Kongreset ndërkombëtare dhe krahinore për vitin 1998 «Udha hyjnore e jetës»
1 Proverbat 10:29 na kujton se «rruga e Jehovait është një fortesë». Çfarë teme të përshtatshme ka kongresi i këtij viti: «Udha hyjnore e jetës»! Por si do të zhvillohet kjo temë gjatë programit treditor? Të gjithë presim me padurim atë që është përgatitur për ne. Pika domethënëse do të prezantohen.
2 Misionarë, vullnetarë të vendeve të ndryshme apo të tjerë që shërbejnë në caktime të huaja, mund të ndjekin kongresin në vendin tënd. Pritet që mijëra delegatë nga vende të tjera, të jenë të pranishëm në qytetet ku mbahen grumbullimet ndërkombëtare. Ndoshta do të takosh disa prej këtyre vizitorëve. Programi i kongresit do të paraqesë raporte mbi atë se si Jehovai po e bekon veprën në territore të ndryshme.
3 Ia vlen përpjekja për ta ndjekur: Shumë prej vëllezërve tanë në Afrikë kanë përjetuar vështirësi, për shkak të luftës dhe trazirave që ndodhën në disa pjesë të këtij kontinenti. Ata i shohin kongreset e popullit të Jehovait si diçka që i mban gjallë. Disa duhet të përshkojnë në këmbë distanca të gjata për të marrë pjesë në një kongres, megjithatë, as nuk mendojnë të humbin ndonjë prej tyre. Një vëlla 73-vjeçar në Republikën Demokratike të Kongos (ish Zaireja) përshkoi në këmbë afërsisht 450 km për të marrë pjesë në një kongres. Ai mbërriti 16 ditë pasi qe nisur, me këmbë të fryra, por i lumtur që ndodhej atje. Pas kongresit, tepër i gëzuar dhe i forcuar frymësisht, u rikthye në shtëpi më këmbë. Kjo kishte qenë rutina e tij për vite të tëra!
4 Në Mozambik, një mbikëqyrës qarkor dhe gruaja e tij, ngjitën një mal të lartë dhe kaluan një fushë të madhe ngjashëm një shkretëtire, për të marrë pjesë në një asamble qarkore. Ata bënë një udhëtim prej 90 kilometrash në 45 orë. Të gjithë pjesëmarrësit u inkurajuan shumë nga shembulli i shkëlqyer i këtij çifti. Shumë familje të pranishme kishin bërë përpjekje të ngjashme për të marrë pjesë. Mbikëqyrësi krahinor raportoi se disa vëllezër, duke përfshirë njërin që është 60 vjeç, udhëtuan 200 km më këmbë!
5 A ke bërë plane të përcaktuara qartë për të marrë pjesë në kongresin e këtij viti? Ndoshta nuk do të të duhet të përshkosh distanca të gjata në këmbë, por do të jenë të nevojshme disa përpjekje dhe sakrifica, që ti dhe familja jote të jeni të pranishëm. Merr masa që të ndjekësh të gjithë programin nga fillimi deri në fund. Shumë studentë të Biblës po përparojnë drejt dedikimit. Pjesëmarrja në kongres do t’i ndihmojë ata që të marrin vendimin e duhur. A i ke ftuar studentët e tu të Biblës dhe personat e tjerë të interesuar, që të marrin pjesë bashkë me ty?
6 Një program treditor: Këtë vit programi do të prezantohet në Tiranë, më 17-19 korrik, 1998 (mundësisht). Kulla e Rojës, 15 shkurt, 1998, shënon disa data dhe vende të këtij kongresi në shtetet e tjera.
7 Shënim i veçantë: Është veçanërisht e rëndësishme që të marrësh pjesë në kongresin ku është caktuar kongregacioni yt. Të lutemi mos bëj plan të marrësh pjesë në ndonjërin prej kongreseve ndërkombëtare, nëse kongregacioni yt nuk është caktuar atje. Ndërtesat ku duhen mbajtur këto kongrese ndërkombëtare, nuk kanë vend as për një pjesë të të gjithë atyre që do të donin të merrnin pjesë në to. Respekti yt si individ për këto rregullime dhe bashkëpunimi me to, do të sigurojë që çdo gjë të bëhet si ka hije dhe me rregull.—1. Kor. 14:33, 40.
8 Të premten, të shtunën dhe të dielën, programi do të fillojë në 9.30 të paradites. Të premten dhe të shtunën, programi do të përfundojë në orën 17.00 dhe të dielën në 16.00. Dyert do të hapen çdo ditë në orën 8.00. Vetëm ata me punë të caktuara do të lejohen të hyjnë më herët. Megjithatë, asnjë nuk do të lejohet të zërë vende deri pas orës 8.00.
9 Ndërsa udhëton për të ardhur në kongres apo për t’u kthyer pas përfundimit të tij, mund të shfrytëzosh çdo rast për të dhënë dëshmi joformale. Punonjësit e pikave të karburantit, shitësit e dyqaneve, kamerierët dhe persona të tjerë, mund të kenë interes për mesazhin e Mbretërisë. Përgatitu për këtë duke marrë me vete fletushka, revistat e fundit, broshura ose literaturë tjetër, kështu që mund të përfitosh nga mundësitë për t’u dëshmuar njerëzve që ndryshe mund të mos arriheshin me lajmin e mirë.—2. Tim. 3:17.
10 «Kushtoji vëmendje mënyrës se si dëgjon»: Delegatët e kongresit bëjnë mirë t’i vënë veshin këshillës që gjendet në Lukën 8:18. Të gjithë inkurajohen të sjellin me vete një Bibël, fletoren e këngëve dhe një bllok shënimi. Dëgjo me kujdes pikat kyçe në secilin prezantim dhe mbaj shënime të shkurtra. Pyete veten se si mund ta zbatosh personalisht këtë material. Secilën prej netëve të kongresit, përpara se të shkosh në shtrat, përse të mos i rishikosh shënimet e tua dhe të analizosh se sa ngushtësisht po i përmbahesh mënyrës së të jetuarit të përcaktuar nga Jehovai?—Prov. 4:10-13.
11 Është vënë re se gjatë sesioneve disa ikin nga salla dhe sorollaten nëpër korridore, ndërkohë që duhet të qëndrojnë të ulur dhe të dëgjojnë. Grupe të rinjsh janë parë ta lënë vendin e kongresit gjatë pasdites. Disa nga shërbëtorët e Jehovait në të kaluarën, bënë gabime serioze në jetën e tyre sepse nuk i dëgjuan me kujdes përkujtuesit e Jehovait. Sigurisht, ne do të donim ta shmangnim kryerjen e të njëjtit gabim. (2. Mbret. 17:13-15) «Skllavi i besueshëm dhe i matur» ka përgatitur udhëzimin, për të cilin të gjithë kemi nevojë. Është veçanërisht e rëndësishme që «t’u kushtojmë më tepër se një vëmendje të zakonshme gjërave të dëgjuara», gjatë secilit sesion të programit treditor të kongresit. Diçka me një interes të veçantë për ne do të prezantohet secilën ditë, duke përfshirë informata që sigurisht do të kenë një ndikim të shëndetshëm mbi mënyrën tonë të të jetuarit në të ardhmen. Duke qenë të vëmendshëm dhe duke e përdorur plotësisht atë që Jehovai siguron frymësisht në serinë e kongreseve të ardhshme, shpresa jonë do të ankorohet me qëndrueshmëri, në mënyrë që «kurrë të mos largohemi» nga udha hyjnore e jetës.—Mat. 24:45, BR; Hebr. 2:1, BR.
12 Veshja që nderon Jehovain: Në këto kohë kritike ne duhet të kushtojmë një vëmendje më shumë se të zakonshme që të mos mposhtemi nga fryma e kësaj bote. (1. Kor. 2:12) Veshja dhe krehja jonë duhet të jenë modeste dhe duhet të pasqyrojnë dinjitetin e Perëndisë të cilin adhurojmë. (1. Tim. 2:9, 10) Nuk kërkohet veshje e kushtueshme për të qenë mes atyre «që zbukurojnë mësimet e Shpëtimtarit tonë, Perëndisë». (Titit 2:10, BR) Vëre këshillën e shkëlqyer praktike dhe biblike, dhënë në Kullën e Rojës së 15 qershorit, 1997, faqe 17 dhe 18, paragrafët 14-18. Kurrë mos e nënvlerëso dëshminë e fuqishme që mund të japim duke u veshur në një mënyrë që nderon Jehovain.
13 Një Dëshmitare 16-vjeçare tregoi se kur ajo dhe vëllai i saj shkuan në një restorant një mbrëmje pas sesioneve, vunë re se disa prej motrave dhe vëllezërve që ishin atje, kishin ndryshuar paraqitjen duke u veshur në një mënyrë të papërshtatshme. Megjithatë, shumë klientë të restorantit, reaguan në mënyrë të favorshme kur panë Dëshmitarët të veshur në një mënyrë të rregullt e të përshtatshme, duke mbajtur distinktivët e tyre të kongresit. Kjo gjë hapi rrugën për t’u dhënë një dëshmi disa prej klientëve.
14 Sjellje që lavdërojnë Jehovain: Ne e dimë se sjellja jonë e krishterë mund të ndikojë mbi mënyrën se si të tjerët e shohin adhurimin e vërtetë. Prandaj, ne duam të sillemi në çdo rast në një mënyrë që është e denjë për lajmin e mirë dhe që i sjell lavdi Jehovait.—Filip. 1:27.
15 Vitin e kaluar u mbajt për herë të parë një kongres krahinor në veri të Angolës. Ditën e dytë të kongresit, në këtë vend u dërguan dy policë të zonës, për t’u siguruar nëse po mbahej qetësia publike. Ata qëndruan gjithë ditën. Në fund të ditës shprehën admirimin e tyre për atë që kishin dëgjuar dhe për mënyrën e rregullt të sjelljes që kishin vërejtur. Njëri prej tyre komentoi: «Përse u dërguam këtu? Ne e dimë se Dëshmitarët e Jehovait e mbajnë rregullin në grumbullimet e tyre.»
16 Anëtari i një partie politike në një vend afrikan, u largua për në Evropë, kur të gjithë anëtarët e tjerë të partisë së tij u vranë. Ai përjetoi shumë probleme personale dhe u shkurajua shumë. Së fundi pranoi një studim biblik. Kur ndoqi për herë të parë kongresin krahinor, e preku fakti që njerëz nga shumë ambiente të ndryshme, ishin mbledhur së bashku në paqe dhe harmoni. Ai u bind se kishte gjetur të vërtetën dhe gjatë kongresit vendosi të shkëpuste të gjitha lidhjet e tij politike. Më vonë u pagëzua dhe tani bashkë me fëmijët e tij po i shërben Jehovait.
17 Si do të ndikojë sjellja jonë në kongreset e këtij viti, mbi ata që mund të marrin pjesë për herë të parë në to? A do të vënë re ata frymën e bashkëpunimit që duket kur punojmë së bashku si vullnetarë? A do të preken nga pastërtia e ambientit tonë si edhe kur të shohin se përpara largimit nga vendi i kongresit, ne dhe fëmijët tanë mbledhim çdo mbeturinë që mund të jetë grumbulluar pranë vendeve tona? A do të vënë re sjelljen tonë të shkëlqyer, ndërsa udhëtojmë nga strehimet për në vendin e kongresit dhe anasjelltas? A do të vënë re se si prindër i kemi nën mbikëqyrje të vëmendshme fëmijët tanë gjatë gjithë kohës? Le të sigurohemi se po krijojmë përshtypjen më të mirë që është e mundur te të gjithë ata që na vërejnë.
18 Mbulimi i shpenzimeve të kongresit: Një biletë hyrjeje për një vend në një aktivitet sportiv ose ndonjë shfaqje tjetër në një stadium ose sallë kongresi mund të jetë e kushtueshme në këtë botë materialiste. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të qirave të larta në zonat e kryeqytetit. Gjatë kongreseve, shoqata ka pasur gjithmonë moton «vende të lira, jo mbledhje parash». Në ç’mënyrë, atëherë, paguhen qiratë dhe shpenzimet e tjera të kongresit? Me anë të kontributeve bujare të atyre që marrin pjesë. Ne jemi të sigurt se ju do të tregoni një frymë bujarie si ajo që treguan shërbëtorët e Perëndisë në të kaluarën, duke imituar Perëndinë Jehova dhe Jezu Krishtin. (2. Kor. 8:7) Është treguar kujdes i madh për t’u siguruar që të gjitha kontributet të jenë të sigurta, të regjistruara dhe të përdorura për qëllimet e tyre të paracaktuara. Çdo kontribut i bërë në çek, duhet bërë i pagueshëm për «Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri».
19 Vendet e uljes: Do të vazhdojnë të zbatohen udhëzimet e dhëna për disa vjet me radhë, d.m.th., VENDET MUND TË RUHEN VETËM PËR ANËTARËT E AFËRT TË FAMILJES DHE PËR NDONJË QË UDHËTON ME TY. Ka qenë inkurajuese të shihen përmirësime të shkëlqyera në këtë drejtim dhe kjo e ka rritur atmosferën e dashur që shfaqet nëpër kongrese. Në shumicën e ndërtesave të kongresit, disa vende uljeje arrihen më lehtë sesa të tjerat. Të lutemi të tregosh konsideratë dhe të lësh vendet më të përshtatshme për të moshuarit dhe për ata të cilëve ua kërkojnë rrethanat. Kujto se ‘dashuria nuk kërkon interesat e saj’.—1. Kor. 13:4, 5, BR; Filip. 2:4.
20 Kamerat, videokamerat dhe kasetofonët: Në kongrese mund të përdoren kamera dhe pajisje për regjistrim. Megjithatë, përdorimi i tyre nga ana juaj nuk duhet të shpërqendrojë të tjerët. Të sjellurit vërdallë, duke bërë fotografi gjatë sesioneve, do t’i shqetësonte të tjerët që po përpiqen të përqendrohen mbi programin. Asnjë aparat regjistrimi i ndonjë lloji nuk duhet lidhur me sistemin elektrik apo akustik, as nuk duhet që këto pajisje të bllokojnë kalimet mes radhëve, rrugët ose shikimin e të tjerëve.
21 Ndihma e shpejtë: Reparti i ndihmës së shpejtë është vetëm për rastet urgjente. Të lutemi të marrësh me vete aspirina, ndihmës për tretjen, fasho, kapëse dhe gjëra të tilla, pasi këto nuk disponohen në kongres. Kushdo që e di se ka rrezik të ketë epilepsinë, një goditje insuline, probleme zemre e kështu me radhë, duhet të sjellë me vete mjekimin e nevojshëm. Këta duhen shoqëruar nga një anëtar i familjes ose i kongregacionit të vet, që e kupton situatën e tyre dhe që mund të përgjigjet nëse lind një rast urgjent. Kanë lindur probleme nëpër kongrese, kur individë me probleme kronike shëndetësore janë lënë vetëm dhe janë sëmurur. Nëse disa persona me nevoja të veçanta shëndetësore nuk kanë pjesëtarë të familjes që mund t’i ndihmojnë, do të duhet të informohen pleqtë për situatën, të cilët duhet të bëjnë rregullimet e nevojshme për ndihmë. Nëpër kongrese nuk mund të merren masa që të sigurohen dhoma të veçanta, për të strehuar ata që kanë sëmundje për shkak të ambientit apo alergji.
22 Ushqimi në kongres: Çdo pjesëmarrës është mirë të marrë ushqim me vete, në vend se të lërë ndërtesën gjatë pushimit të shkurtër për të blerë diçka jashtë. Një vakt i thjeshtë që është i ushqyeshëm dhe i lehtë për t’u bartur, mund të jetë i mjaftueshëm. Shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë, maj 1995, paragrafi 26, jep disa ide mbi atë se çfarë të sjellim. Në ndërtesën e kongresit nuk lejohen mbajtëse qelqi dhe pije alkoolike. Ftohësit e ushqimit ose çantat, duhet të jenë mjaft të vogla për t’u futur nën ndenjëse. Janë parë disa në auditor duke ngrënë ose duke pirë gjatë programit. Kjo gjë tregon mungesë respekti për rastin.
23 Sa të gëzuar jemi që Kongresi i vitit 1998 «Udha hyjnore e jetës» do të fillojë së shpejti! A i ke bërë të gjitha rregullimet për të marrë pjesë? Të urojmë një udhëtim dhe një kthim të sigurt për në shtëpi, e të jesh i freskuar dhe i vendosur për të vazhduar në shërbimin e çmuar të Jehovait dhe për të ndjekur vazhdimisht udhën hyjnore të jetës për bekimet e tua të përhershme.
[Kutia në faqen 6]
Përkujtues për Kongresin
▪Pagëzimi: Kandidatët për pagëzim duhet të ulen në vendin e caktuar, përpara fillimit të programit të shtunën në mëngjes. Çdo person që planifikon të pagëzohet, duhet të sjellë një kostum banje modest dhe një peshqir. Më parë, disa kanë veshur gjëra jo të përshtatshme dhe që ia kanë ulur vlerën rastit. Pleqtë që rishikojnë pyetjet në librin Të organizuar me kandidatët për pagëzim, duhet të sigurohen se çdonjëri i kupton këto pika. Pagëzimi si simbol i dedikimit të personit, është një çështje intime dhe personale mes individit dhe Jehovait. Prandaj nuk është e përshtatshme që kandidatët të përqafojnë njëri-tjetrin ose të mbahen për dore ndërsa pagëzohen.
▪Distinktivi: Ju lutemi të mbani distinktivin e vitit 1998 në çdo kohë kur jeni në qytetin e kongresit dhe kur udhëtoni për të shkuar ose për t’u kthyer prej tij. Shpeshherë kjo na krijon mundësi për të dhënë një dëshmi të shkëlqyer. Distinktivat duhet të merren nëpërmjet kongregacionit, pasi ato nuk do të disponohen në kongres. Mos prit deri pak ditë para kongresit, për të kërkuar distinktivat për vete dhe për familjen. Mos harro të marrësh kartën e përditësuar Deklaratë/Shfajësim mjekësor i mëparshëm.
▪Strehimi: Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve, që të përdorim VETËM listën e ambienteve të siguruara nga kongresi. Mbaj mend se çmimi i dhomave për kongresin është i vlefshëm edhe për netët e së enjtes dhe të së dielës. NËSE PËRJETON NDONJË PROBLEM NË NDONJË STREHIM, të lutemi të mos ngurrosh të njoftosh Repartin e Strehimit ndërkohë që je akoma në kongres, në mënyrë që të të ndihmojnë menjëherë në zgjidhjen e çështjes. Nëse të duhet të anulosh një strehim që është bërë përmes rregullimit për nevoja të veçanta, duhet të njoftosh menjëherë Repartin e Strehimit të kongresit, në mënyrë që dhoma t’i ricaktohet dikujt tjetër.
▪Karrocat e fëmijëve dhe karriget portative: Në shumë vende, karrocat nuk mund të përdoren në vendet publike të asamblesë. Rregullat për parandalimin e zjarrit nuk lejojnë vendosjen e tyre nëpër korridore dhe në kalimet midis rreshtave ose midis rradhëve të karrigeve. Meqë turmat e mëdha mund të shkaktojnë ngushtica, karrocat mund të jenë të rrezikshme si për fëmijën, ashtu edhe për këdo që mund të pengohet mbi to. Prandaj, të lutemi të mos i sjellësh ato në vendin e kongresit. Janë të lejueshme ndenjëset për foshnja ose fëmijë, të cilat mund të sigurohen në vendet pranë prindërve. Të lutemi të mos sjellësh karrige portative. Përdorimi i tyre nuk lejohet në ndërtesat e mëdha publike. Bashkëpunimi yt është i rëndësishëm dhe i çmuar.
▪Shërbimi vullnetar: A mund të veçosh ca kohë gjatë kongresit për të ndihmuar në ndonjë nga repartet? Shërbimi ndaj vëllezërve të tu, edhe vetëm për pak orë, mund të jetë një ndihmë e madhe dhe të sjell shumë kënaqësi. Nëse mund të ndihmosh, të lutemi të paraqitesh në Repartin e shërbimit vullnetar në kongres. Fëmijët nën moshën 16 vjeç, mund të japin një kontribut të shkëlqyer, duke punuar nën drejtimin e një prindi ose të të rriturve të tjerë përgjegjës.
▪Zëra për kujdes: Sigurohu që automjeti yt është i kyçur në çdo kohë dhe mos lër asnjëherë diçka të dukshme, që e tundon dikë për të thyer xhamin. Hajdutët dhe xhepistët e përqendrojnë vëmendjen e tyre në grumbullime të mëdha. Nuk do të ishte e mençur të lije ndonjë gjë me vlerë në vendin tënd të ndenjjes. Nuk mund të jesh i sigurt se të gjithë ata që të rrethojnë janë të krishterë. Përse të ofrosh ndonjë tundim? Janë marrë raporte për përpjekje të bëra nga disa të jashtëm për të joshur fëmijët e për t’i larguar ata. RUAJI FËMIJËT GJATË GJITHË KOHËS.
Në disa strehime ka televizorë dhe video në dispozicion. Mos i lër fëmijët pa mbikëqyrje gjatë përdorimit të televizorit në dhomë.