Të liruar me anë të së vërtetës
NË Shtetet e Bashkuara, më shumë se një milion njerëz janë të izoluar nëpër burgje. Prej tyre, pothuajse tre mijë janë të dënuar me vdekje. Përfytyro veten tënde në atë situatë. Si do të ndiheshe? Mendimi i një perspektive të tillë është vërtet i zymtë. Megjithatë, në njëfarë kuptimi, të gjithë njerëzit ndodhen në një rrethanë të ngjashme. Bibla thotë: «Të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.» (Romakëve 3:23) Po, si pasardhës të Adamit, ne jemi «të burgosur» nga një gjendje mëkatare. (Romakëve 5:12) Ne i ndiejmë efektet e izolimit tonë çdo ditë, ashtu siç bëri apostulli Pavël që shkroi: «Shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe që më bën skllav të ligjit të mëkatit që është në gjymtyrët e mia.»—Romakëve 7:23.
Si rezultat i natyrës sonë mëkatare, secili prej nesh ndodhet, si të thuash, nën një dënim me vdekje, pasi Bibla thotë: «Paga e mëkatit është vdekja.» (Romakëve 6:23) Psalmisti Moisi e përshkroi në mënyrë të përshtatshme situatën tonë: «Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë, por shumica me mundim e dhembje, kalojnë shpejt e ne prej këndej përkasim.»—Psalmi 90:10, DSF.
Jezui pati ndër mend skllavërimin e njerëzimit ndaj mëkatit dhe vdekjes, kur u tha ithtarëve të tij: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë.» (Gjoni 8:32) Me ato fjalë, Jezui po shtrinte përpara ithtarëve të tij shpresën për diçka shumë më të madhe se liria nga sundimi romak: ai po u ofronte falje të mëkatit dhe çlirim nga vdekja! Si do t’u jepej kjo atyre? «Nëse Biri do t’ju bëjë të lirë,—u tha Jezui,—do të jeni me të vërtetë të lirë.» (Gjoni 8:36) Po, duke dhënë jetën e tij, «Biri», Jezui, shërbeu si një sakrificë pajtuese për të blerë atë që humbi Adami. (1. Gjonit 4:10) Kjo i hapi rrugën gjithë njerëzimit të bindur për t’u çliruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Biri i vetëmlindur i Perëndisë vdiq «që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme».—Gjoni 3:16.
Kështu, e vërteta që mund të na çlirojë, ka si qendër Jezu Krishtin. Ata që bëhen ithtarët e tij e që e ndjekin hap pas hapi, kanë shpresën e çlirimit nga mëkati dhe vdekja, kur Mbretëria e Perëndisë të marrë kontrollin e plotë mbi çështjet në tokë. Madje edhe tani, ata që pranojnë të vërtetën e fjalës së Perëndisë, përjetojnë liri të vërtetë. Në cilat mënyra?
Liri nga frika e të vdekurve
Sot, me miliona jetojnë me frikën e të vdekurve. Përse? Sepse fetë e tyre u kanë mësuar se me vdekjen, një shpirt lë trupin dhe kalon në një mbretëri frymërash. Ja sepse në disa vende është zakon që të afërmit e të ndjerit ta ruajnë trupin e të vdekurit për disa ditë dhe netë. Kjo përfshin shpesh të kënduarin me zë të lartë dhe rënien e daulleve. Ata që mbajnë zi, mendojnë se kjo do t’i pëlqejë të vdekurit dhe se parandalojnë frymën e tij që të kthehet për të dëmtuar të gjallët. Mësimet e rreme të të ashtuquajturit krishterim në lidhje me të vdekurit, kanë shërbyer vetëm për të përjetësuar këtë traditë.
Megjithatë, Bibla zbulon të vërtetën rreth gjendjes së të vdekurve. Ajo thotë qartë se shpirti yt je ti, jo ndonjë pjesë e mistershme e jotja që vazhdon të jetojë pas vdekjes. (Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4) Përveç kësaj, të vdekurit nuk po torturohen në një ferr të zjarrtë, as nuk janë pjesë e një mbretërie frymërash që mund të ndikojnë tek të gjallët. «Të vdekurit,—thotë Bibla,—nuk dinë asgjë, . . . në Sheol [varr], ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»—Eklisiastiu (Predikuesi) 9:5, 10.
Këto të vërteta biblike kanë çliruar shumë njerëz nga frika e të vdekurve. Ata nuk ofrojnë më sakrifica të kushtueshme për të qetësuar paraardhësit e tyre, as nuk shqetësohen se mos njerëzit e tyre të dashur po torturohen pa mëshirë për gabimet e tyre. Ata kanë mësuar se Bibla ofron një shpresë të mrekullueshme për ata që kanë vdekur, pasi ajo na tregon se në kohën e caktuar nga Perëndia do të ketë «një ringjallje, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve». (Veprat 24:15; Gjoni 5:28, 29) Prandaj, të vdekurit tani janë thjesht duke pushuar, si në një gjumë të thellë.—Krahaso Gjonin 11:11-14.
E vërteta në lidhje me gjendjen e të vdekurve dhe shpresa e një ringjalljeje, mund të na çlirojë nga dëshpërimi që mund të sjellë vdekja. Një shpresë e tillë i dha zemër një çifti të martuar në Shtetet e Bashkuara, kur djali i tyre katërvjeçar u vra në një aksident. «Në jetën tonë ka një boshllëk që nuk mund të mbushet, derisa ta shohim përsëri djalin tonë me anë të ringjalljes,—thotë nëna e tij,— por, ne e dimë se dhimbja jonë është vetëm e përkohshme, përderisa Jehovai premton se do të fshijë lotët tanë të vuajtjes.»—Zbulesa 21:3, 4.
Liri nga frika e së ardhmes
Çfarë ruan e ardhmja? A do të digjet toka jonë nga një olokaust bërthamor? A do ta bëjë të pabanueshëm planetin tonë shkatërrimi i mjedisit tokësor? A do të çojë shkatërrimi moral në anarki dhe kaos? Për shumë veta sot, këto përbëjnë me të vërtetë ndjenja frike.
Gjithsesi, Bibla ofron lirinë nga këto ndjenja frike jonormale. Ajo na siguron se «toka mbetet përjetë». (Eklisiastiu 1:4) Jehovai nuk e krijoi planetin tonë thjesht për ta parë të shkatërruar nga njerëzit e papërgjegjshëm. (Isaia 45:18) Përkundrazi, Jehovai e krijoi tokën që të shërbejë si një shtëpi parajsore e një familjeje njerëzore të bashkuar. (Zanafilla 1:27, 28) Qëllimi i tij nuk ka ndryshuar. Bibla na tregon se Perëndia do të «shkatërrojë ata që shkatërrojnë dheun». (Zbulesa 11:18) Pas kësaj, «zemërbutët do të zotërojnë tokën,—thotë Bibla,—dhe do të gëzojnë një paqe të madhe».—Psalmi 37:11.
Ky premtim është i besueshëm, sepse Perëndia nuk gënjen. Jehovai tha nëpërmjet profetit Isaia: «Fjala ime e dalë nga goja ime nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa kryer plotësisht atë për të cilën e dërgova.» (Isaia 55:11; Titit 1:2) Prandaj, ne mund të shohim përpara me besim në përmbushjen e premtimit të Perëndisë, të shkruar në Bibël në 2. Pjetrit 3:13: «Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re në të cilët banon drejtësia.»
Liri nga frika e njeriut
Bibla na siguron shembuj të shkëlqyer burrash dhe grash, që shfaqën trimëri në devotshmërinë e tyre ndaj Perëndisë. Mes tyre ishin Gideoni, Baraku, Debora, Danieli, Esteri, Jeremia, Abigaili dhe Jaela, për të përmendur vetëm pak prej tyre. Këta burra dhe gra besimplotë manifestuan qëndrimin e psalmistit që shkroi: «Kam vënë besimin tim tek Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?»—Psalmi 56:11.
Në shekullin e parë, apostujt Pjetër dhe Gjon shfaqën një guxim të ngjashëm kur autoritetet fetare i urdhëruan të ndalonin predikimin. «Ne,—u përgjigjën ata,—nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar.» Si rezultat i qëndrimit të tyre të vendosur, Pjetri dhe Gjoni më vonë u burgosën. Pas çlirimit të tyre të mrekullueshëm, ata rifilluan aktivitetin e tyre dhe vazhduan të «shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi [me guxim, BR]». Shpejt, Pjetri dhe apostujt e tjerë u çuan përpara sinedrit jude. «Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër?—u tha kryeprifti.—Dhe ja, ju e keni mbushur Jerusalemin me doktrinën tuaj.» Pjetri dhe apostujt e tjerë u përgjigjën: «Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.»—Veprat 4:16, 17, 19, 20, 31; 5:18-20, 27-29.
Në veprën e tyre të predikimit të lajmit të mirë mbi Mbretërinë e Perëndisë, sot Dëshmitarët e Jehovait përpiqen të imitojnë zellin e të krishterëve të shekullit të parë. Madje edhe të rinjtë mes tyre tregohen trima, duke u folur të tjerëve rreth besimit të tyre. Le të shqyrtojmë disa shembuj.
Stesi, një adoleshente, është e ndrojtur si natyrë. Si pasojë, t’u fliste të tjerëve për besimin e saj, në fillim ishte një sfidë. Çfarë bëri ajo për ta kapërcyer ndrojtjen? «Studiova Biblën dhe u sigurova se e kisha kuptuar atë për të cilën po flisja,—tha ajo.—Kjo e bëri më të lehtë dhe pata më shumë besim në vetvete.» Për reputacionin e shkëlqyer të Stesit ishte shkruar në gazetën lokale. Artikulli, i shkruar nga një mësues në shkollën e saj, komentonte: «Besimi [i Stesit] duket se i ka dhënë asaj forcën për të luftuar shumë prej presioneve që provojnë pjesa më e madhe e adoleshentëve. . . . Ajo ndien se shërbimi ndaj Perëndisë duhet të jetë i pari në mendjen e saj.»
Tomi filloi të mësonte për Biblën nga prindërit e tij, kur s’ishte veçse pesë vjeç. Edhe pse në moshë të vogël, ai mori një qëndrim të guximshëm për adhurimin e vërtetë. Ndërsa bashkëmoshatarët e klasës së tij ishin duke vizatuar pamje nga festat, Tomi vizatonte pamje nga parajsa e premtuar e Perëndisë. Si adoleshent, Tomi vuri re se shumë prej nxënësve ishin të paqartë në lidhje me çfarë besonin Dëshmitarët e Jehovait. Në vend që të tërhiqej mënjanë me frikë, ai pyeti njërin prej mësuesve të tij nëse mund të drejtonte një diskutim me pyetje dhe përgjigje me klasën, në mënyrë që t’u përgjigjej njëherësh të gjitha pyetjeve. Kjo gjë iu lejua dhe u dha një dëshmi e shkëlqyer.
Kur ishte 17 vjeç, Marketa gjeti një mundësi të shkëlqyeshme për t’u folur të tjerëve në klasë për besimin e saj. «Na ishte dhënë si detyrë që të bënim një fjalim,—thotë ajo.—Unë e zgjodha temën time nga libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike.a Veçova pesë kapituj nga libri dhe i shkrova titujt në dërrasën e zezë. I kërkova klasës që t’i radhitnin ata sipas renditjes që mendonin se ishte më e rëndësishme.» Pasoi një diskutim me pjesëmarrjen e klasës. «I tregova klasës librin,—përfundon Marketa,—dhe një numër nxënësish më kërkuan një kopje. Madje dhe mësuesi tha se donte një kopje.»
E vërteta mund të të bëjë të lirë
Siç kemi parë, e vërteta e përmbajtur në Bibël ka një efekt çlirues mbi njerëzit e çdo moshe që e studiojnë atë dhe që e marrin për zemër mesazhin e saj. Ajo i liron ata nga frika e të vdekurve, frika e së ardhmes dhe frika e njeriut. Së fundi, shpërblerja e Jezuit do ta çlirojë njerëzimin e bindur nga mëkati dhe vdekja. Ç’gëzim do të jetë të jetojmë përgjithmonë në një parajsë në tokë, jo më të burgosur nga gjendja jonë e trashëguar mëkatare!—Psalmi 37:29.
A do të dëshiroje të mësoje më shumë rreth bekimeve që ka premtuar Perëndia? Nëse po, çfarë duhet të bësh? Jezui tha: «Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin perëndi të vërtetë dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.» (Gjoni 17:3) Kështu, pra, nëse dëshiron të përjetosh lirinë që Jezui u premtoi dishepujve të tij, duhet të mësosh për Perëndinë Jehova dhe Birin e tij. Duhet të mësosh se cili është vullneti i Perëndisë dhe më pas ta bësh atë, sepse Bibla thotë: «Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.»—1. Gjonit 2:17.
[Shënimi]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figura në faqen 7]
Nën Mbretërinë e Perëndisë, njerëzimi më së fundi do të lirohet nga mëkati dhe vdekja