BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/4 f. 19-24
  • Lum të përulurit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Lum të përulurit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Besimi në Jehovain na ndihmon të jemi të përulur
  • Përulësia​—tregues i mençurisë
  • Përulësia ndihmon për marrëdhënie të mira me të tjerët
  • Dashuria do të na ndihmojë që të jemi të përulur
  • Zhvilloni përulësinë e vërtetë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Si mund të tregojmë përulësi të vërtetë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Jehovai ua zbulon lavdinë e tij të përulurve
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2004
  • Jehovai i çmon shërbëtorët e tij të përulur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/4 f. 19-24

Lum të përulurit

«Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve, por të përulurve u jep dashamirësi të pamerituar.»​—1. PJETRIT 5:5, BR.

1, 2. Në ç’mënyrë e lidhi Jezui në Predikimin e tij në Mal, çështjen e lumturisë me atë të përulësisë?

AKA lidhje lumturia me përulësinë? Në predikimin e tij më të famshëm, Jezu Krishti, njeriu më i madh që jetoi ndonjëherë, përshkroi nëntë lumturi. (Mateu 5:1-12) A e lidhi Jezui lumturinë me përulësinë? Në fakt, po, sepse përulësia përfshihet në disa nga lumturitë që përmendi ai. Për shembull, një person duhet të jetë i përulur për të qenë i vetëdijshëm për nevojën e tij frymore. Vetëm një i përulur ka uri dhe etje për drejtësi. Krenarët nuk kanë karakter të butë dhe nuk janë të mëshirshëm e aq më pak paqësorë.

2 Të përulurit janë të lumtur, sepse të jesh i përulur është e drejtë dhe e ndershme. Për më tepër, të përulurit janë të lumtur, sepse të jesh i përulur është diçka e mençur; tregon një marrëdhënie të mirë me Perëndinë Jehova dhe me të krishterët e tjerë. Më tej akoma, njerëzit e përulur janë të lumtur, sepse të jesh i përulur është një shprehje dashurie nga ana e tyre.

3. Përse ndershmëria na detyron të jemi të përulur?

3 Përse ndershmëria kërkon prej nesh që të jemi të përulur? Së pari, sepse të gjithë kemi trashëguar papërsosmërinë dhe vazhdojmë të gabojmë. Apostulli Pavël tha për veten: «E di se e mira nuk banon në mua​—d.m.th. në natyrën time trupore: sepse ta dua të mirën jam i zoti, por jo edhe të veproj të mirën.» (Romakëve 7:18) Po, të gjithë kemi gabuar dhe nuk e kemi më lavdinë e Perëndisë. (Romakëve 3:23) Çiltërsia do të na mbrojë që të mos jemi krenarë. Për të pranuar një gabim duhet përulësi, dhe ndershmëria do të na ndihmojë që të pranojmë fajin sa herë që të gabojmë. Pasi nuk mund të bëjmë atë që dëshirojmë të bëjmë, kemi arsye të shëndosha për të qenë të përulur.

4. Çfarë shkaku detyrues për të qenë të përulur na jep 1. Korintasve 4:7?

4 Apostulli Pavël na jep një tjetër arsye se përse ndershmëria duhet të na bëjë të përulur. Ai thotë: «Kush ta jep ty përparësinë? Çka ke që nuk ke marrë? E, nëse e ke marrë prej tjetërkujt, pse krenohesh kinse s’ e ke marrë?» (1. Korintasve 4:7) S’ka asnjë dyshim, nuk do të ishte e ndershme që të lavdëronim veten, të ishim krenarë për ato që kemi, për aftësitë apo arritjet. Ndershmëria na ndihmon që të kemi një ndërgjegje të mirë para Perëndisë, në mënyrë që «të sillemi me ndershmëri në çdo gjë».​—Hebrenjve 13:18, BR.

5. Në ç’mënyrë do të na ndihmojë edhe ndershmëria kur bëjmë ndonjë gabim?

5 Ndershmëria na ndihmon të jemi të përulur kur gabojmë. Do të bëjë të jemi më të gatshëm për të pranuar një gabim, në vend se të përpiqemi të justifikohemi apo t’ua hedhim fajin të tjerëve. Për shembull, ndërsa Adami bëri me faj Evën, Davidi nuk e fajësoi Betshebën, duke thënë: «Ajo nuk duhej të lahej në vend të hapët. Nuk mund të mos tundohesha.» (Zanafilla 3:12; 2. Samuelit 11:2-4) Në të vërtetë, mund të thuhet se ndershmëria na ndihmon të jemi të përulur; nga ana tjetër edhe përulësia na ndihmon të jemi të ndershëm.

Besimi në Jehovain na ndihmon të jemi të përulur

6, 7. Në ç’mënyrë besimi në Perëndinë do të na ndihmojë që të jemi të përulur?

6 Edhe besimi në Jehovain do të na ndihmojë të jemi të përulur. Duke ditur se sa i madh është në të vërtetë Krijuesi, Sovrani Universal, nuk do të mbahemi me të madh. Sa mirë na këshillon profeti Isaia mbi këtë! Në Isaian 40:15, 22 lexojmë: «Ja, kombet janë si një pikë ujë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; . . . Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca.»

7 Besimi në Jehovain do të na ndihmojë edhe kur ndihemi sikur na është bërë një padrejtësi. Në vend se të merakosemi mbi çështjen, do të besojmë përulësisht në Jehovain, siç na kujton psalmisti në Psalmin 37:1-3, 8, 9. Apostulli Pavël nxjerr të njëjtën pikë: «Mos u hakmerrni, o të dashur, por lini vend të veprojë hidhërimi i Hyut, sepse është në Shkrim shenjt: ‘Mua më përket hakmarrja, unë do të hakmerrem.’ thotë Zoti.»​—Romakëve 12:19.

Përulësia​—tregues i mençurisë

8. Përse përulësia na ndihmon për një marrëdhënie të mirë me Jehovain?

8 Ka shumë arsye se përse përulësia është tregues i mençurisë. Njëra, siç kemi treguar tashmë, është se ajo ndihmon për një marrëdhënie të mirë me Krijuesin tonë. Fjala e Perëndisë pohon qartësisht në Proverbat 16:5: «Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin.» Dhe po në Proverbat 16:18 lexojmë: «Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.» Herët a vonë, krenari do të bjerë në telashe. Dhe s’ka si të jetë ndryshe, pasi në 1. Pjetrit 5:5 lexojmë: «Të gjithë ngjeshuni me modesti mendjeje ndaj njëri-tjetrit, sepse Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve, por të përulurve u jep dashamirësi të pamerituar.» (BR) Të njëjtin përfundim mund të nxjerrësh nga ilustrimi që dha Jezui mbi fariseun dhe tagrambledhësin që po luteshin. Më i drejtë doli tagrambledhësi i përulur.​—Luka 18:9-14.

9. Çfarë ndihme jep përulësia në kohë kundërshtimesh?

9 Përulësia është tregues i mençurisë, sepse ajo na e lehtëson dëgjimin e këshillës që gjejmë në Jakovit 4:7: «Nënshtrohuni, pra, Hyut!» Nëse jemi të përulur, nuk do të rebelohemi kur Jehovai të lejojë që të hasim kundërshtime. Përulësia do të na mundësojë që të kënaqemi me kushtet tona dhe të qëndrojmë. Një person krenar është i pakënaqur, gjithnjë do më shumë dhe rebelohet ndaj kushteve të rënda. Nga ana tjetër, personi i përulur i duron vështirësitë dhe provat, ashtu siç bëri Jobi. Jobi i humbi të gjitha zotërimet e tij dhe u godit nga një sëmundje e rëndë, prandaj edhe e shoqja e këshilloi që të merrte rrugën e krenarisë, duke i thënë: «Mallko Perëndinë dhe vdis!» Si u përgjigj ai? Tregimi biblik na thotë: «Por ai i tha asaj: ‘Ti flet si një grua pa mend. Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?’ Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij.» (Jobi 2:9, 10) Duke qenë i përulur, Jobi nuk u rebelua, por me mençuri iu nënshtrua gjithçkaje që Jehovai lejoi të ndodhte mbi të. Dhe më në fund mori një shpërblim të pasur!​—Jobi 42:10-16; Jakovit 5:11.

Përulësia ndihmon për marrëdhënie të mira me të tjerët

10. Si i përmirëson përulësia marrëdhëniet tona me të krishterët e tjerë?

10 Përulësia është tregues i mençurisë, sepse ndihmon për të pasur marrëdhënie të mira me të krishterët e tjerë. Me të drejtë apostulli Pavël na këshillon: «Mos veproni nga egoizmi apo mendjemadhësia! Askush të mos ngrihet mbi tjetrin, por ta nderojë tjetrin më shumë se veten. Mos ndiqni interesat tuaja, por kërkoni të mirën e të tjerëve.» (Filipianëve 2:3, 4, ECM) Në mënyrë të mençur përulësia nuk do të na lejojë të hyjmë në garë me të tjerët apo të përpiqemi të shkëlqejmë mbi të tjerët. Qëndrime të tilla mendore krijojnë probleme për ne dhe për të krishterët e tjerë.

11. Përse përulësia mund të na ndihmojë në shmangien e gabimeve?

11 Shumë herë përulësia do të na ndihmojë të shmangim kryerjen e gabimeve. Në ç’mënyrë? Përulësia nuk do të na lejojë ta mbivlerësojmë veten. Përkundrazi, do të vlerësojmë këshillën e Pavlit në 1. Korintasve 10:12: «Kush mendon të qëndrojë i patundur, të ruhet se mos rrëzohet!» (ECM) Një person krenar ka tepër besim tek vetja dhe në këtë mënyrë rrezikon të gabojë, për shkak të ndikimeve të jashtme apo edhe të vetë dobësisë së tij.

12. Cilin detyrim biblik do të na nxisë për të përmbushur përulësia?

12 Përulësia do të na ndihmojë të përmbushim kërkesën për të qenë të nënshtruar. Në Efesianëve 5:21 gjejmë këshillën: «Nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit!» Vërtet, a nuk kemi nevojë ne të gjithë për të qenë të nënshtruar? Fëmijët duhet t’u jenë të nënshtruar prindërve të tyre, gratë burrave të tyre dhe burrat Krishtit. (1. Korintasve 11:3; Efesianëve 5:22; 6:1) Në çdo kongregacion të krishterë, të gjithë, duke përfshirë edhe shërbëtorët ndihmës, duhet të tregojnë nënshtrim ndaj pleqve. A s’është po aq e vërtetë se pleqtë janë të nënshtruar ndaj klasës së skllavit besnik, që përfaqësohet veçanërisht nga mbikëqyrësi qarkor? Më tej akoma, mbikëqyrësi qarkor duhet t’i nënshtrohet mbikëqyrësit krahinor dhe ky i fundit Komitetit të Degës në vendin ku shërben. Ç’mund të themi për anëtarët e Komitetit të Degës? Ata duhet «t’i nënshtrohen njëri-tjetrit», si edhe Trupit Udhëheqës që përfaqëson klasën e skllavit besnik dhe të matur, i cili nga ana e vet, duhet t’i japë llogari Jezuit, mbretit që ndodhet mbi fron. (Mateu 24:45-47) Si edhe në çdo trup tjetër pleqsh, anëtarët e Trupit Udhëheqës duhet të respektojnë pikëpamjet e njëri-tjetrit. Për shembull, dikush mund të mendojë se ka një ide të shkëlqyer. Por, nëse sugjerimi i tij nuk ka miratimin e një numri të mjaftueshëm të anëtarëve të tjerë, ai thjesht duhet ta lërë atë çështje mënjanë. Është e vërtetë, të gjithë kemi nevojë për përulësinë, sepse të gjithë jemi të nënshtruar.

13, 14. (a) Në cilën rrethanë të veçantë do të na ndihmojë përulësia? (b) Çfarë shembulli na dha Pjetri në lidhje me pranimin e këshillave?

13 Përulësia është veçanërisht e dukshme si një tregues i mençurisë, për faktin se na ndihmon të pranojmë më lehtë këshillat dhe disiplinën. Herë pas here, secili prej nesh ka nevojë për disiplinë dhe bëjmë mirë t’i vëmë veshin këshillës së Proverbave 19:20: «Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.» Siç është pohuar me të drejtë, përulësia lehtëson dhimbjet e qortimit apo të disiplinës. Veç kësaj, në Hebrenjve 12:4-11, apostulli Pavël na bën të ditur mençurinë e nënshtrimit me përulësi ndaj disiplinimit. Vetëm kështu, mund të shpresojmë se do ta drejtojmë rrugën tonë të ardhshme me mençuri dhe si rrjedhim do të marrim çmimin e jetës së përhershme. Sa rezultat i lumtur do të jetë!

14 Në lidhje me këtë mund të citojmë shembullin e apostullit Pjetër. Apostulli Pavël i dha atij një këshillë të ashpër, siç mësojmë nga tregimi në Galatasve 2:14: «Pra, kur pashë se nuk po ecnin drejt simbas së vërtetës së Ungjillit, i thashë Kefës [Pjetrit] para të gjithëve: ‘Nëse ti, që je hebre, jeton si paganët e jo si hebre, përse paganët i detyron të jetojnë si hebrenj.’» A u ofendua apostulli Pjetër? Edhe nëse po, nuk zgjati shumë, siç mund të shohim në 2. Pjetrit 3:15, 16, ku ai thotë «Pali, vëllai ynë i dashur».

15. Cila është lidhja midis përulësisë dhe lumturisë sonë?

15 Kemi edhe një çështje tjetër: të mjaftohemi dhe të kënaqemi me vetveten. Nuk mund të jemi të lumtur nëse nuk jemi të kënaqur me riskun tonë të jetës, me privilegjet dhe bekimet që kemi. Një i krishterë i përulur mban këtë qëndrim: «Nëse Perëndia e lejon, do t’i bëj ballë», gjë që u tha edhe nga apostulli Pavël në 1. Korintasve 10:13: «Vështirësitë në të cilat qetë vënë, nuk ishin jashtë masës njerëzore. Hyu është besnik. Ai nuk do të lejojë t’u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë e tuaja e, bashkë me prova, do t’ju japë rrugëdalje e forcë për të qëndruar.» Shohim përsëri, pra, se në ç’mënyrë përulësia është tregues i mençurisë, pasi na ndihmon të jemi të lumtur, cilido qoftë risku ynë.

Dashuria do të na ndihmojë që të jemi të përulur

16, 17. (a) Cili shembull biblik nënvizon cilësinë më të madhe që na ndihmon për të qenë të përulur? (b) Cili shembull i botës ilustron, gjithashtu, këtë pikë?

16 Më shumë se çdo gjë tjetër, dashuria altruiste, a·ga’pe, do të na ndihmojë që të jemi të përulur. Përse Jezui mundi ta duronte me aq përulësi vuajtjen mbi shtyllën e tij të mundimeve, që përshkruan Pavli në letrën drejtuar filipianëve? (Filipianëve 2:5-8) Përse nuk e çoi as nëpër mend që të konsiderohej si i barabartë me Perëndinë? Sepse, siç tha ai vetë: «E dua Atin.» (Gjoni 14:31) Prandaj, në çdo kohë ai ia dha lavdinë dhe nderin Jehovait, Atit të tij qiellor. Në fakt, një herë ai këmbënguli se vetëm Ati i tij qiellor ishte i mirë.​—Luka 18:18, 19.

17 Për të ilustruar këtë pikë, mund të na shërbejë një ndodhi në jetën e njërit prej poetëve të parë amerikanë, John Greenleaf Whittier. Kur ishte i ri, ai kishte një mikeshë dhe një herë, gjatë një gare ortografie, ajo e shkroi drejt një fjalë në të cilën ai gaboi. Për këtë asaj i erdhi shumë keq. Përse? Siç kujton poeti, ajo tha: «Më vjen keq që e shkrova mirë atë fjalë. Unë nuk duroj dot të jem më lart se ti . . . sepse ti e di, unë të dua.» Po, nëse e duam dikë, do të dëshirojmë që ai të jetë më lart dhe jo më poshtë se ne, sepse dashuria është e përulur.

18. Cilën këshillë të Shkrimeve do të na ndihmojë për të dëgjuar përulësia?

18 Ky është një mësim i mirë për të gjithë të krishterët, veçanërisht për vëllezërit. Kur bëhet fjalë për ndonjë privilegj të veçantë shërbimi, a do të gëzohemi që atë e mori një vëlla tjetër dhe jo ne, apo do të ndiejmë një farë xhelozie dhe zilie? Nëse i duam vërtet vëllezërit tanë, do të gëzohemi kur marrin një caktim të veçantë, apo një privilegj shërbimi. Po, përulësia do të na e lehtësojë dëgjimin e këshillës: «Prini njëri-tjetrit duke nderuar shokun.» Në një përkthim tjetër lexojmë: «Nderoni njëri-tjetrin më shumë se veten.» (New International Version) Përsëri, apostulli Pavël na këshillon: «Me dashuri shërbeni njëri-tjetrit!» (Galatasve 5:13) Po, nëse kemi dashuri do të ndihemi të gëzuar t’u shërbejmë vëllezërve tanë, të jemi skllevër të tyre, duke vënë interesat dhe mirëqenien e tyre mbi tonat, gjë që kërkon përulësi. Veç kësaj, përulësia nuk do të na lejojë të mburremi, duke ngjallur në këtë mënyrë tek të tjerët një frymë xhelozie dhe zilie. Pavli shkroi se dashuria «nuk mburret, nuk krekoset». Përse jo? Sepse prapa mburrjes dhe krekosjes fshihet egoizmi, ndërsa dashuria është vetë esenca e altruizmit.​—1. Korintasve 13:4.

19. Cilët shembuj biblikë ilustrojnë se përulësia dhe dashuria shkojnë dorë për dore, ashtu si edhe krenaria me egoizmin?

19 Marrëdhëniet e Davidit me mbretin Saul dhe me birin e tij, Xhonatanin, janë një shembull i dukshëm për të kuptuar se si janë të lidhura si dashuria me përulësinë, ashtu edhe krenaria me egoizmin. Për shkak të sukseseve të Davidit në luftë, gratë e Izraelit kënduan: «Shauli ka vrarë një mijë armiq, kurse Davidi dhjetë mijë.» (1. Samuelit 18:7, ECM) Duke mos u treguar aspak i përulur, por përkundrazi, i brejtur nga krenaria, prej atij çasti Sauli ushqeu një urrejtje për vdekje ndaj Davidit. Sa ndryshe ishte me birin e tij, Xhonatanin! Ne lexojmë se Xhonatani e deshi Davidin si shpirtin e tij. (1. Samuelit 18:1) Si reagoi, pra, Xhonatani kur në rrjedhën e ngjarjeve u bë e dukshme se Jehovai kishte bekuar Davidin dhe prandaj ai, e jo Xhonatani, do të pasonte Saulin si mbret i Izraelit? A u bë Xhonatani xheloz apo ziliqar? Aspak! Prej dashurisë së madhe që kishte për Davidin, ai mundi të thoshte fjalët që gjejmë në 1. Samuelit 23:17: «Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë.» Dashuria e madhe që kishte për Davidin i lejoi Xhonatanit të pranonte me përulësi atë që ai e shihte si vullnet të Perëndisë në lidhje me faktin se kush do të pasonte atin e tij si mbret i Izraelit.

20. Si e tregoi Jezui lidhjen e ngushtë midis dashurisë dhe përulësisë?

20 Një fakt i mëtejshëm i lidhjes së dashurisë me përulësinë është edhe ajo që ndodhi natën e fundit kur Jezui ishte me apostujt e tij para se të vdiste. Në Gjonin 13:1 lexojmë se Jezui «pasi i deshi të vetët​—ata që ishin në botë—​i deshi deri në pikën e fundit». Pas kësaj, lexojmë se Jezui u lau këmbët apostujve të tij, duke vepruar si një skllav i ulët. Sa mësim i fuqishëm përulësie!​—Gjoni 13:1-11.

21. Duke e përmbledhur, përse duhet të jemi të përulur?

21 Vërtet, ka shumë arsye për të qenë të përulur. Të jesh i përulur është diçka e drejtë, e ndershme. Është një tregues i besimit. Ndihmon për lidhje të mira me Perëndinë Jehova dhe me besimtarët e tjerë. Është një tregues i mençurisë. Mbi të gjitha, është tregues i dashurisë dhe të sjell lumturi të vërtetë.

Si do të përgjigjeshe?

◻ Në cilat mënyra ndershmëria është një ndihmë për të qenë të përulur?

◻ Përse besimi në Jehovain do të na ndihmojë për të qenë të përulur?

◻ Nga duket se përulësia është tregues i mençurisë?

◻ Përse dashuria na ndihmon veçanërisht për të qenë të përulur?

[Figura në faqen 21]

Jobi iu nënshtrua me përulësi Jehovait. Ai nuk pranoi ‘të mallkonte Perëndinë dhe të vdiste’

[Figura në faqen 23]

Pjetri u nënshtrua me përulësi kur Pavli e këshilloi në publik

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo