«Ç’është e vërteta?»
DY BURRAT që qëndronin përballë njëri-tjetrit ishin krejtësisht të ndryshëm. Njëri ishte një politikan cinik, ambicioz, i pasur, i gatshëm të bënte gjithçka për të çuar përpara karrierën e tij. Tjetri ishte një mësues që e kishte përbuzur pasurinë e prestigjin dhe ishte përgatitur që të flijonte jetën e tij për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Nuk ia vlen të themi që këta dy burra nuk kishin të njëjtën pikëpamje! Veçanërisht në një çështje, ata nuk përputheshin fare: në çështjen e së vërtetës.
Burrat ishin Ponc Pilati dhe Jezu Krishti. Jezui gjendej para Pilatit si një kriminel i dënuar. Përse? Jezui shpjegoi se arsyeja e kësaj, në fakt, vetë arsyeja për të cilën ai kishte ardhur në tokë e kishte ndërmarrë shërbimin e tij, kishte të bënte me një gjë: me të vërtetën. «Për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën.»—Gjoni 18:37.
Përgjigjja e Pilatit ishte një pyetje e njohur: «Ç’është e vërteta?» (Gjoni 18:38) A dëshironte ai në të vërtetë një përgjigje? Ka të ngjarë që jo. Jezui ishte një njeri i tillë që mund t’i përgjigjej çdo pyetjeje që i bëhej me sinqeritet, por ai nuk iu përgjigj Pilatit. Dhe Bibla thotë se pasi bëri pyetjen, Pilati doli menjëherë nga dhoma e dëgjimit. Ka të ngjarë që guvernatori romak ta ketë bërë pyetjen me një mosbesim cinik, sikur të thoshte: «E vërteta? Ç’është kjo? Nuk ekziston diçka e tillë!»a
Pikëpamja skeptike e Pilatit mbi të vërtetën nuk është e pazakontë sot. Shumë besojnë se e vërteta është relative, e cila me fjalë të tjera do të thotë se ajo që është e vërtetë për një person, mund të mos jetë e tillë për një tjetër, prandaj të dy mund të kenë «të drejtë». Ky besim është kaq i përhapur, saqë për të ekziston edhe një fjalë, «relativizëm». A e shikon edhe ti kështu çështjen e së vërtetës? Nëse po, a ka mundësi ta kesh adoptuar këtë pikëpamje pa e hetuar imtësisht? Por edhe nëse nuk e ke këtë pikëpamje, a e di sa shumë ndikon mbi jetën tënde kjo filozofi?
Sulm mbi të vërtetën
Ponc Pilati nuk ishte i pari që vuri në diskutim idenë e së vërtetës absolute. Disa filozofë të lashtë grekë i kushtuan mësimit të këtyre dyshimeve pothuajse gjithë punën e jetës së tyre! Pesë shekuj para Pilatit, Parmenidi (që është konsideruar ati i metafizikës evropiane) besonte se njohuria e vërtetë ishte e paarritshme. Demokriti, që nderohej si «më i madhi i filozofëve të lashtë», pohoi: «E vërteta është varrosur thellë. . . . Ne nuk dimë asgjë me siguri.» Ndoshta më i nderuari prej të gjithëve, Sokrati, tha se gjithçka që ai dinte, ishte se nuk dinte asgjë.
Ky sulm mbi idenë se e vërteta mund të njihet ka vazhduar deri në ditët tona. Disa filozofë, për shembull, thonë se pasi njohuria vjen te ne nëpërmjet ndjenjave tona, të cilat mund të mashtrohen, asnjë njohuri nuk verifikohet si e vërtetë. Filozofi dhe matematikani francez, René Deskár vendosi të shqyrtonte të gjitha gjërat që mendonte se i njihte me siguri. Ai i eliminoi të gjitha, përveç një të vërtete, të cilën ai e quante të pakundërshtueshme: «Cogito ergo sum», ose «mendoj, prandaj jam».
Kultura e relativizmit
Relativizmi nuk kufizohet vetëm me filozofët. Ai mësohet nga krerët fetarë, indoktrinohet nëpër shkolla dhe përhapet nga media. Peshkopi episkopal, Xhon S. Spong, tha disa vite më parë: «Duhet . . . të lëvizim nga mendimi se ne kemi të vërtetën e të tjerët duhet të vijnë në pikëpamjen tonë, për të kuptuar se e vërteta përfundimtare nuk mund të gjendet nga asnjëri prej nesh.» Relativizmi i Spong-ut, ashtu si ai i shumë klerikëve të tjerë sot, i braktis me shpejtësi mësimet morale të Biblës në favor të filozofisë «secilit të vetën». Për shembull, në përpjekje për t’i bërë homoseksualët që të ndiheshin më «rehat» në Kishën Episkopale, Spong shkroi një libër, i cili pohonte se apostulli Pavël ishte një homoseksual!
Në shumë vende, sistemi shkollor duket se nxit një mënyrë të ngjashme të menduari. Alan Blum shkroi në librin e tij Mbyllja e mendjeve amerikane (The Closing of the American Mind): «Ekziston një gjë, për të cilën profesori mund të jetë absolutisht i sigurt: pothuajse të gjithë studentët që hyjnë në universitet besojnë, ose thonë se besojnë, që e vërteta është relative.» Blum pa se po të sfidonte bindjet e studentëve të tij në lidhje me këtë çështje, ata reagonin me habi, «sikur ai të kishte vënë në diskutim që 2 + 2 = 4».
I njëjti mendim është nxitur edhe në shumë mënyra të tjera. Për shembull, duket se reporterët e televizionit dhe të gazetave janë më shumë të interesuar për t’i zbavitur shikuesit e tyre, sesa të paraqesin të vërtetën e ndonjë fakti. Disa programe lajmesh i kanë ndryshuar apo kanë bërë disa filmime të rreme, në mënyrë që të duket më dramatike. Një sulm i fuqishëm mbi të vërtetën është ndërmarrë edhe në fushën e zbavitjeve. Vlerat dhe të vërtetat morale sipas të cilave jetonin prindërit dhe gjyshërit tanë, shihen në përgjithësi si të vjetëruara dhe shpesh konsiderohen krejtësisht qesharake.
Natyrisht, disa mund të argumentojnë se një pjesë e madhe e këtij relativizmi përfaqëson mendje të hapura e për këtë arsye ka një ndikim pozitiv mbi shoqërinë njerëzore. Por, a është e vërtetë? Si ndikon ai mbi ty? A beson se e vërteta është relative ose që nuk ekziston? Nëse është kështu, kërkimi i saj mund të të duket si një humbje kohe. Një përfundim i tillë do të ndikojë mbi të ardhmen tënde.
[Shënimi]
a Sipas studiuesit të Biblës, R. C. H. Lenski, Pilati foli me «tonin e një personi indiferent nga bota, i cili me pyetjen e tij do të thotë që çdo gjë në natyrën e së vërtetës fetare është një spekulim i padobishëm».