Sa mirë ushqehemi frymësisht?
1 Është thënë se ‘siç hamë, ashtu edhe jemi’. Në të vërtetë, forca dhe shëndeti ynë fizik ndikohen nga zakonet tona të të ushqyerit. Duke qenë se Jezui tha që «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë, por me çdo shprehje që del nga goja e Jehovait», zakonet e të ushqyerit frymor ndikojnë, po ashtu, për mirë ose për keq te ne. (Mat. 4:4) Atëherë, sa mirë ushqehemi frymësisht? A hamë maja-maja? A hamë me nxitim, apo gjejmë kënaqësi duke lënë kohë për të pasur rregullisht vakte frymore të ekuilibruara dhe ushqyese?
2 Të analizojmë zakonin e të ushqyerit: Jehovai siguron «ushqim në kohën e duhur» dhe «një banket me gjellë plot yndyrë», nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm e të matur’. (Mat. 24:45; Isa. 25:6, BR) Për të përfituar plotësisht nga këto sigurime të dashura, duhet të bëjmë përpjekje për t’u ushqyer mirë frymësisht.
3 Mund të pyesim veten: A e lexoj çdo ditë shkrimin e ditës bashkë me komentin? A e lexoj çdo ditë Biblën dhe a meditoj çdo ditë rreth saj? A përgatitem për mbledhjet e kongregacionit duke e studiuar materialin që më përpara? A i kam lexuar plotësisht botimet më të fundit, duke përfshirë edhe të dyja vëllimet e librit Profecitë e Isaisë—Dritë për gjithë njerëzimin?
4 Jezui premtoi: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore . . . Lum ata që kanë uri dhe etje për drejtësi, pasi ata do të jenë të ngopur!» (Mat. 5:3, 6) Prandaj, të ushqehemi mirë frymësisht, duke e mbushur mendjen dhe zemrën me njohurinë e Perëndisë.