‘Të jemi bujarë, gati për të ndarë’
1 Shekuj më parë, apostulli Pavël e udhëzoi Timoteun t’i inkurajonte bashkëbesimtarët «që të punojnë për të mirën, të jenë të pasur në vepra të shkëlqyera, të jenë bujarë, gati për të ndarë». (1 Tim. 6:18, BR) Gjithashtu, Pavli u kujtoi të krishterëve hebrenj që të mos harronin «bërjen e së mirës dhe ndarjen e gjërave me të tjerët». (Hebr. 13:16, BR) Përse i shkroi ai këto udhëzime? Sepse e dinte se do të kishte ‘lavdi, nder dhe paqe për cilindo që bën të mirën’.—Rom. 2:10.
2 Për shkak të pozitës së tij si Krijues, Perëndia Jehova është Pronari i çdo gjëje. (Zbul. 4:11) Ne sigurisht e çmojmë atë që ai po bën me zotërimet e tij në dobinë tonë. Me gjithë qëndrimin mosmirënjohës të shumë njerëzve, Më i Larti vazhdon t’i lejojë të gjithë që të përfitojnë nga sigurimet e tij të bollshme për të mbështetur jetën. (Mat. 5:45) Ai dha madje edhe Birin e tij më të dashur si flijim, që ne të mund të kemi jetën e përhershme. Dashuria që na është treguar, a nuk duhet të na shtrëngojë që të provojmë se jemi mirënjohës duke qenë bujarë me njerëzit e tjerë?—2 Kor. 5:14, 15.
3 Çfarë mund të ndajmë? Është më se e përshtatshme të përdorim çfarëdo gjëje që kemi në një mënyrë të pëlqyeshme në sytë e Perëndisë. Sigurisht, ne duam ta mbështetim veprën mbarëbotërore të Mbretërisë në mënyrë materiale dhe frymore. Pa dyshim, lajmi i mirë është thesari më i vlefshëm që dikush mund të ketë, sepse ai është «fuqia e Perëndisë për shpëtim». (Rom. 1:16) Duke i përdorur me bujari, çdo muaj, kohën dhe të ardhurat tona për të marrë pjesë në veprën e predikimit dhe të mësimit, mund të jemi në gjendje ta ndajmë këtë thesar frymor me të tjerët, duke bërë që ata të fitojnë jetën e përhershme.
4 Jehovai kënaqet shumë kur ndihmojmë ata që kanë pak. Ai premton bekime për këtë e gjithashtu, na kujton: «Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.» (Prov. 11:4; 19:17) Mbështetja materiale e veprës së Mbretërisë dhe pjesëmarrja e plotë në predikimin e lajmit të mirë, janë mënyra të mrekullueshme me anë të të cilave mund të tregojmë se jemi me të vërtetë bujarë, gati për të ndarë.