Kthehuni me gëzim për të ndihmuar të interesuarit
1 Të gjithë ata që zhvillojnë veprën nga shtëpia në shtëpi dëshirojnë të ndihmojnë ata që shfaqin interes. Dhënia e kësaj ndihme na jep gëzim të thellë dhe kënaqësi. (Krahaso Psalmin 126:5, 6.) Por duhet përgatitje.
2 Përgatitja fillon duke bërë regjistrime të sakta të informacioneve që marrim nga shtëpia në shtëpi. Merrni shënime mbi argumentin e trajtuar në vizitën fillestare dhe mbi reagimin e të zotit të shtëpisë. Mund të merrni shënime edhe mbi mënyrën se si mendoni ta filloni bisedën kur të ktheheni.
3 Për shembull, nëse ke lënë fletushkën «Si mund ta gjejmë rrugën për në parajsë», mund të thuash:
◼ «Kujtoj se herën e kaluar kemi folur mbi shenjat që tregojnë se po jetojmë në ditët e fundit. Pavarësisht nga feja që ndiqni, jam i sigurt se do t’u përgjigjeni pozitivisht pyetjeve që ndodhen në paragrafin e parë të kësaj broshure.» [Ftoje pronarin e shtëpisë që të lexojë paragrafin 1 në faqen 3 të broshurës Koha për nënshtrimin e vërtetë ndaj Perëndisë.] Si në Psalmin 37:29, ashtu edhe në surën 21, El Enbija (Profetët) në ajetin 105 të Kuranit, flitet për një kohë kur të drejtët do të banojnë në tokë përgjithmonë. Nëse personi tregon interes, mund të vazhdosh bisedën mbi ndonjë argument të përshtatshëm nga broshura.
4 Nëse personi ka pranuar fletushkën «Ngushëllimi për të dëshpëruarit», mund të thuash:
◼ «Herën që kaloi kemi folur mbi inkurajimin që na jep Jezui në Lukën 21:28, duke qenë të bindur se jetojmë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig gjërash. Dua t’ju tregoj sot disa nga bekimet që Perëndia do të sjellë në të ardhmen e afërt që sigurisht do t’ju ngushëllojnë.» [Kalo në faqet 156-158 të librit Të jetosh përgjithmonë dhe trego figurat, duke lexuar drejtpërdrejt nga libri disa nga shkrimet e cituara.] Nëse personi ka një Bibël dhe mund ta marrë, ndihmoje për të gjetur disa prej këtyre shkrimeve. Trego se si mund të përfitojë nga një studim biblik në shtëpi. Përpara se të largohesh, kërkoji se cilin nga argumentet e radhitura në faqet e para të librit do të dëshironte për të trajtuar herën tjetër.
5 Nëse ke lënë në vizitën fillestare fletushkën «Gëzo jetën familjare» mund të vazhdosh duke thënë diçka të tillë:
◼ «Herën e fundit kemi qenë dakort se një familje mund të arrijë lumturinë e plotë duke vënë në praktikë këshillat që vijnë nga Fjala e Perëndisë. Megjithatë, rrethanat e sotme e bëjnë jetën shumë të vështirë dhe lumturia duket gjithnjë e më tepër diçka e paarritshme. [Hape librin Të jetosh përgjithmonë në faqen 8 dhe lexo paragrafin 6, duke komentuar mbi fotografinë që ilustron situatën e sotme.] Bibla na jep prova që tregojnë se jetojmë në ditët e fundit siç përshkruhet në 2. Timoteut 3:1-5. Veç kësaj, ky libër mund të të tregojë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar bekimet që ka premtuar Perëndia dhe që janë të ilustruara në faqet 12-13.» [Pyete pronarin e shtëpisë se çfarë i bën më shumë përshtypje nga ilustrimi.] Nëse tregohet interes, shpjego se si mund të përfitojë nga një studim biblik në shtëpi.
6 Ki parasysh se qëllimi ynë është që të bëjmë dishepuj duke përdorur sa më shumë Biblën. (Vep. 17:11) Normalisht, nevojiten disa vizita për të kultivuar interes të mjaftueshëm. Trego se interesohesh personalisht për të zotin e shtëpisë, duke u kthyer për ta vizituar sa më shpejt.
7 Lajmi i mirë që shpallim është burim i një gëzimi të madh. (Luka 2:10) Kur të interesuarit tregojnë se i çmojnë përpjekjet tona, kjo patjetër na gëzon. (Filip. 4:1) Le ta bëjmë tonin këtë gëzim, duke u kthyer për të ndihmuar të interesuarit që gjejmë në shërbim.