T’u mësojmë studentëve si ta përdorin Biblën
1 «Kur e morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.» (1 Sel. 2:13) Si të krishterë të vërtetë, neve na intereson të lëmë Biblën të flasë. Prandaj, kur drejtojmë një studim biblik, ta ndihmojmë studentin që të kuptojë se po mëson mendimet e Jehovait, jo mendimet e njeriut. Duke u mësuar studentëve ta përdorin mirë Biblën, mund t’ua shtojmë sigurinë që kanë te Shkrimet, mund të ndërtojmë një themel të fortë për besimin dhe mund të rritim aftësinë e tyre për t’i mbrojtur bindjet që kanë me anë të Biblës.—2 Tim. 3:16, 17; 1 Pjet. 3:15.
2 Kur fillojmë t’i mësojmë studentit që të përdorë Biblën? Si ia mësojmë renditjen e librave të Biblës dhe mënyrën si t’i gjejë shkrimet? Çfarë mund të bëjë personalisht studenti për të mësuar disa shkrime kyçe dhe si mund ta ndihmojmë për këtë? Ka disa metoda që mund të përdoren me sukses.
3 Të përdorim Biblën: Që në fillim, t’i tregojmë studentit atë faqe në Bibël ku renditen të gjithë librat e Biblës dhe t’i shpjegojmë si mund ta gjejë secilin prej tyre. Shumë shkrime citohen në botimet e Shoqatës dhe të tjerë përmenden, por nuk citohen. Së pari, mund të jetë e këshillueshme që t’i kërkojmë dhe t’i lexojmë të gjitha shkrimet në Bibël, duke theksuar kështu faktin që ky është një studim i Biblës. Kjo do të kërkojë pak më shumë kohë, por do ta ndihmojë studentin që të njihet me Biblën e tij. Do t’i zhvillojë, gjithashtu, sigurinë se ajo që thuhet në botime bazohet në Bibël.
4 Kur studenti bën pyetje, ta ndihmojmë që t’i gjejë përgjigjet në Bibël, duke kërkuar shkrimet e përshtatshme. Në këtë mënyrë do të kuptojë se po merr përgjigje nga Perëndia për pyetjet e tij. (Gjoni 17:17) Ta ndihmojmë studentin të arsyetojë në bazë të shkrimeve dhe ta kuptojë plotësisht përgjigjen e Biblës. Në fund të studimit, po të duam mund të rishikojmë dy ose tri shkrime kyçe, duke e ftuar studentin që t’i kërkojë vetë në Bibël e t’i shpjegojë me fjalët e veta. Kjo do t’i japë mundësi ta mbrojë besimin e tij me anë të Biblës. Gjithashtu, duke përdorur Biblën ai do të mësojë të flasë me autoritet dhe me bindje kur t’u tregojë të tjerëve atë që po mëson.—Vep. 17:1-3.
5 Ta inkurajojmë studentin që të kërkojë arsyen përse janë vënë citimet biblike, kur përgatit mësimin për studimin e tij personal, për Studimin e Kullës së Rojës dhe për mbledhjet e tjera. Kështu, do të jetë i përgatitur për ta përdorur mirë Biblën gjatë mbledhjeve dhe të bëjë komente të bazuara në Bibël lidhur me materialin e studimit. Veç kësaj, t’i tregojmë edhe listën «Renditja e fjalëve biblike» në pjesën e fundit të Shkrimeve të Krishtere Greke Përkthimi Bota e Re. Kjo renditje do ta ndihmojë të gjejë shkrimet për shumë çështje të ndryshme, si edhe përgjigjet e pyetjeve. Kur shkrimet lexohen dhe shqyrtohen personalisht, të vërtetat që mësohen i lënë një mbresë edhe më të thellë personit.
6 Nëse u mësojmë studentëve si ta përdorin Biblën, kjo do të sjellë dobi të përhershme. Studenti do ta kuptojë se mësimi që merr vjen nga Perëndia. Po, «fjala e Perëndisë është e gjallë» dhe e fuqishme. (Hebr. 4:12) Duam t’i ndihmojmë të tjerët që të bëhen të aftë ‘për ta përdorur drejt fjalën e së vërtetës’.—2 Tim. 2:15.