Zbatuesit e Fjalës së Perëndisë gjejnë lumturi
«E vlerësojmë këtë kongres si një masë tjetër të Jehovait që na përgatit për aktivitete të mëtejshme të Mbretërisë»,—tha një nga oratorët në fillim të Kongresit Krahinor «Zbatues të Fjalës së Perëndisë» që mbajtën Dëshmitarët e Jehovait. Ai vazhdoi: «Jemi gati për të mësuar rreth jetës së lumtur familjare, për t’u inkurajuar që të qëndrojmë afër organizatës së Jehovait, për t’u nxitur që të ruajmë zellin tonë në shërbimin e Mbretërisë dhe për të rikujtuar nevojën që të qëndrojmë vigjilentë.»
QË NGA fundi i majit të vitit 2000, miliona zbatues të Fjalës së Perëndisë dhe miq të tyre vërshuan në mijëra vende përreth botës për të marrë arsimim jetësor nga Bibla. Çfarë mësuan gjatë kongresit treditor?
Dita e parë: Të mos i harrojmë veprat e Jehovait
Në fjalimin e hapjes, drejtuesi e ftoi auditorin të përjetonte bekimet që vijnë nga adhurimi i bashkuar që i bëhet Jehovait nëpër kongrese. Të gjithë të pranishmëve iu dha siguria se besimi i tyre do të rritej dhe marrëdhënia e tyre personale me Jehovain do të forcohej.
‘Perëndia i lumtur’ e di se çfarë na nevojitet për të qenë të lumtur individualisht. (1 Timoteut 1:11) Kështu, fjalimi «Duke bërë vullnetin e Perëndisë gjejmë lumturi» theksoi se Fjala e Jehovait, Bibla, tregon mënyrën më të mirë të jetesës. (Gjoni 13:17) Disa intervista që iu bënë atyre që janë nga shumë kohë Dëshmitarë të Jehovait treguan se si bërja e vullnetit të Perëndisë nën rrethana të ndryshme i jep domethënie jetës sonë. Fjalimi vijues «Bëhuni rrezatues për shkak të mirësisë së Jehovait» theksoi se, si «imitues të Perëndisë», të krishterët dëshirojnë të prodhojnë «çdo lloj mirësie» në jetën e tyre. (Efesianëve 5:1, 9) Një mënyrë e dukshme për ta bërë këtë është duke predikuar lajmin e mirë dhe duke bërë dishepuj.—Psalmi 145:7.
Trajtimi i temës «Qëndroni të palëkundur sikur të shihni Atë që është i padukshëm» tregoi se në ç’mënyrë besimi i fortë na ndihmon të «shohim» Perëndinë e padukshëm. Oratori përshkroi se si njerëzit frymorë janë të vetëdijshëm për cilësitë e Perëndisë, duke përfshirë aftësinë e tij për të ditur edhe çfarë mendojmë. (Fjalët e urta [Proverbat] 5:21) Ata që u intervistuan treguan hapat që kanë bërë për të zhvilluar një besim më të fortë dhe për t’i vënë interesat frymore në vend të parë në jetën e tyre.
Sesioni i paradites mbaroi me fjalimin kyç «Lavdëroni Jehovain, Bërësin e gjërave të mrekullueshme». Ky fjalim e ndihmoi auditorin të kuptonte se sa më shumë që mësojmë për Jehovain, aq më shumë arsye gjejmë për ta lavdëruar atë si Bërësin e gjërave të mrekullueshme. Oratori tha: «Kur soditim veprat e admirueshme të krijimit të Perëndisë, bashkë me të gjitha gjërat mahnitëse që ai po bën për ne tani, çmueshmëria nga zemra na shtyn ta lavdërojmë atë. Kur meditojmë rreth gjërave të mrekullueshme që ka bërë në dobi të popullit të tij në kohët e kaluara, ne dëshirojmë ta lavdërojmë atë. Dhe kur soditim premtimet e gjërave të mrekullueshme që Jehovai do të bëjë ende, kërkojmë, gjithashtu, mënyra për të shprehur çmueshmëri.»
Sesioni i pasdites filloi me fjalimin «Mos u dorëzoni duke bërë atë që është e shkëlqyer», i cili u kujtoi të gjithëve në auditor se presionet e kësaj bote vërtetojnë që fundi është afër. (2 Timoteut 3:1) Megjithatë, duke mos u dorëzuar mund të provojmë se jemi «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit».—Hebrenjve 10:39.
Cilat këshilla biblike u ofruan për jetën familjare? Simpoziumi i parë i kongresit, «Bindjuni Fjalës së Perëndisë», filloi me pjesën «Në zgjedhjen e bashkëshortit». Zgjedhja e bashkëshortit është një nga vendimet më serioze që marrin njerëzit në jetë. Prandaj, të krishterët duan të presin për t’u martuar derisa të jenë të pjekur dhe duhet të martohen «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) Në pjesën tjetër të simpoziumit u fol për dëshirën e Jehovait që të gjitha familjet e krishtere të kenë sukses si njësi të forta frymore dhe u ofruan mënyra praktike në të cilat mund të arrihet kjo. Pjesa e fundit u kujtoi prindërve se puna e tyre për t’i mësuar fëmijët që të duan Perëndinë fillon me dashurinë e prindërve për të.
Pikat që u paraqitën në fjalimin «Të ruhemi nga thashethemet» i ndihmoi të gjithë të kuptonin se ndonëse ndodhin vërtet gjëra të habitshme, duhet të reagojmë me mençuri e jo me naivitet kur dëgjojmë lajme të bujshme. Është më mirë që të krishterët të flasin për atë që e dinë se është e vërtetë: për lajmin e mirë të Mbretërisë. Shumë vetave, fjalimi vijues «Të përballojmë ‘një gjemb në mish’» iu duk shumë ngushëllues dhe ndërtues. I ndihmoi të kuptonin se pavarësisht nga sprovat e vazhdueshme që mund të hasim, Jehovai mund të na forcojë me anë të frymës së tij të shenjtë, me anë të Fjalës së tij dhe me anë të vëllazërisë sonë të krishterë. Shumë inkurajim u mor nga përvoja personale e apostullit Pavël në këtë aspekt.—2 Korintasve 12:7-10; Filipianëve 4:11, 13.
Dita e parë mbaroi me fjalimin «Të ecim në një hap me organizatën e Jehovait». U morën në shqyrtim tri fusha në të cilat organizata e Perëndisë ka bërë progres në mënyrë të veçantë: (1) kuptueshmëria gjithnjë e në rritje e dritës frymore nga Jehovai, (2) shërbimi që na ka besuar Perëndia dhe (3) rregullimet në kohën e duhur lidhur me procedurat organizative. Më pas, oratori tha me bindje: «Jemi të emocionuar për gjërat që presim në të ardhmen.» Ai pyeti: «A mund të vihet në dyshim fakti që kemi çdo arsye për ta mbajtur të patundur deri në fund sigurinë që kishim në fillim?» (Hebrenjve 3:14) Përgjigjja ishte e qartë. Kjo çoi në prezantimin e një broshure të re me titull Ti mund të jesh miku i Perëndisë! Kjo do të shërbejë si një mjet i fuqishëm mësimi për t’i ndihmuar njerëzit me arsimim të kufizuar ose me aftësi të kufizuar për të lexuar, që të mësojnë për Jehovain.
Dita e dytë: Të vazhdojmë të shpallim veprat e mrekullueshme të Perëndisë
Pas shqyrtimit të shkrimit të ditës, dita e dytë e kongresit vazhdoi me simpoziumin «Shërbëtorë të Fjalës së Perëndisë». Pjesa e parë e tërhoqi vëmendjen ndaj suksesit aktual të veprës sonë globale të predikimit. Megjithatë, qëndrueshmëria jonë në këtë vepër sfidohet nga shumica që e refuzon mesazhin e Mbretërisë. Disa lajmëtarë prej shumë kohësh shpjeguan se si e kanë mbajtur gëzimin në shërbim, duke forcuar mendjen dhe zemrën për të përballuar sfidën e apatisë ose të kundërshtimit. Pjesa e dytë u kujtoi kongresistëve se Dëshmitarët e Jehovait përpiqen t’i arrijnë njerëzit kudo që janë, si me anë të predikimit formal, ashtu edhe me anë të atij joformal. Ndërsa pjesa e fundit përshkroi shumëllojshmërinë e madhe të mënyrave në të cilat të gjithë të krishterët mund të zgjerojnë shërbimin e tyre. Oratori theksoi se për të bërë këtë, duhet t’i japim Mbretërisë së Perëndisë përparësinë kryesore, edhe nëse kjo përfshin vështirësi dhe vetëmohim.—Mateu 6:19-21.
Duke qenë se jetojmë në një botë të paperëndishme, të mbushur me lakmi të pangopur për gjëra materiale, fjalimi «Kultivoni devocion hyjnor duke u kënaqur me atë që keni» ishte shumë i kohës. Duke i bazuar disa komente të tijat në 1 Timoteut 6:6-10, 18, 19, oratori tregoi se si devocioni hyjnor i ndihmon të krishterët të shmangin dashurinë për para, e cila mund t’i bëjë të devijojnë dhe mund t’u shkaktojë shumë dhembje. Ai theksoi se cilado qoftë gjendja jonë ekonomike, lumturia varet nga marrëdhënia që kemi me Jehovain dhe nga mirëqenia jonë frymore. Shumë veta u prekën thellë nga pikat që u paraqitën në fjalimin «Të mos japim shkak që Perëndisë t’i vijë turp». U theksua fakti që Jehovai nuk i harron kurrë Dëshmitarët e tij besnikë. Shembulli i pakrahasueshëm i Jezu Krishtit, i cili «është i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë», do t’i ndihmojë shumë veta që të vazhdojnë të vrapojnë me qëndrueshmëri në garën për jetë.—Hebrenjve 13:8.
Sesionin e mëngjesit e mbylli fjalimi i pagëzimit, i cili është gjithnjë një pikë kryesore në mbledhjet e mëdha të Dëshmitarëve të Jehovait. Çfarë gëzimi që ishte të shihnim të sapodedikuarit që ndoqën gjurmët e Jezuit duke u pagëzuar në ujë! (Mateu 3:13-17) Të gjithë ata që ndërmarrin këtë hap kanë kryer tashmë shumë gjëra si zbatues të Fjalës së Perëndisë. Për më tepër, kur u pagëzuan, ata u bënë shërbëtorë të emëruar zyrtarisht të lajmit të mirë, të cilët kanë shumë gëzim duke ditur se po marrin pjesë në shenjtërimin e emrit të Jehovait.—Fjalët e urta 27:11.
Këshilla të rëndësishme u dhanë në fjalimin «Pjekuria është e nevojshme ‘për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’». Standardet botërore për atë që është e drejtë dhe e gabuar, mjerisht janë të papërshtatshme. Prandaj, duhet të mbështetemi në standardet e Jehovait. (Romakëve 12:2) Të gjithë morën inkurajimin që të punojnë pa u lodhur për të fituar një kuptueshmëri të saktë për udhët e Perëndisë dhe për t’u rritur drejt pjekurisë. Pastaj, me praktikë, aftësitë tona perceptuese do të stërviten «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».—Hebrenjve 5:11-14.
Më pas vijoi simpoziumi «Të punojmë pa u lodhur për të kultivuar gjendjen frymore». Të krishterët e vërtetë e kuptojnë sa e rëndësishme është të zhvillojnë dhe të ruajnë gjendjen frymore. Kjo përfshin një punë të palodhur: leximin, studimin dhe meditimin. (Mateu 7:13, 14; Luka 13:24) Gjithashtu, njerëzit frymorë vazhdojnë «me çdo lloj lutjeje dhe me përgjërim». (Efesianëve 6:18) E kuptojmë se lutjet tona zbulojnë sa i thellë është besimi dhe devocioni ynë, zbulojnë nivelin e gjendjes sonë frymore, si edhe çfarë konsiderojmë ne si «gjërat më të rëndësishme». (Filipianëve 1:10) U theksua edhe rëndësia për të zhvilluar një marrëdhënie të ngrohtë e të dashur me Jehovain, si ajo që gëzon një fëmijë i bindur me një atë të dashur. Nuk është thjesht që kemi një fe, qoftë kjo edhe feja e vërtetë, por duam të ndërtojmë një besim të fortë, ‘si të shohim Perëndinë’.—Hebrenjve 11:6, 27.
Tema e progresit frymor u trajtua më tej në fjalimin «Ta bëjmë përparimin tonë të dukshëm». U shqyrtuan tri fusha të një përparimi të tillë: (1) rritja në njohuri, kuptueshmëri dhe mençuri, (2) shfaqja e fryteve të frymës së Perëndisë dhe (3) përmbushja e përgjegjësive familjare si pjesëtarë të saj.
Në përfundim të fjalimit të fundit të ditës, «Të ecim në dritën gjithnjë e në rritje të Fjalës së Perëndisë», kongresistët u kënaqën shumë kur morën një libër të ri, Profecitë e Isaisë: Dritë për gjithë njerëzimin, Vëllimi I. Ky është i pari nga dy vëllimet që trajtojnë librin biblik të Isaisë, kapitull për kapitull. «Libri i Isaisë ka një mesazh për ne sot»,—vërejti oratori. Pastaj vazhdoi: «Po, shumë nga profecitë e tij u përmbushën në kohën e Isaisë. . . . Megjithatë, shumë nga profecitë e Isaisë po përmbushen sot dhe disa do të përmbushen në botën e re që ka premtuar Perëndia.»
Dita e tretë: Jini zbatues të Fjalës së Perëndisë
Dita e fundit e kongresit filloi me shqyrtimin e shkrimit të ditës. Më pas, vijoi simpoziumi «Profecia kuptimplotë e Sofonisë për ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë». Tri fjalimet e këtij simpoziumi treguan se, siç bëri në ditët e Judës kokëfortë, Jehovai do të sjellë vuajtje mbi ata që nuk pranojnë sot t’i vënë veshin paralajmërimit të tij. Për shkak se mëkatojnë kundër Perëndisë, do të ecin gati po aq të pasigurt, sa edhe njerëzit e verbër, të paaftë për të gjetur çlirim. Megjithatë, të krishterët e vërtetë me besnikëri vazhdojnë ta kërkojnë Jehovain dhe do të jenë të fshehur në ditën e zemërimit të Perëndisë. Për më tepër, ata gëzojnë shumë bekime që tani. Kanë mundësinë e bekuar për të folur «gjuhën e pastër» të së vërtetës së Biblës. (Sofonia 3:9, BR) Oratori vërejti: «Të flasim gjuhën e pastër nuk do të thotë vetëm të besojmë të vërtetën dhe t’ua mësojmë atë të tjerëve, por edhe ta harmonizojmë sjelljen tonë me ligjet dhe parimet e Perëndisë.»
Kongresistët pritnin me padurim dramën «Shembuj paralajmërues për ditët tona». Kjo dramë, e gjitha me kostume, tregoi se si mijëra izraelitë humbën jetën në kufirin e Tokës së Premtuar, sepse e harruan Jehovain dhe u joshën nga gratë pagane për të kryer kurvëri dhe adhurim të rremë. Një nga personazhet kryesore, Jamini, fillimisht ishte i lëkundur ndërmjet joshjes së grave moabite dhe devocionit të tij ndaj Jehovait. Arsyetimi i rremë dhe mënyra mashtruese e të menduarit e Zimrit të paperëndishëm spikatën në mënyrë të dukshme, siç spikati edhe devocioni i Fineasit. U portretizua në mënyrë të gjallë rreziku i përzierjes me ata që nuk e duan Jehovain.
Drama krijoi atmosferën për fjalimin pasues, «Mos u bëni dëgjues harraqë!». Një analizë e 1 Korintasve 10:1-10 tregoi se Jehovai provon bindjen tonë për të përcaktuar nëse e meritojmë ose jo të marrim trashëgimi në botën e re. Për disa veta, dëshirat e mishit i mënjanojnë synimet frymore, madje edhe tani, që jemi afër hyrjes në sistemin e ri. Të gjithë u inkurajuan të mos e humbasin mundësinë ‘për të hyrë në pushimin e Jehovait’.—Hebrenjve 4:1.
Fjalimi publik bazohej në temën: «Përse të jemi të vëmendshëm ndaj veprave të mrekullueshme të Perëndisë?» «Veprat e mrekullueshme» të Jehovait tregojnë mençurinë e tij dhe autoritetin që ka mbi gjithë krijimin fizik që na rrethon. (Jobi 37:14, BR) Disa pyetje zhbiruese që i bëri Jehovai, i mjaftuan Jobit për t’i ngulitur në mendje fuqinë e Krijuesit të plotfuqishëm. Jehovai do të bëjë ‘vepra të mrekullueshme’ edhe në të ardhmen, në dobi të shërbëtorëve të tij besnikë. Oratori mbaroi me fjalët: «Kemi arsye të bollshme për t’u kushtuar vëmendje veprave të mrekullueshme të Jehovait—atyre që ka bërë në të kaluarën, atyre që po bën përreth nesh në krijim sot dhe atyre që premton se do të bëjë në të ardhmen e afërt.»
Pas një përmbledhjeje të artikullit të studimit të Kullës së Rojës për atë javë, u prezantua fjalimi i fundit i kongresit. Me titullin «Të vlerësojmë shumë privilegjin tonë si zbatues të Fjalës së Perëndisë», ky fjalim nxitës theksoi se për ne është një nder të jemi zbatues të Fjalës së Perëndisë. (Jakovit 1:22) Auditorit iu kujtua se privilegji ynë si zbatues të Fjalës së Perëndisë është i pashoq dhe sa më shumë ta ushtrojmë atë, aq më shumë do të na shtohet vlerësimi për të. Të gjithë të pranishmit u inkurajuan të meditonin për nxitjen dobiprurëse që i jep ky kongres krahinor dëshirës së tyre për të qenë zbatues të Fjalës së Perëndisë në masën më të plotë. Kjo është e vetmja mënyrë për të provuar lumturinë më të madhe që është e mundur.
[Kutia dhe figura në faqen 25]
Ti mund të jesh miku i Perëndisë!
Të premten pasdite, u prezantua një broshurë e re me titull Ti mund të jesh miku i Perëndisë! Në shumë pjesë të botës ka një nevojë të madhe për arsimim të thjeshtuar biblik, dhe kjo broshurë do të përdoret për ta përmbushur këtë nevojë. Do të jetë një bekim i madh për njerëzit me aftësi leximi ose arsim të kufizuar.
[Kutia dhe figurat në faqen 26]
Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin
Kongresistët u drithëruan kur morën Vëllimin I të librit me dy vëllime Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin. Në këtë botim, i është vënë theksi vlerës praktike që kanë profecitë e Isaisë për ditët tona.