«A duhet të transferohemi?»
1 Në përgjigje të urdhrit të Jezuit për ‘të shkuar . . . për të bërë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve’, shumë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait janë transferuar për të predikuar atje ku ka më shumë nevojë. (Mat. 28:19) Ata po imitojnë Pavlin i cili iu përgjigj thirrjes: «Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.» (Veprat 16:9) Si mund të bëhet kjo në mënyrë praktike?
2 Të shkojmë hap pas hapi: A ka brenda territorit të kongregacionit tonë ndonjë zonë që punohet rrallë? Nëse po, mund t’i përqendrojmë përpjekjet tona në këto zona. Përpara se të vendosim për të shkuar në një vend tjetër, të konsultohemi me pleqtë për të parë nëse ata mendojnë që jemi në gjendje për t’u transferuar gjetkë. Gjithashtu, mund të pyesim edhe mbikëqyrësin qarkor nëse ai di ndonjë kongregacion fqinj ku mund të zgjerojmë shërbimin tonë. Nga ana tjetër, pas llogaritjes me kujdes të kostos, po të duam mund të shqyrtojmë nëse mund të ndihmojmë në një pjesë tjetër të vendit ose në një vend krejt tjetër. Nëse është kjo ajo që dëshirojmë, bashkë me trupin e pleqve duhet t’i shkruajmë zyrës së degës ku jemi të interesuar të shërbejmë, duke i dhënë informacione për veten që kanë të bëjnë me aspektin teokratik. Mund të jetë e mençur ta vizitojmë zonën përpara se të vendosim nëse do të bëjmë një transferim të përhershëm ose jo.
3 Të jemi të kujdesshëm lidhur me imigrimin: Një numër gjithnjë e në rritje vëllezërish po transferohen në vende të tjera, sepse po kërkojnë një standard më të mirë jetese, ose një çlirim nga shtypja. Ndërkohë, disa kanë rënë pre e individëve të paskrupullt që premtojnë t’i ndihmojnë për t’u sistemuar në vendin e ri, por që vetëm sa u marrin paratë dhe më pas i braktisin. Në disa raste, këta individë përpiqen, madje, t’i detyrojnë imigrantët për të bërë punë të pamoralshme. Kur këta refuzojnë, i lënë në mëshirën e vendit ku kanë hyrë. Kështu, situata e imigrantëve bëhet më e rëndë sesa ajo në vendin e tyre. Ndoshta mund t’u duhet edhe t’u kërkojnë vëllezërve që t’i strehojnë e t’i mbështetin në mënyra të tjera, duke u ngarkuar një barrë familjeve të tjera të krishtere që ndërkohë po luftojnë me problemet dhe vështirësitë e tyre. Anëtarët e disa familjeve janë ndarë fizikisht nga njëri-tjetri dhe familjet janë dobësuar frymësisht nga transferime të tilla të papeshuara.—1 Tim. 6:8-11.
4 Nëse dëshirojmë të transferohemi për përfitime personale, të mbajmë parasysh që pavarësisht se ku jetojmë, na duhet të përballojmë probleme të ndryshme. Është më e lehtë të kapërcehen problemet aty ku tashmë dimë gjuhën dhe njohim kulturën, sesa kur fillojmë rishtas në një mjedis të panjohur.