BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w96 1/8 f. 21-25
  • Duke i mbajtur sytë dhe zemrën të fiksuar tek çmimi

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Duke i mbajtur sytë dhe zemrën të fiksuar tek çmimi
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Shërbimi në kohë të plotë
  • Mbërritja në caktimin tonë
  • Caktime të reja
  • Kthimi në Shtetet e Bashkuara
  • Përsëri në shkollën e Galaadit
  • Të caktuar në Argjentinë
  • Kthimi përsëri në Shtetet e Bashkuara
  • Duke kërkuar më parë mbretërinë pata një jetë të sigurt dhe të lumtur
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
  • E vendosur që të vazhdoj t’i shërbej Krijuesit
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Një trashëgimi e rrallë e krishterë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1994
  • Prindërit na mësuan ta duam Perëndinë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
w96 1/8 f. 21-25

Duke i mbajtur sytë dhe zemrën të fiksuar tek çmimi

TREGUAR NGA EDIT MAIKËLL

Në fillimet e viteve 30-të, kur tek ne erdhi një Dëshmitare e Jehovait, ne jetonim pranë Shën Luisit, në Misuri të SH.B.A.-së. Pikërisht në momentin që erdhi ajo, u këput teli ku nderen rrobat, duke bërë që rrobat që kishte larë mamaja, të shkëlqenin në mes të baltës. Mamaja pranoi librat e ofruar, sepse në këtë mënyrë Dëshmitarja do të ikte, i vendosi në një raft dhe i harroi fare.

ATO vite, ishin vite të rënies ekonomike dhe babai kishte mbetur pa punë. Një ditë, ai pyeti nëse kishte diçka për të lexuar në shtëpi. Mamaja i tha për librat. Filloi t’i lexonte dhe pas pak thirri: «E dashur, kjo është e vërteta!»

Por mamaja u përgjigj: «Oh, është si të gjitha fetë e tjera që kërkojnë para.» Megjithatë, babai e nxiti që të ulej dhe të shihnin bashkë shkrimet. Pasi i lexoi, edhe ajo krijoi po atë bindje. Pas kësaj, ata filluan të kërkonin Dëshmitarët dhe zbuluan se ata mblidheshin në një sallë të marrë me qira, e cila ndodhej pranë qendrës së Shën Luisit, një sallë që përdorej edhe për vallëzime e funksione të tjera.

Babai dhe mamaja më morën me vete, (atëherë unë isha tre vjeçe) dhe gjetën se ku ndodhej salla, por atje po vallëzohej. Babai mësoi se kur mbaheshin mbledhjet dhe ne u kthyem aty më vonë. Filluam, gjithashtu, të merrnim pjesë në një studim të përjavshëm biblik, i cili bëhej pranë vendit ku ne banonim. Ai mbahej në shtëpinë e gruas që kishte ardhur për herë të parë tek ne. «Përse nuk i sillni edhe djemtë tuaj?»—pyeti ajo. Mamasë i vinte turp t’i thoshte se djemtë nuk kishin këpucë. Kur më në fund ia shpjegoi arsyen, Dëshmitarët u siguruan këpucët dhe vëllezërit e mi filluan të merrnin pjesë në mbledhje bashkë me ne.

Mamasë iu dha një territor predikimi pranë shtëpisë sonë dhe ajo filloi kështu shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Unë shkoja bashkë me të, duke iu fshehur nga pas. Përpara se ajo të mësonte t’i jepte makinës, na duhej të ecnim mbi një kilometër për të kapur autobusin, i cili na çonte në Shën Luis, ku bëheshin mbledhjet. Edhe kur ishte ngricë e binte borë, asnjëherë nuk mungonim nëpër mbledhje.

Në vitin 1934, mamaja dhe babai u pagëzuan. Edhe unë dëshiroja të pagëzohesha dhe vazhdova të insistoj, derisa mamaja i kërkoi një Dëshmitari të moshuar të bisedonte me mua lidhur me këtë. Ai më bëri disa pyetje, në një mënyrë që unë të mund t’i kuptoja. Më pas, ai u tha prindërve të mi se nuk duhej të më ndalonin për t’u pagëzuar; një gjë e tillë mund të dëmtonte rritjen time frymore. Kështu, u pagëzova verën që pasoi, kur ende isha gjashtë vjeçe.

Më pëlqente shumë broshura Shtëpia dhe Lumturia, të cilën e mbaja gjithmonë me vete, madje edhe nën jastëk kur flija. Vazhdimisht i lutesha mamasë që të ma lexonte, derisa e mësova përmendësh. Kapaku i saj i fundit kishte të pikturuar një vajzë të vogël me një luan në Parajsë. Unë thosha se vajza e vogël, isha unë. Ajo pikturë, më ka ndihmuar t’i mbaj sytë të fiksuar në çmimin e jetës në botën e re të Perëndisë.

Isha shumë e turpshme, por edhe sikur të isha duke u dridhur, gjithmonë përgjigjesha në studimin e Kullës së Rojës që bënte kongregacioni.

Mjerisht, duke pasur frikë se mund të humbiste punën për shkak se ishte Dëshmitar, babai nuk u shoqërua më me Dëshmitarët. Të njëjtën gjë bënë edhe vëllezërit e mi.

Shërbimi në kohë të plotë

Mamaja u kishte thënë pionierëve, apo shërbëtorëve në kohë të plotë, të parkonin makinat e tyre në kopshtin tonë të pasëm dhe kështu, kur kthehesha nga shkolla, bashkohesha me ta për të shkuar në shërbim. Shpejt, më lindi dëshira për të shërbyer si pioniere, por babai ishte kundër një gjëje të tillë, pasi mendonte se duhej të merrja më shumë edukim botëror. Më në fund, mamaja e bindi që të më lejonte të shërbeja si pioniere. Kështu, në qershor të vitit 1943, kur isha 14 vjeçe, fillova shërbimin në kohë të plotë. Për të kontribuar në përballimin e shpenzimeve të bëra për mbajtjen e shtëpisë, bëja një punë me orar të pjesshëm dhe ndonjëherë punoja edhe në kohë të plotë. Megjithatë, arrija të realizoja synimin mujor, për të bërë 150 orë në veprën e predikimit.

Ndërkaq, gjeta një shoqe pioniere, Dorëthi Kradën, e cila kishte filluar të shërbente si pioniere në janar të 1943-shit, kur ishte 17 vjeçe. Ajo kishte qenë një katolike e devotshme, por pas gjashtë muajsh studimi të Biblës, ajo ishte pagëzuar. Për shumë vite, ne ishin për njëra-tjetrën burim inkurajimi dhe force. U lidhëm më fort se dy motra.

Duke filluar nga viti 1945, shërbyem së bashku si pioniere, në qytete të vogla të Misurisë, ku nuk kishte kongregacione. Në Bouling Grin, rregulluam një sallë mbledhjesh; erdhi dhe mamaja e na ndihmoi. Pas kësaj, shkonim në të gjitha shtëpitë e qytetit çdo javë dhe i ftonim njerëzit të vinin për të dëgjuar një fjalim publik, për të cilët ramë dakort me vëllezërit e Shën Luisit, që të vinin e t’i mbanin aty. Patëm një pjesëmarrje javore prej 40 deri 50 personash. Të njëjtën gjë e bëmë edhe më vonë në Luisiana, ku morëm me qira një tempull të masonëve. Për të paguar qiratë e sallave, vendosëm kutitë e kontributeve dhe çdo javë, mbuloheshin të gjitha shpenzimet.

Më pas, shkuam në Meksiko të Misurisë, ku morëm me qira një magazinë. E rregulluam që të përdorej nga kongregacioni i vogël që ndodhej atje. Ndërtesa kishte dhoma shtesë, ku jetonim ne. Gjithashtu, ndihmuam edhe duke rregulluar mbajtjen e fjalimeve publike në Meksiko. Më vonë, shkuam në kryeqytetin e shtetit, në qytetin e Xhefersënit, ku çdo mëngjes kontaktonim me zyrtarë shtetërorë në zyrat e tyre. Jetonim në një dhomë mbi Sallën e Mbretërisë, me Stela Uilë, e cila ishte për ne si një nënë.

Që aty, të trija shkuam në qytetet e Festësit dhe Kristëlit, të cilët ndodheshin pranë njëri-tjetrit. Banonim në një vend që më parë kishte qenë kotec pulash, i cili ndodhej prapa shtëpisë së një familjeje të interesuar. Deri në momentin që nuk kishte asnjë burrë të pagëzuar, të gjitha mbledhjet i drejtonim ne. Punonim me orar të pjesshëm, duke shitur artikuj kozmetikë. Kishim pak gjëra materiale. Në fakt, nuk mund të paguanim që t’u vendosnim gjysma këpucëve, prandaj çdo mëngjes vendosnim brenda tyre karton, ndërsa në mbrëmje secila lante dhe hekuroste të vetmin fustan që kishte.

Në fillimet e vitit 1948, kur isha 19 vjeçe, Dorëthi dhe unë morëm ftesën për të kryer klasën e 12-të të Shkollës për misionarë, të Galaadit. Pas pesë muajsh kurs, në 6 shkurt të 1949-s u diplomuan 100 studentë. Ishte një moment shumë i lumtur. Prindërit e mi ishin transferuar në Kaliforni dhe mamasë iu desh të bënte gjithë atë rrugë për të qenë e pranishme atë ditë.

Mbërritja në caktimin tonë

Njëzetë e tetë të diplomuar u caktuan në Itali. Gjashtë prej tyre, ku përfshihesha dhe unë me Dorëthin, u caktuan në Milano. Në 4 mars 1949, morëm anijen Vulkënia, duke lënë kështu Nju Jorkun. Udhëtimi zgjati 11 ditë dhe shumë prej nesh i zuri deti, ngaqë ishte i trazuar. Vëllai Banënti doli për të na pritur në portin e Xhenovës dhe na çoi me tren në Milano.

Kur mbërritëm në shtëpinë e misionarëve në Milano, në dhomat tona gjetëm lule, të cilat i kishte vendosur një vajzë e re italiane. Vite më vonë, kjo vajzë, Maria Merafina, shkoi në Galaad, u kthye në Itali dhe të dyja bashkë, shërbyem në një shtëpi misionarësh.

Mëngjesin e ditës së nesërme që ndodheshim në Milano, po shihnim nga dritarja e banjës. Në rrugën që ndodhej prapa shtëpisë sonë, gjendej një pallat i bombarduar. Pas përfundimit të Luftës II Botërore, në vitin 1945, një aeroplan bombardues amerikan, lëshoi aksidentalisht një bombë, e cila vrau 80 familjet që jetonin atje. Një herë tjetër, gjatë luftës, një bombë, e cila duhej të godiste një fabrikë, goditi gabimisht një shkollë, duke vrarë kështu 500 fëmijë. Për këtë arsye, njerëzit nuk i donin amerikanët.

Njerëzit ishin të lodhur nga lufta. Shumë prej tyre thoshin që, në qoftë se do të fillonte një luftë tjetër, nuk do të shkonin të strehoheshin në vendstrehim, por do të qëndronin në shtëpi, do të ndiznin gazin dhe do të vdisnin atje. U dhamë atyre sigurinë, se nuk kishim shkuar atje për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara apo ndonjë qeveri tjetër të krijuar nga njerëzit, por Mbretërinë e Perëndisë, e cila do t’u jepte fund të gjitha luftërave dhe vuajtjeve që shkaktonin ato.

Në qytetin e madh të Milanos, i vetmi kongregacion, i cili përbëhej afërsisht nga 20 lajmëtarë, mblidhej në shtëpinë e misionarëve. Territoret e predikimit nuk ishin përcaktuar ende, kështu që ne filluam të jepnim dëshmi në një pallat të madh banimi. Në derën e parë, takuam zotin Xhandinoti, i cili dëshironte që gruaja e tij të largohej nga kisha, kështu që pranoi një nga botimet tona. Zonja Xhandinoti ishte një grua e sinqertë, që kishte shumë pyetje për të bërë. «Kur ju të mësoni gjuhën italiane,—na tha ajo—do të jem e kënaqur, sepse kështu do të mund të më mësoni Biblën.»

Tavanet në apartamentin e tyre ishin të lartë dhe drita ishte shumë e dobët, kështu që për të lexuar Biblën, asaj i duhej që natën, të vendoste karriken mbi tavolinë për të qenë pranë dritës. «Nëse unë studioj Biblën me ju,—pyeti ajo—a mund të vazhdoj të shkoj në kishë?» I thamë se ky ishte një vendim që duhej ta merrte ajo. Të dielave në mëngjes ajo shkonte në kishë, ndërsa pasdite vinte në mbledhjet tona. Një ditë tha: «Nuk do të shkoj më në kishë.»

«Pse?»—e pyetëm ne.

«Sepse kisha nuk të mëson Biblën dhe unë të vërtetën e kam gjetur, duke studiuar Biblën me ju.» Ajo u pagëzua dhe drejtoi studime me shumë gra katolike që shkonin në kishë çdo ditë. Më vonë, ajo na tregoi se në qoftë se ne do t’i kishim thënë të mos shkonte më në kishë, ajo do ta kishte lënë studimin dhe ndoshta, s’do ta kishte mësuar kurrë të vërtetën.

Caktime të reja

Ndërkohë, Dorëthi dhe unë, bashkë me katër misionarë të tjerë, u caktuam në qytetin italian të Triestes, i cili në atë kohë ishte i pushtuar nga trupat angleze dhe amerikane. Atje kishte vetëm dhjetë Dëshmitarë, por ky numër u rrit. Predikuam në Trieste për tre vjet dhe kur u larguam që andej, kishte 40 lajmëtarë të Mbretërisë, nga të cilët, 10 ishin pionierë.

Caktimi që pasoi ishte Verona, ku nuk kishte asnjë kongregacion. Por, kur kisha ushtroi presion mbi autoritet botërore, u detyruam të largoheshim. Dorëthi dhe unë u caktuam në Romë. Atje morëm me qira një dhomë të mobiluar dhe punuam në një territor që ndodhej shumë pranë Vatikanit. Kur ndodheshim atje, Dorëthi shkoi në Liban për t’u martuar me Xhon Kimiklis. Kishim qenë së bashku për 12 vjet dhe e ndieja me të vërtetë mungesën e saj.

Në vitin 1955, në një pjesë tjetër të Romës, u hap një shtëpi e re misionarësh, në rrugën Nju Apian. Një prej katër personave që banonin në atë shtëpi, ishte Maria Merafina, vajza e cila kishte vënë lule në dhomat tona, natën që ne mbërritëm në Milano. Në atë zonë të qytetit, ishte formuar një kongregacion i ri. Pas kongresit ndërkombëtar, që u mbajt atë verë në Romë, pata privilegjin të marr pjesë në kongresin që u mbajt në Nuremberg të Gjermanisë. Sa rrëqethëse ishte të takohesha me ata që kishin duruar aq shumë persekutime nën regjimin e Hitlerit!

Kthimi në Shtetet e Bashkuara

Në vitin 1956, për arsye shëndetësore, m’u dha leja për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, asnjëherë nuk i hoqa sytë nga çmimi i shërbimit ndaj Jehovait, tani dhe pafundësisht në botën e re. Planifikova që të kthehesha në Itali. Por, u njoha me Orvël Maikëll, i cili shërbente në qendrën e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin të Nju Jorkut. U martuam pas kongresit ndërkombëtar të zhvilluar në vitin 1958 në qytetin e Nju Jorkut.

Pak kohë më vonë, u transferuam në Front Roiël të Virxhinias, ku shërbyem të gëzuar në një kongregacion të vogël. Jetonim në një apartament të vogël, prapa Sallës së Mbretërisë. Së fundi, në mars të 1960-s, u bë e domosdoshme të ktheheshim në Bruklin e të gjenim një punë botërore, në mënyrë që të paguanim faturat. Punonim netëve në pastrimin e bankave të ndryshme, kështu që kishim mundësi të vazhdonim në shërbimin e plotë kohor.

Ndërsa ndodheshim në Bruklin, vdiq babai im, ndërsa mamaja e burrit tim, pati një hemorragji të lehtë cerebrale, kështu që vendosëm të transferoheshim në Oregon për t’u ndodhur pranë nënave tona. Të dy gjetëm një punë me kohë të pjesshme dhe vazhduam edhe atje shërbimin si pionierë. Nga fundi i vitit 1964, bashkë me nënat tona, udhëtuam përmes Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të shoqatës Watch Tower Bible and Tract në Pitsburg të Pensilvanisë.

Gjatë vizitës sonë në Rod Island, një mbikëqyrës qarkor, Arlen Mejër dhe gruaja e tij, na inkurajuan të transferohemi në kryeqytetin e shtetit, Providëns, ku nevoja për lajmëtarë të Mbretërisë ishte më e madhe. Nënat tona na nxitën ta pranonim këtë caktim të ri, kështu që kur u kthyem në Oregon, shitëm pjesën më të madhe të gjërave të shtëpisë dhe u transferuam.

Përsëri në shkollën e Galaadit

Gjatë verës së vitit 1965, morëm pjesë në një kongres në stadiumin Janki. Atje bëmë kërkesën për të kryer Shkollën e Galaadit si çift i martuar. Pothuajse një muaj më vonë, u çuditëm kur morëm formularët, të cilët duhet të ktheheshin të plotësuar brenda 30 ditëve. Më shqetësonte ikja në një shtet të largët, sepse mamaja nuk ishte mirë me shëndet, por ajo më inkurajoi: «Plotësoje formularin. Ti e di se duhet të pranosh gjithmonë, çdo privilegj shërbimi që të ofron Jehovai!»

Kështu, vendimi u mor. Mbushëm formularët dhe i dërguam atje. Ç’surprizë ishte marrja e ftesave për të ndjekur klasën e 42-të, e cila fillonte në 25 prill 1966! Shkolla e Galaadit, në atë kohë ishte vendosur në Bruklin të Nju Jorkut. Në 11 shtator 1966, më pak se pesë muaj më pas, u diplomuan 106 prej nesh.

Të caktuar në Argjentinë

Dy ditë pas diplomimit, morëm avionin Peruvia Erlaines dhe nisëm rrugën për në Argjentinë. Kur arritëm në Buenos Aires, mbikëqyrësi i degës, Çarls Eizenauër, na priti në aeroport. Ai na ndihmoi për kalimin në doganë dhe na çoi në zyrën e degës. Kishim vetëm një ditë për të hapur pakot dhe për t’u sistemuar; më pas filloi mësimi i spanjishtes. Muajin e parë, studionim spanjisht 11 orë në ditë. Muajin e dytë, studionim gjuhën katër orë në ditë dhe filluam të marrim pjesë në shërbimin në fushë.

Në Buenos Aires qëndruam pesë muaj dhe më pas u caktuam në Rozario, një qytet i madh në veri, pothuajse katër orë me tren. Pasi shërbyem atje 15 muaj, u dërguam edhe më në veri, në Santiago del Estero, një qytet në një krahinë të nxehtë e të shkretë. Ndërsa ndodheshim atje, në janar të 1973, më vdiq mamaja. Kisha katër vjet që s’e kisha parë. Në pikëllimin tim, më ndihmoi shumë mbështetja në shpresën e sigurt të ringjalljes dhe fakti që e dija se po shërbeja në caktimin tim, atje ku mamaja do të dëshironte që unë të ndodhesha.​—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Njerëzit në Santiago del Estero ishin miqësorë dhe ishte e lehtë të nisje studime biblike. Kur shkuam atje, në vitin 1968, kishte afërsisht 20 ose 30 persona që merrnin pjesë nëpër mbledhje, por tetë vjet më vonë, në kongregacionin tonë u bënë mbi 100 persona. Veç kësaj, kishte edhe dy kongregacione të reja, mesatarisht me 25 dhe 50 lajmëtarë, që ndodheshin në qytetet në afërsi.

Kthimi përsëri në Shtetet e Bashkuara

Për shkak të problemeve shëndetësore, në vitin 1976 u caktuam të ktheheshim si pionierë specialë në Shtetet e Bashkuara, në Fejëtvill të Karolainës Veriore. Atje kishte shumë persona që flisnin gjuhën spanjolle, nga Amerika Jugore e Qendrore, Republika Domenikane, Puerto Riko, madje edhe nga Spanja. Patëm shumë studime biblike dhe ndërkaq u krijua një kongregacion spanjoll. Në këtë caktim, kaluam tetë vjet.

Por, duhej t’i qëndronim më pranë vjehrrës sime, e cila tashmë ishte mjaft e vjetër dhe e pafuqishme. Ajo jetonte në Portlend të Oregonit, kështu që morëm një caktim të ri në kongregacionin spanjoll në Vankuver të Uashingtonit, i cili nuk ndodhet shumë larg nga Portlendi. Kur shkuam ne, në dhjetor të vitit 1983, kongregacioni ishte shumë i vogël, por shihnim se nëpër mbledhje po merrnin pjesë shumë persona të sapointeresuar.

Në qershor të 1996-s, unë mbusha 53 vjet në shërbim të plotë kohor, ndërsa burri im, në 1 janar 1996 mbushi 55 vjet. Gjatë gjithë këtyre viteve, kam pasur privilegjin të ndihmoj me qindra persona që të marrin njohurinë e së vërtetës lidhur me Perëndinë dhe t’ia dedikojnë jetën e tyre Jehovait. Shumë prej tyre, tani shërbejnë si pleq apo si shërbëtorë në kohë të plotë.

Ndonjëherë pyes veten nëse më ka munguar pasja e fëmijëve. Fakti është se Jehovai më ka bekuar me shumë fëmijë e nipër frymorë. Po, jeta ime në shërbim të Jehovait, ka qenë me kuptim dhe e shpërblyer. Mund ta lidh këtë, me vajzën e Jefteut, e cila e kaloi jetën e saj në shërbimin e tempullit dhe s’pati kurrë fëmijë për shkak të privilegjit të madh të shërbimit.​—Gjykatësit 11:38-40.

Kujtoj ende dedikimin tim ndaj Jehovait, atëherë kur s’isha veçse një vajzë e vogël. Piktura e parajsës në mendjen time, tani është po aq e gjallë sa edhe atëherë. Sytë dhe zemra ime janë ende të fiksuar në çmimin e jetës së pafundme në botën e re të Perëndisë. Po, është dëshira ime që t’i shërbej Jehovait, jo vetëm për 50 vjet, por përgjithmonë, nën sundimin e Mbretërisë së tij.

[Figura në faqen 23]

Dorëthi Kredën, me duart mbi supet e mia dhe katër pionierë të tjerë, në vitin 1943

[Figura në faqen 23]

Në Romë të Italisë me misionaret e tjera, në vitin 1953

[Figura në faqen 25]

Me burrin tim

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo