Jehovai—Ati ynë i dhembshur dhe i butë
«Jehovai është shumë i butë në dashuri dhe i dhembshur.»—JAKOVIT 5:11, BR, (shënimi).
1. Përse të përulurit janë të tërhequr drejt Jehovait?
UNIVERSI është kaq i madh, sa astronomët nuk mund t’i numërojnë të gjitha galaktikat e tij. Galaktika jonë, Udha e Qumështit, është kaq e gjerë, sa njeriu nuk mund t’i numërojë të gjithë yjet në të. Disa yje si ylli Antares, janë mijëra herë më të mëdhenj dhe më të ndritshëm se dielli. Sa i fuqishëm duhet të jetë Krijuesi i Madh i të gjithë yjeve në univers! Në të vërtetë, ai është «Ai që e nxjerr ushtrinë e tyre me shumicë dhe thërret gjithçka me emër». (Isaia 40:26) Megjithatë, po ky Perëndi që të imponon nderim është edhe «shumë i butë në dashuri dhe i dhembshur». Sa përtëritëse është kjo njohuri për shërbëtorët e përulur të Jehovait, veçanërisht për ata që vuajnë nga persekutimet, sëmundjet, depresioni dhe vështirësi të tjera!
2. Si konsiderohen shpesh emocionet e dashura nga njerëzit e kësaj bote?
2 Për shumë njerëz ndjenjat më të ëmbla, si «dashuria e butë dhe dhembshuria» e Krishtit janë dobësi. (Filipianëve 2:1, BR) Të ndikuar nga filozofia evolucioniste, ata i nxisin njerëzit të vënë në vend të parë veten, edhe pse kjo do të thotë të marrësh nëpër këmbë ndjenjat e të tjerëve. Disa personazhe të botës së spektaklit dhe të sportit janë zemërgur, nuk derdhin kollaj lotë dhe nuk tregojnë dashuri të butë. Po kështu bëjnë edhe disa qeveritarë politikë. Filozofi stoik, Seneka, që edukoi perandorin mizor, Neronin, theksoi se «mëshira është dobësi». Një enciklopedi pohon: «Ndikimi i stoicizmit . . . vazhdon të veprojë në mendjet e njerëzve edhe në kohët e tashme.»—Cyclopœdia e M’Clintock and Strong.
3. Si ia përshkroi Jehovai veten Moisiut?
3 Përkundrazi, personaliteti i Krijuesit të njerëzimit është zemërbutë. Duke ia përshkruar veten Moisiut, ai tha: «Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri . . . që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin.» (Të Dalët 34:6, 7) Vërtet, Jehovai e përfundon këtë përshkrim të vetvetes, duke theksuar drejtësinë e tij. Ai nuk përjashton nga ndëshkimi i merituar ata që mëkatojnë me vullnet. Megjithatë, ai e përshkruan veten në radhë të parë si Perëndi i mëshirshëm, fjalë për fjalë «plot mëshirë».
4. Cila është domethënia inkurajuese e fjalës hebreje të përkthyer shpesh «mëshirë»?
4 Disa herë, fjala «mëshirë» mendohet vetëm në kuptimin e ftohtë gjyqësor të ndalimit të ndëshkimit. Megjithatë, një krahasim i përkthimeve të Biblës zbulon kuptimin e thellë të mbiemrit hebre që vjen nga folja ra·cham΄. Sipas disa studiuesve, domethënia themelore e tij është «të jesh i butë». Një libër shpjegon se fjala «racham» shpreh një ndjenjë të thellë e të dashur dhembshurie, si ajo që lind kur sheh në një gjendje dobësie apo vuajtjeje ata që janë të dashur për ty ose që kanë nevojë për ndihmën tënde. (Synonyms of the Old Testament) Përcaktime të tjera inkurajuese të kësaj cilësie të dëshirueshme, mund të gjenden në botimin Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 2, faqet 375-379.
5. Si dukej qartë mëshira në Ligjin e Moisiut?
5 Dhembshuria e dashur e Perëndisë duket qartë në Ligjin që ai i dha kombit të Izraelit. Ata që gjendeshin në kushte të pafavorshme, si vejushat, jetimët dhe të varfrit, duheshin trajtuar me dhembshuri. (Të Dalët 22:22-27; Levitiku 19:9, 10; Ligji i përtërirë 15:7-11) Të gjithë duke përfshirë skllevërit dhe kafshët, duhej të përfitonin nga pushimi javor i së shtunës. (Të Dalët 20:10) Përveç kësaj, Perëndia vërente ata që trajtonin me butësi të mjerët. Proverbat 19:17 deklaron: «Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.»
Kufijtë e dhembshurisë hyjnore
6. Përse Jehovai dërgoi profetë dhe lajmëtarë në popullin e tij?
6 Izraelitët e mbajtën emrin e Perëndisë dhe e adhuruan në tempullin në Jeruzalem, i cili ishte «një shtëpi në emër të Jehovait». (2. Kronikat 2:4; 6:33, BR) Megjithatë, me kalimin e kohës ata lejuan imoralitetin, idhujtarinë dhe vrasjen, duke i sjellë sharje emrit të Jehovait. Në harmoni me personalitetin e dhembshur të tij, me durim Perëndia u përpoq ta ndreqte këtë situatë pa sjellë fatkeqësi mbi gjithë kombin. Ai «u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij. Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje».—2. Kronikat 36:15, 16.
7. Kur dhembshuria e Jehovait arriti kulmin, çfarë ndodhi me mbretërinë e Judës?
7 Megjithëse Jehovai është i dhembshur dhe i ngadalshëm në zemërim, kur është e nevojshme ai tregon zemërim të drejtë. Në atë kohë, dhembshuria hyjnore kishte arritur kulmin. Le të lexojmë lidhur me pasojat: «Atëherë ai bëri që të dalin kundër tyre mbreti i Kaldeasve, që vrau me shpatë të rinjtë e tyre në shtëpinë e shenjtërores së tyre, pa pasur mëshirë për të riun, për virgjireshën, për plakun ose për flokëthinjurin. Zoti i dha të gjithë në duart e tij.» (2. Kronikat 36:17) Kështu, Jeruzalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan dhe kombi u mor rob në Babiloni.
Dhembshuri për emrin e tij
8, 9. (a) Përse Jehovai deklaroi se do të kishte dhembshuri për emrin e tij? (b) Si iu mbyll goja armiqve të Jehovait?
8 Kombet rreth e rrotull gëzonin për shkak të kësaj fatkeqësie. Duke përqeshur ata thoshin: «Ky është populli i Jehovait dhe ka ikur nga vendi i tij.» Duke qenë i ndjeshëm ndaj këtyre fjalëve, Jehovai deklaroi: «Do të kem dhembshuri për emrin tim të shenjtë . . . Dhe me siguri do ta shenjtëroj emrin tim të madh, . . . dhe kombet duhet të njohin se unë jam Jehovai.»—Ezekieli 36:20-23, BR.
9 Pasi kombi i tij kishte qenë rob për 70 vjet, Jehovai, Perëndia i dhembshur, i liroi ata dhe u lejoi të ktheheshin e të rindërtonin tempullin në Jeruzalem. Kjo gjë i bëri të heshtin kombet përreth që shqyen sytë nga habia. (Ezekieli 36:35, 36) Por mjerisht, kombi i Izraelit iu dha përsëri praktikave të liga. Një hebre besnik, Nehemia, ndihmoi për të ndrequr situatën. Gjatë një lutjeje publike, ai pa edhe një herë mënyrën e dhembshur në të cilën Perëndia e kishte trajtuar kombin duke thënë:
10. Si e theksoi Nehemia dhembshurinë e Jehovait?
10 «Në kohën e fatkeqësisë së tyre ata klithën te ti, dhe ti i dëgjove nga qielli, dhe ti, me dhembshurinë tënde të madhe, u dhe atyre disa çlirimtarë që i shpëtuan nga duart e armiqve të tyre. Por kur ata kishin paqe, fillonin përsëri të bënin të keqen përpara teje; prandaj ti i braktise në duart e armiqve të tyre, që i sundonin; megjithatë, kur përsëri këlthitnin, ti i dëgjoje nga qielli, kështu që në shpirtmadhësinë tënde i ke çliruar shumë herë. . . . Pate durim me ta shumë vjet me radhë.»—Nehemia 9:26-30; shiko gjithashtu Isaia 63:9, 10.
11. Çfarë ndryshimi ekziston ndërmjet Jehovait dhe perëndive të njerëzve?
11 Përfundimisht, pasi hodhën poshtë me mizori Birin e dashur të Perëndisë, kombi hebre e humbi statusin e tij të privilegjuar një herë e përgjithmonë. Lidhja besnike e Perëndisë me ta zgjati më shumë se 1.500 vjet. Ajo mbetet një dëshmi e përhershme mbi faktin që Jehovai është vërtet Perëndia i mëshirës. Çfarë ndryshimi i qartë dhe i dallueshëm ndaj perëndive mizore dhe hyjnive të pandjeshme të sajuara nga njerëzit mëkatarë!—Shiko faqen 8.
Shprehja më e madhe e dhembshurisë
12. Cila ishte shprehja më e madhe e dhembshurisë së Perëndisë?
12 Shprehja më e madhe e dhembshurisë së Perëndisë ishte ardhja e Birit të tij të dashur në tokë. Është e vërtetë se Jezui me jetën e tij integruese i dha kënaqësi të madhe Jehovait, duke i siguruar atij një përgjigje të përsosur ndaj akuzave të rreme të Djallit. (Proverbat 27:11) Megjithatë, në të njëjtën kohë, fakti që duhej ta shikonte Birin e tij të dashur duke vuajtur një vdekje mizore dhe poshtëruese, pa dyshim që shkaktoi tek Jehovai dhimbjen më të madhe se çdo prind njerëzor mund të ketë duruar ndonjëherë. Ishte vërtet një sakrificë e dashur që i hapi rrugë shpëtimit të njerëzimit. (Gjoni 3:16) Ashtu siç paratha babai i Gjon Pagëzorit, Zaharia, ai lartësoi «dhembshurinë e dashur të Perëndisë sonë».—Luka 1:77, 78, BR.
13. Në cilën mënyrë të dallueshme e pasqyroi Jezui personalitetin e Atit të tij?
13 Ardhja e Birit të Perëndisë në tokë, i dha gjithashtu njerëzimit një pikëpamje më të qartë mbi personalitetin e Jehovait. Në ç’kuptim? Në atë se Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit të tij, veçanërisht në mënyrën se si i trajtoi me dhembshuri të dashur të përvuajturit! (Gjoni 1:14; 14:9) Në këtë aspekt, tre shkrimtarët e ungjijve, Mateu, Marku dhe Luka përdorin foljen greke splag·khni΄zo·mai, e cila vjen nga fjala greke e përkthyer «e brendshme». Studiuesi biblik Uilliam Barklei shpjegon: «Nga vetë prejardhja e saj, mund të shihet se nuk përshkruan një mëshirë apo dhembshuri të zakonshme, por një ndjenjë që e prek njeriun në thellësi të qenies së tij. Është fjala më e fuqishme greke për ndjenjën e dhembshurisë.» Në raste të ndryshme mund të përkthehet «ndiej mëshirë» ose «i nxitur nga mëshira».—Marku 6:34; 8:2.
Raste kur Jezui ndjeu mëshirë
14, 15. Si u nxit Jezui nga dhembshuria në një qytet të Galilesë dhe çfarë tregon kjo?
14 Vendi është një qytet i Galilesë. Një burrë «i mbushur plot me lebër» i afrohet Jezuit pa bërë paralajmërimin e zakonshëm. (Luka 5:12) A e qortoi ashpër Jezui se përse nuk kishte bërtitur «I papastër, i papastër», siç kërkonte Ligji i Perëndisë? (Levitiku 13:45) Jo. Përkundrazi, Jezui e dëgjoi lutjen e dëshpëruar të këtij njeriu: «Po të duash, ti mund të më pastrosh.» «Duke e mëshiruar», Jezui shtrin dorën dhe e prek të lebrosurin, duke thënë: «Po, e dua, qofsh pastruar!» Njeriu u shërua në moment. Në këtë mënyrë, Jezui jo vetëm tregoi mrekullitë e tij, fuqinë e dhënë nga Perëndia, por edhe ndjenjat e dhimbshme që e nxitën atë ta përdorte këtë fuqi.—Marku 1:40-42.
15 Mos vallë duhej t’i afroheshe Jezuit para se ai të tregonte ndjenja dhembshurie? Jo. Pak më vonë, Jezui u ndesh me një funeral që vinte nga qyteti i Nainit. Pa dyshim, Jezui edhe më parë kishte asistuar në shumë funerale, por ky i fundit ishte vërtet tragjik. I ndjeri ishte biri i vetëm i një vejushe. Jezui «pati dhembshuri» dhe iu afrua duke i thënë: «Mos qaj!» Dhe pastaj ai bëri mrekullinë e jashtëzakonshme, duke e sjellë birin e saj në jetë.—Luka 7:11-15.
16. Përse Jezui ndjeu dhembshuri për turmat e mëdha që e ndiqnin?
16 Nga ngjarjet e treguara më lart nxirret një mësim, d.m.th. që kur Jezui ‘ka dhembshuri’ ai bën diçka konkrete për të ndihmuar. Në një rast të mëvonshëm, Jezui pa turmat e mëdha që vazhdonin ta ndiqnin. Mateu thotë se Jezui «kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari». (Mateu 9:36) Farisenjtë bënë fare pak për të kënaqur urinë frymore të njerëzve të thjeshtë. Më keq akoma, ata i ngarkuan të përulurit me shumë rregulla të panevojshme. (Mateu 12:1, 2; 15:1-9; 23:4, 23) Se çfarë mendonin për njerëzit e thjeshtë, u zbulua kur thanë për ata që dëgjonin Jezuin: «Kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.»—Gjoni 7:49.
17. Si e nxiti Jezuin dhembshuria për turmat dhe çfarë udhëheqje të gjerë siguron ai këtu?
17 Në ndryshim me ta, Jezui nxitet thellësisht nga gjendja e mjerueshme frymore e turmave. Por të interesuarit janë shumë që ai të mund t’u kushtojë kujdes secilit një për një. Prandaj, u tha apostujve të luteshin për më shumë punëtorë. (Mateu 9:35-38) Në harmoni me këto lutje, Jezui i dërgoi apostujt e tij me këtë mesazh: «Mbretëria e qiejve u afrua.» Mësimet e dhëna me këtë rast, shërbyen si një udhëheqje e çmuar për të krishterët deri në ditët tona. Pa dyshim, ndjenjat e dhembshurisë që kishte Jezui e nxitën atë të kënaqte urinë frymore të njerëzimit.—Mateu 10:5-7.
18. Si reagoi Jezui kur turmat ndërhynë në jetën e tij private dhe çfarë mësimi nxjerrim nga kjo?
18 Edhe në një rast tjetër, Jezui u shqetësua përsëri për nevojat frymore të turmave. Këtë herë ai dhe apostujt e tij ishin shumë të lodhur pas një udhëtimi plot me veprimtari predikimi dhe gjetën një vend për të pushuar. Por shpejt njerëzit i gjetën. Në vend që Jezui të irritohej që i ndërhynë në jetën e tyre private, Marku thotë se atij ‘iu dhimbsën’. Çfarë i ngjalli këto ndjenja të thella tek Jezui? Ata «ishin si delet pa bari». Përsëri Jezui i shprehu ndjenjat e tij me vepra dhe filloi t’i mësonte turmat «për mbretërinë e Perëndisë». Po, urija e tyre frymore e nxiti kaq shumë, sa sakrifikoi pushimin e nevojshëm për t’i mësuar.—Marku 6:34; Luka 9:11.
19. Në ç’mënyrë kujdesi i Jezuit për turmat shtrihet përtej nevojave të tyre frymore?
19 Megjithëse Jezui kujdesej në radhë të parë për nevojat frymore të njerëzve, ai nuk nënvlerësoi kurrë nevojat elementare fizike. Në po këtë rast, ai ‘shëroi ata që kishin nevojë për shërim’. (Luka 9:11) Në një rast tjetër, turmat kishin qenë me të për një kohë të gjatë dhe shtëpitë i kishin larg. Duke e kuptuar nevojën e tyre fizike, Jezui u tha dishepujve të tij: «Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t’i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës.» (Mateu 15:32) Atëherë Jezui bëri diçka për të shmangur vuajtjen e mundshme. Në mënyrë të mrekullueshme, ai u siguroi mijëra burrave, grave dhe fëmijëve ushqim me shtatë bukë dhe pak peshq të vegjël.
20. Çfarë mësojmë nga episodi i fundit në të cilin lexohet se Jezui u nxit nga dhembshuria?
20 Episodi i fundit ku tregohet se Jezui pati mëshirë, ngjau gjatë udhëtimit të fundit për në Jeruzalem. Bashkë me të udhëtonin edhe turma të mëdha për të kremtuar festën e Pashkës. Afër Jerikosë, dy lypës të verbër u ngjirën së thirruri: «Ki mëshirë për ne, Zot!» Turma përpiqej t’i bënte të heshtnin, por Jezui i thirri dhe i pyeti se çfarë kërkonin prej tij. «Zot, të na hapen sytë!»—u lutën ata. Jezui «pati mëshirë», u preku sytë dhe atyre u erdhi shikimi. (Mateu 20:29-34) Ç’mësim të rëndësishëm marrim nga kjo! Jezui po fillonte javën e fundit të shërbimit të tij tokësor. Ka shumë punë për të bërë para se të vuajë vdekjen mizore në duart e përfaqësuesve të Satanait. Megjithatë, ai nuk lejoi që presioni i këtyre momenteve të vështira të mbyste ndjenjat e dhembshurisë së tij të dashur përballë nevojave njerëzore më pak të rëndësishme.
Ilustrime që theksojnë dhembshurinë
21. Çfarë mësohet nga fakti se pronari i fal borxhin e madh skllavit të tij?
21 Folja greke splag·khni΄zo·mai, e përdorur në këto tregime mbi jetën e Jezuit, përdoret gjithashtu edhe në tri ilustrimet e Jezuit. Në një tregim, një skllav kërkoi kohë për të paguar një borxh të madh. Pronari i tij «i shtyrë nga dhembshuria» ia fshiu borxhin. Kjo tregon se Perëndia Jehova ka treguar shumë dhembshuri duke fshirë një borxh të madh, mëkatin për çdo individ të krishterë që ushtron besim në sakrificën shpërblerëse të Jezuit.—Mateu 18:27; 20:28.
22. Çfarë ilustron shëmbëlltyra e birit plëngprishës?
22 Më pas, ka edhe një tregim mbi birin plëngprishës. A e mban mend se çfarë ndodhi kur biri kokëfortë u kthye në shtëpi? «Kur ishte ende larg, i ati e pa me dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.» (Luka 15:20) Kjo tregon se kur një i krishterë kokëfortë pendohet sinqerisht, Jehovai ndjen dhembshuri dhe e pranon përsëri me dashuri. Kështu, me anë të këtyre dy ilustrimeve, Jezui tregon se Ati ynë, Jehovai, «është shumë i butë në dashuri dhe i dhembshur».—Jakovit 5:11, BR, (shënimi).
23. Çfarë mësimi nxjerrim nga shëmbëlltyra e Jezuit mbi samaritanin e mirë?
23 Përdorimi i tretë ilustrues i foljes splag·khni΄zo·mai bën fjalë për dhembshurinë e samaritanit, i cili «kishte dhembshuri» për gjendjen e mjerë të një hebreu që e kishin grabitur dhe e kishin lënë gjysmë të vdekur. (Luka 10:33) I nxitur nga këto ndjenja, samaritani bëri aq sa ishte e mundur për të ndihmuar të huajin. Kjo tregon se Jehovai dhe Jezui presin nga të krishterët e vërtetë që të ndjekin shembullin e tyre në shfaqjen e butësisë dhe dhembshurisë. Disa mënyra se si mund ta bëjmë këtë, do të trajtohen në artikullin vijues.
Pyetje për t’u rishikuar
◻ Ç’do të thotë të jesh i mëshirshëm?
◻ Si tregoi Jehovai dhembshuri për emrin e tij?
◻ Cila është shprehja më e madhe e dhembshurisë?
◻ Në cilën mënyrë të dukshme e pasqyroi Jezui personalitetin e Atit të tij?
◻ Çfarë mësojmë nga veprat e dhembshura të Jezuit dhe nga ilustrimet e tij?
[Kutia në faqen 12]
NJË TERM I GJALLË PËR SHPREHJEN «KUJDES I DASHUR DHE I BUTË»
«ZORRËT e mia, zorrët e mia!»—bërtiti profeti Jeremia. Mos ndoshta po ankohej për ndonjë dhembje në brendësi të trupit për shkak të ndonjë gjëje të keqe që kishte ngrënë? Jo. Jeremia po përdorte një metaforë hebreje për të përshkruar shqetësimin e tij të thellë për fatkeqësinë që po vinte mbi mbretërinë e Judës.—Jeremia 4:19.
Meqenëse Perëndia Jehova ka ndjenja të thella, fjala hebreje për «të brendshme» apo «zorrë» (me·ʽimʹ), përdoret gjithashtu për të përshkruar ndjenjat e tij të dashura. Për shembull, dekada përpara ditëve të Jeremisë, mbretëria e dhjetë fiseve të Izraelit ishte nën robërinë e mbretit të Asirisë. Jehovai e lejoi këtë si ndëshkim për pabesinë e tyre. Por, a i harroi Perëndia ata në mërgim? Jo. Ai ishte akoma i lidhur ngushtë me ta, si pjesë e popullit të tij të paktit. Duke iu referuar atyre në emër të fisit të rëndësishëm të Efraimit, Jehovai i pyeti: «A është, pra, Efraimi një bir i dashur për mua, një bir i kënaqësive të mia? Në fakt, megjithëse kam folur kundër tij, e kujtoj akoma fort. Prandaj të përbrendshmet e mia mallëngjehen për të dhe me siguri do të kem mëshirë për të.»—Jeremia 31:20.
Kur tha «të përbrendshmet e mia mallëngjehen», Jehovai përdori një metaforë për të përshkruar ndjenjat e tij të thella të dashurisë për popullin e tij të mërguar. Në komentin e tij mbi këtë varg, studiuesi biblik i shekullit të 19-të, E. Henderson shkroi: «Asgjë nuk mund ta tejkalojë shfaqjen prekëse të ndjenjave të dashura prindërore kundrejt një biri plëngprishës që kthehet përsëri, që këtu paraqitet nga Jehovai. . . . Megjithëse kështu ai foli kundër [efraimëve idhujtarë] dhe i ndëshkoi ata . . . , ai kurrë nuk i harroi, përkundrazi kënaqej duke menduar se më në fund ata do ta merrnin veten.»
Fjala greke për «zorrë» apo «të brendshme», përdoret në të njëjtën mënyrë në Shkrimet e Krishtere Greke. Kur nuk përdoret fjalë për fjalë, si tek Veprat 1:18, ajo i referohet ndjenjave të buta të dashurisë dhe dhembshurisë. (Filemoni 12) Kjo fjalë shoqërohet shpeshherë me fjalën greke që do të thotë «e mirë» ose «mirë». Apostujt Pavël dhe Pjetër e përdorin këtë shprehje të kombinuar, kur i inkurajojnë të krishterët të kenë «dhembshuri të butë», fjalë për fjalë «të gatshëm për mëshirë». (Efesianëve 4:32; 1. Pjetrit 3:8) Termi grek për «zorrë» mund të shoqërohet me fjalën greke pol·yʹ. Ky kombinim fjalë për fjalë do të thotë «të kesh shumë zorrë». Kjo shprehje shumë e rrallë greke përdoret vetëm një herë në Bibël dhe i referohet Perëndisë Jehova. Përkthimi Bota e Re e përkthen kështu: «Jehovai është shumë i butë në dashuri.»—Jakovit 5:11, BR.
Sa mirënjohës duhet të jemi që më i fuqishmi i universit, Perëndia Jehova, është kaq i ndryshëm nga perënditë mizore të sajuara nga njerëzit pa asnjë ndjenjë dhembshurie! Duke imituar «dhembshurinë e butë» të Perëndisë së tyre, të krishterët e vërtetë janë të nxitur për të vepruar në të njëjtën mënyrë në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin.—Efesianëve 5:1.
[Figura në faqen 10]
Kur dhembshuria hyjnore arriti kulmin, Jehovai i lejoi babilonasit të pushtonin popullin e tij kokëfortë
[Figura në faqen 11]
Ndërsa shihte Birin e tij të dashur duke vdekur, Perëndia Jehova duhet të ketë ndier dhimbjen më të madhe që ndokush mund të ketë përjetuar ndonjëherë.
[Figura në faqen 15]
Jezui pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e dhembshur të të Atit