Mirënjohës për atë që kemi
1 «Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.» (Rom. 8:5) Sa mirënjohës duhet të jemi të gjithë për sakrificën më të lartë që ka bërë Perëndia Jehova dhe Biri i tij për ne! Derdhja e gjakut të Krishtit na ka dhënë mundësinë për jetën e përhershme, diçka që asnjë njeri nuk mund të na e jepte.
2 Si mund të tregojmë çmueshmërinë tonë? Ka shumë njerëz që kanë etje për njohurinë e vërtetë, e cila mund të gjendet vetëm në Fjalën e Shenjtë të Perëndisë. Është vullneti i Jehovait që ata të vijnë në njohurinë e së vërtetës. (1. Tim. 2:4) Ne e tregojmë çmueshmërinë tonë për të vërtetën duke ‘shpallur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë’. (Luka 4:43) Pjesëmarrja jonë me gjithë zemër në këtë vepër tregon se e çmojmë faktin që Krishti vdiq për ne dhe se dëshirojmë ta imitojmë atë duke iu bindur me besnikëri urdhërit të tij për të bërë dishepuj të tjerë.—Mat. 28:19, 20.
3 Cilat janë disa nga mënyrat e predikimit që hapen para nesh? A kemi mundësi të futemi në radhët e pionierëve ndihmës herë pas here? Pasi kanë llogaritur shpenzimet, disa kanë mundësi të ndërmarrin shërbimin si pionierë të rregullt. Duke shfrytëzuar këto raste të shkëlqyera, ne mund të rritim sasinë e kohës që harxhojmë në përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë. Kohë më përpara ti mund ta kesh konsideruar këtë fakt, por të kanë dalë pengesa. Ndoshta rrethanat e tua kanë ndryshuar. Nëse po, a po mendon seriozisht për të filluar shërbimin si pionier apo duke shërbyer si një pionier ndihmës kohë pas kohe?
4 Kur shohim se çfarë po ndodh përreth nesh mirënjohja jonë bëhet edhe më e thellë. Ka rritje të dhunës, urrejtjes dhe konflikteve ndërkombëtare. Pavli i përshkroi mirë kohët tona si «kritike» dhe «të vështira për t’u trajtuar». (2. Tim. 3:1, BR) Në mes të këtyre kushteve të vështira, ne kemi me bollëk lajme të mira për të ndarë me të tjerët. Kemi një revistë të shkëlqyer, Kullën e Rojës. Këtë muaj ne mund ta ofrojmë personalisht ose në formë pajtimi. Kemi gjithashtu broshura me një numër të madh subjektesh. Këto botime mund t’u japin atyre që i lexojnë një freskim të vërtetë. Mirënjohja për atë që kemi duhet të na nxitë për të qenë bujarë kur i ndajmë ato me të tjerët.—Hebr. 13:16.
5 Aktualisht në vendin ku jetojmë kemi vërejtur shumë interes. Përveç kësaj, pjesa më e madhe e territorit të vendit tonë është akoma e pashkelur. A ke menduar mbi perspektivën për të predikuar në një nga këto territore, duke rritur në këtë mënyrë shërbimin tënd? Mund të flasësh mbi këtë gjatë vizitës së ardhshme të mbikëqyrësit qarkor ose me pleqtë e kongregacionit tënd.
6 Ka shumë arsye për të qenë mirënjohës për atë që kemi, me të vërtetë një bollëk gjërash të mira. Falënderimet tona ndaj Jehovait mund të shprehen më mirë duke u bërë të njohur të tjerëve emrin dhe qëllimet e tij.—Isa. 12:4, 5.