Kush është i kualifikuar për të predikuar?
1 A je ndier ndonjëherë si Moisiu, në lidhje me shërbimin? Ai tha: «Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës; nuk isha i tillë në të kaluarën dhe nuk jam i tillë që kur i ke folur shërbëtorit tënd.» (Dal. 4:10) Nëse mendon kështu, mund të kesh prirjen për t’u tërhequr nga predikimi. Megjithatë, Jezui «na urdhëroi t’i predikojmë popullit dhe të dëshmojmë». (Vep. 10:42) Si bëhemi, atëherë, predikues të kualifikuar të lajmit të mirë?
2 Nuk është masa e arsimimit që kemi marrë në botë, ajo që na kualifikon për shërbimin. Pavli tha se ‘ishin thirrur jo shumë të ditur sipas mishit’ dhe se «dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë». (1. Kor. 1:26; 3:19) Jezui i zgjodhi apostujt e tij nga mesi i punëtorëve të thjeshtë; të paktën katër prej tyre ishin peshkatarë tregtarë. Krerët fetarë krenarë i shikonin ata me shpërfillje, si «analfabetë dhe të rëndomtë». Të gjykuar sipas normave të botës, apostujt nuk ishin të kualifikuar për të predikuar. Megjithatë, fjalimi i mbajtur me mjeshtëri nga Pjetri në ditën e Rrëshajëve, nxiti 3.000 veta të pagëzoheshin.—Vep. 2:14, 37-41; 4:13.
3 Jehovai na kualifikon për të predikuar: Pavli deklaroi: «Të qenët të kualifikuar në mënyrë të përshtatshme vjen nga Perëndia.» (2. Kor. 3:5, BR) Jehovai, Burimi i mençurisë, ka mësuar miliona persona për t’u predikuar të tjerëve të vërtetën e Mbretërisë. (Isa. 54:13) Efektshmëria dhe frytshmëria e kësaj vepre mund të shihet nga 338.491 persona, të cilët u pagëzuan vitin e fundit si «letra rekomandimi» të gjalla. (2. Kor. 3:1-3) I kemi të gjitha arsyet për të predikuar me guxim dhe bindje për gjërat që kemi mësuar nga Jehovai.
4 Organizata e Perëndisë ka vendosur një program ndërkombëtar stërvitjeje për shërbëtorët. Me anë të Shkrimeve dhe shumëllojshmërisë së madhe të materialeve ndihmëse për studimin e Biblës, ne shkollohemi dhe stërvitemi për t’u bërë ‘plotësisht të zotët, mjaft të përgatitur’ për të predikuar. (2. Tim. 3:16, 17, BR) Shumë personave u ka bërë përshtypje dija që gjejnë në botimet e Shoqatës. Për shembull, një organ shtypi periodik suedez deklaroi: «Pas besimit që predikojnë Dëshmitarët e Jehovait, shtrihet një horizont ndërkombëtar i një niveli të lartë akademik që të lë pa mend, për sa i përket fushës së dijeve biblike.»
5 Me drejtimin që marrim në pesë mbledhjet tona javore, me programin tonë për leximin dhe studimin e Biblës, me këshillat në Shkollën e Shërbimit Teokratik, me ndihmën personale nga ata që janë shërbëtorë me përvojë dhe mbi të gjitha me përkrahjen e frymës së shenjtë të Jehovait, mund të jemi të bindur se Jehovai na konsideron si plotësisht të kualifikuar për të predikuar. «Po, ne flasim si të dërguar të Perëndisë, nën pamjen e Perëndisë, në shoqëri me Krishtin.»—2. Kor. 2:17, BR.
6 Nëse përfitojmë në mënyrë sa më të plotë nga stërvitja teokratike, që Perëndia na siguron përmes organizatës së tij, nuk kemi asnjë arsye për t’u tërhequr apo për t’u frikësuar. Mund t’u predikojmë të tjerëve me gëzim, të sigurt se Jehovai do të bekojë përpjekjet tona.—1. Kor. 3:6.