Kutia e pyetjes
◼ Kush duhet të bëjë lutje në mbledhjet e kongregacionit?
Lutja në kongregacion është një pjesë jetësore e adhurimit tonë. Të përfaqësosh të tjerët para Jehovait është një privilegj i çmuar dhe një përgjegjësi e madhe. Duke pasur parasysh rëndësinë e saj, pleqtë duhet të përdorin gjykim të mirë kur vendosin se cilët vëllezër janë të kualifikuar për të bërë lutje në mbledhje. Vëllezërit e pagëzuar që përfaqësojnë kongregacionin, duhet të jenë shërbëtorë të pjekur të krishterë që njihen si shembuj të mirë dhe që gëzojnë respektin e kongregacionit. Lutjet e tyre plot nderim dhe respekt, duhet të zbulojnë se kanë një marrëdhënie të shkëlqyer me Perëndinë Jehova. Artikulli «Të lutemi para të tjerëve me një zemër të përulur» në numrin e Kullës së Rojës, 15 maj 1986, anglisht, thekson parimet e rëndësishme që janë veçanërisht të dobishme për ata që luten publikisht në emër të kongregacionit. (Shih edhe Kulla e Rojës, 15 janar 1999, faqet 15-20.)
Pleqtë nuk do ta caktojnë një vëlla që të bëjë lutje, nëse ai njihet për një sjellje të diskutueshme ose joserioze. Nuk do të zgjidhet as ndonjë vëlla që ka prirjen të shfaqë pakënaqësi ose të përdorë lutjen publike si një mjet për të paraqitur mosmarrëveshjet personale. (1 Tim. 2:8) Edhe nëse një vëlla adoleshent mund të jetë i pagëzuar, pleqve do t’u duhet të përcaktojnë nëse ai ka pjekurinë e duhur frymore për t’u lutur në emër të kongregacionit.—Vep. 16:1, 2.
Ngandonjëherë, në mbledhjet për shërbim, mund të jetë e nevojshme që lutjen ta bëjë një motër e pagëzuar nëse nuk ka ndonjë vëlla të kualifikuar për të përfaqësuar grupin. Ajo duhet të vërë në kokë një mbulesë të përshtatshme. Nëse ka të ngjarë që të mos ketë ndonjë vëlla të kualifikuar të pranishëm në disa mbledhje për shërbim, pleqtë duhet të caktojnë një motër të kualifikuar për të marrë drejtimin.
Zakonisht, është drejtuesi i Mbledhjes Publike ai që bën lutjen e hapjes. Por, në mbledhjet e tjera të kongregacionit, kur ka më shumë se disa vëllezër të kualifikuar në dispozicion, përveç vëllait që hap mbledhjen ose atij që i është caktuar pjesa e fundit, mund të ftohet edhe dikush tjetër për lutjen hapëse ose mbyllëse të mbledhjes. Sidoqoftë, vëllai që do të ftohet për të bërë lutjen në mbledhjen e kongregacionit, duhet të njoftohet më përpara, me qëllim që të mund të mendohet mirë për atë që do të thotë. Më pas ai mund të ofrojë një lutje konsekuente, nga zemra, që përshtatet me natyrën e mbledhjes së mbajtur.
S’është e nevojshme që lutje të tilla të jenë të gjata. Kur një vëlla ofron një lutje publike, zakonisht do t’i kuptohet më mirë ajo që thotë nëse qëndron në këmbë, shprehet me një volum të mjaftueshëm dhe flet në mënyrë të qartë. Kjo do t’u japë mundësi të gjithë të pranishmëve që ta dëgjojnë lutjen dhe në përfundim të thonë një «Amin» nga zemra!—1 Kron. 16:36; 1 Kor. 14:16.