Të jemi ‘tërësisht të zënë’ me shërbimin tonë
1 Kur lexojmë se apostulli Pavël punonte si bërës tendash, gjatë kohës që ishte në Korint, mund të nxjerrim përfundimin se kjo e kufizonte mundësinë e tij për të predikuar. Megjithatë, në Veprat 18:5 thuhet: «Pavli filloi të ishte tërësisht i zënë me fjalën, duke u dëshmuar judenjve për të provuar se Jezui është Krishti.» Përse Pavli ishte kaq i zënë me veprën e predikimit? Edhe pse tashmë shumë veta në Korint ishin bërë besimtarë, Zotëria ripohoi se në atë qytet duheshin bërë ende shumë dishepuj të tjerë. (Vep. 18:8-11) A kemi arsye të ngjashme për të qenë tërësisht të zënë me shërbimin tonë? Po. Mund të gjenden e mund të mësojnë të vërtetën edhe shumë njerëz të tjerë.
2 Të harxhojmë më shumë kohë në shërbim gjatë prillit: Ndoshta kemi vënë si synim që të marrim pjesë çdo muaj në predikimin e lajmit të mirë. Por veçanërisht disa muaj na japin më shumë mundësi për të qenë ‘tërësisht të zënë’ me këtë veprimtari. Këta përfshijnë muajin prill, që ka si kulm periudhën e Përkujtimit. A na lejojnë rrethanat që të shërbejmë si pionier ndihmës ose që të shtojmë përpjekjet në shërbim këtë pranverë? Shumë lajmëtarë që po e bëjnë këtë, janë bekuar në mënyrë të pasur. (2 Kor. 9:6) Nëse po bëjmë gjithçka që mundemi, le të kujtojmë se Jehovai kënaqet me shërbimin tonë me gjithë shpirt. (Luka 21:2-4) Sido që të jenë rrethanat tona, le të vëmë si synim që të jemi ‘tërësisht të zënë’ me shërbimin gjatë prillit. Veç kësaj, të mos harrojmë të dorëzojmë raportin e shërbimit në fund të muajit, në mënyrë që përpjekjet tona të llogariten me ato të pjesës tjetër të popullit të Jehovait.
3 Të vizitojmë personat e rinj që ndoqën Përkujtimin: Vitin e kaluar, në Shqipëri ishin të pranishëm në Përkujtim 10.864 persona. Numri i përgjithshëm i të pranishmëve këtë vit, pritet ende të shihet. Megjithatë, raportet tregojnë se ka një mundësi të mrekullueshme për një ‘të korrë’ edhe më të madhe. (Mat. 9:37, 38) Prandaj, sa më shpejt që është e mundur le të bëjmë rregullime për të vizituar të interesuarit që ndoqën Përkujtimin, me qëllim që t’i ndihmojmë frymësisht. Shtyrja e këtyre vizitave mund t’i japë mundësi ‘të ligut që ta rrëmbejë fjalën e mbretërisë të mbjellë në zemrën e tyre’. (Mat. 13:19) Një vizitë e menjëhershme do të tregojë se jemi vërtetë «tërësisht të zënë» me shërbimin tonë.
4 Të vazhdojmë të ndihmojmë joaktivët: Në shkurt fillon një përpjekje e veçantë për të ndihmuar ata që nuk janë aktivë në shërbim. Nëse disave prej tyre nuk iu është bërë ende një vizitë baritore, pleqtë duhet të marrin masa për t’i vizituar mjaft kohë para se të përfundojë prilli. Pleqtë do të përpiqen të përcaktojnë se çfarë qëndron në themel të problemit të personit dhe se cila është mënyra më e mirë për ta ndihmuar atë që të jetë përsëri aktiv në shërbim të Jehovait. Kjo ndihmë e dashur tregon se pleqtë e marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre si barinj ‘të kopesë së Perëndisë’. (1 Pjet. 5:2; Vep. 20:28) Në numrin e Kullës së Rojës, 15 shtator 1993, faqet 22-23, sigurohen udhëzime të shkëlqyera që mund të përdoren nga pleqtë kur trajtojnë çdonjërin nga pesë problemet tipike që mund të ndikojnë te personat joaktivë. E mira do të ishte, që disa të bëhen sërish aktiv në shërbim gjatë muajit prill.
5 Të ndihmojmë të tjerë për t’u bërë lajmëtarë të papagëzuar: A janë fëmijët tanë të kualifikuar si lajmëtarë të lajmit të mirë? Ç’mund të themi për personat e tjerë me të cilët po studiojmë Biblën? Nëse miratohen nga pleqtë, a nuk do të ishte prilli një kohë e shkëlqyer për ta që të fillonin si lajmëtarë? Nëse një person po bën përparim dhe ka studiuar broshurën Çfarë kërkon? e librin Njohuria, mund ta vazhdojë studimin me një libër të dytë, për shembull, Të bashkuar në adhurim. Synimi ynë është që ta ndihmojmë studentin të fitojë një gjykim edhe më të thellë për të vërtetën, të kualifikohet si lajmëtar i papagëzuar dhe të bëhet një Dëshmitar i dedikuar e i pagëzuar i Jehovait.—Efes. 3:17-19; 1 Tim. 1:12; 1 Pjet. 3:21.
6 Interesi i vazhdueshëm e i çiltër për studentët e Biblës, mund t’i ndihmojë ata që së fundi ta bëjnë të tyren të vërtetën. Një Dëshmitar takoi një çift të moshuar që pranoi me gjithë zemër një studim biblik. Por çifti e shtyu studimin për tri javë me radhë. Më në fund studimi filloi. Më pas, çifti e anuloi studimin pothuaj në secilën nga javët që pasuan. Megjithatë, më në fund gruaja përparoi deri në pikën e pagëzimit. «Pasi u pagëzua,—kujton vëllai,—sytë iu mbushën me lot lumturie, dhe kjo shkaktoi lot lumturie edhe tek unë e te gruaja ime.» Po, kur je «tërësisht i zënë» me lajmin e mirë përjeton gëzim të madh!
7 Profecitë biblike dhe ngjarjet botërore tregojnë se jemi të zhytur thellë në kohën e fundit. Tani është koha kur i gjithë populli i Perëndisë duhet të jetë «tërësisht i zënë» për t’ua bërë të njohur të tjerëve lajmin e mirë. Apostulli Pavël jep sigurinë se pa dyshim ky mund «s’është i kotë në lidhje me Zotërinë».—1 Kor. 15:58.