Shërimi i mrekullueshëm i njerëzimit është pranë
«NJË gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!» Kështu thanë dëshmitarët okularë të shërimit të mrekullueshëm në çast të një paralitiku nga Jezui. (Marku 2:12) Veç këtij, Jezui shëroi të verbrin, memecin e të çalin e po ashtu bënë edhe ithtarët e tij. Me anë të cilës fuqi i bëri Jezui ato? Çfarë roli luajti besimi? Çfarë drite hodhën këto përvoja të shekullit të parë mbi shërimin e mrekullueshëm sot?—Mateu 15:30, 31.
«Besimi yt të shëroi»
Atyre që shërojnë sot me anë të besimit, u pëlqen të citojnë atë që i tha Jezui një gruaje, e cila kishte 12 vjet që vuante nga fluksi i gjakut e që vajti tek ai për t’u shëruar: «Besimi yt të shëroi.» (Luka 8:43-48) A tregon vallë deklarata e Jezuit se shërimi i saj varej nga besimi që kishte? A ishte ky një shembull i «shërimit me anë të besimit», siç praktikohet sot?
Kur e lexojmë me kujdes tregimin e Biblës, shohim se në të shumtën e rasteve Jezui dhe dishepujt e tij nuk kërkuan që i sëmuri të deklaronte besimin e tij përpara se të shërohej. Gruaja e përmendur më sipër, vajti dhe pa i thënë as edhe një fjalë Jezuit, preku fshehurazi nga pas rrobën e tij dhe «në atë çast iu pre fluksi i gjakut». Në një tjetër rast, Jezui shëroi një burrë, i cili ndodhej mes atyre që kishin vajtur për ta arrestuar. Ai madje shëroi një njeri që nuk ia kishte idenë se kush ishte Jezui.—Luka 22:50, 51; Gjoni 5:5-9, 13; 9:24-34.
Çfarë roli luajti, atëherë, besimi? Kur Jezui me dishepujt e tij ishte në krahinën e Tiros dhe të Sidonit, një fenikase erdhi e thirri: «Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon.» Imagjino dëshpërimin e saj tek i lutej: «O Zot, ndihmomë!» Plot mëshirë, Jezui iu përgjigj: «O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.» E në fakt «që në atë çast» e bija ishte shëruar. (Mateu 15:21-28) Është e qartë se përfshihej besimi, por besimi i kujt? Vëre se Jezui lavdëroi besimin e nënës e jo të fëmijës së sëmurë. Besimin në çfarë? Duke iu drejtuar Jezuit si «Zot, o Bir i Davidit», gruaja po pranonte publikisht se Jezui ishte Mesia i premtuar. Nuk ishte thjesht një shprehje e besimit në Perëndinë apo e besimit në fuqinë e shëruesit. Kur Jezui tha «besimi yt të shëroi», ai donte të thoshte se pa besimin në të si Mesia, të përvuajturit nuk do të kishin vajtur tek ai për t’u shëruar.
Prej këtyre shembujve nga Shkrimet, mund të shohim se shërimet e kryera nga Jezui ishin krejt të ndryshme nga ato që shihen apo pohohen gjerësisht sot. Në to nuk kishte shfaqje të fuqishme emocionale nga turmat, si të thirrura, të kënduara, të rënkuara, të fikët e kështu me radhë dhe as dalldisje nga ana e Jezuit. Për më tepër, Jezui asnjëherë nuk dështoi të shëronte të lëkundurit me pretekstin se u mungonte besimi apo se oferta e tyre nuk kishte qenë mjaft bujare.
Shërime nga fuqia e Perëndisë
Si ndodhën shërimet e Jezuit dhe të dishepujve të tij? «Fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime»,—përgjigjet Bibla. (Luka 5:17) Siç thotë Luka 9:43, pas një shërimi, «ata të gjithë nisën të mahniteshin nga fuqia madhështore e Perëndisë». (BR) Në mënyrë të përshtatshme, Jezui nuk e drejtoi vëmendjen drejt vetes si shërues. Në një rast, ai i tha një burri, të cilin e kishte liruar nga ngacmimi i një demoni: «Shko në shtëpinë tënde, te të tutë dhe u trego atyre çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti [Jehovai, BR] dhe si pati mëshirë për ty.»—Marku 5:19.
Përderisa Jezui dhe apostujt shëruan me anë të fuqisë së Perëndisë, është e lehtë të kuptosh se përse besimi nga ana e të shëruarit nuk ishte gjithmonë e nevojshme për t’u shëruar. Megjithatë, ishte i nevojshëm besimi i fortë nga ana e shëruesit. Prandaj, kur ithtarët e Jezuit nuk ishin në gjendje të dëbonin një demon veçanërisht të fuqishëm, Jezui u tha atyre arsyen: «Prej mosbesimit tuaj.»—Mateu 17:20.
Qëllimi i shërimeve të mrekullueshme
Edhe pse Jezui bëri shumë shërime gjatë shërbimit të tij tokësor, ai nuk po kryente në radhë të parë një ‘shërbim shërues’. Shërimet e tij të mrekullueshme, për të cilat ai kurrë nuk u vuri njerëzve çmim e as nuk u kërkoi asnjë dhuratë, ishte dytësor për interesin e tij kryesor, atë të «predikimit të lajmit të mirë». (Mateu 9:35, BR) Tregimi thotë se në një rast «ai i mirëpriti dhe u fliste për mbretërinë e Perëndisë dhe shëronte ata që kishin nevojë për shërim». (Luka 9:11) Në tregimet e Ungjijve, Jezuit i ishin drejtuar shpesh me fjalën «Mësues» dhe asnjëherë me fjalën «Shërues».
Por përse, atëherë, Jezui kreu shërime të mrekullueshme? Kryesisht për të vendosur identitetin e tij si Mesia i premtuar. Kur Gjon Pagëzori pa të drejtë u fut në burg, ai donte siguri se kishte kryer atë, për të cilën Perëndia e kishte dërguar. Ai dërgoi tek Jezui dishepujt e tij dhe e pyeti: «A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?» Vëre se çfarë u tha Jezui dishepujve të Gjonit: «Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni: Të verbrit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u shpallet të varfërve.»—Mateu 11:2-5.
Po, fakti se Jezui nuk kreu vetëm shërime, por edhe vepra të tjera të mrekullueshme të shkruara në Ungjijtë, vendos patundshmërisht identitetin e tij si «ai që duhet të vijë», si Mesia i premtuar. Nuk kishte nevojë që ndokush ‘të priste një tjetër’.
Shërime të mrekullueshme sot?
A duhet të presim ne, atëherë, që Perëndia të japë sot një provë të fuqisë së tij nëpërmjet shërimeve? Jo. Me veprat e mrekullueshme që kreu përmes fuqisë së Perëndisë, Jezui kishte vendosur përtej çdo dyshimi se ai ishte Mesia që Perëndia kishte premtuar se do të vinte. Veprat e fuqishme të Jezuit janë regjistruar në Bibël që të gjithë ne t’i lexojmë. Nuk ka nevojë që Perëndia të japë provë të fuqisë së tij, duke ia përsëritur këto vepra çdo brezi njerëzish.
Është interesante se shërimet dhe veprat e tjera të mrekullueshme ishin bindëse vetëm deri diku. Edhe disa dëshmitarë okularë të mrekullive të Jezuit nuk e besuan se ai kishte mbështetjen e Atit të tij qiellor. «Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të.» (Gjoni 12:37) Ja, përse pas diskutimit mbi dhurata të shumëllojshme të mrekullueshme, si ato të profetizimit, të folurit në gjuhë, shërimit e kështu me radhë, që Perëndia u kishte dhënë anëtarëve të ndryshëm të kongregacionit të krishterë në shekullin e parë, apostulli Pavël u frymëzua për të thënë: «Profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet, sepse njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht. Por kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.»—1. Korintasve 12:28-31; 13:8-10.
Natyrisht, besimi në Perëndinë është një gjë jetësore për mirëqenien tonë. Megjithatë, bazimi i besimit në premtimet e rreme të shërimeve, çon vetëm në zhgënjim. Për më tepër, lidhur me kohën e fundit, Jezui dha këtë paralajmërim: «Do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur edhe të zgjedhurit.» (Mateu 24:24) Përveç batakçillëkut dhe mashtrimit, do të ishin edhe shfaqjet e fuqisë demonike. Si rezultat, pohimet për ngjarje të pashpjegueshme nuk duhet të na befasojnë dhe këto me siguri që nuk janë bazë për besimin e vërtetë në Perëndinë.
Përderisa askush sot nuk kryen shërime siç bëri Jezui, mos vallë jemi në disavantazh? Jo, aspak. Faktikisht, ata që u shëruan nga Jezui tekefundit mund të sëmureshin përsëri. Ata të gjithë u plakën dhe vdiqën. Dobitë shëruese që ata morën ishin relativisht jetëshkurtra. Megjithatë, shërimet e mrekullueshme të Jezuit kanë një domethënie të qëndrueshme, për faktin se parafytyruan bekimet e ardhshme.
Prandaj, pas shqyrtimit të Biblës, Fjalës së Perëndisë, Aleksandri dhe Benedita që janë përmendur më parë, nuk e vendosën më besimin e tyre në shërimin modern me anë të besimit dhe në atë spiritist. Në të njëjtën kohë, ata janë të bindur se shërimet e mrekullueshme nuk janë gjëra të së kaluarës. Përse jo? Ngjashëm miliona njerëzve në botën mbarë, ata shohin përpara bekimet e shërimit nën Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 6:10.
Jo më sëmundje dhe vdekje
Siç kemi parë edhe më lart, objektivi kryesor i shërbimit të Jezuit nuk ishte shërimi i të sëmurëve dhe kryerja e mrekullive të tjera. Përkundrazi, ai bëri vepër të tij kryesore predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 9:35; Luka 4:43; 8:1) Kjo Mbretëri është mjeti, përmes të cilit Perëndia do të kryejë shërimin e mrekullueshëm të njerëzimit dhe do të zhbëjë të gjitha dëmet që ka shkaktuar mëkati dhe papërsosmëria mbi familjen njerëzore. Si dhe kur do ta kryejë ai këtë?
Duke parashikuar të ardhmen e largët, Krishti Jezu i dha Gjonit, apostullit të tij, një vizion profetik: «Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë sonë dhe pushteti i Krishtit të tij.» (Zbulesa 12:10) E gjithë dëshmia tregon se që nga 1914-a, Satanai, kundërshtari i madh i Perëndisë, është hedhur në afërsi të tokës dhe Mbretëria tani vepron si një realitet! Jezui është vendosur si Mbreti i Mbretërisë Mesianike e tani është gati për të bërë ndryshimet e mëdha mbi tokën.
Në një të ardhme shumë të afërt, qeveria qiellore e Jezuit do të sundojë mbi një shoqëri të re e të drejtë njerëzore, në thelb mbi «një tokë të re». (2. Pjetrit 3:13) Si do të jenë kushtet atëherë? Këtu kemi një parashikim të shpejtë të lavdishëm: «Pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar . . . Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më, as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:1, 4.
A mund ta përfytyrosh se si do të jetë jeta kur të realizohet shërimi i mrekullueshëm i njerëzimit? «Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’ Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.» Po, Perëndia do të bëjë atë që shëruesit me anë të besimit nuk kanë mundur ta bëjnë kurrë. «Faktikisht, ai do të përpijë përgjithnjë vdekjen.» Është e vërtetë, «Zotëria Sovran Jehova me siguri do të fshijë lotët nga çdo fytyrë».—Isaia 25:8; 33:24, BR.
[Figura në faqen 7]
Nën Mbretërinë e Perëndisë njerëzimi do të shërohet në mënyrë të mrekullueshme