. Do të dëgjoni për luftëra dhe ushtima luftërash. Mos u kushtrimoni [tmerroni, NW]! Të gjitha këto do të ndodhin, por ende nuk do të jetë mbarimi!»—Mateu 24:4-6.
7. Cilat aspekte të shenjës kemi parë të plotësohen prej 1914-s?
7 Jezui profetizoi, gjithashtu, se do të kishte luftëra në një shkallë të paparë deri atëherë. Si përmbushje e kësaj, dy prej tyre u quajtën Luftëra Botërore, njëra prej 1914-s deri në 1918-n dhe e dyta prej 1939-s deri në 1945-n. Më pas, Jezui tha se do të kishte mungesë ushqimesh dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të krishterët e vërtetë do të persekutoheshin me ashpërsi. Ashtu siç qe parashikuar, Dëshmitarët e Jehovait, dritëmbajtësit e sotëm, kanë vuajtur prej persekutimeve gjatë tetë dekadave të fundit, ndërsa predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë «në të gjithë tokën e banuar, në dëshmi për të gjitha kombet». (Mateu 24:7-14) Çdo vit Libri vjetor i Dëshmitarëve të Jehovait (angl.) vërteton përmbushjen e këtyre aspekteve të shenjës.
8, 9. (a) Çfarë përfshin prania mbretërore e Jezuit? (b) Çfarë tregon profecia e Jezuit mbi Krishtërit e rremë, për sa i përket vendit dhe mënyrës së pranisë së tij?
8 Pasi mbretëria e Jezuit përfshin mbarë tokën, adhurimi i vërtetë po përhapet në të gjitha kontinentet. Prania e tij mbretërore (parousia) është kohë e një shqyrtimi botëror. (1. Pjetrit 2:12) Por, a ka ndonjë kryeqytet apo ndonjë qendër, ku mund të këshillohemi me Jezuin? Ai iu përgjigj kësaj pyetjeje, duke parathënë se në pritje të pranisë së tij do të dilnin Krishtër të rremë dhe paralajmëroi: «Nëse njerëzit ju thonë: ‘Ja, ai [Krishti] është në shkretëtirë’, mos dilni; ‘Ja, ai është në dhomat e brendëshme’, mos i besoni. Sepse, ashtu si vetëtima vjen prej lindjes dhe shkëlqen deri në perëndim, ashtu do të jetë edhe prania [parousia] e Birit të njeriut.»—Mateu 24:24, 26, 27, NW.
9 Më mirë se çdo njeri tjetër mbi tokë, Jezui, «Biri i njeriut», e dinte se ku do të gjendej kur prania e tij të fillonte realisht. Nuk do të shkonte herë këtu e herë atje apo në ndonjë vend të veçantë në tokë. Nuk do të shfaqej në ndonjë vend të vetmuar, «në shkretëtirë», në mënyrë që ata që kërkonin Mesinë të mund të konsultoheshin me të, larg syve të autoriteteve qeveritare, në një vend ku ithtarët e tij të mund të stërviteshin nën drejtimin e tij, duke përgatitur një grusht shteti dhe ta vendosnin si Qeveritar mesianik mbi botën. Ai nuk do të fshihej as në ndonjë «dhomë të brendshme», që të dihej vetëm nga pak të zgjedhur, ku, i paparë dhe i paidentifikuar, do të mund të komplotonte dhe përgatiste bashkë me disa ndihmës plane sekrete për të përmbysur qeveritë botërore dhe të mirosej si Mesia i premtuar. Jo!
10. Në ç’mënyrë shkrepëtimat e së vërtetës bilike kanë ndriçuar në mënyrë globale?
10 Përkundrazi, nuk do të kishte asgjë për të fshehur rreth faktit se Jezui kish ardhur si Mbret, duke i hapur rrugë pranisë së tij mbretërore. Siç kishte parathënë Jezui, shkreptimat e së vërtetës biblike vazhdojnë të ndriçojnë në mënyrë globale zona të tëra mbi tokë, nga lindja deri në perëndim. Si mbajtës modern të dritës, Dëshmitarët e Jehovait tregojnë me të vërtetë se janë «dritë e kombeve, me qëllim që shpëtimi i Jehovait të jetë deri në skajet e tokës».—Isaia 49:6.
Veprimtari engjëllore
11. (a) Në ç’mënyrë janë përdorur shumicat e engjëjve në përhapjen e dritës së Mbretërisë? (b) Kur dhe në cilin grup u mblodhën anëtarët e klasës së grurit?
11 Vargje të tjera biblike që flasin mbi praninë e Jezuit, e përshkruajnë atë të shoqëruar nga një shumicë engjëjsh apo sikur «dërgon» engjëjt e tij. (Mateu 16:27; 24:31) Në ilustrimin e grurit dhe egjrës, Jezui deklaroi se «fusha është bota» dhe se «korrja është përfundimi i një sistemi gjërash dhe korrësit janë engjëjt». Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjatë pranisë së tij në fuqinë dhe lavdinë e Mbretërisë ai do të përdorë vetëm lajmëtarë engjëllorë nëpër misionet tokësore. Duke filluar prej 1919-s, nën drejtimin e Jezuit, engjëjt ndanë klasën e grurit, që formohej nga të mirosurit e lindur nga fryma në tokë dhe që gjendeshin të shpërndarë si rrjedhojë e ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore dhe këta u përgatitën për të kryer një veprimtari të mëtejshme në emër të Mbretit. (Mateu 13:38-43) Në vitet ’20, mijëra njerëz të tjerë u rreshtuan nga ana e Mbretërisë së vendosur të Perëndisë dhe u mirosën me frymën e Perëndisë. Këta të mirosur u bashkuan me efikasitet me radhët e mbetjes fillestare. Së bashku, ata formojnë klasën e skllavit besnik dhe të matur të ditëve tona.
12. Në cilën veprimtari pastrimi kanë marrë pjesë engjëjt dhe me çfarë rezultati për tokën?
12 Një shembull tjetër i veprimtarisë engjëllore gjatë pranisë së Jezuit, pas ardhjes së tij në fron në 1914-n, gjendet tek Zbulesa 12:7-9: «Mikaeli [Jezu Krishti] dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e tij edhe Dragoi ra në luftë, por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell! Dhe, Dragoi i madh, Gjarpëri i vjetër—që quhet Djall—Satanai, ngashnjyesi [që mashtron, NW] i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën!» Prandaj, qiejt janë pastruar, ndërsa pjesa tokësore e Mbretërisë duhet pastruar në mënyrë të plotë, për shenjtërimin e emrit të Jehovait. Sot, në 1993-in, vazhdon të jetë i vlefshëm paralajmërimi hyjnor: «Vaj për tokë . . . sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë!»—Zbulesa 12:12.
Ringjallje qiellore
13, 14. (a) Çfarë tregojnë Shkrimet se ka ndodhur prej 1918-s e këndej? (b) Çfarë zbuluan Pavli dhe Gjoni në lidhje me mbetjen e sotme të mirosur?
13 Një ngjarje tjetër e jashtëzakonshme që ka ndodhur gjatë pranisë së Krishtit, është edhe fillimi i ringjalljes qiellore. Apostulli Pavël tregoi se të krishterët e mirosur që flinin prej shumë kohësh në varre, do të ishin të parët që do të ngjalleshin dhe do të jetonin me Jezu Krishtin në mbretërinë frymore. Në rrjedhën e viteve janë paraqitur dëshmi që tregojnë se kjo gjë duket se është verifikuar nga 1918-a e këndej. Pavli shkroi: «Në Krishtin të gjithë janë ngjallur. Por secili në radhën e vet: Krishti fryti i parë, pastaj ata që i takojnë Krishtit gjatë pranisë [parousia] së tij.» (1. Korintasve 15:22, 23, NW) Ringjallja e të mirosurve gjatë pranisë së Krishtit, është konfirmuar në 1. Selanikasve 4:15-17: «Këtë po ju themi për fjalën e Jehovait, që ne të gjallët që do të mbijetojmë deri në praninë [parousia] e Zotërisë, nuk do të kalojmë aspak para atyre që janë në gjumin e vdekjes . . . Ata që kanë vdekur në bashkësi me Krishtin do të ringjallen të parët. Më pas, ne të gjallët që do të mbijetojmë do të rrëmbehemi, së bashku me ta, në re, për të takuar Zotërinë në ajër.» (NW) Ata që i takojnë Krishtit si të mirosur dhe që do të fitojnë në fund këtë shpërblim të mrekullueshëm, janë 144.000.—Zbulesa 14:1.
14 Siç tregon Pavli, të mirosurit e mbetur që sot janë ende gjallë, nuk do të hyjnë në Mbretëri para atyre martirëve besnikë të krishterë dhe dishepujve të mirosur të lashtësisë. Apostulli Gjon jep një përshkrim tjetër të të mirosurve që vdesin sot, duke thënë: «Të-lumurë që tani jan’ ata të-vdekurë që vdesënë mbë Zotinë. Po, thotë Fryma, që të prëhenë nga mundimet’ e tyre; edhe punërat’ e atyre u venë prapa, bashkë me ata»,—d.m.th. në jetën që kanë pas ringjalljes. (BK) Dhe Pavli shton: «Ja, po ju them një sekret të shenjtë: Jo të gjithë do të biem në gjumin e vdekjes, por të gjithë do të shndërrohemi, në një çast, sa hap e mbyll sytë, gjatë trombës së fundit. Sepse tromba do të bjerë dhe të vdekurit do të ngrihen të pashkatërrueshëm dhe ne do të shndërrohemi.» (1. Korintasve 15:51, 52, NW) Sa mrekulli e çuditshme!
15, 16. (a) Çfarë ilustrimi dha Jezui në Luka 19:11-15 dhe përse? (b) Si është përmbushur kjo profeci?
15 Një herë, ndërsa po i predikonte një grupi ithtarësh mbi Mbretërinë e Perëndisë, Jezui përdori një ilustrim për t’i ndihmuar që të korrigjonin idetë e tyre të gabuara. Tregimi thotë: «[Ata] mendonin se do të vinte Mbretëria e Hyut [Perëndisë, NW] aty për aty, . . . Tha, pra: ‘Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej. I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë m[i]na dhe u tha: “Tregtoni derisa të kthehem!” . . . Kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’ ia sillnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë të hollat, për të parë sa kishin fituar’»—Luka 19:11-15.
16 Jezui ishte «njeriu» që shkoi në qiell, në «vendin e largët» ku do të merrte mbretërinë. Ajo mbretëri iu dha në 1914-n. Pak më vonë, Krishti, si Mbret, bëri llogaritë me ata që thoshin se ishin ithtarë të tij, për të parë se në ç’mënyrë ishin kujdesur për interesat e Mbretërisë që u ishin besuar. Një pakicë besnike u zgjodh për të marrë nga zotëria këtë lëvdatë: «Të lumtë, shërbëtor [skllav, NW] i mirë! Pasi qe besnik në një send kaq të vogël, sundo mbi dhjetë qytete!» (Luka 19:17) Kjo periudhë e pranisë së Krishtit kishte një veprimtari të dendur mbi predikimin e Mbretërisë, duke përfshirë edhe deklaratën e gjykimeve të Perëndisë kundër të ligjve dhe autoritetit të «skllavit të mirë» iu shtua edhe mbikëqyrja e kësaj vepre.
Predikim botëror
17. Nga çfarë gëzimi karakterizohet parousia?
17 Ç’gjë tjetër do të ndodhte gjatë parousia-s? Do të ishte kohë e një gëzimi të madh në veprën e predikimit dhe në ndihmën që do t’u jepej të rinjve që të përgatiteshin për të mbijetuar gjatë mjerimit të madh që do të vinte. Pjesëtarët e «shumicës së madhe», që ndihmojnë mbetjen, bëhen «letra porosie». (Zbulesa 7:9; 2. Korintasve 3:1-3) Pavli e përmendi gëzimin që të jep kjo vepër, duke thënë: «Cila është shpresa jonë apo gëzimi ose kurora e ngazëllimit tonë—vallë, a nuk jeni ju?—para Zotërisë tonë Jezu, në kohën e pranisë [parousia] së tij?»—1. Selanikasve 2:19, NW.
Qëndroni të pastër dhe të pafajshëm
18. (a) Cila lutje e Pavlit ka lidhje me parousia-n? (b) Çfarë fryme duhet të tregojmë të gjithë gjatë kësaj kohe dhe në cilat mënyra?
18 Pavli u lut edhe për shenjtërimin e atyre që do të ishin në jetë në këtë kohë të pranisë së Krishtit: «Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë plotësisht. Dhe në çdo aspekt, e pastër u ruajt fryma dhe shpirti dhe trupi juaj, vëllezër, në mënyrë të pafajshme, në praninë [parousia] e Zotërisë tonë, Jezu Krishtit.» (1. Selanikasve 5:23, NW) Po, si pjesëtarë të mbetjes së mirosur apo edhe të numrit të madh të deleve të tjera, sot na bashkon një frymë bashkëpunimi, me qëllim që të vazhdojmë të jemi të pastër dhe të pafajshëm në këtë kohë të pashoqe. Kemi nevojë, gjithashtu, të ushtrojmë edhe durim. Jakovi shkroi: «Ushtroni durim, pra, vëllezër, deri në praninë [parousia] e Zotërisë. . . . Bëjini zemrat tuaja të qëndrueshme, sepse prania [parousia] e Zotërisë është afruar.»—Jakovit 5:7, 8, NW.
19. Çfarë paralajmërimi dha Pjetri mbi parousia-n dhe si duhet të përgjigjemi?
19 Edhe apostulli Pjetër kishte diçka për të thënë për ne që jetojmë në këtë periudhë. Na paralajmëroi për tallësit, që do të ishin të shumtë në të gjitha pjesët e tokës. Pjetri thotë: «Para së gjithash duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë tallësit, që do të ecin sipas dëshirave të tyre dhe do të thonë: ‘Ku është prania [parousia] e tij e premtuar? Në fakt, që nga koha kur etërit tanë ranë në gjumin e vdekjes, gjithçka po vazhdon njësoj si në fillim të krijimit.’ » (2. Pjetrit 3:3, 4) Edhe pse gjatë pranisë së Krishtit ka shumë tallës, populli i Jehovait vazhdon të shkëlqejë si dritë e botës, për shpëtimin e shumicës.
Pyetjet për përsëritje
◻ Si u ndriçua në mënyrë progresive populli i Jehovait në lidhje me parousia-n?
◻ Si është plotësuar Mateu 24:4-8?
◻ Në ç’mënyrë bashkëpunojnë engjëjt me Jezuin e kurorëzuar?
◻ Cila mrekulli e çuditshme duket se do të shoqërojë parousia-n?
◻ Çfarë gëzimi provohet në këtë kohë dhe kush merr pjesë në të?