Jeta ime si i lebrosur: E gëzueshme dhe e bekuar frymësisht
TREGUAR NGA ISAIA ADAGBONA
U rrita në Akure të Nigerisë. Familja ime kultivonte jams, banane, jukë dhe kakao. Babai nuk donte që unë të shkoja në shkollë. Ai më thoshte: «Ti je fermer. Asnjë s’do të të kërkojë ndonjëherë të lexosh jamsin.»
MEGJITHATË, unë dëshiroja të mësoja të lexoja. Mbrëmjeve, rrija dhe dëgjoja te dritarja e një shtëpie, ku një mësues privat mësonte disa fëmijë. Kjo ndodhi në vitin 1940, kur unë isha rreth 12 vjeç. Kur babai i fëmijëve më shikonte, më bërtiste dhe më përzinte. Por unë vazhdoja të shkoja. Hera-herës mësuesi nuk vinte dhe unë hyja fshehtas e shikoja bashkë me fëmijët librat e tyre. Herë pas here ata më linin t’ua merrja hua librat. Kështu mësova të lexoja.
Bashkohem me popullin e Perëndisë
Me kalimin e kohës, mora një Bibël dhe përpara se të flija e lexoja rregullisht. Një mbrëmje, lexova kapitullin 10 të Mateut, i cili tregon se njerëzit do t’i urrenin dhe do t’i persekutonin dishepujt e Jezuit.
M’u kujtua që Dëshmitarët e Jehovait kishin ardhur në shtëpinë time dhe ishin trajtuar keq. Më bëri përshtypje fakti që këta mund të ishin njerëzit për të cilët kishte folur Jezui. Herën tjetër që erdhën Dëshmitarët, u mora një revistë. Ndërsa fillova të shoqërohesha me ta, u bëra një objekt talljeje. Por megjithatë, sa më shumë që njerëzit përpiqeshin të më shkurajonin, aq më i sigurt dhe i gëzuar bëhesha që kisha gjetur fenë e vërtetë.
Ajo që më bëri vërtet përshtypje në lidhje me Dëshmitarët ishte se, ndryshe nga grupet e tjera fetare në zonën time, ata nuk e përzienin adhurimin e tyre me zakonet dhe traditat e feve lokale pagane. Për shembull, megjithëse familja ime shkonte në kishën anglikane, babai mbante një altar kushtuar perëndisë joruba, Ogun.
Pas vdekjes së babait tim, pritej që altarin ta trashëgoja unë. Unë nuk e desha, sepse e dija që Bibla e dënon idhujtarinë. Me ndihmën e Jehovait bëra progres frymor dhe në dhjetor të vitit 1954 u pagëzova.
Lebra godet
Nga fillimi i atij viti vërejta një ënjtje dhe një humbje të ndjeshmërisë në këmbë. Sikur të shkelja mbi qymyrin e nxehtë, nuk do të ndieja asnjë dhembje. Pas njëfarë kohe, në ballë dhe në buzë m’u shfaqën ulcera të kuqërremta. As unë dhe as familja ime, nuk e dinim se çfarë nuk shkonte; menduam se ishte ekzemë. Shkova te 12 mjekë që shëronin me barëra, në kërkim të një mjekimi. Më në fund, njëri prej tyre na tha se ishte lebër.
Ç’goditje qe ajo! Isha i mërzitur dhe nuk flija mirë. Shihja ëndrra të këqija. Por njohja e së vërtetës biblike dhe mbështetja në Jehovain, më ndihmuan të shikoja me siguri drejt së ardhmes.
Njerëzit i thanë mamasë se nëse shkoja te një orakull për të ofruar flijime, do të bëhesha më mirë. Nuk pranova të shkoja, duke e ditur se një akt i tillë nuk do t’i pëlqente Jehovait. Duke e kuptuar se isha i vendosur për këtë, miqtë e mamasë i sugjeruan asaj që të merrte një arrë kola dhe me të të më prekte ballin. Pastaj ajo mund t’ia paraqiste arrën kola orakullit, që ta përdorte në flijimet e bëra për mua. Unë nuk dëshiroja të merrja fare pjesë në këto gjëra dhe këtë ia thashë mamasë. Së fundi, ajo hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të më përfshirë në fenë pagane.
Kur së fundi shkova në spital, lebra më kishte mbërthyer mirë. Kisha ulcera nëpër gjithë trupin. Në spital më dhanë ilaçe dhe gradualisht lëkura m’u normalizua.
Menduan se kisha vdekur
Por problemet e mia ishin ku e ku. Këmba e djathtë m’u infektua keqas dhe në vitin 1962 u desh të pritej. Pas operimit, pati ndërlikime mjekësore. Mjekët nuk pritnin që të jetoja. Një prift i bardhë misionar erdhi për të kryer ritet e fundit. Isha tepër i dobët për të folur, por një infermiere i tha atij se unë isha Dëshmitar i Jehovait.
Prifti më tha: «A do të ndryshosh dhe të bëhesh katolik, kështu që mund të shkosh në qiell?» Kjo më bëri të qeshja përbrenda. Iu luta Jehovait të më jepte forcën për t’iu përgjigjur. Me një përpjekje të madhe, bëra si bëra dhe i thashë: «Jo!» Prifti u kthye prapa dhe u largua.
Gjendja ime u keqësua, aq sa personeli i spitalit mendoi se kisha vdekur. Më mbuluan fytyrën me një çarçaf. Megjithatë, nuk më çuan në morg, pasi së pari duhej që një mjek ose infermiere të vërtetonin se kisha vdekur. Nuk kishte asnjë doktor në punë dhe infermieret kishin ikur të gjitha në një mbrëmje. Kështu që gjithë natën më lanë në pavijon. Të nesërmen në mëngjes, kur mjeku bëri vizitat e zakonshme, shtratit tim s’iu afrua askush, sepse isha akoma i mbuluar dhe mendohej se kisha vdekur. Së fundi, dikush vuri re se «kufoma» nën çarçaf po lëvizte!
Nejse, e mora veten dhe në dhjetor të vitit 1963 më transferuan në Koloninë Spitalore për Lebrosët të Abeokutës, në jugperëndim të Nigerisë. Atje kam jetuar deri më sot.
Kundërshtim ndaj predikimit tim
Kur shkova unë, në atë koloni kishte rreth 400 të lebrosur dhe unë isha i vetmi Dëshmitar. I shkrova Shoqatës dhe m’u përgjigjën menjëherë duke udhëzuar kongregacionin Akomoje që të më kontaktonte. Kështu, nuk e humba kurrë kontaktin me vëllezërit.
Sapo shkova në këtë koloni, fillova të predikoja. Pastori i vendit nuk qe i kënaqur nga kjo gjë dhe i tregoi për mua nëpunësit të asistencës, që ishte përgjegjës për kampin. Nëpunësi i asistencës ishte një burrë i vjetër që kishte ardhur nga Gjermania. Ai më tha se nuk kisha të drejtë t’u mësoja të tjerëve Biblën, sepse nuk kisha arsimin ose diplomën për ta bërë këtë; meqenëse isha i pakualifikuar, do t’i mësoja në mënyrë jo korrekte njerëzit. Nëse do të këmbëngulja, mund të më përjashtonin nga ajo koloni dhe të më mohonin trajtimin mjekësor. Nuk më lejoi t’i thosha asgjë për t’iu përgjigjur.
Më pas, ai nxori një direktivë, sipas së cilës asnjë nuk duhej të studionte Biblën me mua. Si rezultat, ata që kishin treguar interes, nuk erdhën më tek unë.
Ia shtrova këtë çështje Jehovait në lutje, duke i kërkuar mençuri dhe drejtim. Të dielën tjetër, shkova në kishën baptiste të kolonisë, megjithëse nuk mora pjesë në shërbesat fetare. Gjatë shërbesës kishte një pjesë, kur ata që ishin të pranishëm mund të drejtonin pyetje. Unë ngrita dorën dhe pyeta: «Nëse të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell dhe të gjithë të këqijtë shkojnë diku gjetkë, pse Isaia 45:18 thotë se Perëndia e bëri tokën që të banohet?»
Në kongregacion pati shumë murmuritje. Më në fund, pastori misionar tha se ne nuk mund t’i kuptojmë dot rrugët e Perëndisë. Kur tha këtë, unë iu përgjigja pyetjes sime duke lexuar shkrimet, që tregojnë se 144.000 persona do të shkojnë në qiell, se të ligjtë do të zhduken dhe se njerëzit e drejtë do të jetojnë përgjithmonë në tokë.—Psalmi 37:10, 11; Zbulesa 14:1, 4.
Të gjithë duartrokitën, duke treguar vlerësim për përgjigjen. Pastaj pastori tha: «Duartrokitni edhe një herë tjetër, sepse ky burrë e njeh me të vërtetë Biblën.» Pas shërbesës, disa m’u afruan dhe më thanë: «Ti di më shumë se pastori!»
Presioni për të më përzënë vazhdon
Kjo bëri që persekutimi të binte shumë dhe njerëzit erdhën përsëri për të studiuar me mua Biblën. Megjithatë, mbetën kundërshtarë, të cilët i bënin presion nëpunësit të asistencës që të më hiqte qafe. Rreth një muaj pas shërbesës në kishë, ai më thirri dhe më tha: «Pse vazhdon të predikosh? Në vendin tim, njerëzve nuk u pëlqejnë Dëshmitarët e Jehovait; kështu është edhe këtu. Pse më hap telashe? Nuk e di se unë mund të të përzë?»
Unë u përgjigja: «Zotëri, unë ju respektoj për tri arsye. Së pari, sepse jeni më i madh se mua në moshë dhe Bibla thotë që duhet t’u japim respekt flokëve të bardhë. Arsyeja e dytë se përse ju respektoj është se keni lënë vendin tuaj, për të na ndihmuar. Arsyeja e tretë është se jeni i sjellshëm, bujar dhe ndihmoni ata që janë në vështirësi. Por, me ç’të drejtë mendoni se mund të më përzini? Presidenti i vendit nuk i përzë Dëshmitarët e Jehovait. Sundimtari tradicional i këtij vendi nuk na përzë. Edhe sikur të më dëboni nga ky kamp, Jehovai prapëseprapë do të kujdeset për mua.»
Nuk i kisha folur asnjëherë në një mënyrë kaq troç dhe munda të kuptoj se i bëri përshtypje. Ai u largua pa thënë asnjë fjalë. Më vonë, kur dikush u ankua për mua, ai u përgjigj gjithë inat: «Nuk merrem më me këtë çështje. Nëse keni ndonjë problem për predikimin e tij, merruni vetë me të!»
Klasa për shkrim e këndim
Kundërshtimi ndaj predikimit tim vazhdoi prej atyre që frekuentonin kishën baptiste në kamp. Atëherë, më erdhi një ide. Shkova te nëpunësi i asistencës dhe e pyeta nëse mund të hapja një klasë për shkrim e këndim. Kur më pyeti se sa dëshiroja të paguhesha, i thashë se do të jepja mësim falas.
Ata siguruan një klasë, tabelë të zezë dhe shkumës, kështu unë fillova t’i mësoja të lexonin disa banorë të asaj kolonie. Bënim mësim çdo ditë. Gjatë 30 minutave të para, u mësoja të lexonin, pastaj tregoja dhe shpjegoja një tregim nga Bibla. Pas kësaj, e lexonim tregimin nga Bibla.
Një studente ishte një grua e quajtur Nimota. Ajo kishte një interes të madh për gjërat frymore dhe bënte pyetje fetare, si në kishë, ashtu edhe në xhami. Atje nuk merrte përgjigje për pyetjet e saj, kështu që vinte të më pyeste mua. Së fundi, ajo ia dedikoi jetën Jehovait dhe u pagëzua. Në vitin 1966 u martuam.
Shumica e pjesëtarëve të kongregacionit tonë sot, mësuan të lexojnë dhe të shkruajnë në atë klasë për shkrim e këndim. Nuk e pata unë mençurinë për ta sugjeruar atë klasë. Sigurisht, bekimi i Jehovait ishte i dukshëm. Pas kësaj, askush nuk u përpoq të më ndalonte të predikoja.
Një Sallë Mbretërie në kamp
Në kohën që u martova me Nimotën, ishim katër veta që mblidheshim rregullisht, për të studiuar së bashku Kullën e Rojës. Për rreth një vit, mblidheshim në dhomën ku laheshin plagët e të lebrosurve. Më pas, nëpunësi i asistencës, i cili ishte bërë tashmë miku im, më tha: «Nuk është mirë që ju ta adhuroni Perëndinë tuaj në një dhomë mjekimi.»
Ai tha se mund të mblidheshim në një barakë marangozi që ishte bosh. Me kalimin e kohës, ajo barakë u transformua në një Sallë Mbretërie. Në vitin 1992, me ndihmën e vëllezërve të qytetit, e përfunduam. Siç mund ta shikoni nga fotografia në faqen 24, salla jonë është një ndërtesë e fortë, e suvatuar dhe e lyer, me një dysheme betoni dhe çati të mirë.
Duke iu predikuar atyre me lebër
Për 33 vjet, territori im ka qenë kolonia e të lebrosurve. Si u predikohet atyre? Këtu në Afrikë, shumica e njerëzve besojnë se të gjitha gjërat vijnë prej Perëndisë. Kështu që, kur vuajnë nga lebra mendojnë se gjithsesi, përgjegjës është Perëndia. Disa janë në depresion të madh për gjendjen e tyre. Të tjerët janë të mërzitur dhe thonë: «Mos na fol ne për një Perëndi të dashur dhe të mëshirshëm. Sikur të ishte e vërtetë, kjo sëmundje do të ikte!» Pastaj lexojmë dhe arsyetojmë mbi vargun e Jakovit 1:13, i cili thotë: ‘Perëndia nuk provon asnjë me gjëra të liga.’ Më pas shpjegojmë se përse Jehovai lejon që njerëzit të vuajnë nga sëmundjet dhe tregojmë qartësisht premtimin e tij për një parajsë tokësore, ku askush nuk do të jetë i sëmurë.—Isaia 33:24.
Shumë persona i janë përgjigjur në mënyrë të favorshme lajmit të mirë. Që kur kam ardhur në këtë kamp, Jehovai më ka përdorur për të ndihmuar mbi 30 persona drejt dedikimit dhe pagëzimit, të gjithë të lebrosur. Pasi janë shëruar, shumë janë kthyer nëpër shtëpi, ndërsa disa kanë vdekur. Tani kemi 18 lajmëtarë të Mbretërisë dhe rreth 25 veta marrin pjesë rregullisht në mbledhje. Unë dhe një tjetër shërbejmë si pleq; kemi një shërbëtor ndihmës dhe një pionier të rregullt. Sa i lumtur jam tek shoh tani kaq shumë persona që i shërbejnë Jehovait me besim të plotë, në këtë kamp! Kur erdha këtu, kisha frikë se do isha i vetëm, por Jehovai më ka bekuar në mënyrë të mrekullueshme.
Gëzimi që u shërbej vëllezërve të mi
Për lebrën kam marrë ilaçe që prej vitit 1960 deri pothuajse pesë vjet më parë. Tani jam krejtësisht i shëruar, siç janë edhe të tjerët në kongregacion. Lebra la shenjat e saj: humba pjesën e poshtme të këmbës dhe s’mund të drejtoj duart, por sëmundja ka ikur.
Që kur jam shëruar, disa kanë pyetur se përse nuk iki nga kampi dhe të kthehem në shtëpi. Janë disa arsye se përse qëndroj, por ajo kryesorja është se dëshiroj të vazhdoj t’i ndihmoj vëllezërit e mi këtu. Gëzimi i kujdesit për delet e Jehovait tejkalon çdo gjë që mund të më japë familja, nëse kthehem tek ata.
Jam shumë mirënjohës që e njoha Jehovain përpara se të merrja vesh se isha me lebër, përndryshe, ndoshta do të kisha vrarë veten. Gjatë viteve kam pasur shumë vështirësi dhe probleme, por nuk ishte mjekësia ajo që më përkrahu, por Jehovai. Kur reflektoj mbi të kaluarën, jam i gëzuar; kur mendoj për të ardhmen nën Mbretërinë e Perëndisë, jam edhe më i gëzuar.
[Kutia në faqen 25]
Të dhëna mbi lebrën
Çfarë është ajo?
Lebra e ditëve moderne është sëmundje e shkaktuar nga një bacil i identifikuar në vitin 1873 nga Armauer Hansen. Si vlerësim i punës së tij, mjekët i referohen lebrës edhe si sëmundja e Hansenit.
Bacili dëmton nervat, kockat, sytë dhe disa organe. Ndjeshmëria humbet, shpesh në duar dhe në këmbë. Nëse nuk mbahet nën kontroll, sëmundja mund të shkaktojë sakatim të fytyrës dhe të gjymtyrëve. Rrallë, sjell vdekjen.
A ekziston ndonjë mjekim?
Njerëzit që kanë forma të lehta të lebrës, shërohen pa asnjë lloj trajtimi. Rastet më serioze mund të mjekohen me ilaçe.
Ilaçi i parë kundër lebrës, i futur në vitet 1950, vepronte ngadalë dhe u bë gjithnjë e më i paefektshëm, sepse bacili i lebrës zhvilloi rezistencën ndaj tij. Dolën ilaçe të reja dhe që prej fillimit të viteve 1980, Terapia Shumë-Ilaçe (MDT) u bë rajtimi standard në mbarë botën. Ky trajtim kombinon përdorimin e tri ilaçeve: dapson, rifampicin dhe klofazimin. Megjithëse MDT i vret bacilet, nuk ndreq dëmin e shkaktuar tashmë.
MDT është shumë e efektshme në shërimin e kësaj sëmundjeje. Për pasojë, numri i njerëzve me lebër ka rënë me shpejtësi nga 12 milionë në vitin 1985, në rreth 1,3 milionë nga mesi i vitit 1996.
Sa ngjitëse është?
Lebra nuk është shumë ngjitëse; shumica e njerëzve kanë sisteme imune mjaft të forta për ta kundërshtuar. Kur ndodh, zakonisht bëhet te njerëzit që jetojnë në një kontakt të ngushtë dhe të zgjatur me ata që janë të infektuar.
Mjekët nuk e dinë me siguri se si hyn bacili në trupin njerëzor, por dyshojnë se e bën këtë nëpërmjet lëkurës ose hundës.
Perspektivat e së ardhmes
Lebra është vënë në shënjestër për t’u «eliminuar si problem publik shëndetësor», deri në vitin 2000. Kjo do të thotë se numri i rasteve me lebër në çdo komunitet nuk do t’i kalojë 1 në 10.000 njerëz. Nën Mbretërinë e Perëndisë ajo do të jetë larguar plotësisht.—Isaia 33:24.
Burimet: Organizata Botërore e Shëndetit; Federata Ndërkombëtare e Shoqërive Kundër Lebrës dhe Sëmundjet Tropikale të Mansonit, botim i vitit 1996.
[Kutia në faqen 27]
A është sot lebra e njëjtë me atë të kohëve biblike?
Sot, librat mësimorë mjekësorë e përkufizojnë lebrën me terma të saktë; emri shkencor për mikrobin e përfshirë në të është Mycobacterium leprae. Sigurisht, Bibla nuk është një libër mësimor mjekësor. Fjalët hebraike dhe greke që janë përkthyer «lebër» në shumë përkthime të Biblës, kanë një kuptim shumë më të gjerë. Për shembull, lebra e Biblës jepte simptoma të dukshme jo vetëm te njerëzit, por edhe në rroba dhe në shtëpi, diçka që një bacil nuk e bën.—Levitiku 13:2, 47; 14:34.
Për më tepër, simptomat që identifikojnë lebrën te njerëzit sot, nuk përputhen saktësisht me lebrën në kohët biblike. Disa sugjerojnë se shpjegimi mund të gjendet në faktin se natyra e sëmundjeve ndryshon me kalimin e kohës. Të tjerë mendojnë se lebra, së cilës i referohet Bibla, përshkruan një sërë sëmundjesh, të cilat mund ose jo të përfshijnë sëmundjen e shkaktuar nga M. leprae.
Fjalori teologjik i Besëlidhjes së Re pohon se si fjala greke, ashtu dhe ajo hebraike, që zakonisht përkthehet lebër, «i referohet të njëjtës lëngatë ose grupi lëngatash . . . Mund të jetë e dyshimtë nëse kjo është sëmundja që tani ne e quajmë lebër. Por identifikimi i saktë mjekësor i kësaj sëmundjeje, nuk ndikon në opinionin tonë mbi tregimet e shërimit [të të lebrosurve nga Jezui dhe nga dishepujt e tij]».
[Figura në faqen 24]
Kongregacioni jashtë Sallës së Mbretërisë, në kampin e të lebrosurve
[Figura në faqen 26]
Isaia Adagbona dhe gruaja e tij, Nimota