«Si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?»
1 Kur ungjillëzuesi Filip e pyeti eunukun etiopas nëse e kuptonte atë që po lexonte nga Fjala e Perëndisë, burri iu përgjigj: «Në të vërtetë, si do të mundja, nëse dikush nuk më drejton?» Me gëzim Filipi e ndihmoi atë që të kuptonte lajmin e mirë rreth Jezuit, dhe kjo çoi në pagëzimin e menjëhershëm të eunukut. (Vep. 8:26-38, BR) Filipi po i bindej kështu urdhrit të dhënë nga Krishti ‘për të bërë dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar ata dhe duke i mësuar’.—Mat. 28:19, 20.
2 Ne duhet t’i bindemi urdhrit për të bërë dishepuj, pikërisht siç bëri Filipi. Megjithatë, ky lloj përparimi i shpejtë frymor i bërë nga eunuku etiopas, nuk shihet shpesh mes njerëzve me të cilët ne studiojmë Biblën. Ai burrë, një prozelit hebre, me mjaft njohuri për Shkrimet, kishte një zemër të ndjeshme dhe i duhej vetëm të pranonte se Jezui ishte Mesia i premtuar. Është një sfidë nëse ata me të cilët studiojmë nuk e njohin Biblën, nëse janë mashtruar nga mësime të rreme fetare, ose janë të mbytur nga probleme të vështira personale. Çfarë do të na ndihmojë që të kemi sukses në përpjekjen për t’i drejtuar studentët e Biblës në dedikim dhe pagëzim?
3 Të dallojmë nevojat frymore të studentit: Shtojca e Shërbimi ynë i Mbretërisë, gusht 1998, trajtonte se për sa kohë mund të studiojmë me njerëzit duke përdorur broshurën Çfarë kërkon? dhe librin Njohuria. Në të jepej ky udhëzim: «Është e nevojshme që të vlerësojmë ritmin me të cilin studiojmë, në varësi të rrethanave dhe aftësive të studentit. . . . Nuk është mirë që për hir të shpejtësisë ta pengojmë studentin që të fitojë një kuptueshmëri të qartë. Çdo studenti i nevojitet një bazë e fortë për besimin e tij të sapogjetur në Fjalën e Perëndisë.» Pra, është e këshillueshme që të mos e kalojmë shpejt e shpejt materialin në librin Njohuria, me mendimin që të përpiqemi ta përfundojmë librin në gjashtë muaj. Mund të duhen shumë më tepër se gjashtë muaj, për t’i ndihmuar disa individë që të përparojnë deri në pikën e pagëzimit. Ndërsa drejtojmë studimin javë pas jave, le të harxhojmë sado kohë që të jetë e nevojshme për ta ndihmuar studentin që të kuptojë dhe të pranojë atë që po mëson nga Fjala e Perëndisë. Në disa raste, për të trajtuar një kapitull në librin Njohuria, mund të nevojiten dy ose tri javë. Kjo gjë do të japë kohë për të lexuar dhe sqaruar shumë nga shkrimet e cituara.—Rom. 12:2.
4 Megjithatë, po nëse vërejmë se pasi kemi përfunduar librin Njohuria, kuptueshmëria e studentit për të vërtetën ka nevojë që të jetë më e plotë ose që ai nuk është ende i motivuar plotësisht të marrë një qëndrim për të vërtetën dhe t’ia dedikojë jetën Perëndisë? (1 Kor. 14:20) Çfarë mund të bëjmë më tej për ta drejtuar atë në udhën që të çon në jetë?—Mat. 7:14.
5 Të plotësojmë nevojat frymore të studentit të Biblës: Nëse është e dukshme që një person po bën progres, megjithëse të ngadaltë, dhe se po zhvillon çmueshmërinë për atë që po mëson, atëherë le të vazhdojmë studimin biblik me një libër të dytë pasi të jenë përfunduar broshura Çfarë kërkon? dhe libri Njohuria. Kjo gjë mund të mos jetë e nevojshme në çdo rast, por atëherë kur është, le të vazhdojmë studimin me librin Të bashkuar në adhurim. Shumica e lajmëtarëve e kanë dhe mund të përdorin kopjen personale të këtij libri, nëse ai nuk gjendet në kongregacion. Sidoqoftë, broshura Çfarë kërkon? dhe libri Njohuria duhen studiuar të parat. Studimi, rivizitat dhe koha e harxhuar për të vazhduar studimin duhen llogaritur dhe raportuar, edhe nëse studenti pagëzohet përpara përfundimit të librit të dytë.
6 A do të thotë kjo se ata që janë pagëzuar kohët e fundit, por që studiuan vetëm një libër, duhet të fillojnë tani të marrin përsëri ndihmë për të studiuar një libër të dytë? Nuk është e thënë. Megjithatë, ata mund të jenë bërë joaktivë ose mund të mos kenë përparuar në të vërtetën dhe mund të ndiejnë se kanë nevojë për ndihmë personale që ta vënë edhe më shumë në zbatim të vërtetën në jetën e tyre. Përpara se të rifillohet një studim me një lajmëtar të pagëzuar, duhet të flitet me mbikëqyrësin e shërbimit. Megjithatë, nëse e dimë që disa kanë studiuar më parë librin Njohuria, por që nuk përparuan kurrë deri në dedikim dhe pagëzim, ne mund të marrim iniciativën për të parë nëse do t’u pëlqente ta rifillonin studimin e tyre të Biblës.
7 Është një tregues i dashurisë së krishterë t’i kushtojmë vëmendje të kujdesshme e personale çdo personi të interesuar me të cilin studiojmë. Synimi ynë është që ta ndihmojmë studentin të fitojë mendjehollësi më të madhe në të vërtetën e Fjalës së Perëndisë. Atëherë ai mund të marrë një qëndrim të vendosur për të vërtetën, të bazuar në njohurinë, dhe t’i dedikojë jetën e tij Jehovait, duke e simbolizuar këtë dedikim me pagëzimin në ujë.—Psal. 40:8; Efes. 3:17-19.
8 A e kujtojmë çfarë ndodhi pasi eunuku etiopas u pagëzua? «Ai vazhdoi rrugën e tij me plot gëzim» si një dishepull i ri i Jezu Krishtit. (Vep. 8:39, 40) Ne dhe ata që udhëheqim me sukses në udhën e së vërtetës, gjetshim gëzim të madh në shërbim të Jehovait—tani dhe përgjithmonë!