Të planifikojmë që më përpara: Për çfarë?
1 Secili nga ne u kushton njëfarë vëmendje planeve që ka për të ardhmen. Ata me shpresë tokësore shohin përpara në kohën kur do të jetojnë përgjithmonë në botën e re të drejtë të Perëndisë. Por ka ndikime që mund të na e rrëmbejnë nga zemra këtë shpresë. Kërkohen përpjekje të forta për ta ndërtuar vazhdimisht jetën tonë rreth interesave të Mbretërisë dhe për të mos u shpërqendruar për shkak të dëshirave tunduese të mishit.
2 Kjo botë, thjesht, nuk mund t’i kuptojë dëshirat e njerëzve që përqendrohen në vlerat frymore. (1 Kor. 2:14) Ndërsa të tjerët nga kjo botë luftojnë për të pasur famë, fuqi ose pasuri ne përpiqemi për të grumbulluar thesare frymore. (Mat. 6:19-21) Nëse do të përpiqeshim ta përshtatnim mënyrën tonë të të menduarit sipas pikëpamjes që ka bota për të ardhmen, a do t’i arrinim ndonjëherë synimet tona frymore? Gjërat e kësaj bote do ta përpinin shpejt zemrën tonë. Si mund ta ndalojmë një gjë të tillë?
3 ‘Të vishemi me zotërinë Jezu Krisht’: Një mënyrë për të përcaktuar nëse po e ndërtojmë të ardhmen tonë rreth interesave të Mbretërisë, është duke shqyrtuar bisedat që bëjmë. A po flasim vazhdimisht për gjërat materiale dhe interesat e kësaj bote? Nëse është kështu, atëherë duhet të shqyrtojmë se mos zemra jonë nuk po përqendrohet më në vlerat frymore. Mund të na duhet të vëmë më shumë theksin në atë që ‘të vishemi me Zotërinë Jezu Krisht në vend që të bëjmë që më përpara plane për dëshirat e mishit’.—Rom. 13:14.
4 Të rinjtë mund ‘të vishen me Krishtin’ duke planifikuar që më përpara për ditën kur do të fillojnë shërbimin e plotkohor. Një i ri që donte të shërbente si pionier i rregullt, ishte rritur në një kulturë ku mbizotëron zakoni që të rinjtë të punojnë për të arritur sigurinë financiare. Kështu, ai u zhyt kaq thellë në aktivitetin tregtar, saqë po i ndiqte mbledhjet dhe po merrte pjesë në shërbim në mënyrë gati mekanike. Kur filloi t’u besonte fjalëve të Jezuit që gjenden në Mateun 6:33 dhe të zhveshë atë rutinë të ethshme e rraskapitëse, veshi karrierën e shërbimit të plotkohor. Sot, me një ndërgjegje të mirë, po i shërben Jehovait, sikurse thotë: ‘Me të gjitha aftësitë që ka’.
5 Bibla thotë se është diçka e mençur të bësh plane për të ardhmen. (Prov. 21:5, BR) Le ta bëjmë të gjithë këtë, duke pasur para së gjithash në mendje vullnetin e Perëndisë.—Efes. 5:15-17.