Agjërimi—A të afron më shumë me Perëndinë?
«Agjërimi është diçka që të ndihmon të meditosh për marrëdhënien tënde me Perëndinë dhe që të kujton se gjërat materiale nuk janë më të rëndësishmet në jetë.»—NJË KATOLIKE.
«Agjërimi të ndihmon të lidhesh shpirtërisht me Perëndinë.»—NJË RABIN JUDE.
«Në fenë time, agjërimi është i detyrueshëm, është kolona e besimit tim që tregon përkushtimin dhe mirënjohjen ndaj Perëndisë. Agjëroj sepse e dua Perëndinë.»—NJË BESIMTAR I FESË BAHA’I.
AGJËRIMI është një praktikë e zakonshme në shumë fe të botës, përfshirë në budizëm, hinduizëm, islamizëm, jainizëm dhe judaizëm. Shumë besojnë se po të përmbahesh nga ushqimi për një periudhë kohe, afrohesh më shumë me Perëndinë.
Çfarë mendon? A duhet të agjërosh? Çfarë thotë për këtë temë Fjala e Perëndisë, Bibla?
Agjërimi në kohët biblike
Në kohët biblike, njerëzit agjëronin për arsye të ndryshme që Perëndia i miratonte. Disa agjëronin për të shprehur trishtim të jashtëzakonshëm ose pendim për mëkatet (1 Samuelit 7:4-6), për të kërkuar miratimin e Perëndisë ose drejtimin e tij (Gjykatësit 20:26-28; Luka 2:36, 37) ose për t’u përqendruar më shumë gjatë meditimit.—Mateu 4:1, 2.
Megjithatë, Bibla flet edhe për agjërime që Perëndia nuk i miratonte. Mbreti Saul agjëroi para se të këshillohej me një medium. (Levitiku 20:6; 1 Samuelit 28:20) Njerëz të ligj të tillë, si Jezebela dhe fanatikët që kurdisën plane për të vrarë apostullin Pavël, shpallën agjërime. (1 Mbretërve 21:7-12; Veprat 23:12-14) Farisenjtë njiheshin për faktin që agjëronin rregullisht. (Marku 2:18) E megjithatë, Jezui i dënoi dhe ata nuk i bënin ndonjë përshtypje Perëndisë. (Mateu 6:16; Luka 18:12) Po kështu, Jehovai i shpërfilli agjërimet e disa izraelitëve për shkak të sjelljes së tyre të keqe dhe të motiveve të gabuara.—Jeremia 14:12.
Këta shembuj tregojnë se nuk është akti i agjërimit në vetvete që i pëlqen Perëndisë. Megjithatë, shumë shërbëtorë të sinqertë të Perëndisë që agjëruan, u miratuan prej tij. Atëherë, a duhet të agjërojnë të krishterët?
A është i detyrueshëm agjërimi për të krishterët?
Ligji i Moisiut urdhëronte që judenjtë ‘të mundonin shpirtin’, domethënë të agjëronin një herë në vit, në Ditën e Shlyerjes. (Levitiku 16:29-31; Psalmi 35:13) Ky ishte i vetmi agjërim që Jehovai kishte urdhëruar të mbante populli i tij.a Judenjtë që jetonin sipas Ligjit të Moisiut do t’i jenë bindur këtij urdhri. Por, të krishterëve nuk u kërkohet të zbatojnë Ligjin e Moisiut.—Romakëve 10:4; Kolosianëve 2:14.
Megjithëse Jezui agjëronte siç e kërkonte Ligji, ai nuk njihej për kryerjen e kësaj praktike. Ai u tha dishepujve se si të vepronin nëse vendosnin të agjëronin, por kurrë nuk i urdhëroi të agjëronin. (Mateu 6:16-18; 9:14) Pse atëherë Jezui tha se dishepujt do të agjëronin pas vdekjes së tij? (Mateu 9:15) Ky nuk ishte një urdhër. Fjalët e Jezuit thjesht nënkuptojnë se kur ai të vdiste, dishepujt do të ndienin trishtim të thellë dhe nuk do të kishin dëshirë për të ngrënë.
Dy tregime biblike rreth të krishterëve të hershëm që agjëruan, tregojnë që, nëse një person, i nisur nga motive të mira, vendos të përmbahet nga ushqimi, kjo është e pranueshme për Perëndinë. (Veprat 13:2, 3; 14:23)b Pra, të krishterët nuk janë nën asnjë detyrim për të agjëruar. Megjithatë, dikush që vendos të agjërojë, duhet të ketë kujdes nga disa rreziqe.
Kujdes nga grackat
Një grackë që duhet shmangur në lidhje me agjërimin, është se mund të ndihesh më i drejtë se të tjerët. Bibla paralajmëron kundër ‘përulësisë së shtirur’. (Kolosianëve 2:20-23) Ilustrimi i Jezuit për fariseun krenar që ndihej më i lartë se të tjerët nga ana morale, ngaqë agjëronte rregullisht, nuk lë dyshim se Perëndia nuk e miraton këtë qëndrim.—Luka 18:9-14.
Gjithashtu, do të ishte gabim ta bëje publike që po agjëron ose të agjëroje ngaqë dikush të thotë ta bësh. Sipas Mateut 6:16-18, Jezui këshilloi se agjërimi duhet të jetë një gjë personale, midis teje dhe Perëndisë, dhe se nuk duhet ta bësh publike.
Një njeri nuk duhet të mendojë kurrë se në njëfarë mënyre agjërimi shlyen mëkatet. Që të pranohet nga Perëndia, agjërimi duhet të shoqërohet me bindjen ndaj ligjeve të Tij. (Isaia 58:3-7) Ajo që çon në faljen e mëkateve është pendimi nga zemra, jo akti i agjërimit. (Joeli 2:12, 13) Bibla thekson se ne e marrim faljen nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait e shprehur nëpërmjet flijimit të Krishtit. Është e pamundur të fitosh faljen me anë të ndonjë lloj vepre, madje as me anë të agjërimit.—Romakëve 3:24, 27, 28; Galatasve 2:16; Efesianëve 2:8, 9.
Isaia 58:3 ilustron një gabim tjetër të zakonshëm. Izraelitët linin të nënkuptohej se Jehovai u detyrohej diçka në këmbim të agjërimit që mbanin, sikur nëpërmjet agjërimit po i bënin një favor Atij. Ata pyetën: «Pse të agjërojmë, kur ti nuk na sheh? Pse ta mundojmë shpirtin tonë, kur ti s’e vë re?» Po njësoj edhe sot, shumë mendojnë se, meqë agjërojnë, mund të presin që Perëndia t’u bëjë ndonjë favor në këmbim. Mos e imitofshim kurrë një qëndrim të tillë pa respekt dhe jobiblik!
Të tjerë besojnë se është e mundur të fitosh miratimin e Perëndisë duke e munduar trupin me anë të agjërimit, fshikullimit të vetes ose gjërave të tjera si këto. Fjala e Perëndisë e dënon këtë mënyrë të menduari, duke treguar se ‘një trajtim i ashpër i trupit, nuk ka kurrfarë vlere në luftën kundër’ dëshirave të gabuara.—Kolosianëve 2:20-23.
Një pikëpamje e ekuilibruar
Agjërimi nuk është as i detyrueshëm, as i gabuar. Mund të jetë dobiprurës në disa rrethana nëse shmangen rreziqet e përmendura më sipër. Por, agjërimi nuk është gjëja më e rëndësishme e adhurimit që pranohet nga Perëndia. Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’ dhe do që shërbëtorët e tij të jenë të lumtur. (1 Timoteut 1:11) Vetë Fjala e tij thotë se s’ka gjë më të mirë për çdo njeri sesa «të hajë e të pijë e të shohë të mira për gjithë mundin e tij. Është dhuratë nga Perëndia.»—Eklisiastiu 3:12, 13.
Adhurimi ynë duhet të karakterizohet nga gëzimi, por Bibla kurrë nuk e lidh agjërimin me lumturinë. Për më tepër, Krijuesi u ka besuar të krishterëve të vërtetë veprën e gëzuar të shpalljes së lajmit të mirë për Mbretërinë. Nëse përmbajtja nga ushqimi do të ndikonte për keq në shëndetin tonë ose do të na shteronte energjitë për këtë vepër, atëherë agjërimi nuk do të ishte aspak dobiprurës.
Pavarësisht nëse vendosim të agjërojmë ose jo, nuk duhet të gjykojmë të tjerët. Mes të krishterëve të vërtetë nuk duhet të ketë polemika për këtë temë, «sepse mbretëria e Perëndisë nuk do të thotë të hash e të pish, por do të thotë drejtësi, paqe dhe gëzim me frymë të shenjtë».—Romakëve 14:17.
[Shënimet]
a Agjërimi i Esterës, që mbahej para Festës së Purimit, nuk ishte urdhëruar nga Perëndia, ndonëse duket se ai e miratonte.
b Disa versione të Biblës përmbajnë referime joautentike në lidhje me agjërimin, por këto shtesa nuk ndodhen në dorëshkrimet më të lashta greke.—Mateu 17:21; Marku 9:29; Veprat 10:30; 1 Korintasve 7:5, Diodati i Ri.
[Diçitura në faqen 28]
Farisenjtë shfaqnin përulësi të shtirur kur agjëronin
[Diçitura në faqen 29]
«Mbretëria e Perëndisë nuk do të thotë të hash e të pish, por do të thotë drejtësi, paqe dhe gëzim»
[Kutia në faqen 29]
Ç’mund të thuhet për kreshmët?
Agjërimi 40-ditor gjatë kreshmëve, thuhet se përkujton agjërimin 40-ditor të Krishtit. Por, Jezui kurrë nuk i urdhëroi dishepujt të përkujtonin agjërimin e tij, e as nuk ka ndonjë provë se ata vepronin kështu. Burimi i parë i besueshëm ku përmendet agjërimi 40-ditor para Pashkës, mendohet se janë letrat e Athanasit, një kryepeshkop ortodoks, të cilat datojnë në vitin 330 të e.s.
Meqënëse Jezui agjëroi pas pagëzimit dhe jo para vdekjes, mund të duket e çuditshme që disa fe mbajnë kreshmët gjatë javëve para Pashkës. Megjithatë, një agjërim 40-ditor në pjesën e parë të vitit ishte i zakonshëm ndër babilonasit, egjiptianët dhe grekët e lashtë. Zakoni «i krishterë» me sa duket u huazua prej këtyre kombeve.