BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w98 1/3 f. 4-7
  • Pse po kërkojnë falje?

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Pse po kërkojnë falje?
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Ekumenizmi dhe pozita morale
  • Jo të gjithë janë dakord
  • Gjykimi hyjnor
  • Kishat rrëfejnë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
  • A ka vetëm një ‘besim të vërtetë’?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2003
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1998
w98 1/3 f. 4-7

Pse po kërkojnë falje?

IDEJA se kishat duhet të pendohen për fajet e tyre dhe të reformohen, nuk është e re. Religioni e miti (Fe dhe mite), një fjalor i fesë, thotë se integriteti i supozuar i kishës së hershme i magjepsi njerëzit gjatë Mesjetës dhe i bëri shumë veta të kërkonin reformën.

Në vitin 1523, pas prishjes së Martin Luterit me Romën, papa Adriani VI u orvat ta shëronte çarjen e krijuar, duke i dërguar këtë mesazh Kuvendit të Nurembergut: «Ne e dimë mirë se për shumë vjet, gjërat që meritojnë neveri janë përqendruar në Selinë e Shenjtë . . . Ne do të përdorim të gjithë zellin për të reformuar para së gjithash Kurian Romake, në të cilin, ndoshta, kanë pasur origjinën e tyre të gjitha këto ligësi.» Megjithatë, ky pranim nuk ia doli ta shëronte përçarjen dhe as ta kundërshtonte korruptimin në Kurian Romake.

Këto kohët e fundit, kishat janë kritikuar për heshtjen e tyre në lidhje me olokaustin. Ato janë akuzuar, gjithashtu, se nuk janë përpjekur t’i bindin anëtarët e tyre që të mos marrin pjesë në luftëra. Në vitin 1941, ndërsa Lufta II Botërore po bënte kërdinë, një prift i quajtur Primo Macolari pyeti: «Pse Roma nuk ka reaguar fuqishëm kundër devijimit të katolicizmit, siç e kishte dhe siç e ka akoma zakon, në rastin e doktrinave më pak të rrezikshme?» Doktrina më pak të rrezikshme se çfarë? Prifti po fliste për nacionalizmin luftënxitës, që në atë kohë po e shkatërronte qytetërimin.

Megjithatë, fakti është se deri kohët e fundit, pranimi i fajit nga fetë ishte një përjashtim në vend se rregull. Në vitin 1832, në përgjigje të disave që po e nxitnin Kishën Katolike të ‘rigjenerohej’, Gregori XVI tha: «Është krejt absurde dhe poshtëruese të propozosh njëfarë ‘ripërtëritjeje dhe rigjenerimi’ për sigurinë dhe rritjen [e kishës], sikur ajo të konsiderohej e pambrojtur nga defektet.» Ç’të themi për defektet që binin tepër në sy, për t’u mohuar? Për t’i justifikuar ato, u adoptuan strategji të ndryshme. Për shembull, disa teologë kanë mbrojtur idenë se kisha është si e shenjtë, ashtu edhe mëkatare. Thuhet se institucioni vetë është i shenjtë, i ruajtur prej Perëndisë nga gabimet. Megjithatë, anëtarët e tij janë mëkatarë. Pra, kur janë kryer mizori në emër të kishës, vetë institucioni nuk duhet konsideruar përgjegjës, por individët brenda kishës, po. A duket logjike kjo? Nuk iu duk e tillë katolikut romak Hans Küng, i cili shkroi: «Nuk ka kishë ideale që ekziston e shkëputur nga bota njerëzore.» Ai shpjegoi: «Kisha që nuk ka mëkate për të rrëfyer, nuk ekziston.»

Ekumenizmi dhe pozita morale

Ti mund të pyesësh veten se cilat zhvillime i kanë çuar kishat të kërkojnë falje tani. Në fillim, protestantët dhe ortodoksët pranuan përgjegjësinë për «përçarjet e kaluara» mes sekteve të ndryshme fetare. Ata e bënë këtë në konferencën ekumenikale «Besim dhe rregull», të mbajtur në Lozanë të Zvicrës, më 1927. Kisha Katolike e Romës ndoqi së fundi shembullin e tyre. Sidomos që prej Vatikanit II,a prelatët e lartë, duke përfshirë papët, me një rregullsi në rritje kanë kërkuar falje për përçarjet brenda të ashtuquajturit krishterim. Me ç’qëllim? Me sa duket, ata duan më shumë unitet në të ashtuquajturin krishterim. Historiani katolik Nikolino Sarale pohon se në «projektin e Gjon Pavlit II për ‘mea kulpa’ ka një strategji, dhe kjo është ekumenizmi».

Megjithatë, këtu përfshihet diçka më shumë se ekumenizmi. Sot, historia famëkeqe e të ashtuquajturit krishterim njihet gjerësisht. «Katolikët nuk munden që thjesht ta shpërfillin gjithë këtë histori,—thotë teologu Hans Urs von Belthasar.—Pikërisht, kisha së cilës i përket papa, ka bërë ose ka lejuar të bëhen gjëra që edhe sot e kësaj dite ne nuk mund t’i miratojmë aspak.» Kështu, papa ka emëruar një komision për të «hedhur dritë mbi faqet e errëta të kishës, që . . . të kërkohet falje». Pra, një arsye tjetër e gatishmërisë së kishës për t’u angazhuar në autokritikë, duket se është një dëshirë për të rifituar pozitën e saj morale.

Në mënyrë të ngjashme, historiani Alberto Melloni, kur komenton mbi kërkesën e kishës për falje, shkruan: «Në realitet, ajo që kërkohet hera-herës është një lehtësim prej akuzave të përgjegjësisë.» Po, Kisha Katolike duket se po përpiqet të minimizojë barrën e mëkateve të kaluara, që të rifitojë besueshmërinë e saj në sytë e njerëzve. Megjithatë, ndershmërisht duhet thënë se ajo duket më e merakosur për të bërë paqe me botën sesa me Perëndinë.

Një sjellje e tillë na sjell ndër mend Saulin, mbretin e parë të Izraelit. (1. Samuelit 15:1-12) Ai kreu një gabim të rëndë dhe kur ky gabim u zbulua, në fillim ai u përpoq të shfajësohej, t’i justifikonte gabimin e tij Samuelit, një profeti të besueshëm të Perëndisë. (1. Samuelit 15:13-21) Më në fund, mbretit iu desh t’i pranonte Samuelit: «Kam mëkatuar, sepse kam shkelur urdhrin e Zotit.» (1. Samuelit 15:24, 25) Po, ai e pranoi fajin e tij. Por fjalët që i tha më pas Samuelit, zbulojnë se cili ishte meraku kryesor në mendjen e tij: «Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit.» (1. Samuelit 15:30) Duket se Sauli merakosej më shumë për pozitën e tij në Izrael, sesa për pajtimin me Perëndinë. Ky qëndrim nuk rezultoi në falje të Saulit prej Perëndisë. A mendon se një qëndrim i ngjashëm do të rezultojë në faljen e kishave prej Perëndisë?

Jo të gjithë janë dakord

Jo të gjithë janë dakord që kishat duhet të kërkojnë publikisht falje. Për shembull, një numër katolikësh romakë ndihen në siklet kur papa i tyre kërkon falje për skllavërinë ose kur rehabiliton «heretikë», si Hus dhe Kalvin. Sipas burimeve të Vatikanit, dokumenti dërguar kardinalëve, i cili propozonte një «shqyrtim ndërgjegjeje» për historinë e mijëvjeçarit të kaluar të katolicizmit, u kritikua nga kardinalët që morën pjesë në një mbledhje të tyren drejtuar nga papa, në qershor të vitit 1994. Megjithatë, kur papa deshi ta përfshinte thelbin e atij propozimi në një letër enciklike të tij, kardinali italian Xhakomo Bifi nxori një notë pastorale, në të cilën pohonte: «Kisha nuk ka asnjë mëkat.» Megjithatë, ai pranoi: «Kërkimi i faljes për gabimet kishtare të shekujve të kaluar . . . mund të shërbejë për të na bërë më pak të pakëndshëm.»

«Rrëfimi i mëkatit është një prej çështjeve më të debatuara në Kishën Katolike,—thotë komentuesi i Vatikanit, Luixhi Akatoli.—Nëse papa pranon gabimet e misionarëve, ka misionarë që me sinqeritet u ngelet hatri.» Më tej, një gazetar katolik romak shkroi: «Nëse papa ka me të vërtetë një ide kaq tmerruese për historinë e kishës, vështirë të kuptohet se si mund ta paraqesë ai tani të njëjtën Kishë si protagonisten e ‘të drejtave të njeriut’, ‘nënën dhe mësuesen’, që mund ta udhëheqë e vetme njerëzimin drejt një mijëvjeçari të tretë vërtet të ndritshëm.»

Bibla paralajmëron kundër pendimit në dukje, i cili motivohet thjesht nga sikleti për të mos u kapur në gabim. Ky lloj pendimi çon rrallë në një ndryshim afatgjatë tek personi që pendohet. (Krahaso 2. Korintasve 7:8-11.) Pendimi që ka vlerë në sytë e Perëndisë shoqërohet nga «fryte të denja pendimi», dëshmi e sinqeritetit të pendimit.—Luka 3:8.

Bibla thotë se ai që pendohet dhe rrëfehet duhet të lërë veprat e gabuara e të mos i bëjë më ato. (Fjalët e urta 28:13) A ka ndodhur kjo? E pra, pas gjithë rrëfimeve të gabimeve nga Kisha Katolike e Romës dhe nga kisha të tjera, çfarë ndodhi në konfliktet civile të kohëve të fundit në Afrikën Qendrore dhe në Evropën Lindore, ku morën pjesë popullsi të mëdha «të krishterësh»? A vepruan kishat si forcë shtytëse për paqen? A folën hapur udhëheqësit e tyre kundër mizorive që po kryenin anëtarët e tyre? Jo. Madje, disa shërbëtorë fetarë morën pjesë në masakra!

Gjykimi hyjnor

Kur foli për mea culpas-et e përsëritura të papës, kardinal Bifi pyeti me ironi: «Për mëkatet e kryera gjatë historisë, a nuk do të ishte më mirë për ne të gjithë të presim gjykimin universal?» E pra, gjykimi i të gjithë njerëzimit është shumë afër. Perëndia Jehova i njeh mirë faqet e errëta të historisë së fesë. Mjaft shpejt, ai do t’u kërkojë fajtorëve që të japin llogari. (Zbulesa 18:4-8) Ndërkohë, a është e mundur të gjendet një formë adhurimi e painfektuar nga faji i gjakut, nga mostolerimi vrasës dhe nga krimet e tjera, për të cilat kishat e të ashtuquajturit krishterim po kërkojnë ndjesë? Po.

Si mund ta bëjmë këtë? Duke aplikuar rregullin e thënë nga Jezu Krishti: «Do t’i njihni nga frytet e tyre.» Dokumentimi i historisë, që disa kishave do t’u pëlqente të harrohej, na ndihmon të identifikojmë jo vetëm ata që Jezui i quajti «profetë të rremë», por edhe ata që kanë prodhuar «fryte të mira». (Mateu 7:15-20) Cilët janë këta? Ne të ftojmë ta gjesh vetë, duke e shqyrtuar Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Shiko se kush po përpiqet me të vërtetë sot të ndjekë Fjalën e Perëndisë, në vend që të kërkojë të ruajë një pozitë ndikimi në botë.—Veprat 17:11.

[Shënimi]

a Këshilli i 21-të ekumenikal që u mblodh në katër sesione në Romë, prej vitit 1962-1965.

[Figura në faqen 5]

Kishat po kërkojnë ndjesë për mizori si kjo

[Burimi]

The Complete Encyclopedia of Illustration/J. G. Heck

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo