BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w94 1/5 f. 20-25
  • Kemi kërkuar më parë Mbretërinë

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Kemi kërkuar më parë Mbretërinë
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Çmueshmëria për të vërtetën biblike
  • Shërbimi i pionierit
  • Shërbimi ynë gjatë viteve të luftës
  • Aktiviteti i pasluftës​—Pastaj Galaadi
  • Shërbimi ynë në Brazil
  • Një jetë shpërblyese e pasur
  • A është paraja burimi i lumturisë së vërtetë?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2009
  • Bëra zgjedhjen e duhur
    Zgjohuni!—2007
  • Jehovai më shpërbleu shumë për dëshirën që të isha misionare
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2006
  • Mënyra më e mirë për të përdorur jetën time
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1995
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
w94 1/5 f. 20-25

Kemi kërkuar më parë Mbretërinë

TREGUAR NGA OLIVE SPRINGATE

Pasi dëgjoi lutjet tona, nëna shoi qirinë dhe doli nga dhoma. Vëllai im më i vogël menjëherë më pyeti: «Oliv, si mund të na shohë dhe të na dëgjojë Perëndia përtej mureve me tulla?»

«NËNA thotë se ai mund të shohë përtej çdo gjëje,—iu përgjigja,—madje edhe në zemrat tona.» Nëna ishte një grua me frikë Perëndie si dhe një lexuese e dëshiruar e Biblës dhe ngjalli tek ne fëmijët një respekt të thellë për Perëndinë dhe për parimet biblike.

Prindërit tanë ishin anëtarë të Kishës Anglikane, në qendrën e vogël Katham, në krahinën e Kentit, në Angli. Sadoqë nëna ishte një frekuentuese e rregullt e kishës, ajo besonte se të jesh i krishterë do të thotë më shumë se vetëm të ngrohësh vendin në kishë një herë në javë. Ishte gjithashtu e sigurt se Perëndia duhej të kishte vetëm një kishë të vërtetë.

Çmueshmëria për të vërtetën biblike

Në vitin 1918, kur isha rreth pesë vjeçe, nëna mori në dorë volumet e titulluara Studime mbi Shkrimet, të shkruara nga Charles T. Russell, kryetari i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract. Pak vite më vonë, kur jetonte në një lokalitet të vogël të quajtur Vigmor, nëna u takua me një nga Studentët Biblikë, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Pranoi ndihmësin për studime biblike Harpa e Perëndisë dhe filloi të gjente në të përgjigjet e shumë prej pyetjeve të saj biblike. Çdo javë vinte me postë një kartë ngjyrë trëndafili me pyetjet e shtypura për çdo kapitull. Karta tregonte gjithashtu, se ku mund të gjendeshin përgjigjet në libër.

Në vitin 1926, prindërit, motra dhe unë nuk e frekuentuam më Kishën Anglikane, për shkak se na kishte ngjallur neveri përfshirja e saj në politikë, si dhe shumë mësime të paarsyeshme të saj. Një mësim i rëndësishëm ishte se Perëndia do t’i torturonte përgjithmonë njerëzit në ferrin e zjarrtë. Nëna që vërtet ishte në kërkim të së vërtetës biblike, ishte e bindur se Kisha Anglikane nuk ishte ajo e vërteta.

Pak më pas, në përgjigje të lutjeve të zjarrta të nënës, na vizitoi zonja Xhekson, një Studente Biblike. Pothuajse për dy orë, ajo foli me mua dhe me nënën, duke iu përgjigjur pyetjeve tona nga Bibla. Ishim të kënaqura që mësuam ndërmjet të tjerash se lutjet tona mund t’i drejtoheshin Jehova Perëndisë, Atit të Jezu Krishtit dhe jo një Triniteti misterioz. (Psalmi 83:18; Gjoni 20:17) Por për mua pyetja më e paharrueshme që bëri nëna ishte: «Çfarë do të thotë të kërkosh më parë Mbretërinë?»​—Mateu 6:33.

Përgjigjja e bazuar në Bibël, ndikoi thellësisht në jetën tonë. Që nga ajo javë, filluam të merrnim pjesë në mbledhjet e Studentëve të Biblës dhe të ndanim me të tjerët gjërat e mësuara. Ishim të bindura se kishim gjetur të vërtetën. Pak muaj më vonë, në vitin 1927, nëna u pagëzua në simbol të dedikimit për t’i shërbyer Jehovait dhe në vitin 1930 u pagëzova edhe unë.

Shërbimi i pionierit

Familja jonë frekuentoi kongregacionin e Gillinghamit, i cili përbëhej nga 25 persona. Disa prej tyre ishin shërbëtorë të plotë kohorë, të quajtur pionierë dhe të gjithë kishin shpresë qiellore. (Filipianëve 3:14, 20) Zelli i tyre i krishterë të ngjitej. Në fillim të viteve ’30, kur isha akoma adoleshente, kreva shërbimin si pioniere për një kohë të shkurtër në Belgjikë. Kjo ndezi dëshirën time për t’i shërbyer akoma më shumë Mbretërisë. Në këtë kohë, morëm pjesë në shpërndarjen e kopjeve tek çdo klerik të broshurës Mbretëria, shpresa e botës. (angl.)

Me kohë, babai u bë kundërshtar i madh për aktivitetin tonë të krishterë dhe për këtë arsye në vitin 1932 u transferova në Londër për të shkuar në universitet. Më vonë, punova për katër vjet si mësuese dhe gjatë kësaj kohe frekuentova kongregacionin e Blackheath-it, njëri prej katër kongregacioneve në atë kohë. Pikërisht atëherë filluam të dëgjonim lajmet për burgosjet dhe vuajtjet e vëllezërve dhe motrave tona të krishtere në Gjermaninë e Hitlerit, pasi nuk pranonin të mbështetnin përpjekjet e tij luftarake.

Në vitin 1938, pikërisht në muajin kur mbarova së paguari borxhin për librat që kisha marrë, lashë punën për të plotësuar dëshirën time për t’u bërë pioniere. Në të njëjtën kohë, filloi shërbimin si pioniere në Londër edhe motra ime, Beril, por ajo jetonte në një shtëpi tjetër për pionierë. Shoqja ime e parë pioniere ishte Mildred Villett, e cila më vonë u martua me John Barr, tani anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Bashkë me të tjerë në grupin tonë shkonim me biçikletë në territor dhe qëndronim atje gjithë ditën, shpesh pa marrë parasysh shiun.

Re lufte qëndronin tashmë pezull mbi Evropë. Qytetarët duhej të bënin stërvitje me maskat antigaz dhe filluan të bëheshin përgatitje për të larguar fëmijët për në fshatrat e Anglisë ose për në qendrat e vogla në rast lufte. Kisha aq para, sa për të blerë një palë këpucë dhe nuk ishte e mundur për ndihmë financiare nga ana e prindërve. Po, a nuk kishte thënë Jezui se «të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen, nëse kërkoni më parë Mbretërinë»? (Mateu 6:33) Isha plotësisht e bindur se Jehovai do të m’i plotësonte të gjitha nevojat dhe ai bëri kështu me bollëk gjithë ato vite. Gjatë kohës së luftës, shpesh e plotësoja racionin tim të vogël me perime të rëna në tokë nga kamionët e ngarkuar përgjatë rrugës. Dhe shpesh merrja ushqim, duke shkëmbyer literaturën biblike me fruta dhe perime.

Motra ime, Sonja, lindi në vitin 1928. Ishte vetëm shtatë vjeçe, kur ia dedikoi jetën Jehovait. Sonja thotë se edhe në këtë moshë të re, shërbimi i pionierit ishte bërë synimi i saj. Në vitin 1941, pak pasi e simbolizoi dedikimin e saj me pagëzim në ujë, e arriti këtë synim, kur ajo dhe nëna u caktuan si pioniere në Caerphilly, në Uellsin Jugor.

Shërbimi ynë gjatë viteve të luftës

Në shtator të vitit 1929, filloi Lufta II Botërore dhe vëllezërit e motrat tona të krishtere në Britani ishin burgosur për të njëjtën arsye si edhe bashkëbesimtarët e tyre në Gjermaninë naziste—për qëndrimin e tyre neutral në lidhje me pjesëmarrjen në luftë. Në mes të vitit 1940, në Angli filluan bombardimet. Natë pas nate, zhurma e sulmeve të rrufeshme ishte shurdhuese, por me ndihmën e Jehovait mundëm të bënim një sy gjumë dhe të freskoheshim për veprën e predikimit për ditën tjetër.

Shpesh shkonim në territorin tonë të predikimit vetëm për të gjetur të rrënuar pjesën më të madhe të shtëpive. Në nëntor ra një bombë vetëm disa qindra metra larg shtëpisë, në të cilën banonin disa prej nesh, duke i bërë dritaret copë e çikë. Dera e rëndë e përparme u përplas përtokë dhe oxhaku u shemb. Pasi kaluam pjesën tjetër të natës në një strehim kundërajror, u ndamë dhe shkuam të jetonim nëpër shtëpitë e disa Dëshmitarëve.

Pak më pas, u caktova në Croydon, në Greater London. Shoqja ime pioniere ishte Ana Parkin, vëllai i së cilës, Ron Parkin, më vonë u bë koordinatori i degës në Porto Riko. Pastaj u transferova në Bridgend, në Uellsin Jugor, ku vazhdova shërbimin si pioniere dhe jetova për gjashtë muaj në një vagon që tërhiqej nga kuaj. Prej atje duhej të bëja gjashtë kilometra me biçikletë për të arritur në kongregacionin e madh më të afërt, në Port Talbot.

Në atë kohë, publiku po bëhej vërtet armiqësor kundrejt nesh, duke na quajtur guaska (kundërshtarë të ndërgjegjshëm). Një gjë e tillë na e vështirësoi gjetjen e strehimit, por Jehovai u kujdes për ne siç premtoi.

Më vonë, tetë prej nesh u caktuan si pionierë specialë në Swansea, një qytet me liman në Uellsin Jugor. Pak nga pak që rritej intensiteti i luftës, rriteshin edhe paragjykimet kundër nesh. Fjalët «minj» dhe «frikacakë» ishin shkruar me bojë në muret e shtëpive tona për pionierë. Armiqësia provokohej në masë të madhe nga lajmet e gazetave që na dënonin për qëndrimin tonë neutral. Përfundimisht, njëri pas tjetrit, shtatë prej nesh u dërguan në burg. Në vitin 1942, kalova një muaj në burgun e Kardifit ku më vonë shkoi edhe motra ime, Beril. Megjithëse kishim pak në kuptim material dhe vuanim tallje dhe të shara, ishim të pasura frymësisht.

Ndërkohë, nëna dhe Sonja kryenin shërbimin si pioniere në Caerphilly dhe kishin përvoja të njëjta. Studimi i parë biblik që Sonja drejtonte ishte një zonjë me të cilën ajo ra dakort ta vizitonte një të premte mbasdite. Sonja ishte e bindur se nëna do ta shoqëronte, por ajo i shpjegoi: «Unë kam një takim tjetër. Takimin e ke marrë ti, prandaj duhet të shkosh vetëm.» Edhe pse Sonja ishte vetëm 13 vjeçe, shkoi vetëm dhe zonja përparoi shumë mirë frymësisht e më vonë u bë një Dëshmitare e dedikuar.

Aktiviteti i pasluftës​—Pastaj Galaadi

Kur mbaroi Lufta II Botërore në vitin 1945, punoja në një territor të veçuar në Whaley Bridge, në Derbyshire. Në mëngjesin kur u lajmërua pushimi i zjarrit, vizituam dhe qetësuam njerëzit plotësisht të lodhur nga lufta dhe pasojat e saj: jetimë, vejusha dhe trupa të gjymtuar.

Disa muaj më vonë Shoqata kërkoi vullnetarë për të predikuar në Irlandë, në ishullin Emerald. Në këtë kohë, në ishull ishin vetëm rreth 140 Dëshmitarë të Jehovait, kështu që konsiderohej si territor misionar. Brenda pak muajsh, atje u caktuan rreth 40 pionierë specialë, ndërmjet tyre edhe unë.

Pasi punova për një farë kohe në Coleraine dhe Cookstown, në veri, bashkë me tre të tjerë u caktova në Drogheda, në bregdetin lindor. Megjithëse irlandezët nga natyra janë shumë të ngrohtë dhe mikpritës, paragjykimet fetare ishin shumë të mëdha. Kështu, gjatë një viti të tërë, mundëm të shpërndanim vetëm pak ndihmës për studime biblike (në të vërtetë vetëm një libër dhe disa broshura).

Gjatë qëndrimit tonë në Drogheda, po shkoja me biçikletë nga një fermë në një tjetër, kur një punëtor i ri ferme kërceu menjëherë me vrull pas një gardhi në rrugë. Shikoi lart e poshtë dhe më pyeti me zë të ulët: «Je një Dëshmitare e Jehovait?» Kur iu përgjigja se po, ai vazhdoi: «Natën e shkuar kisha një diskutim të zjarrtë me të fejuarën në lidhje me ju vajzat dhe u ndamë. Ajo insistonte se ju jeni komuniste, siç thonë gazetat dhe priftërinjtë katolikë, por unë i argumentoja se nuk mund të ishte e vërtetë, pasi ju shkoni hapur nga shtëpia në shtëpi.»

I dhashë një broshurë për ta lexuar, të cilën ai e fshehu në xhep dhe ramë dakort që të takoheshim dhe të flisnim më shumë pas mbrëmjes, pasi ai thoshte: «Nëse më kanë parë që po flas me ju, do të më heqin nga puna.» Atë natë dy prej nesh e takuan dhe iu përgjigjën pyetjeve të tij të shumta. Ishte i bindur se kjo ishte e vërteta dhe na premtoi se do të vinte në shtëpinë tonë një natë tjetër për të mësuar më shumë. Nuk u duk më, prandaj menduam se ndoshta dikush e kishte parë kur kaloi me biçikletë andej natën e parë dhe kështu kishte humbur punën. Shpesh pyetnim veten nëse do të bëhej vallë Dëshmitar.

Pasi morëm pjesë në vitin 1949 në kongresin krahinor, në Brighton, në bregdetin jugor të Anglisë, disa prej nesh u ftuan në shkollën e Galaadit (Watch Tower Bible School of Gilead) në Nju Jork. Një numër i përgjithshëm prej 26 vetash nga Britania morën pjesë në klasën e 15-të, e cila u diplomua më 30 korrik 1950, gjatë kongresit ndërkombëtar në Yankee Stadium.

Shërbimi ynë në Brazil

Vitin tjetër u caktova në San Paolo, Brazil, një nga qytetet me rritje më të shpejtë në botë. Në këtë kohë kishte vetëm pesë kongregacione të Dëshmitarëve të Jehovait, ndërsa tani janë rreth 600! Sa ndryshe ishte të predikoje atje në krahasim me Irlandën! Shumë prej shtëpive në territorin tonë në San Paolo ishin vila të mëdha, të rrethuara me kangjella të larta prej hekuri, me porta artistike me hekur të derdhur. Tërhiqnim vëmendjen e pronarit të shtëpisë ose të shërbëtores duke duartrokitur.

Me kalimin e viteve kisha caktime të reja. Kisha privilegjin të ndihmoja në formimin e kongregacioneve të reja në vende të ndryshme në brendësi të shtetit të San Paolos, duke përfshirë një në Jundiai në vitin 1955 dhe një tjetër në Piraçikaba në vitin 1958. Më vonë, në vitin 1960, motra ime Sonja u bë partnerja ime misionare dhe u caktuam në Porto Alegre, kryeqyteti i shtetit Rio Grande do Sul. Ndoshta pyet veten, si kishte përfunduar ajo në Brazil?

Pas Luftës II Botërore, Sonja dhe nëna vazhduan të kryenin së bashku shërbimin si pioniere në Angli. Por në fillim të vitit 1950, nëna u operua nga kanceri dhe ishte shumë e dobët për të shkuar nga shtëpia në shtëpi, megjithëse mund të drejtonte studime biblike dhe të shkruante letra. Sonja vazhdoi veprën e pionierit dhe në të njëjtën kohë kujdesej për nënën. Në vitin 1959, Sonja pati privilegjin të merrte pjesë në klasën e 33-të të Galaadit dhe u caktua në Brazil. Kështu, Beril u kujdes për nënën derisa vdiq në vitin 1962. Që atëherë Beril u martua dhe bashkë me familjen i shërben Jehovait me besnikëri.

Në Brazil, Sonja dhe unë ndihmuam disa persona për të arritur në dedikim dhe pagëzim. Megjithatë, një nga problemet që kishin brazilianët ishte ai i ligjërimit të martesës. Për shkak të vështirësive për të marrë divorcin në Brazil, ishte e zakonshme për çiftet të bashkëjetonin pa martesë. Ky ishte veçanërisht rasti, kur një nga bashkëshortët ishte i ndarë nga ish-bashkëshorti me të cilin ishte martuar me ligj.

Një zonjë, e quajtur Eva, gjendej në një situatë të tillë kur u njoha me të. Burri i saj i ligjshëm ishte zhdukur, kështu që për ta gjetur bëmë një lajmërim në radio. Kur zbuluam se ku gjendej, e shoqërova në një qytet tjetër për të marrë dokumentin e firmosur që do t’i jepte mundësi të legalizonte bashkimin me burrin e pamartuar me të cilin jetonte. Në audiencën para gjyqtarit, ai kërkoi t’i shpjegonim se përse donte të rregullonte gjendjen e saj martesore. Kur ia shpjeguam, gjyqtari shprehu habi dhe kënaqësi.

Në një rast tjetër, shkova bashkë me një nga studentet e mia të Biblës për të biseduar me një avokat që të interesohej për rastin e saj. Përsëri u dha një dëshmi e mirë për martesën dhe ligjet morale të Perëndisë. Në këtë rast, shpenzimet për të marrë divorcin ishin shumë të mëdha, saqë të dy bashkëshortët që donin të legalizonin bashkimin e tyre duhej të punonin që të mund t’i paguanin. Por për këta studentë të Biblës ia vlente kjo përpjekje. Sonja dhe unë kishim privilegjin për të qenë dëshmitare të martesës së tyre dhe pastaj bashkë me tre fëmijët e tyre adoleshentë, dëgjuam një fjalim të shkurtër biblik në shtëpinë e tyre.

Një jetë shpërblyese e pasur

Kur Sonja dhe unë ia dedikuam jetën Jehovait dhe u bëmë pioniere, kishim për qëllim ta bënim shërbimin e plotë kohor karrierën e jetës sonë, nëse do të ishte e mundur. Kurrë nuk jemi shqetësuar shumë se çfarë do të ndodhte gjatë viteve të pleqërisë, në rast sëmundjeje ose në vështirësi financiare. Megjithatë, ashtu siç premtoi Jehovai, kurrë nuk jemi braktisur.​—Hebrenjve 13:6.

Oh po, mungesa e parave ka qenë problem ndonjëherë. Për një farë kohe, unë dhe shoqja ime kemi ngrënë për darkë sanduiç me majdanoz për një vit të tërë, por kurrë nuk vdiqëm urie dhe as nuk na munguan gjërat e nevojshme.

Me kalimin e viteve, energjitë tona janë zvogëluar vazhdimisht. Gjatë mesit të vitit 1980, të dyja patëm operacione serioze që ishin për ne një provë e vështirë, pasi aktiviteti ynë i predikimit u zvogëlua shumë. Në janar të vitit 1987, u ftuam të bëheshim anëtare të personelit të qendrës së Dëshmitarëve të Jehovait në Brazil.

Familja jonë e madhe e përbërë nga më shumë se 1.000 bashkëshërbëtorë, jeton 140 km larg nga San Paolo, në një kompleks të bukur ndërtesash, ku shtypet literaturë biblike për Brazilin dhe për pjesë të tjera të Amerikës së Jugut. Këtu gjejmë kujdesin e dashur të shërbëtorëve të devotshëm të Perëndisë. Kur erdha për herë të parë në Brazil në vitin 1951, kishte rreth 4.000 predikues të lajmit të Mbretërisë, ndërsa tani janë mbi 366.000! Ati ynë i mëshirshëm qiellor, na i ka shtuar me të vërtetë «të gjitha gjërat e tjera», sepse kemi kërkuar më parë Mbretërinë e tij.​—Mateu 6:33.

[Figura në faqen 22]

Olive dhe Mildred Villett pranë një karroce njoftimesh, 1939

[Figura në faqen 25]

Olive dhe Sonia Springate

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo