Të bëjmë të njohur emrin dhe veprat e Jehovait
1 «Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. . . . Le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.» (Psal. 105:1, 3) Psalmisti që shkroi këto fjalë, gjeti kënaqësi të madhe personalisht, ndërsa u tregonte të tjerëve rreth Jehovait dhe ‘veprave’ të tij. Cilave vepra? Pa dyshim, atyre që lidheshin me mbretërimin e lavdishëm të Perëndisë dhe me «lajmin e mirë të shpëtimit nëpërmjet tij».—Psal. 96:2,3, BR; Psal. 145:11, 12.
2 Ndërsa i afrohemi sezonit të Përkujtimit për vitin 2001, kemi shumë arsye të gëzohemi për mënyrën se si ka vepruar Jehovai me ne. Si kështu? Darka e Zotërisë është pa dyshim kremtimi më i madh i vitit për të gjithë të krishterët e vërtetë. Nuk ka rast tjetër të ngjashëm me të për sa i përket rëndësisë, qëllimit ose procedurës. Kjo është një kohë për të gjithë ne që të kujtojmë atë që Jehovai dhe Jezui kanë bërë për të siguruar mjetin për shpëtimin tonë. S’është për t’u habitur që gjatë sezonit të Përkujtimit, natyrisht presim të shohim një rritje të veprës në fushë, ndërsa bëjmë të njohur «lajmin e mirë të shpëtimit».
3 A do të shërbejmë si pionierë ndihmës? Prillin e kaluar u regjistruan si pionierë ndihmës një numër rekord prej 571 lajmëtarësh. A mund t’i bëjmë muaj të veçantë marsin dhe prillin e këtij viti, duke e shtuar shërbimin? Marsi ka pesë të shtuna, kurse prilli pesë të diela. Duke planifikuar ditë të plota shërbimi gjatë fundjavëve, shumë lajmëtarë që punojnë në kohë të plotë, kanë parë se shërbimi si pionierë ndihmës është diçka që mund ta bëjnë. Që të plotësojë kërkesën e 50 orëve në muaj, një pionier ndihmës ka nevojë të bëjë mesatarisht 12 orë në javë. Të shqyrtojmë me kujdes programet që sugjerohen në kutinë në faqen 4. A do t’u përshtatet ndonjëri prej tyre rrethanave tona? Nëse jo, atëherë mund të bëjmë vetë një program që na përshtatet, për të shërbyer si pionierë ndihmës gjatë këtij marsi dhe prilli.
4 Pleqtë duhet të fillojnë që tani të ngrenë entuziazmin e të sigurojnë mbështetjen për një aktivitet më të madh shërbimi. Vitin e kaluar, për shembull, kongregacioni Tiranë Laprakë me 55 lajmëtarë ka pasur 27 pionierë ndihmës. Kongregacioni Tiranë Lagjja Grameno me 35 lajmëtarë të pagëzuar ka pasur 20 pionierë ndihmës. Po ashtu, në kongregacionin Tiranë Porcelan me 40 lajmëtarë, 23 kanë shërbyer si pionierë ndihmës. Me të vërtetë, është koha më e mirë për fëmijët dhe të rinjtë në të vërtetën që të pyesin pleqtë nëse janë të kualifikuar që të fillojnë të marrin pjesë në veprën e dëshmisë publike.
5 Më shumë përpjekje sjellin bekime: Kongregacionet që vënë synime të veçanta dhe bëjnë më shumë përpjekje, gëzojnë shumë bekime. Disa kongregacione mund t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mbulimit të territoreve të punuara rrallë, duke u përqendruar në format alternative të dhënies së dëshmisë, ose duke e vënë theksin në dëshminë me telefon—një mjet i efektshëm për t’u lidhur me ata që nuk janë gjetur në shtëpi, si edhe banorët në ato banesa ku nuk mund të futesh.
6 A duhet ta pengojë medoemos shëndeti i dobët ose pleqëria një person, që të mos përfshihet sa më shumë që të jetë e mundur në shërbim? Jo në çdo rast. Për shembull, një motër 86-vjeçare që vuan nga kanceri, shërbeu si pioniere ndihmëse në prill, megjithëse me këmbë të fryra. Dëshmia me telefon i dha mundësi që të merrte pjesë në një masë të plotë në shërbim, duke i dhënë kështu edhe më shumë lavdi Jehovait. Kjo gjë pati një ndikim nxitës si për të, ashtu edhe për kongregacionin.
7 Të përgatitemi mirë për Përkujtimin: Këtë vit, Përkujtimi do të jetë më 8 prill. Duke qenë se është e diel, do të ketë mundësi ta ndjekin më shumë veta. Mund të kemi një pjesëmarrje më të lartë se çdo herë tjetër, nëse bëjmë pjesën tonë (1) duke qenë vetë të pranishëm dhe (2) duke ftuar të tjerë që të bashkohen me ne në Përkujtim. Cilët duhet të ftojmë?
8 Le t’i hedhim një sy regjistrimeve personale të shërbimit në fushë për të gjetur emrat e atyre personave që kanë treguar njëfarë interesi për të vërtetën, edhe pse ndoshta mund të mos jemi duke i vizituar rregullisht. Dy ose tri javë përpara Përkujtimit, le të përqendrohemi duke u bërë vizita të gjithë këtyre të interesuarve me ftesat e Përkujtimit. Nëse kemi mundësi, le të ofrohemi për t’u siguruar një mjet transporti atyre që do të donin të ishin të pranishëm.
9 Në disa kongregacione nuk janë përdorur të gjitha ftesat e shtypura të Përkujtimit. Sekretarët e kongregacioneve duhet të sigurohen që ftesat të jenë në dispozicion kohë përpara, që të mund të shpërndahen të gjitha. Ndoshta mund të duam të shtypim ose të shkruajmë me kujdes në fund të ftesës orarin dhe vendin ku do të mbahet Përkujtimi. Ose mund të përfshijmë një ftesë me adresën e Sallës së Mbretërisë, nëse Përkujtimi mbahet në të. Sa për të kujtuar, në çdo rast kur është e mundur, ftesat i duhen dhënë personalisht në dorë pronarit të shtëpisë.
10 Të mos harrojmë ata që nuk janë aktivë: Është një rast për t’u gëzuar kur një student i Biblës ia dedikon veten Jehovait dhe e simbolizon këtë me anë të zhytjes në ujë. Por, çdo vit, disa në mesin tonë nuk shoqërohen më me ne dhe nuk u flasin më të tjerëve rreth emrit të Jehovait dhe veprave të tij. Kemi arsye të vlefshme për t’u shqetësuar. Megjithëse shumica e atyre që janë joaktivë nuk e kanë braktisur të vërtetën, ata mund ta kenë ndalur predikimin për shkak të shkurajimit, problemeve personale ose shqetësimeve të tjera të jetës. (Mat. 13:20-22) Ata që janë në një gjendje të dobët frymore, kanë nevojë për ndihmë që të rikthehen në kongregacion, përpara se t’i përpijë ky sistem satanik. (1 Pjet. 5:8) Këtë sezon Përkujtimi duam të bëjmë një përpjekje të veçantë për t’i ndihmuar të gjithë personat e kualifikuar joaktivë, që të angazhohen përsëri në predikimin e lajmit të mirë.
11 Sekretari i kongregacionit duhet t’i vërë në dijeni drejtuesit e studimit të librit për ndonjë që është joaktiv në grupin e tyre. Komiteti i Shërbimit të Kongregacionit do të marrë drejtimin për të bërë rregullimet e duhura që të gjithë personave joaktivë t’u bëhen vizita baritore. Nëse përcaktohet që individi do të nxirrte dobi nga një studim personal biblik, komiteti i shërbimit duhet të vendosë se cili do të ishte më i përshtatshmi për ta drejtuar studimin. Megjithëse mund të mos jetë e nevojshme që studimi të mbahet për një periudhë të gjatë kohore, ai që caktohet për ta drejtuar studimin, mund të shënojë në raport orët, rivizitat dhe studimin biblik.
12 Prillin e kaluar, një motër që po punonte nga shtëpia në shtëpi i ofroi revista një të riu në rrugë. Ai i tregoi se gruaja e tij ishte një Dëshmitare joaktive. Ky i ri pyeti se ku ndodhej Salla e Mbretërisë dhe e ftoi motrën që t’i bënte një vizitë atij dhe gruas së tij. Si rezultat, çifti ndoqi mbledhjen pasuese dhe pranoi një studim biblik.
13 Të bëhemi gati për një aktivitet më të madh! Psalmisti, që shpalli se ne duhet të bëjmë të njohur emrin dhe veprat e Jehovait, shtoi: «Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë [veprat e mrekullueshme, BR] e tij. Mburruni me emrin e tij të shenjtë!» (Psal. 105:2,3) Le ta tregojmë interesin tonë, për emrin e madh të Jehovait dhe për «veprat e mrekullueshme» të tij, duke i shtuar përpjekjet në shërbim, duke e bërë këtë sezon Përkujtimi, sezonin më të madh se çdo herë tjetër!
[Kutia në faqen 4]
Mënyra të ndryshme për të programuar 12 orë në javë për shërbimin si pionier ndihmës
Dita Orët
E hënë 1 2 − −
E martë 1 − 3 −
E mërkurë 1 2 − 5
E enjte 1 − 3 −
E premte 1 2 − −
E shtunë 5 4 3 5
E diel 2 2 3 2
Shuma: 12 12 12 12
A do të jetë i përshtatshëm për ne njëri nga këto programe? Nëse jo, përse të mos bëjmë vetë një program që na përshtatet?