BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • w05 1/9 f. 8-12
  • Qëndroj besnik si ushtar i Krishtit

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Qëndroj besnik si ushtar i Krishtit
  • Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
  • Nëntema
  • Material i ngjashëm
  • Më çojnë në burgje të largëta
  • Në atë cep të izoluar arrin ushqimi frymor
  • Predikoj pa ndërprerje
  • Marr zemër nga një drejtim që s’e prisja
  • Prapë në burg, prapë predikoj
  • Ushtar i Krishtit
  • Hekurat e burgut nuk më ndanë dot nga Jehovai
    Jetëshkrime të Dëshmitarëve të Jehovait
  • Më shumë se 50 vjet ‘duke kaluar’
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1996
  • Duke pritur me durim Jehovain që nga rinia ime
    Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—1997
  • U bëra ballë vështirësive për t’i shërbyer Perëndisë
    Zgjohuni!—2005
Shih më tepër
Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait—2005
w05 1/9 f. 8-12

Jetëshkrim

Qëndroj besnik si ushtar i Krishtit

TREGUAR NGA JURI KAPTOLA

«Tani m’u mbush mendja që paske vërtet besim!» Këto fjalë erdhën nga një drejtim që s’e prisja, nga një oficer i ushtrisë sovjetike, dhe më dhanë zemër pikërisht atëherë kur duhej. Po vuaja një dënim me shumë vjet heqje lirie, dhe i isha përgjëruar me zjarr Jehovait për mbështetje. Më priste një luftë e gjatë, që do të kërkonte qëndrueshmëri e vendosmëri.

LINDA më 19 tetor 1962 dhe u rrita në Ukrainën Perëndimore. Po atë vit, babai im, që gjithashtu quhej Juri, u njoh me Dëshmitarët e Jehovait. S’kaloi shumë dhe ai u bë adhurues i Jehovait. Ishte i pari në fshatin tonë që mori të vërtetën. Veprimtaria e tij nuk i shpëtoi syrit të zyrtarëve që u kundërviheshin Dëshmitarëve të Jehovait.

Megjithatë, shumë nga fqinjët tanë i respektonin prindërit e mi për cilësitë e krishtere dhe se interesoheshin për të tjerët. Që kur ishim fare të vegjël, prindërit shfrytëzonin çdo rast që të rrënjosnin te tri motrat e mia dhe tek unë dashurinë për Perëndinë. Kjo më ndihmoi të përballoja problemet e shumta që hasja në shkollë. Në një rast, çdo nxënës duhej të vinte një distinktiv që e identifikonte si një nga Fëmijët e Tetorit të Leninit. Për të mbajtur asnjanësinë e krishterë, nuk e vura distinktivin, prandaj dallohesha nga gjithë të tjerët.​—Gjoni 6:15; 17:16.

Një herë tjetër, kur isha në klasën e tretë, të gjithë nxënësve iu kërkua të futeshin në organizatën e të rinjve komunistë, që njihej me emrin «Pionierët e rinj». Një ditë, klasën tonë e nxorën në oborrin e shkollës për ceremoninë e regjistrimit në organizatë. E kisha tmerr atë çast, se e dija që do të më tallnin e qesëndisnin. Të gjithë nxënësit, përveç meje, kishin marrë me vete shallin e kuq të pionierit dhe rrinin në një rresht të gjatë përballë drejtorit të shkollës, mësuesve dhe nxënësve të dalluar të shkollës. Kur nxënësve të dalluar u thanë të na lidhnin shallin në qafë, ula kokën e ndenja me sytë përdhe, duke shpresuar që askush të mos e kishte mendjen tek unë.

Më çojnë në burgje të largëta

Kur isha 18 vjeç, më dënuan me tre vjet burg, për shkak të asnjanësisë sime si i krishterë. (Isaia 2:4) Vitin e parë e kalova në qytetin e Trudovojes, në krahinën e Vinickajës, Ukrainë. Atje takova gati 30 Dëshmitarë të tjerë. Na kishin caktuar në grupe me nga dy veta, që të punonim të ndarë, pasi autoritetet nuk donin që të shoqëroheshim me njëri-tjetrin.

Në gusht të vitit 1982, bashkë me Eduardin, një Dëshmitar tjetër, na çuan në veri, në malet Urale, me tren me vagona-qeli. Përveç nesh, kishte edhe të burgosur të tjerë. Për tetë ditë, duruam vapën e tmerrshme dhe kushtet e këqija në vagonët e tejmbushur, derisa arritëm në burgun e Solikamskut, në krahinën e Permskajës. Mua dhe Eduardin na caktuan në qeli të ndryshme. Pas dy javësh më çuan edhe më në veri, në fshatin Vjels, në rajonin e Krasnovisherskit.

Arritëm atje në mes të natës, një natë pus e zezë. Edhe pse ishte errësirë, një oficer e urdhëroi grupin tonë që të kalonim me varka nëpër një lumë. Nuk e shihnim fare as lumin, as varkat. Megjithatë kërkuam me dorë nëpër terr, derisa prekëm një varkë dhe, ndonëse të frikësuar, ia dolëm ta kalonim lumin. Me të vënë këmbë në breg, u orientuam nga një dritë që dukej në një kodër aty afër, ku gjetëm ca çadra. Ky vend do të ishte banesa jonë e re. Unë ndenja në një çadër pak a shumë të madhe, me afro 30 të burgosur të tjerë. Në dimër, duronim temperaturat që nganjëherë shkonin në minus 40 gradë celsius, dhe çadra s’ishte fare e rehatshme. Puna kryesore e të burgosurve ishte të prisnin dru me sëpatë, kurse unë ndërtoja kasolle për të burgosurit.

Në atë cep të izoluar arrin ushqimi frymor

Isha i vetmi Dëshmitar atje, por Jehovai nuk më braktisi. Një ditë më erdhi një pako nga nëna, e cila banonte ende në Ukrainën Perëndimore. Kur roja hapi pakon, gjëja e parë që pa, ishte një Bibël e vogël. Ai e nxori dhe zuri ta shfletonte. Po vrisja mendjen çfarë të thosha që të mos ma konfiskonin këtë thesar frymor. «Ç’është kjo?!»​—më pyeti ashpër roja. Para se t’i përgjigjesha, një inspektor që po rrinte aty afër, ia priti: «Hë ore se fjalor është!» Unë s’thashë gjë. (Predikuesi 3:7) Inspektori kontrolloi pjesën tjetër të pakos, pastaj ma dorëzoi bashkë me Biblën e çmuar. Isha kaq i lumtur, sa i dhashë atij ca arra nga pakoja ime. Kur mora këtë pako, kuptova se Jehovai nuk më kishte harruar. Me shumë bujari, ai më ndihmoi dhe u kujdes për nevojat e mia frymore.​—Hebrenjve 13:5.

Predikoj pa ndërprerje

Pas pak muajsh, u befasova kur mora një letër nga një vëlla që ishte burgosur nja 400 kilometra larg meje. Ai më tha të kërkoja një burrë që kishte treguar interes dhe ndoshta ndodhej te kampi ku isha unë. Të shkruaje një letër kaq të hapur, ishte një veprim pa mend, pasi letrat na i censuronin. S’ishte çudi që njëri nga oficerët më thirri në zyrë dhe, me ashpërsi, më paralajmëroi që të mos predikoja. Pastaj më urdhëroi të firmosja një dokument ku thuhej se nuk do t’u flisja të tjerëve për bindjet e mia. Ia ktheva se nuk e kuptoja pse duhej ta firmosja atë dokument, kur të gjithë në kamp e dinin që isha Dëshmitar i Jehovait. I thashë se të burgosurit e tjerë donin të dinin pse më kishin futur brenda. E çfarë t’u thosha? (Veprat 4:20) Oficeri e kuptoi që nuk më trembte dot, ndaj vendosi të më hiqte qafe. Më dërguan në një kamp tjetër.

Më transferuan në fshatin Vajë, 200 kilometra larg. Përgjegjësit e atjeshëm e respektuan qëndrimin tim si i krishterë dhe nuk më caktuan në ndonjë punë që kishte të bënte me ushtrinë​—në fillim si marangoz, pastaj si elektricist. Mirëpo edhe këto punë kishin vështirësinë e tyre. Në një rast, më thanë të merrja veglat e të shkoja në klubin e fshatit. Sa vajta në klub, ushtarët u kënaqën kur më panë. Kishin ca probleme se nuk punonin mirë llambushkat që zbukuronin simbolet e ndryshme ushtarake. Ata donin t’i ndihmoja të riparonin ca gjëra, sepse po bëheshin gati për festën vjetore të Ushtrisë së Kuqe. Pasi u mendova e u luta se si duhej të veproja, u thashë se nuk e bëja dot atë lloj pune. U dhashë veglat e punës dhe u largova. Më denoncuan te zëvendësdrejtori dhe, për habinë time, kur dëgjoi ankesat, ua ktheu: «E respektoj për këtë. Ai është njeri parimor.»

Marr zemër nga një drejtim që s’e prisja

Më 8 qershor 1984, pikërisht pas tre vjetësh burgimi, më liruan. Me t’u kthyer në Ukrainë, duhej të regjistrohesha në polici si ish-i burgosur. Zyrtarët më thanë se pas gjashtë muajsh do të më nxirrnin prapë në gjyq dhe se do të ishte më mirë të largohesha fare nga ajo krahinë. Prandaj u largova nga Ukraina dhe me kalimin e kohës gjeta punë në Letoni. Për ca kohë, predikova dhe u shoqërova me një grup të vogël Dëshmitarësh që banonin në kryeqytet, në Rigë, dhe përreth saj. Megjithatë, vetëm pas një viti, më thirrën prapë për shërbimin ushtarak. Në zyrën e rekrutimit, i thashë oficerit se edhe më parë nuk kisha pranuar ta kryeja shërbimin ushtarak. Ai ulëriti: «A e kupton se çfarë po bën?! Le të shohim se ç’do t’i thuash nënkolonelit!»

Më shoqëroi në një zyrë në katin e dytë. Nënkoloneli ishte ulur pranë një tryeze të gjatë. Më dëgjoi me vëmendje teksa i shpjegoja qëndrimin tim, dhe pastaj më tha se kisha akoma kohë të mendohesha për këtë vendim, para se të dilja para komisionit të rekrutimit. Siç dolëm nga zyra e nënkolonelit, oficeri që më kishte qortuar në fillim, pranoi: «Tani m’u mbush mendja që paske vërtet besim!» Kur dola para komisionit të rekrutimit, përsëri u bëra të ditur qëndrimin tim si asnjanës dhe, për momentin, më lanë të lirë.

Atëherë jetoja në një pension. Një mbrëmje, në derë u dëgjua një e trokitur e lehtë. E hapa dhe pashë një burrë me kostum e me një çantë-valixhe në dorë. U prezantua e më tha: «Jam i Sigurimit të Shtetit. E di që ke ca vështirësi dhe se po del para gjyqit.» «Po, ashtu është»,​—iu përgjigja. Burri vazhdoi: «Ne mund të të ndihmojmë, po pranove të punosh për ne.» «Jo, nuk e bëj dot këtë,​—ia ktheva.​—Do të mbetem besnik ndaj bindjeve të mia si i krishterë.» Nuk u orvat më të më mbushte mendjen, por u largua.

Prapë në burg, prapë predikoj

Më 26 gusht 1986, Gjykata Kombëtare e Rigës më dënoi me katër vjet punë të detyruar, dhe më çuan në Burgun Qendror të Rigës. Më vunë në një qeli të madhe bashkë me 40 të burgosur të tjerë, dhe u mundova t’i predikoja çdo të burgosuri në qeli. Disa thoshin se besonin te Perëndia, kurse të tjerët vetëm sa talleshin. Kisha vënë re se burrat bëheshin grupe-grupe, dhe pas dy javësh udhëheqësit e këtyre grupeve më thanë se nuk më lejohej të predikoja, meqë nuk ndiqja rregullat e tyre. U shpjegova se pikërisht për këtë punë isha në burg: unë zbatoja ligje të tjera.

Vazhdova të predikoja me kujdes dhe, kur gjeta disa që ishin të dhënë pas gjërave fetare, studiova Biblën me katër prej tyre. Gjatë studimit, ata i shkruanin mësimet themelore të Biblës në një bllok. Pas ca muajsh më shpunë në një kamp të sigurisë së lartë në Valmierë, ku punova si elektricist. Atje studiova Biblën me një elektricist tjetër, që pas katër vjetësh u bë Dëshmitar i Jehovait.

Më 24 mars 1988, më transferuan nga kampi i sigurisë së lartë në një kamp të zakonshëm që ndodhej aty afër. Ky ishte një bekim i vërtetë, pasi kisha më tepër liri. Më caktuan të punoja në kantiere të ndryshme, dhe vazhdimisht kërkoja raste për të predikuar. Shpesh isha jashtë kampit e predikoja deri në darkë vonë, dhe kurrë nuk e pata të vështirë të kthehesha në vendin ku banoja.

Jehovai më bekoi për përpjekjet. Në atë zonë kishte disa Dëshmitarë, mirëpo në qytet banonte vetëm një motër e moshuar, Vilma Kruminia. Bashkë me motër Kruminian filluam të drejtonim shumë studime biblike me të rinj në moshë. Me raste, vinin disa vëllezër e motra nga Riga për të dalë me ne në shërbim. Gjithashtu vinin edhe ca pionierë të rregullt nga Leningradi (tani Shën-Pjetërburgu). Me ndihmën e Jehovait, zumë tërë ato studime, dhe pas ca kohësh unë fillova si pionier, pra i kushtoja veprës së predikimit 90 orë në muaj.

Më 7 prill 1990, çështja ime u rishqyrtua nga Gjykata Popullore në Valmierë. Kur filloi seanca, pashë prokurorin dhe m’u duk fytyrë e njohur. Ishte një djalë i ri me të cilin dikur kisha folur për Biblën. Ai më njohu dhe më buzëqeshi, por nuk më tha gjë. Ende e kujtoj gjykatësin, që atë ditë më tha në gjyq: «Juri, vendimi për të të burgosur ty, katër vjet më parë, ishte një vendim i pabazuar në ligj. Nuk duhej të të dënonin.» Sa hap e mbyll sytë, isha i lirë!

Ushtar i Krishtit

Në qershor të vitit 1990, prapë më duhej të regjistrohesha te zyra e rekrutimit që të nxirrja një leje të përhershme banimi në Rigë. Hyra në po atë zyrë ku ndodhej e njëjta tryezë e gjatë dhe ku para katër vjetësh i kisha thënë nënkolonelit se nuk do të futesha në ushtri. Këtë radhë, ai u çua të më përshëndeste, më shtrëngoi dorën e më tha: «Ishte një turp që t’u desh të kaloje gjithë këto vuajtje. Më vjen keq që shkuan punët ashtu.»

Iu përgjigja: «Unë jam ushtar i Krishtit, dhe duhet të përmbush misionin tim. Me ndihmën e Biblës, edhe ti mund të gëzosh atë që u premtoi Krishti ithtarëve të vet​—një jetë të lumtur e të pafundme.» (2 Timoteut 2:3, 4) Koloneli më tha: «S’ka shumë që bleva një Bibël dhe po e lexoj.» Kisha me vete librin Ti mund të jetosh përgjithmonë në parajsë në Tokë.a E hapa te kapitulli që fliste për shenjën e ditëve të fundit dhe i tregova si flisnin për kohën tonë profecitë e Biblës. Koloneli ma shtrëngoi prapë dorën me respekt të thellë dhe më uroi sukses në veprën time.

Në atë kohë, në Letoni fusha ishte vërtet e bardhë dhe gati për korrje. (Gjoni 4:35) Në vitin 1991, fillova të shërbeja si plak kongregacioni. Dhe të mendosh që në gjithë vendin kishte vetëm dy pleq të emëruar. Pas një viti, kongregacioni i vetëm i Letonisë u nda në dy​—njëri në gjuhën letoneze e tjetri në gjuhën ruse. Pata privilegjin të shërbeja në kongregacionin e gjuhës ruse. Rritja ishte kaq e shpejtë, sa pas një viti kongregacioni ynë u nda në tre. Kur mendoj për të kaluarën, duket qartë që ishte Jehovai ai që i drejtonte delet për tek organizata e tij.

Në 1998-n, më caktuan pionier special në Jelgavë, një qytet 40 kilometra në jugperëndim të Rigës. Po atë vit, më ftuan të ndiqja Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, në gjuhën ruse në Solneknoje, afër Shën-Pjetërburgut, Rusi. Isha i pari nga Letonia që ndiqja këtë shkollë. Atje kuptova sa e rëndësishme është të jemi të përzemërt me njerëzit, që të kemi sukses në shërbim. Por, më tepër se gjithë ç’mësuam në shkollë, më la mbresa të thella dashuria dhe interesimi që na tregoi familja Bethel dhe instruktorët e shkollës.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme në jetën time ishte në vitin 2001, kur u martova me Karinën, një e krishterë e mrekullueshme. Edhe ajo u bashkua me mua në shërbimin e plotkohor special. Çdo ditë marr zemër kur shoh time shoqe që kthehet nga shërbimi aq e kënaqur. Faktikisht, kur i shërben Jehovait, ndihesh tejet i gëzuar. Përvojat e hidhura në regjimin komunist më mësuan të besoj plotësisht te Jehovai. Asnjë sakrificë nuk është tepër e madhe për atë që dëshiron të mbajë miqësinë me Jehovain dhe të përkrahë sovranitetin e tij. Ngaqë kam ndihmuar të tjerët të mësojnë për Jehovain, jeta ime ka pasur një qëllim. Ka qenë dhe është një privilegj i jashtëzakonshëm për mua t’i shërbej Jehovait «si një ushtar i shkëlqyer i Krishtit Jezu»!​—2 Timoteut 2:3.

[Shënimi]

a Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 10]

Më dënuan me katër vjet punë të detyruar dhe më futën në Burgun Qendror të Rigës

[Figura në faqen 12]

Me Karinën në shërbim

    Botimet shqip (1993-2025)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2025 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo