Shkolla e Shërbimit Teokratik
Qëllimi: T’i stërvitë lajmëtarët të jenë predikues e mësues të efektshëm të lajmit të mirë.
Kohëzgjatja: Në vazhdimësi.
Vendi: Në Sallën e Mbretërisë.
Kualifikimet: Të gjithë ata që shoqërohen rregullisht me kongregacionin, që i pranojnë mësimet e Biblës dhe që jetojnë në harmoni me parimet e krishtere.
Regjistrimi: Mbikëqyrësi i Shkollës së Shërbimit Teokratik regjistron studentët.
Sharoni, që është e paralizuar nga skleroza anësore amiotrofike (ALS), thotë: «Shkolla e Shërbimit Teokratik më ka mësuar të bëj kërkime dhe ta shtjelloj informacionin në mënyrë logjike. Gjithashtu, kam mësuar të përqendrohem te nevojat frymore të të tjerëve, jo vetëm te të miat.»
Arni, që shërben prej shumë kohësh si mbikëqyrës udhëtues, thotë: «Në fëmijëri më mbahej goja dhe e kisha të zorshme t’i shihja në sy të tjerët. Kjo shkollë më ka ndihmuar të fitoj siguri dhe vlerësimin për veten. Falë ndihmës që më ka dhënë Jehovai nëpërmjet kësaj stërvitjeje, kam mësuar teknika frymëmarrjeje dhe përqendrimi. I jam tepër mirënjohës Perëndisë që jam i aftë ta lëvdoj në kongregacion dhe në shërbim.»
Shkolla për të Sapoardhurit në Bethel
Qëllimi: T’i ndihmojë të sapoardhurit në Bethel të kenë sukses në shërbimin e tyre.
Kohëzgjatja: 45 minuta çdo javë për 16 javë.
Vendi: Në Bethel.
Kualifikimet: Duhet të jetë anëtar i emëruar i familjes Bethel ose vullnetar i përkohshëm që është miratuar të shërbejë në Bethel një vit a më shumë.
Regjistrimi: Anëtarët e rinj të familjes Bethel regjistrohen automatikisht.
Demetri, që e ka bërë këtë shkollë në vitet 80, thotë: «Ky kurs më përmirësoi zakonet e studimit dhe më përgatiti për një shërbim të gjatë në Bethel. Instruktorët, programi mësimor e këshillat praktike më bindën për merakun e dashur të Jehovait dhe se ai donte të kisha sukses në shërbimin tim në Bethel.»
Ketlina komenton: «Shkolla për të Sapoardhurit më ndihmoi të përqendrohem te gjëja më e rëndësishme—të jem njeri frymor, që i bën gjërat siç i pëlqejnë Jehovait. Më ka thelluar çmueshmërinë për Jehovain, për shtëpinë e tij dhe për organizatën e tij.»
Shkolla e Shërbimit të Mbretërisë
Qëllimi: T’i stërvitë mbikëqyrësit udhëtues, pleqtë e hera-herës edhe shërbëtorët ndihmës që të kujdesen për përgjegjësitë e mbikëqyrjes dhe ato organizative. (Vep. 20:28) Trajtohen situata e prirje aktuale dhe nevojat e ngutshme të kongregacioneve. Kjo shkollë mbahet një herë në disa vjet, si ta vendosë Trupi Udhëheqës.
Kohëzgjatja: Vitet e fundit, kjo shkollë ka zgjatur dy deri në dy ditë e gjysmë për mbikëqyrësit udhëtues, një ditë e gjysmë për pleqtë dhe një ditë për shërbëtorët ndihmës.
Vendi: Zakonisht në një Sallë Mbretërie ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Duhet të jetë mbikëqyrës udhëtues, plak ose shërbëtor ndihmës.
Regjistrimi: Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës marrin një ftesë nga mbikëqyrësi qarkor. Mbikëqyrësit udhëtues i fton zyra e degës.
«Edhe pse programi është i ngjeshur dhe i përmbledhur, shkolla i forcon pleqtë dhe i ndihmon të ruajnë gëzimin e ‘të sillen si burrat’ në shërbim të Jehovait. Si pleqtë e rinj, si ata që shërbejnë prej shumë vitesh mësojnë të jenë barinj të efektshëm dhe të jenë të bashkuar si duhet ‘në të njëjtën vijë mendimi’.»—Kuini
«Ishte një stërvitje e ekuilibruar në mënyrë të përkryer që njëherazi na thelloi kuptueshmërinë frymore, na paralajmëroi për rreziqet e na dha sugjerime praktike se si të kujdesemi për kopenë. Sa i dashur është Jehovai që na ndihmon!»—Majkëlli.
Shkolla e Shërbimit për Pionierë
Qëllimi: T’i ndihmojë pionierët ‘të kryejnë plotësisht shërbimin e tyre’.—2 Tim. 4:5.
Kohëzgjatja: Dy javë.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës; zakonisht në një Sallë Mbretërie.
Kualifikimet: Duhet të ketë qenë pionier i rregullt për një vit a më shumë.
Regjistrimi: Pionierët që plotësojnë kërkesën e mësipërme regjistrohen automatikisht dhe njoftohen nga mbikëqyrësi qarkor.
«Kjo shkollë më ka ndihmuar të përballoj vështirësitë në shërbim dhe në jetë. E kam përmirësuar goxha mënyrën si studioj, si i mësoj të tjerët dhe si e përdor Biblën. Jam më e përgatitur të ndihmoj njerëzit, të mbështet pleqtë dhe të kontribuoj në rritjen e kongregacionit»,—thotë Lili
Brenda, që e ka bërë dy herë këtë shkollë, vëren: «Falë saj, u zhyta kokë e këmbë në gjërat frymore, m’u forcua ndërgjegjja dhe u përqendrova si të ndihmoj të tjerët. Sa bujar është Jehovai!»
Shkolla për Pleqtë e Kongregacionit
Qëllimi: T’i ndihmojë pleqtë të kujdesen për përgjegjësitë në kongregacion dhe të kenë kuptueshmëri më të thellë për atë që kërkon Jehovai prej tyre.
Kohëzgjatja: Pesë ditë.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës; zakonisht në një Sallë Mbretërie ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Duhet të jetë plak i emëruar.
Regjistrimi: Pleqtë marrin një ftesë nga zyra e degës.
Ja komentet e disave që ndoqën klasën e 92-të në Shtetet e Bashkuara:
«Shkolla më ka sjellë shumë dobi, pasi më ka ndihmuar të shqyrtoj veten dhe të kuptoj si mund të kujdesem për delet e Jehovait.»
«Jam më i përgatitur t’i inkurajoj të tjerët duke theksuar pika kryesore nga Shkrimet.»
«Kjo stërvitje do të më vlejë për tërë jetën.»
Shkolla për Mbikëqyrësit Udhëtues dhe Gratë e tyre
Qëllimi: T’i ndihmojë mbikëqyrësit qarkorë e krahinorë t’u shërbejnë më me efektshmëri kongregacioneve ndërsa «punojnë pa u lodhur në fjalë dhe në mësimdhënie».—1 Tim. 5:17; 1 Pjet. 5:2, 3.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës.
Kualifikimet: Vëllai duhet të jetë mbikëqyrës qarkor ose krahinor.
Regjistrimi: Mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre marrin ftesë nga zyra e degës.
«Pamë qartë si e ushtron Jezui kryesinë mbi organizatën. Kuptuam sa e nevojshme është t’i inkurajojmë vëllezërit të cilëve u shërbejmë dhe të forcojmë unitetin e çdo kongregacioni. Ky kurs na nguliti në mendje se, ndonëse hera-herës mbikëqyrësi udhëtues jep këshilla ose edhe ndreq, synimi i tij kryesor është t’i ndihmojë vëllezërit të kuptojnë se Jehovai i do.»—Xhoeli, klasa e 1-rë, 1999.
Shkolla Biblike për Vëllezërit Beqarë
Qëllimi: Të përgatitë pleq dhe shërbëtorë ndihmës beqarë që të mbajnë përgjegjësi të mëtejshme në organizatën e Jehovait. Shumë të diplomuar caktohen të shërbejnë në vendin e tyre, ku të ketë nevojë. Të tjerë mund të caktohen në një shtet tjetër, nëse janë të gatshëm. Disa të diplomuar mund të shërbejnë si pionierë specialë të përkohshëm që të nisin dhe të zgjerojnë veprën në zona të thella e të izoluara.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Përcaktohet nga zyra e degës; zakonisht në një Sallë Mbretërie ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Vëllezër beqarë nga mosha 23 deri në 62 vjeç që gëzojnë shëndet të mirë dhe që duan të shërbejnë ku ka më shumë nevojë. (Mar. 10:29, 30) Duhet të kenë shërbyer të paktën dy vjet si pionierë të rregullt dhe të kenë shërbyer minimumi dy vjet pa ndërprerje si pleq ose shërbëtorë ndihmës.
Regjistrimi: Në asamblenë qarkore mbahet një mbledhje ku u jepen informacione të interesuarve.
Riki, nga klasa e 23-të në Shtetet e Bashkuara, thotë: «U përfshiva tërësisht në kurs, e kështu lejova që fryma e Jehovait të bënte ndryshime thellë brenda meje. Kur Jehovai të ofron një caktim, të mbështet në atë caktim. Mësova se, po të përqendrohem te vullneti i Perëndisë e jo te vetja, ai do të më forcojë.»
Andreasi, që shërben në Gjermani, vëren: «Mësova ta çmoja organizatën e Perëndisë si një mrekulli të ditëve tona. Kjo stërvitje më ndihmoi të përgatitem për punën që më pret. Veç kësaj, shumë shembuj nga Bibla më mësuan këtë të vërtetë thelbësore: t’u shërbesh vëllezërve dhe Jehovait, të sjell lumturi të vërtetë.»
Shkolla Biblike për Çiftet e Krishtere
Qëllimi: T’u japë çifteve të martuara stërvitje të posaçme që të përdoren në mënyrë më të plotë nga Jehovai dhe nga organizata e tij. Mjaft të diplomuar caktohen të shërbejnë atje ku ka më shumë nevojë në vendin e tyre. Disa mund të caktohen në një shtet tjetër, nëse janë të gatshëm. Të diplomuarit mund të shërbejnë si pionierë specialë të përkohshëm që të nisin dhe të zgjerojnë veprën në zona të thella e të izoluara.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Kjo shkollë bëhet në Shtetet e Bashkuara dhe, duke filluar nga shtatori 2012, do të mbahet edhe në territorin e degëve të caktuara përqark botës, zakonisht në një Sallë Mbretërie ose në një Sallë Asamblesh.
Kualifikimet: Çifte të martuara të moshave 25-50 vjeç me shëndet të mirë, që i kanë rrethanat të shërbejnë ku ka më shumë nevojë dhe që kanë qëndrimin: «Ja ku jam! Më dërgo mua!» (Isa. 6:8) Duhet të jenë të martuar të paktën prej dy vjetësh dhe të jenë në shërbimin e plotkohor të paktën prej dy vjetësh rresht. Burri duhet të jetë plak ose shërbëtor ndihmës nga të paktën dy vjet rresht.
Regjistrimi: Në kongresin krahinor mbahet një mbledhje për t’u dhënë informacione atyre që duan të regjistrohen. Nëse kjo mbledhje nuk mbahet në kongreset në vendin tuaj dhe doni të bëni kërkesë, mund t’i shkruani zyrës së degës për informacione të mëtejshme.
«Vërtet tetë javë që të ndryshojnë jetën dhe një mundësi e shkëlqyer për çiftet që synojnë të bëjnë më shumë! Jemi të vendosur të vazhdojmë të bëjmë një jetë të ekuilibruar që do të na japë mundësi ta përdorim kohën me mençuri.»—Eriku dhe Korina (poshtë), klasa e 1-rë, 2011.
Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit
Qëllimi: T’i stërvitë studentët të shërbejnë si misionarë në zona me popullsi të dendur, të jenë mbikëqyrës udhëtues ose të jenë bethelitë. Synimi është të forcojnë dhe t’i japin më shumë qëndrueshmëri organizimit të shërbimit dhe të degëve.
Kohëzgjatja: Pesë muaj.
Vendi: Në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA.
Kualifikimet: Çifte të martuara që shërbejnë në ndonjë formë të shërbimit special në kohë të plotë—si misionarë që nuk e kanë bërë shkollën, si pionierë specialë, si mbikëqyrës udhëtues ose si bethelitë. Duhet të kenë qenë në këtë shërbim së bashku të paktën prej tre vjetësh pa ndërprerje. Duhet të flasin, të lexojnë e të shkruajnë mirë anglisht.
Regjistrimi: Komiteti i Degës mund t’i ftojë çiftet të bëjnë kërkesë.
Ladi dhe Monika nga Shtetet e Bashkuara shërbejnë tani në Afrikë. Ladi thotë: «Shkolla e Galaadit na përgatiti të shkonim në çfarëdo vendi të botës, të përvishnim mëngët dhe të punonim tok me vëllezërit tanë të dashur.»
Monika shton: «Ndërsa i zbatoj ato që kam mësuar nga Fjala e Perëndisë, provoj shumë gëzim në caktimin tim. Këtë gëzim e shoh si një provë tjetër të dashurisë së Jehovait.»
Shkolla për Anëtarët e Komiteteve të Degëve dhe Gratë e tyre
Qëllimi: T’i ndihmojë anëtarët e Komiteteve të Degëve të mbikëqyrin shtëpitë Bethel, t’u kushtojnë vëmendje çështjeve të shërbimit që ndikojnë te kongregacionet dhe të mbikëqyrin qarqet e krahinat. Gjithashtu, mësojnë rreth përkthimit, shtypjes dhe dërgimit të literaturës.
Kohëzgjatja: Dy muaj.
Vendi: Në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, SHBA.
Kualifikimet: Vëllai duhet të jetë anëtar i Komitetit të Degës a i Komitetit të Vendit ose do të emërohet si i tillë pas kësaj shkolle.
Regjistrimi: Vëllezërit dhe gratë e tyre marrin një ftesë nga Trupi Udhëheqës.
Louelli dhe Kera, nga klasa e 25-të, shërbejnë në Nigeri. Louelli thotë: «Kursi më ndihmoi të mbaja parasysh se, sado i zënë të jem ose çfarëdo pune të më jetë caktuar, çelësi për t’i pëlqyer Jehovait është t’i bëj gjërat siç do ai. Gjithashtu, u theksua se mënyra si i trajtojmë të tjerët duhet të pasqyrojë mbi të gjitha dashurinë që u tregon Jehovai shërbëtorëve të vet.»
Kera shton: «Një koment që e kam bluar në mendje është ky: nëse nuk e shpjegoj dot thjesht një pikë, kam nevojë ta studioj këtë temë para se të përpiqem t’ua mësoj të tjerëve.»