Dedikimi i Qendrës së Arsimimit Watchtower: Një festë për Jehovain
QË NË kohët e lashta, festat e gëzueshme kanë qenë pjesë e adhurimit të vërtetë. Disa nga festat që mbaheshin në Izraelin e lashtë, zgjatnin për ditë me radhë dhe ndiqeshin nga mijëra e mijëra adhurues të Jehovait. Inaugurimi i tempullit të Solomonit vazhdoi për shtatë ditë dhe u pasua nga Festa njëjavore e Kasolleve. Kjo gjë u dha mundësi izraelitëve që të reflektonin rreth mënyrës së mrekullueshme me të cilën Jehovai i kishte trajtuar. Ata u kthyen në shtëpi «të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për tërë të mirat që Zoti u kishte bërë».—1. Mbretërve 8:66.
Ajo që ndodhi në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju Jork, SHBA, më 17-22 maj 1999, u kujtoi vizitorëve pikërisht këto festa të gëzueshme të lashta. Kjo ishte java e një aktiviteti të veçantë, që kishte në qendër të saj dedikimin e një kompleksi prej 28 ndërtesash, i ndërtuar me qëllimin që të përkrahë zhvillimin e arsimimit biblik në shkallë globale. Ishin marrë masa që të 5.400 anëtarët e personelit të qendrës në Bruklin, Uollkill dhe Paterson, të bënin vizita të plota në ndërtesat e Patersonit gjatë kësaj jave të paharruar. Midis mysafirëve ndodheshin më shumë se 500 ish-anëtarë të personelit, që kishin marrë pjesë në punën për ndërtimin kësaj qendre arsimimi, përfaqësues nga 23 degë të Shoqatës Watch Tower, si edhe të ftuar të tjerë nga kongregacionet fqinje, gjithsej, të paktën 8.100 veta.
Stendat sigurojnë informacion të mëtejshëm
Për t’i njohur vizitorët me qendrën e arsimimit, ishin vendosur stenda të posaçme, prezantohej material informativ me anë të videokasetave dhe ishte rregulluar që vizitorët të bënin edhe vetë vizita, duke përdorur udhëzime të shkruara. Në hyrjen kryesore, vizitorëve u tërhoqi menjëherë vëmendjen një maket i tempullit që ekzistonte në Jerusalem, gjatë periudhës së shërbimit tokësor të Jezuit. Stendat e tjera hidhnin dritë mbi historinë e hershme të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, të kongreseve historike, mbledhjeve të kongregacionit, zhvillimit të studimeve biblike në kohët moderne, miliona prej të cilave sot mbahen çdo javë, si edhe të punës së bërë nga Reparti Ligjor për t’i hapur vazhdimisht udhën një aktiviteti të tillë, e gjitha kjo në bindje të urdhrit që dha Jezui.—Mateu 28:19, 20.
Në sallën përbri, ku mund të ulen lirshëm 1.700 veta, për ata që bënin vizita gjatë festës së dedikimit, transmetohej në videokasetë pjesa 33-minutëshe me titull «Jo me anë të fuqisë, por me anë të frymës time!». Kjo videokasetë tregonte se si ishte kryer puna për ndërtimin e Qendrës së Arsimimit Watchtower. Intervistat zbuluan incidentet që kishin ndodhur, duke treguar qartë drejtimin e Jehovait në këto çështje, si edhe bekimin e tij për përpjekjet e bëra për ta përfunduar me sukses këtë projekt 15-vjeçar. Për ndërtimin e tij morën pjesë mijëra veta. Në vitin 1994, arriti një moment kur në kantier ndodheshin 526 punëtorë, duke përfshirë 350 vullnetarë në kohë të plotë, 113 punëtorë të përkohshëm dhe 63 të tjerë që bënin çdo ditë një udhëtim vajtje-ardhje për të dhënë një dorë. Shumë e shumë të tjerë e mbështetën veprën e ndërtimit me kontributet e tyre. Të gjithë e kuptojnë se kjo gjë nuk do të kishte qenë kurrë e mundur pa frymën e Jehovait.—Zakaria 4:6.
Vizitorët mundën të shihnin se puna që bëhej në qendrën e arsimimit përqendrohej në përkrahjen e mësimit hyjnor. Stenda në hyrje të Shkollës së Galaadit, në katin e parë të godinës, nxirrte në pah trashëgiminë e pasur frymore të kësaj shkolle, si edhe historinë e saj. Duke filluar nga klasa e parë e saj në vitin 1943, që u mbajt në godinën fillestare të shkollës në Lansingun e Jugut, Nju Jork, Shkolla e Galaadit ka stërvitur mbi 7.000 studentë për shërbimin si misionar. Stendat në katin e dytë të godinës, siguronin pamje të Shkollës për Anëtarët e Komitetit të Degës dhe të Shkollës për Mbikëqyrës Udhëtues, që të dyja këto të mbajtura në këtë godinë. Që kur ka filluar, në nëntor të vitit 1995, shkolla e degës ka siguruar një stërvitje të mëtejshme për 360 anëtarët e komiteteve të degëve nga 106 vende.
Ndërsa vizitonin këtë qendër arsimimi, vizitorët e kuptuan shpejt se në shumicën e mjediseve, mund të shihnin më shumë se vetëm një stendë fotografish. Atyre u qe dhënë mundësia të hynin tamam brenda reparteve të ndryshme, të vizitonin zyra dhe vende të tjera pune, si edhe të shihnin në brendi punën që bëhej. Një moment i rëndësishëm ishte edhe vizita në ndërtesën ku ndodhet Reparti i Kasetave dhe i Videokasetave. Çfarë ndërtesash të shkëlqyera po përdoren për përkrahjen e arsimimit biblik! Nëpërmjet një sërë stendash informative dhe videokasetash me metrazh të shkurtër, vizitorët u ndihmuan të kuptonin se si bëhej regjistrimi i zërit dhe si përgatiteshin videot. Ata mësuan diçka rreth kërkimeve të shumta që bëheshin në përgatitje të materialeve të skenës dhe kostumeve. Panë se si materialet e skenave grumbulloheshin me një kosto minimale, por duke u kushtuar një vëmendje të madhe edhe hollësirave. Ata panë me sytë e tyre se në ç’mënyrë përdoret muzika për t’i bërë njerëzit të ndihen sikur ndodhen vërtet brenda skenës që po shohin. Që nga viti 1990, Shoqata ka prodhuar dhjetë video në 41 gjuhë, video që nxjerrin në pah një llojshmëri temash biblike, përveç atyre të prodhuara për ata që përdorin gjuhën amerikane me shenja.
Shumë prej vizitorëve shkuan në Laboratorin e Fotografive, në Repartin e Artit, në Repartin e Informacionit, ku sigurohet stërvitje për të punuar me kompjuter dhe konsultime lidhur me to, në Repartin e Shërbimit, i cili mbikëqyr aktivitetin e 11.242 kongregacioneve dhe 572 mbikëqyrësve udhëtues, si edhe në Repartin e Korrespondencës me Shkrim, ku çdo vit trajtohen rreth 14.000 pyetje për argumente të ndryshme. Atyre u bëri përshtypje kur panë se çfarë kërkimi bëhej për t’u dhënë përgjigje letrave që dërgoheshin. Gjithashtu, u bëri përshtypje edhe interesi i sinqertë që tregohej për këta persona, të cilët me pyetjet e tyre tregonin se po përpiqeshin të përballonin probleme serioze në jetë.
Një rrymë e pandërprerë vizitorësh vizitoi Repartin e Përkthimit. Ata u habitën kur mësuan se gjatë pesë vjetëve të kaluar, numrit të gjuhëve në të cilat Shoqata siguron literaturë biblike u ishin shtuar edhe 102 gjuhë të tjera. Në të gjithë botën, rreth 80 për qind e Dëshmitarëve të Jehovait i lexojnë botimet e Shoqatës në gjuhë të tjera, përveç asaj anglisht. Për të plotësuar nevojat e tyre, në fushën e përkthimit punojnë mbi 1.700 vullnetarë në 100 vende. Stendat tregonin Kullën e Rojës në gjuhët e kontinentit të Amerikës, Evropës, Azisë dhe Afrikës. Vizitorët mundën të shihnin Përkthimin Bota e Re, të Biblës, në 31 gjuhët në të cilat është botuar. Ata mësuan se botimet Watch Tower janë sot në dispozicion në 332 gjuhë dhe se broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? është botuar në 219 prej këtyre gjuhëve.
Vizitorëve në Repartin Ligjor, iu treguan fusha të ndryshme të aktivitetit që kërkojnë vëmendje ligjore në mbarë botën. Në njërën nga videot ata panë një seancë gjyqësore ku një avokat Dëshmitar po diskutonte një rast në të cilin përfshihej çështja e transfuzionit të gjakut. Gjithashtu, mësuan se çfarë është bërë për t’i hapur udhën predikimit publik të lajmit të mirë. (Filipianëve 1:7) Vëmendja u tërhoq edhe ndaj vendimit të marrë në mars të këtij viti nga një gjykatë krahinore federale, drejtuar bashkisë së Ordellit në Nju Xhersi, SHBA, që të ndryshojë ligjet e saj e kështu të heqë kërkesat për leje dhe distinktiv për Dëshmitarët e Jehovait, të cilët duan të angazhohen në shërbimin publik nga shtëpia në shtëpi në atë zonë.
Kjo nuk ishte aspak e gjitha ajo që panë vizitorët. Ata shqyrtuan stendat me pamje nga puna e ndërtimit në Repartin e Parafabrikateve, vizituan ndërtesat e Përpunimit të Ujit jo të pijshëm, Centralin elektrik, ndërtesën e Zbutësit të Ujit dhe midis të tjerash, repartet e shumta të mirëmbajtjes. Ishte një mundësi unike.
Programi i dedikimit vë theksin në arsimimin hyjnor
Programi i dedikimit u mbajt të mërkurën më 19 maj dhe filloi në orën 4 pasdite. Turma e gëzuar prej 6.929 vetash përbëhej nga anëtarët e familjes Bethel, mysafirët e ftuar nga Shoqata dhe 372 të mbledhurit në Degën e Kanadasë, e cila ishte lidhur me qendrën me lidhje elektronike.
Auditori ishte vërtet i kënaqur tek dëgjoi fjalët e përzemërta të mirëseardhjes nga Milton.G. Henschel, presidenti i Shoqatës Watch Tower. Theodore Jaracz, anëtar i Trupit Udhëheqës dhe drejtues i rastit, ia dha fjalën më pas William Malenfant. Në prezantimin e pjesës «Pika kryesore të programit të ndërtimit», ky intervistoi tre vëllezër që luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin, projektimin dhe ndërtimin e Qendrës së Arsimimit Watchtower. Në rrjedhën e intervistave u pohua se gjatë viteve të punës për ndërtimin e kësaj qendre, kishin ardhur me shpenzimet e tyre për të marrë pjesë në këtë projekt, mbi 8.700 punëtorë të përkohshëm. Ç’dëshmi e shkëlqyer e unitetit dhe bujarisë, gjë që u bë e mundur falë mësimit hyjnor!
Më pas u zhvillua simpoziumi me titull «Arsimimi hyjnor në shkallë globale». Ai u prezantua nga katër anëtarë të Trupit Udhëheqës. John E. Barr theksoi se arsimimi hyjnor e ka bazën e tij në Fjalën e Perëndisë, Biblën, e cila i inkurajon të krishterët që ‘të sjellin fryt në çdo vepër të mirë duke u rritur në njohjen e Perëndisë’. (Kolosianëve 1:10) Daniel Sydlik diskutoi se si arsimimi hyjnor është organizuar në mënyrë teokratike nga kreu i kongregacionit të krishterë, Jezu Krishti, deri te çdo anëtar i vëllazërisë mbarëbotërore. (1. Korintasve 12:12-27) Dy pjesët e fundit të simpoziumit të zhvilluara nga Gerrit Lösch dhe Carey Barber, treguan se si arsimimi hyjnor i kualifikon shërbëtorët e Jehovait që t’i arrijnë njerëzit kudo ku janë e t’u mësojnë atyre që edhe të ecin në udhën e Perëndisë.—Isaia 2:1-4; 2. Korintasve 3:5.
Për ta njohur auditorin me shkollat e ndryshme që funksionojnë në këtë qendër arsimimi, u bënë intervista dhe diskutime me instruktorët e këtyre shkollave, si edhe të tjerë të angazhuar në punën e tyre. U tregua roli që luan secila shkollë për përhapjen e programit të arsimimit hyjnor në një shkallë globale. U përmend se Shkolla e Galaadit përqendrohet në studimin e çdo libri të Biblës, në historinë e kohëve moderne të popullit të Jehovait dhe në përgatitjen për shërbimin si misionar. Shkolla e degës është një studim i mrekullueshëm tërësor i fushave të shumta të aktivitetit ku përfshihen anëtarët e Komiteteve të Degëve. Shkolla për Mbikëqyrës Udhëtues ka si qëllim jo vetëm të plotësojë nevojat e vëllezërve udhëtues, por edhe t’i pajisë ata në mënyrë që të sigurojnë atë lloj ndihme frymore që do të jetë veçanërisht e dobishme për kongregacionet.
Në përfundim të këtij programi të shkëlqyer, Lloyd Barry nga Trupi Udhëheqës mbajti fjalimin e dedikimit me temë: «Të ndërtojmë me Krijuesin tonë të madh.» Ai përmendi se Krijuesi, Jehovai, gjen kënaqësi në gjithë krijesat e tij dhe na fton që të gëzojmë bashkë me të. (Isaia 65:18) Pasi «ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia», Perëndisë Jehova i takon e gjithë merita për tërë këtë ndërtim që është bërë. (Hebrenjve 3:4) Pas shprehjes së këtyre mendimeve, oratori bëri një lutje të përzemërt, duke ia dedikuar Qendrën e Arsimimit Watchtower, Jehovait, Krijuesit tonë të Madh.a
S’ka dyshim që e gjithë kjo javë feste do të kujtohet gjatë nga ata që ishin të pranishëm në të. Përse të mos bësh rregullime për ta vizituar Qendrën e Arsimimit Watchtower? Jemi të sigurt se vizitimi i saj do të jetë një inkurajim për ty, ndërsa po përpiqesh të mësosh më shumë rreth Krijuesit tonë të dashur dhe të jetosh sipas standardeve të tij të drejta.
[Shënimi]
a Vëlla Barry e përfundoi me besnikëri jetën e tij tokësore më 2 korrik 1999. Shiko Kulla e Rojës, 1 tetor 1999, faqe 16.
[Figurat në faqen 10]
Një auditor i mbushur plot dhe një tepricë vizitorësh në sallën e ngrënies
[Figurat në faqen 10]
Vizitat ishin një aspekt veçanërisht i gëzueshëm