Kutia e pyetjes
◼Deri në ç’masë mund të marrin pjesë në shërbim fëmijët e vegjël të prindërve të krishterë para se të pranohen lajmëtarë të papagëzuar?
Prindërit e krishterë duan që fëmijët e tyre të bëhen shërbëtorë të pjekur e të devotshëm të Jehovait. (1 Sam. 2:18, 26; Luka 2:40) Që në moshë mjaft të vogël, fëmijët në familjet e krishtera duhet të jenë në gjendje të shprehen qartë në mbrojtje të besimit të tyre të bazuar në Bibël. Rritja frymore e fëmijëve përshpejtohet kur shoqërohen me prindërit në shërbim që në foshnjëri. Është e rëndësishme që të vegjlit të nxiten nga zemra e tyre, nëse duan të gjejnë kënaqësi në shërbim, nëse dëshirojnë të bëhen lajmëtarë të papagëzuar dhe të vazhdojnë të marrin pjesë në veprën e predikimit të Mbretërisë. Kërkohet një stërvitje e kujdesshme nga ana e prindërve. (1 Tim. 4:6; 2 Tim. 2:15) Nganjëherë mund të ndihmojnë edhe lajmëtarë të tjerë të kualifikuar, nëse prindërit pranojnë.—Të organizuar, fq. 99-100.
Duke shoqëruar prindërit e krishterë nga shtëpia në shtëpi, fëmijët e edukuar mirë mësojnë të marrin vetë pjesë në shërbim. Por nuk do të njihen si lajmëtarë derisa të kenë zhvilluar njëfarë aftësie dhe shkathtësie personale. Prindërit e krishterë mund të vendosin se në ç’masë mund të marrë pjesë fëmija në veprën e dëshmisë kur punojnë së bashku me ta. Fëmijët që nuk janë ende lajmëtarë nuk duhet të bëjnë vetë vizita sipas dëshirës ose të shoqërojnë fëmijë të tjerë në shërbim. Prindërit mund t’i përgatitin fëmijët për shërbim e t’u lejojnë të marrin pjesë në mënyra të ndryshme, si: duke lexuar një shkrim, duke ofruar fletushka a revista ose duke i treguar pronarit të shtëpisë ilustrimet e botimeve. Ndërsa rritet, fëmija mund të aftësohet të marrë pjesë më gjerësisht në diskutim.
Stërvitja e duhur, u mëson të vegjëlve seriozitetin e shërbimit, teksa i përgjigjen drejtimit të prindërve dhe sillen në mënyrë të rregullt. Prindërit nuk duhet t’i çojnë vetëm në mbledhjen për shërbim fëmijët që nuk janë pranuar ende lajmëtarë, duke pritur që të tjerët të kujdesen për ta. Prindërit e kujdesshëm, e pranojnë përgjegjësinë personale për të mbikëqyrur veprimtarinë e fëmijëve. Natyrisht, disa lajmëtarë të përgjegjshëm mund të jenë të gatshëm të ndihmojnë në stërvitjen e fëmijëve të kongregacionit që tregojnë interes të vërtetë për t’i shërbyer Jehovait në shërbim.