BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w99 15/3 f. 29-31
  • «Në rreziqe në det»

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • «Në rreziqe në det»
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Nevoja e Romës për tregti detare
  • Pasagjerët në anije mallrash?
  • Udhëtimi me det: Sa i sigurt?
  • Lajmi i mirë çohet larg përtej detit
  • «Asnjë nga ju nuk do të vdesë»
    ‘Të japim dëshmi të plotë’ për Mbretërinë e Perëndisë
  • A e dini?
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait (Për studim)—2019
  • Pavli triumfon mbi vështirësitë
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
  • Pavlin e çojnë në Romë
    Të mësojmë nga historitë e Biblës
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1999
w99 15/3 f. 29-31

«Në rreziqe në det»

NË ERRËSIRËN e natës, një anije me vela, me 276 njerëz në bord, i afrohet një ishulli në Detin Mesdhe. Ekuipazhi dhe pasagjerët janë të sfilitur, sepse për 14 ditë ujërat e stuhishme i kanë vërvitur sa andej-këtej. Sapo shohin një gji deti aty nga agimi, ata përpiqen ta nxjerrin në breg anijen. Por bashi i saj ngec e nuk mund të lëvizet më dhe dallgët e bëjnë copa-copa kiçin e anijes. Të gjithë ata që janë në anije e braktisin atë dhe luftojnë për të arritur në brigjet e Maltës me not ose duke u kapur pas dërrasave apo pas objekteve të tjera. Të ngrirë dhe të sfilitur, ata mezi dalin nga tallazet e tërbuara. Mes pasagjerëve është edhe apostulli i krishterë Pavël. Atë po e çojnë në Romë për një proces gjyqësor.—Veprat 27:27-44.

Fundosja e anijes në ishullin e Maltës nuk qe episodi i parë në det, ku Pavlit i kërcënohej jeta. Disa vjet para kësaj, ai kishte shkruar: «Tri herë më është fundosur anija, kam kaluar një natë e një ditë në thellësi.» Ai shtoi se kishte qenë «në rreziqe në det». (2. Korintasve 11:25-27, BR) Udhëtimi në det e kishte ndihmuar Pavlin që të përmbushte rolin e caktuar nga Perëndia, si «një apostull për kombet».—Romakëve 11:13, BR.

Por, sa i përhapur ishte udhëtimi në det në shekullin e parë? Çfarë roli luajti ky lloj udhëtimi në përhapjen e krishterimit? Sa i sigurt ishte? Çfarë lloj anijesh përdoreshin? Si strehoheshin pasagjerët në to?

Nevoja e Romës për tregti detare

Romakët e quanin Detin Mesdhe, Mare Nostrum, deti ynë. Kontrolli mbi rrugët detare ishte jetësor për Romën, jo vetëm për arsye ushtarake. Shumë qytete të Perandorisë Romake ose ishin porte, ose shërbeheshin prej tyre. Për shembull, Roma kishte portin e vet detar në Ostia aty afër, Korinti përdorte Lekeumin e Kenkrean dhe Antiokia siriane përdorte Seleukinë. Lidhjet e mira detare mes këtyre porteve siguruan komunikim të shpejtë me qytetet kryesore dhe lehtësuan administrimin e efektshëm të provincave romake.

Roma, gjithashtu, varej nga industria detare për furnizimin me ushqime. Me një popullsi prej rreth një milion banorësh, Roma kishte kërkesa kolosale për drithë, një sasi që luhatej nga 250.000 deri në 400.000 tonelata në vit. Nga vinte gjithë ky drithë? Flavius Jozefi citon thënien e Herod Agripës II, sipas të cilit Afrika e Veriut e furnizonte Romën për tetë muaj në vit, kurse Egjipti dërgonte mjaft drithë për ta furnizuar qytetin katër muajt e tjerë. Mijëra anije detare përdoreshin për të furnizuar me drithë këtë qytet.

Për të plotësuar prirjen romake për luks, tregtia e lulëzuar detare furnizonte të gjitha llojet e mallrave. Mineralet, gurët e çmuar dhe mermeri vinin me anije nga Qiproja, Greqia dhe Egjipti, ndërsa lënda drusore transportohej nga Libani. Vera vinte nga Smirna, arrat nga Damasku dhe hurmat e Arabisë nga Palestina. Melhemet dhe kauçuku dërgoheshin nga Kilikia, leshi sillej nga Mileti dhe Laodicea, pëlhurat nga Siria dhe Libani, veshjet e purpurta nga Tiri dhe Sidoni. Bojërat dërgoheshin nga Tiatira dhe qelqi nga Aleksandria e Sidoni. Mëndafshi, pambuku, fildishi dhe erëzat importoheshin nga Kina e India.

Çfarë mund të thuhet për anijen që u fundos në Maltë, me Pavlin në bord? Ishte një anije drithi, «një anije nga Aleksandria që po lundronte për në Itali». (Veprat 27:6, shënimi, BR) Flotat e drithit ishin pronë private e grekëve, fenikasve dhe sirianëve, të cilët i komandonin dhe i pajisnin ato. Megjithatë, anijet merreshin me qira nga shteti. «Ashtu si me mbledhjen e taksave,—thotë historiani Uiliam M. Ramsej,—qeveria e kishte më të lehtë ta jepte punën me kontratë, sesa të organizonte vetë një makinë shtetërore me njerëz dhe pajisje, të cilat nevojiteshin për këtë sipërmarrje të madhe.»

Pavli e përfundoi udhëtimin e tij për në Romë me një anije, në bashin e të cilës ishte gdhendur figura «Bijtë e Zeusit». Edhe kjo ishte një anije aleksandrine. Ajo u shkarkua në dokun e Puteolit në Gjirin e Napolit, porti ku shkarkoheshin zakonisht flotat e drithit. (Veprat 28:11-13) Nga Puteoli, Pocuoli i ditëve tona, ngarkesa ose vazhdonte transportin brenda vendit, ose transferohej në anije më të vogla, të cilat lundronin në drejtim të veriut, përgjatë vijës bregdetare e deri në lumin Tiber në zemër të Romës.

Pasagjerët në anije mallrash?

Pse Pavli dhe ushtarët që e ruanin udhëtuan me një anije mallrash? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, na duhet të dimë se çfarë donte të thoshte udhëtimi në det për një pasagjer të atyre ditëve.

Në shekullin e parë të e. s., nuk ekzistonin anijet e pasagjerëve. Anijet e përdorura nga udhëtarët ishin ato tregtare. E në këto anije udhëtonte çdo lloj njeriu, duke përfshirë këtu funksionarët e shtetit, intelektualët, predikuesit, magjistarët, artistët, atletët, tregtarët, turistët dhe pelegrinët.

Sigurisht, kishte edhe anije të vogla që transportonin pasagjerë dhe mallra në ujërat bregdetare. Pavli mund të ketë përdorur një të tillë për të ‘kaluar në Maqedoni’ nga Troasi. Anijet e vogla mund ta kenë çuar atë në Athinë dhe anasjelltas në më shumë se një rast. Pavli mund të ketë përdorur, gjithashtu, anije të vogël në udhëtimin që bëri më pas nga Troasi në Patara, përmes ishujve afër bregut të Azisë së Vogël. (Veprat 16:8-11; 17:14, 15; 20:1-6, 13-15; 21:1) Përdorimi i këtyre anijeve të vogla të kursente kohë, por ato nuk mund të rrezikonin, duke lundruar shumë larg steresë. Prandaj, anija që e çoi Pavlin në Qipro e pastaj në Pamfili dhe ato me të cilat udhëtoi nga Efesi në Cezare dhe nga Patara në Tir duhet të kenë qenë mjaft të mëdha. (Veprat 13:4, 13; 18:21, 22; 21:1-3) Edhe anija që u fundos në Maltë duhet të jetë konsideruar e madhe në ato kohë. Por, sa të mëdha mund të ishin këto anije?

Burimet letrare e bënë një dijetar të thoshte: «Kapaciteti më i vogël [i një anijeje] që përdorej zakonisht nga njerëzit e lashtësisë ishte rreth 70 deri në 80 tonelata. Një kapacitet shumë i përhapur për anijet, të paktën në periudhën helenistike, ishte 130 tonelata. Një 250-tonelatëshe, edhe pse kishte pamje të zakonshme, ishte patjetër më e madhe se anijet normale. Në kohët romake, anijet e përdorura në shërbimin e transportit perandorak ishin akoma më të mëdha, pasi parapëlqehej që kapaciteti të ishte 340 tonelata. Anijet më të mëdha detare në qarkullim arrinin në 1.300 tonelata, ndoshta edhe pak më shumë.» Sipas një përshkrimi të bërë në shekullin e dytë të e.s., transportuesja e drithit aleksandrine Isis ishte mbi 55 metra e gjatë, rreth 14 metra e gjerë, kishte një hambar rreth 13 metra të thellë dhe ka shumë të ngjarë që mund të mbante mbi një mijë tonelata drithë e ndoshta disa qindra pasagjerë.

Çfarë kujdesi u tregohej pasagjerëve në një anije drithi? Meqë anijet ishin kryesisht për mallra, pasagjerëve u jepej një vëmendje dytësore. Atyre nuk u sigurohej as ushqim e as shërbime të ndryshme, përveç ujit. Ata duhej të flinin në kuvertë, ndoshta në streha ngjashëm tendave, të cilat i ngrinin natën dhe i hiqnin çdo mëngjes. Edhe pse udhëtarëve mund t’u lejohej të përdornin kuzhinën e anijes për të gatuar, atyre do t’u duhej të pajiseshin me gjithçka që nevojitej për të gatuar, për të ngrënë, për t’u larë dhe për të fjetur, duke filluar nga pjatat e tiganët e deri te shtresat e gjumit.

Udhëtimi me det: Sa i sigurt?

Meqë u mungonin instrumentet e lundrimit, madje edhe kompasi, detarët në shekullin e parë vepronin krejtësisht me anë të shikimit. Prandaj, udhëtimi ishte më i sigurt kur mundësia e shikimit ishte optimale, zakonisht në sezonin nga fundi i majit e deri në mes të shtatorit. Gjatë dy muajve para dhe pas atij sezoni, tregtarët edhe mund të provonin të udhëtonin në det. Por gjatë periudhës së dimrit, mjegulla dhe retë shpesh i fshihnin trajtat e tokës, si edhe diellin gjatë ditës e hënën gjatë natës. Lundrimi konsiderohej i mbyllur (në latinisht mare clausum) nga data 11 nëntor deri më 10 mars, përveç rasteve kur ishte absolutisht e nevojshme ose urgjente. Ata që udhëtonin nga fundi i sezonit të lundrimit rrezikonin të dimëronin në ndonjë port të huaj.—Veprat 27:12; 28:11.

Përveç faktit që ishte i rrezikshëm dhe sezonal, a kishte ndonjë avantazh udhëtimi në det nga ai me rrugë tokësore? Patjetër që po! Udhëtimi në det ishte më pak i lodhshëm, ishte më i lirë dhe më i shpejtë. Kur erërat ishin të favorshme, një anije mund të përshkonte ndoshta 150 kilometra në ditë. Shpejtësia e zakonshme për një udhëtim të gjatë në këmbë ishte 25 deri në 30 kilometra në ditë.

Shpejtësia e lundrimit varej pothuajse plotësisht nga era. Udhëtimi nga Egjipti për në Itali ishte një betejë e vazhdueshme me erërat që frynin në drejtim të kundërt me anijen, edhe kur ishte sezoni optimal. Itinerari më i shkurtër zakonisht ishte kalimi nga Rodosi ose Mira, ose nga ndonjë port tjetër në bregun e Likisë në Azinë e Vogël. Një herë, pasi ndeshi stuhi ere dhe humbi rrugën, anija e drithit Isis ankoroi në Pireus, 70 ditë pasi ishte nisur nga Aleksandria. Me erërat që frynin kryesisht nga veriperëndimi pas saj, udhëtimi i kthimit nga Italia mund të bëhej ndoshta në 20 ose 25 ditë. Me rrugë tokësore, i njëjti udhëtim në secilin drejtim do të kërkonte 150 ditë në mot të mirë.

Lajmi i mirë çohet larg përtej detit

Është e dukshme se Pavli ishte i vetëdijshëm për rreziqet që paraqiste udhëtimi në det jashtë sezonit. Ai madje këshilloi lidhur me udhëtimin në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit, duke thënë: «O burra, unë po shoh se lundrimi do të bëhet me rrezik dhe me dëm të madh jo vetëm për ngarkesën dhe për anijen, por edhe për ne vetë.» (Veprat 27:9, 10) Megjithatë, oficeri i ngarkuar me detyrë i shpërfilli këto fjalë dhe kjo solli si pasojë fundosjen e anijes në Maltë.

Nga fundi i karrierës së vet misionare, të paktën katër herë anijet me të cilat kishte udhëtuar Pavli ishin fundosur. (Veprat 27:41-44; 2. Korintasve 11:25) E megjithatë, ankthi i tepërt lidhur me pasoja të tilla nuk i pengoi predikuesit e hershëm të lajmit të mirë të udhëtonin në det. Ata i përdorën plotësisht të gjitha mjetet e udhëtimit që kishin në dispozicion, për të përhapur mesazhin e Mbretërisë. Në bindje të urdhrit të Jezuit, u dha dëshmi anembanë tokës. (Mateu 28:19, 20; Veprat 1:8) Falë zellit të tyre, besimit të atyre që kanë ndjekur shembullin e këtyre predikuesve dhe falë udhëheqjes së frymës së shenjtë të Jehovait, lajmi i mirë ka arritur në skajet më të largëta të tokës së banuar.

[Burimi i figurës në faqen 31]

Arkivi Piktorial (Historia e Lindjes së Afërme) Lindje.

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo