«Një muaj i veçantë në Shqipëri»
Jehovai është ai që «bën të rritet». (1. Korintasve 3:6) Qoftë i lavdëruar për mënyrën se si e tregon këtu në Shqipëri!
Muaji i marsit ka regjistruar një aktivitet të jashtëzakonshëm. Kemi arritur maksimumin e 35-të radhazi me 773 lajmëtarë, 45 më shumë se muajin e kaluar! Fushata speciale e kryer gjatë javës para Përkujtimit, ka pasur mjaft sukses. Pionierët dhe lajmëtarët kanë predikuar për herë të parë në mënyrë të organizuar në 20 territore të reja. Si rezultat, janë shpërndarë 121.737 revista, një mesatare prej 157 për çdo lajmëtar! Vëllezërit na kanë shkruar përvoja të bukura, në lidhje me shumë persona që kanë treguar interes të sinqertë, duke filluar menjëherë një studim biblik.
Megjithatë, na gëzon edhe më shumë ç’ka ndodhi në rastin e Përkujtimit të 2 prillit 1996. Jehovai bëri të mundur mbajtjen e Përkujtimit në 52 vende të ndryshme anembanë Shqipërisë. Pra, u regjistruan 6.523 të pranishëm, nëntëfishi i numrit të lajmëtarëve!
Le të bëjmë tonat fjalët e Jezuit, i cili tha: «E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak. Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e Tij.»—Mateu 9:37, 38.